30/12/2024

Një sqarim për Rezolutën 1244

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Serbia dhe autoritetet e saj spekullojnë vazhdimisht me Rezolutën 1244 të këshillit të Sigurimit, kur duan të thonë se “Kosova është pjesë e Serbisë”! Fatkeqësisht edhe politikanë, analistë, opinionistë dhe figura publike të Kosovës e Shqipërisë bien ndonjëherë viktimë e këtij arsyetimi të rremë të politikës, medies, akademisë dhe kishës serbe.

E vërteta është krejt ndryshe. Më 10 qershor 1999 u mblodh Këshilli i Sigurimit dhe bazuar në një deklaratë të një dite më parë të Këshillit të Europës mori këto vendime:

  1. Të largohen menjëherë nga territori i Kosovës të gjitha forcat e ushtrisë, policisë, paramilitarëve dhe organizatave të ndryshme luftarake të Serbisë.
  2. Të vendosej armë-pushimi dhe UÇK të nisë procesin e çarmatimit dhe integrimit në shoqërinë kosovare. Kosova të vihet nën administrimin civil ndërkombëtar dhe NATO (KFOR-i) të ishte përgjegjëse për sigurinë e saj të brendshme e të jashtme.
  3. Të realizohej rikthimi i një milion refugjatëve shqiptarë në familjet e pronat e tyre.
  4. Trupat ushtarake të Serbisë të qëndronin 20 km larg kufirit të Kosovës, ndërsa ato të policisë e xhandarmërisë serbe 5 km larg këtij kufiri. (Kjo ndryshoi po me vendim të KS të OKB-së pas ngjarjeve të 17-18 marsit 2004!) Por nuk parashikon asnjë dokument I OKB-së se ushtria e policia serbe mund të intervenojë në territorin e Kosovës. Përkundrazi është saktësuar se atyre nuk iu lejohet të shkelin kufijtë e Kosovës.
  5. Të mbështetej Pakti i Stabilitetit.
  6. Rezoluta i ve detyrë kryesore administratës civile të OKB-së zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke parashikuar autonomi substanciale ose vetadministrim brenda Federatës Jugosllave. (Asokohe ishte Serbia e Mali i Zi). Pra, status brenda federatës dhe jo brenda shtetit të Serbisë!

Në hyrje të rezolutës, ose atë që quhet preambulë, Kosova përmendet si pjesë e Federatës Jugosllave. Nuk përmendet në asnjë rrjesht, nen ose fjalë të rezolutës se “Kosova është ose duhet të jetë pjesë e Serbisë”! Me shpërbërjen e federatës jugosllave në korrik 2006, kur Mali i Zi shpalli pavarësinë, atëherë u bë praktikisht i pavlefshëm koncepti i një Kosovë brenda Federatës së Jugosllavisë, sepse kjo federatë nuk ekzistonte më. Ndërkohë askund nuk rekomandohet që ajo të jetë ose të ishte pjesë e Serbisë. Prandaj u pranua si zgjidhje pavarësia e Kosovës, por u ndalua bashkimi i saj me një shtet tjetër.

Retorikat serbe të adaptura nga ne shqiptarët se “Rezoluta 1244 i jep të drejta Serbisë mbi Kosovën” është një rrenë serbe e madhe, e besuar me naivitet edhe nga disa shqiptarë! Jepini fund këtij spekullimi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok