21/12/2024

NJË TRASHËGIMTAR I SHKRONJËSVE TË “DIELLIT”

0
Besnik-Mustafaj

Ftesë pë lexim të botimit “Demokracia nuk pret” të Frank Shkrelit

NGA BESNIK MUSTAFAJ

Ata shqiptarë që arrinin ta dëgjonin “Zërin e Amerikës” 30 vjet më parë e tutje, e kanë njohur Frank Shkrelin si gazetar radiofonik.  20 vjetët e fundit qysh kur u largua nga “Zëri i Amerikës”, ai ka ardhur drejtpërdrejt në Tiranë me shkrimet e tij tashmë si gazetar i shtypit të shkruar. Nën kujdesin e Engjëll Musait, gazeta “Telegraf”, që është edhe tribuna e përzgjedhur e Zotit Shkreli, i ka përmbledhur këto shkrime botuar në faqen e veta, për t’i sjellë edhe në librari si libër. Deri tani kanë dalë tri vëllime, me titullin e përbashkët “Demokracia nuk pret”. Gazeta “Telegraf” ka bërë kështu një akt kulturor, që meriton të përshëndetet.  Ajo u ka dhënë lexuesve të vet rastin t’i rikthehen në mënyrë të përqendruar kontributit të njërës nga penat e saj më me peshë për problematikën me rëndësi për interesin e përgjithshëm, që ka shtruar para opinionit publik shqiptar gjatë këtyre dy dekadave.  U ka dhënë po ashtu rastin dashamirësve të Frank Shkrelit të rizbulojnë të parapëlqyerin e tyre, ndër të cilët jam edhe unë, përsëritur, kënaqësinë e marrë njëherë, por duke gjetur në shkrimin e tij vlera stili, interpretime faktesh dhe evokime historike, që nuk na kishin rënë në sy gjatë leximit të parë në gazetë.  Por mbi të gjitha, ky botim përbën një akt kulturor sepse shfaq në plotëri një gazetar të spikatur siç janë sot të paktë në botën mediatike shqiptare.

Shkrimet e botuara në këto tri vëllime mjaftojnë për të kuptuar se Frank Shkreli e ka gazetarinë kauzë personale, gjë që është shumë më tepër se të thuhet që e ka profesion.  Ai ka gjetur te gazetaria personalitetin e tij, i cili në vetvete është një personalitet shumë kompleks, po të mbajmë parasysh burimet kulturore, filozofike dhe politike, nga është ushqyer brumosja e tij.  Frank Shkreli është shqiptar dhe po kaq është edhe amerikan, është qytetar universal i botës së lirë, ithtar jo i rastësishëm, por me bindje të rrënjosura për demokracinë, si e vetmja hapësirë, ku mund të lulëzojë dinjiteti, intelekti dhe emocionet pozitive të njeriut.

Nga shkrimet e përmbledhura në tri vëllimet e “Demokracia nuk pret”, ne shohim qartë se ai e do me zemër botën shqiptare me historinë dhe të sotmen, dhe është plot besim për të ardhmen e saj.  Por kjo dashuri, thënë ndryshe ky patriotizëm i Frank Shkrelit është logjik, me një fjalë i shëndetshëm, pa simptomat folklorizante dhe euforike, që e kanë falsifikuar shpesh me tepri gjatë historisë, por edhe sot, patriotizmin e shqiptarëve.  Kjo shprehet përmes kthjelltësisë që ka Frank Shkreli për t’i parë të metat e njeriut shqiptar, qoftë ky njeri shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi apo në diasporë.  Dhe jo vetëm kaq. Frank Shkreli ka vetëdijen, ka guximin dhe ndershmërinë intelektuale për t’i nxjerrë në pah këto të meta, përmes shembujsh të marrë nga historia jonë kombëtare apo edhe aktualiteti, duke treguar dëmin që ato i sjellin përmbushjes së idealit kombëtar.  Vetëm kështu, beson ai me të drejtë, e kryen detyrën si bir i shqiptarisë, duke vënë plotësisht në shërbim të kësaj shqiptarie armën e vet më të mprehtë, që është gazetaria e tij.

Megjithëse shkrimet e përfshira në këtë botim i drejtohen qysh në zanafillë një publiku ekskluzivisht shqiptar, Frank Shkreli e pohon me tekst dhe nëntekst se ndjehet thelbësisht po ashtu amerikan dhe e shpreh pa asnjë kompleks dashurinë e vet për Amerikën.  Por edhe nga kjo pikëpamje, dashuria e tij amerikane nuk është e verbër. Është një dashuri logjike, pra e shëndoshë, jo shlyerje e një borxhi të madh që ai dhe familja e tij ia kanë këtij vendi dhe populli të madh për mikëpritjen që u dha në kohët më të vështira të fatit të tyre njerëzor.  Nëpër shkrimet e përfshira në të tri vëllimet e botimit “Demokracia nuk pret”, amerikanizmi i Frank Shkrelit shfaqet si një standard i parimeve, një standard i mundëshëm përderi sa është arritur në Amerikë dhe si i tillë nuk ka pse mos jetë i mundshëm edhe nga shqiptarët, që jetojnë në trojet e tyre.  Mjaft që udhërrëfyes të jenë parimet dhe në shërbim të parimeve të vihen vullneti politik dhe morali, cilësi që shqiptarët, sipas bindjes së autorit, i kanë të mjaftueshme në karakterin e tyre kombëtar, por që shpesh i shpërdorojnë. Frank Shkreli e sheh pikërisht këtu detyrën e vet si gazetar: t’ju tërheqë vëmendjen bashkatdhetarëve ndaj shpërdorimit shpesh dramatik, që ata u bëjnë cilësive të veta të larta.

Frank Shkreli me siguri nuk është i pari dhe as i vetmi shqiptaro – amerikan, që i mendon këto të vërteta.  Por, në sajë të dhuntisë së tij si gazetar, ai arrin t’i shpreh ato, për t’i ndarë me sa më shumë lexues në publikun e gjerë. Duke përmendur dhuntinë, sigurisht që kam parasysh atë që quhet “talent i lindur”.   Por, në rastin e Frank Shkrelit ne shohim farë qartë se “talenti i lindur’ është vetëm ajo, që në fizikë quhet energji fillestare, pra shtysa për t’u vënë në lëvizje.   Në vazhdim është dashur që ai të ketë një vullnet shumë të madh individual dhe të kryej një punë shumë të madhe për t’u bërë ky që është.  Po përmend vetëm një etapë në jetën e tij profesionale e që mua më bën një përshtypje shumë të fortë. Frank Shkreli kishte një personalitet plotësisht të formuar si gazetar radiofonik kur vendosi të kalojë te gazetaria e shtypit të shkruar. Nuk ishte pra as në moshën kur eksperimentohet, në kërkim të fushës ku i riu shpreson ta gjejë vetveten.  Ata që e njohin profesionin, e dinë se zhvendosja nga gazetaria radiofonike te gazetaria e shtypit të shkruar përbën një kapërcim shumë të vështirë dhe ku suksesi nuk është paraprakisht i garantuar.  Për t’i shmangur stërhollimet teorike mbi dallimet këtyre dy gjinive të gazetarisë, po them vetëm se është një përdorim krejt tjetër i gjuhës.  Shkrimet e botimit “Demikracia nuk pret” tregojnë më së miri se Frank Shkreli ia ka dalë mbanë ta bëjë këtë kapërcim cilësor.

Dhe, meqënëse jemi te gjuha, e ndjej për detyrë të shpreh edhe një vlerësim tjetër të posaçëm.  Siç thashë, Frank Shkreli është një shqiptaro – amerikan. Shqipen ai e ka natyrshëm gjuhë të nënës, por aspak gjuhë të shkollimit dhe të mjedisit kulturor, ku është brumosur. Megjithatë, të gjithë lëndën e botimit që kemi në dorë ai e ka shkruar në shqip. Më bie në sy se shqipja e tij është krejt e pastër, e rrjedhshme, e pasur, plotësisht e aftë të përcjellë edhe analiza të thella, të karakterit kulturor, politik, historik e herë – herë edhe filozofik. Është një shqipe që duhet t’i bëjë të skuqen nga turpi më të shumtit e gazetarëve të rinj në Tiranë, në Prishtinnë apo në Tetovë, shqipja e të cilëve është e mbushur me fjalë të huaja, kryesisht anglisht dhe fjalia e tyre është shpesh konfuze, si një përkthim i keq.   Parë nga kjo anë, shqipja e Frank Shkrelit ngjan si pasuese e denjë e shkronjësve të shquar të gazetës “Dielli” të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.

Sado që të taksuara zanafillisht për një gazetë të përditshme, siç është gazeta “Telegraf”, gjë që parakupton një lidhje të drejtpërdrejtë të brendisë së tyre me aktualitetin, shkrimet e përfshira në këtë botim e ruajnë megjithatë një autonomi të pëlqyeshme nga kronika e zhvillimit të ditës. Kjo do të thotë se kalimi i kohës nuk i ka vjetëruar.  Një mbijetëse të tillë ndaj aktualitetit dinamik, shkrimet e Frank Shkrelit e fitojnë falë temave që trajtojnë, tema këto që burojnë pikërisht nga fakti se gazetarinë ai e ka vërtetë kauzë personale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok