20/01/2025

NJË SHEKULL E GJYSËM GËNJESHTRA  KONSTANTE PËR VUAJTJET E SERBËVE NË KOSOVË

0
Genjeshtra-Serbe11

Nga Adil FETAHU

Gënjeshtra si kategori filozofike nënkupton thënien e  pavërtetë për një send, një vend a një ngjarje. Shikuar nga ky aspekt filozofik, ata që nuk ia dinë kuptimin esencial të gënjeshtrës, mund ta përziejnë me të pavërtetën. Por këtu ka dallim esencial. Të pavërtetën mund ta thotë njeriu pa qëllim, nga mosdija, nga mospasja e informacionit të saktë për atë që thotë, nga lajthitja.  Ndërkaq, gënjeshtra thuhet me qëllim të caktuar, me vetëdije, me prapavi e strategji për të arritur diçka në bazë të lajthitjes dhe mashtrimit  të palës tjetër me gënjeshtër. Gënjeshtrën mund ta përdorë individi, por mund ta përdorë edhe organizata, partia, institucioni, shteti, për  interesa dhe qëllime të caktuara.

Këtu nuk e kemi fjalën për gënjeshtrën e individëve, por për gënjeshtrën e njëjtë kolektive të institucioneve të shoqërisë serbe qe po përsëritet e plasohet kundër shqiptarëve,  prej afro një shekull e gjysmë.

Kemi përshtypjen se nuk ka popull as shtet në botë që e përdorë gënjeshtrën më shumë se shoqëria serbe dhe shteti i Serbisë, me të gjitha strukturat e tij shoqërore, me vetëdije e me strategji, për motive dhe qëllime të caktuara. Në shoqërinë serbe gënjeshtra është bërë një sëmundje mentale, një patologji, për të krijuar urrejtje ndaj popujve tjerë, sidomos ndaj Shqiptarëve, Boshnjakëve dhe Kroatëve, e për ta paraqitur popullin serb si viktimë. Dhe kjo patologji e gënjeshtrave serbe daton më së voni duke nisur koha e Krizës së Lindjes dhe Kongresit të Berlinit e deri në ditët e sotme, me gjasa reale për të vazhduar sa ketë serbë në këtë botë!

Këta e kanë edhe vesin e vetëlavdërimit të gjithçkajes që është serbe,  duke falsifikuar historinë e të dhënat, duke marrë vlerat dhe personalitetet e popujve tjerë e përvetësuar si të vetat, e deri sa veten e quajnë popull qiellor, kurse  të gjithë të tjerët rreth vetes i denigrojnë,  përçmojnë e nënçmojnë me karakteristikat dhe trillimet më të ulta.  Dhe ky vetëlavdërim në një mënyrë bie në kundërshtim me gënjeshtrat e përhershme për vuajtjet, viktimën, padrejtësitë, sakrificat, krimet, gjenocidin që gjoja popullsi serb i ka përjetuar dhe po i përjeton e pëson nga Shqiptarët, nga Kroatët e nga Boshnjakët.

Fabrika të sajimit dhe të përhapjes së gënjeshtrave, me motive, qëllime e strategji të paramenduara mirë, janë: Kisha Ortodokse Serbe me tërë potencialin e saj, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, Shoqata e Shkrimtarëve, shkrimtarë e poetë, shoqata e organizata të ndryshme, mjetet e informimit publik, sigurimi dhe diplomacia e shtetit dhe segmente tjerë të shoqërisë dhe të shtetit të Serbisë.

Gënjeshtrat i trillojnë me metodat më perfide, në hollësitë më imta, në përpjekjet për t’ia bërë të besueshme subjektit të cilit ia destinojnë. Dhe ato i përsërisin e përsërisin vazhdimisht, duke u shtuar gënjeshtra të reja e dramatizuar gjithnjë e më tepër. Kryepeshkopi i kishës serbe, Porfirije, porositë që ankesat për vuajtjet e popullit serb të Kosovës, gjithmonë dhe gjithkund të përsëriten! Plasimin e tyre e bëjnë përmes mjeteve të informimit, të shkruara dhe elektronike, përmes botimit të librave të shumta, përkthimit në gjuhë tjera dhe shpërndarjes në katër anët e botës, në kontaktet me personalitete të hueja, përmes kanaleve diplomatike dhe në të gjitha format dhe mënyrat tjera të mundshme. Kanë botuar me dhjetra libra për gjoja gjenocidin e shqiptarëve kundër serbëve të Kosovës. Në këtë propagandë prinë kisha serbe, me botimet e saj, por nuk ngelin prapa as segmentet tjera të shoqërisë dhe shtetit të Serbisë. Janë aq absurde dhe kontradiktore, sa që kur flasin për historinë e shqiptarëve thonë se këta kanë ardhur në Kosovë në shekullin e 17, ndërsa kur flasin për vuajtjet e serbëve nga shqiptarët, thonë: ‘’Gjenocidi shqiptar mbi popullin serb nga shekulli 16 deri në shekullin 21’’ (Prof.dr.Novica Vojinoviq: ‘’Genocid siptara nad Srbima na Kosovu i Metohiju od 16.do 21.vijeka’’). Për mjeshtrinë e trillimeve dhe propagandës, do t’ua kishte lakmi edhe Gebellsi i Hitlerit. Gënjeshtra e tyre e ka arritur kulmin e efektit kur vet sajuesit dhe i tërë populli serb i konsideron për të vërteta! Dhe, siç e thotë Mark Tweni: ‘’Derisa e vërteta të mbathi këpucët, gënjeshtra e ka kaluar gjysmën e botës’’.

Ata që më pak e kanë përcjellë këtë fenomen alla-serb, zakonisht gënjeshtrat serbe i lidhin me kalmexhiun Dobrica Qosiq, por kjo nuk është e vërtetë. Gënjeshtra serbe është krijuar shumë kohë para lindjes së Qosiqit. Ai vetëm i ka dhënë  karakteristikat dhe kualifikimin e gënjeshtrës serbe, të cilën do ta mësoni nga fundi i këtij shkrimi.

‘’Libri i bardhë’’ me gënjeshtra e kronika të zeza

Pa u thelluar më herët në histori, për çka nuk kemi njohuri dhe informacione, mund të pohojmë se gënjeshtra institucionale serbe ka nisur pas Kongresit të Berlinit, kur Serbia u njoh si shtet i pavarur nga fuqitë e mëdha dhe iu njoh territori i pushtuar në luftërat ruso-serbe kundër Perandorisë Osmane, territore këto kryesisht shqiptare, të cilat Serbia i pastroi etnikisht, duke përzënë, vrarë e masakruar ata që nuk kishin arritur të iknin, e që ishte gjenocidi i parë në truallin e Europës.

Shqiptarët e përzënë nga rajoni i Toplicës, Nishit, Prokuples e Kurshumlisë dhe mbi 700 fshatrave të atjeshme, me veprimet gjenocidale të shtetit të Serbisë, u vendosën ku mundën në Kosovë,  në Maqedoni e në Turqi.

Shteti i Serbisë nuk i lente të qetë as ata muhaxhirë të cilët kishin ardhur në Kosovë. I akuzonte se ata dhe përgjithësisht shqiptarët po bëjnë zullum kundër Serbëve, në format më të vrazhda: vrasje, plagosje, kidnapime,  grabitje e dhunime të femrave, detyrimin që të konvertohen në muslimanë, grabitje të pasurisë, djegëje të shtëpive, përdhosje të varrezave, të kishave e manastireve, etj,etj. Këtë stil e gjuhë të gënjeshtrave e shpifjeve e përdorin edhe sot e kësaj dite.

Qysh në vitin 1898, Qeveria e Serbisë e kishte përgatitur ‘’Librin e bardhë’’, me gënjeshtra e kronika të zeza, për zullumin se gjoja po u bënin shqiptarët popullsisë serbe në Kosovë. Të dhënat me emrat e njerëzve e të vendeve për raste të ndryshme i kishin mbledhur popat dhe konsujt serbë e rusë ndërsa i kishte përpunuar e përgatitur për ‘’Librin e bardhë’’ një qendër në Beograd, kurse librin e ka botuar (1899) në gjuhën serbe dhe franceze  Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë. ’’Libri i bardhë’’ titullohet: ‘’Prepiska o arbanaskim nasiljima u Staroj Srbiji od 1898 do 1899.godine’’ (Shkëmbimi i letrave mbi dhunën shqiptare në Serbinë e Vjetër në vitet 1898 deri 1899). ’Libri i bardhë’’ ishte përgatitur në vigjilje të mbajtjes së Konferencës së parë për paqe dhe çarmatim, që mbahej në Hagë, prej majit deri në korrik të vitit 1899. Qeveria e Serbisë, e kryesuar nga antishqiptari më  vullgar, Vlladan Gjorgjeviqi, e kishte menduar mirë që atë libër, për gjoja dhunën e shqiptarëve kundër të krishterëve, ta prezantojë në Konferencë, ku merrnin pjesë 26 shtete, por edhe t’ua dërgojë të gjitha qeverive të shteteve të Evropës dhe më gjërë, si formë e ankesës kundër shqiptarëve dhe kundër Perandorisë Osmane. Për shkak se kryetari i qeverisë (Gjorgjeviqi) ishte i sëmurë në atë kohë, libri nuk u prezantua në Konferencë, por natyrisht që u është dhënë të gjitha delegacioneve dhe u është dërguar shteteve.

Në atë libër, përveç komunikimit të brendshëm në mbledhjen, sistemimin dhe përpunimin e ‘’të dhënave’’, bëhet fjalë edhe për komunikimin midis Qeverisë së Serbisë dhe pushtetit të Perandorisë Osmane, respektivisht midis dy ministrive të punëve të jashtme, përmes ambasadorit të Serbisë në Stamboll (Stojan Novakoviq). Në libër janë radhitur mbi 400 gjoja ‘’krime’’ të shqiptarëve kundër popullsisë serbe në Kosovë në katër vjetët e fundit. Në libër potencohet Haxhi Zeka, si katalizator i dhunës kundër të krishterëve,  i cili u kthye në Pejë nga Stambolli, dhe me të gjitha nderimet që i bëhen, ai ua ka bërë të krishterëve jetën të padurueshme në ato anë.

Akoma pa u botuar ‘’Libri i bardhë’’,  kryetari i Qeverisë së Serbisë, Vlladan Gjorgjeviq, më 14 prill 1898, ia kishte përcjellë ‘’të dhënat e mbledhura’’ ambasadorit Novakoviq në Stamboll, me urdhër që ai t’a përcjell qeverisë së Perandorisë, me kërkesë që ajo qeveri t’i hetojë rastet dhe t’i dënojë fajtorët.

Ambasadori Novakoviq, prej 400 rasteve të radhitura në materialin e dërguar, i kishte nxjerr 91 raste  më ‘’drastike’’ dhe në formë memorandumi ia kishte dorëzuar ministrit të jashtëm të Perandorisë, Tefik-Pashës, një notë me kërkesë që qeveria perandorake ta formojë një komision për t’i hetuar rastet dhe dënuar fajtorët. Kërkon që në komision të përfshihet një përfaqësues i qeverisë së Serbisë. Ambasadori Novakoviq disa herë kontakton me ministrin turk Tefik-Pasha, gjithnjë duke shtuar raste të reja ‘’të dhunës së Arnautëve’’ kundër popullsisë serbe, dhe me shifra të reja për shpërnguljen e 60.000 serbëve, nga zullumi i shqiptarëve! Në notën përcjellëse të Memorandumit që më 26 maj 1898, ambasadori Novakoviq ia dorëzon ministrit turk, ndër të tjera, shkruan: ‘’Zotëri ministër, gjatë katër vjetëve të fundit, qeveria mbretërore (e Serbisë, v.j.) është detyruar t’ia tërheqë vërejtjen qeverisë perandorake (të Turqisë, v.j.), për çrregullimet, trazirat dhe rastet e panumërta të dhunës të cilat po i shkakton popullsia e padisiplinuar dhe e pa nënshtruar arbanase në kufi me Serbinë, duke kaluar kufirin dhe vrarë civilë dhe xhandarë të Serbisë. Këto sulme dhe krime janë të orientuara kryesisht kundër popullsisë së krishterë serbe dhe shihet se qëllimi është për  t’i zhdukë serbët nga ato anë. /…/ Qeveria mbretërore nuk mund t’i shikojë këto ngjarje e qetë, sepse konsideron se është e drejtë dhe detyrë e saj të kujdeset për popullin e vet’’.

Qeveria perandorake e kishte komesarin e vet të përhershëm, kolonel Ali-beu, i cili mbikqyrte kufirin midis Vilajetit të Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, por e kishte dërguar edhe një emisar të posaçëm (Sadedin-pasha) për të vërtetuar pretendimet e qeverisë së Serbisë për dhunën kundër popullsisë së krishterë. Emisari i posaçëm kishte bërë hetime në terren, duke thirrur e marrë deklaratat e personave të cilët ishin apostrofuar si viktima  në Memorandumin e qeverisë së Serbisë. Deklaratat e personave të intervistuar kishin demantuar pretendimet dhe gënjeshtrat e qeverisë së Serbisë mbi dhunën e shqiptarëve kundër popullsisë serbe.  Pas raportit që kishte bërë emisari turk, ministri Tefik-Pasha, në përgjigjen e tij ndaj Memorandumit të qeverisë serbe, shkruan se rastet e shumta të përmendura në Memorandum janë të trilluara ose të zmadhuara: ‘’Pushteti perandorak menjëherë ka ndërmarrë masa për të gjetur dhe dënuar fajtorët. Ne nuk pushojmë që me kujdes t’i ndjekim fajtorët, por viktimat nuk i lajmërojnë rastet veçse duan vetë të hakmerren. Është vërejtur se këto veprime janë të rëndomta që janë kryer pa dallim edhe nga muslimanët edhe nga të krishterët dhe këso ngjarjesh ndodhin kudo në botë e nuk kanë karakter politik. Ato nuk e kanë atë peshë që ia përshkruani ju, kur merret parasysh periudha e katër vjetëve të fundit. Nëse ndonjë i krishterë, numri i të cilëve nuk është siç e theksoni ju, shpërngulet nga territori i Perandorisë, këtë nuk e bënë nga dhuna prej shqiptarëve, veçse për të ikur obligimit  e të mos paguajë tatimin shtetit dhe për t’i ikur gjykimit për ndonjë krim a vepër që ka bërë. Ngjarjet që kanë ndodhur në kufi, nuk i kanë shkaktuar shqiptarët, siç i fajsoni në notën tuaj, veçse kontrabandistët dhe pandurët serbë e malazezë, të cilët ju i keni vu në zonën përgjatë linjës së kufirit. Është për të ardhur keq që mbreti dhe qeveria e Beogradit nuk kanë ndërmarrë asgjë kundër tyre. Kërkoni nga mbreti juaj që sa më parë të urdhërojë  ndërmarrjen e masave dhe të dënohen serbët, në mënyrë që rendi dhe siguria në kufi të garantohet’’,- shkruan Tefik-Pasha në përgjigjen e tij ndaj notës së Qeverisë së Serbisë.

Shkëmbimi i letrave, notave dhe përgjigjeve midis qeverisë së Serbisë dhe qeverisë së Perandorisë turke në atë periudhë ka qenë i dendur. Të gjitha letrat dhe notat e qeverisë së Serbisë, sikurse edhe në ‘’Librin e bardhë’’, gëlojnë me gënjeshtra, trillime, insinuata, konstruksione për gjoja dhunën e shqiptarëve kundër popullsisë serbe në Kosovë. Nga leximi i atyre letrave të para 130 vjetëve, shihet se përveç emrave dhe rrethanave të reja, as sot nuk ka ndryshime në mentalitetin dhe naracionin e gënjeshtrave serbe kundër shqiptarëve, por që sot, falë teknologjisë së re, mundësia e përhapjes së atyre gënjeshtrave dhe e demanteve  është më e shpejtë dhe më e gjërë.

Dhe për çudi, faktorët ndërkombëtar me lehtësi i gëlltitin pa i përtypur  gënjeshtrat serbe, dhe në vend se  ta ndëshkojnë Serbinë për përhapjen e gënjeshtrave, ata e ndëshkojnë Kosovën pse po përpiqet të mbrohet nga dhuna hibride e Serbisë. Janë të rrallë personalitetet në botë që i kanë hetuar e parë gënjeshtrat serbe. Një prej tyre ishte Vitni Voren, anëtar i delegacionit të Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris (1919), kur flet për padrejtësinë që ishte bërë me shuarjen e shtetit të Malit të Zi, me rastin e formimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Voren kishte thënë në atë Konferencë: ‘’Është krim që Mali Zi është fshirë nga harta e botës dhe  për atë krim duhet të pendohemi. Kur Serbia shpërfaqi dhunën kundër Malit të Zi, askush nuk e ngriti dorën kundër asaj dhune. Përse? Sepse, Serbia gënjeu me sukses, kurse ndërgjegja e njerëzve të cilët e urrejnë gënjeshtrën akoma nuk e ka zbuluar. Nëse lejojmë që gënjeshtra ballkanike të shihet si e vërtetë, do të rrënojmë themelet e lirisë sonë’’.

Qosiqi për gënjeshtrat serbe

Shkrimtari, akademiku dhe politikani kontraverz serb, Dobrivoje Qosiq, të cilin e quanin ‘’babai i kombit serb’’, në definicionin e tij për gënjeshtrën serbe, i ka përmendur shkaqet, mënyrën dhe qëllimin e saj: ‘’Ne gënjejmë për ta mashtruar vetveten, për të ngushëlluar të tjerët,  gënjejmë nga mëshira që kemi për tjetrin, gënjejmë nga turpi, gënjejmë për të kurajuar, gënjejmë për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë për shkak të nderit. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshra është formë e patriotizmit serb dhe vërtetim i inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë në mënyrë krijuese dhe me imagjinatë, në mënyrë inventive. Gënjeshtra është interes shtetëror serb, gënjeshtra është në vet qenien e serbit. Secila gënjeshtër (e përsëritur mija herë, v.j.) në funt bëhet e vërtetë. Serbinë aq shumë herë gjatë historisë e ka shpëtuar gënjeshtra’’, thotë Qosiqi në romanin e tij ‘’Deobe’’ (1961).

Në tetor të vitit 2020, në tërë qytetin e Kotorit (Mali Zi), kishin gëdhi pllakata me fotoportretin dhe tekstin e Qosiqit për gënjeshtrën kombëtare. Në një bisedë të gazetares së ‘’Vijestit’’ në lidhje me pllakatën,  ekonomisti më i njohur serb, Branko Dragash, veçsa e përforcon  analizën e tezës së  Qosiqit për gënjeshrën serbe. Duke analizuar gjendjen aktuale në Serbi, Dragash ndër të tjera thotë: ‘’Nëse duam të bëhemi shtet i zhvilluar dhe i pasur, atëherë duhet ta mundim vetveten dhe përfundimisht ta çrrënjosim gënjeshtrën serbe me të cilën jemi shërbyer shekuj me radhë. Gënjeshtër është se ne serbët jemi popull qiellor, gënjeshtër është se prej nesh kanë dalë civilizimet tjera, gënjeshtër është se ne ua kemi dhënë gjuhën tonë popujve tjerë sllavë, gënjeshtër është se ne jemi luftëtar të mëdhenj që do ta mundnim çdo forcë, gënjeshtër është se na jemi populli më inteligjent në botë që me mashtrime mund të përfitojmë në dëm të popujve tjerë, të cilët  nuk janë të gjindshëm e të cilët i përqeshim dhe nënçmojmë, në mënyrë që kështu ta ushqejmë megalomaninë dhe sujetën tonë të sëmurë…’’.

Dhe Serbia paturpësisht vazhdon të trillojë, sajojë e përhapë gënjeshtra për dhunën kundër popullit serb në Kosovë, i cili është populli më i privilegjuar në Europë, me marrëveshje ndërkombëtare, me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Por, kisha serbe, Akademia e Serbisë dhe segmentet tjera të shoqërisë dhe të shtetit të Serbisë vazhdojnë të botojnë, përkthejnë, shpërndajnë nëpër botë dhe promovojnë libra e pamflete me gënjeshtra, gjoja mbi dhunën e shqiptarëve kundër serbëve dhe kundër kishave të tyre. Dhjetra libra me  mite e gënjeshtra serbe mbajnë tituj bombastik: ‘’Gjenocidi shqiptar mbi popullin serbë’’, për periudha të ndryshme prej shekullit 16 deri më sot.

Është çudi se si nuk e kanë regjistruar,  për ta mbrojtur, në UNESCO  ‘’Gënjeshtrën nacionale serbe’’ si vlerë kulturore autoktone, që i ka shpëtuar serbët gjatë historisë, siç e pranon Qosiqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok