NJË ROMAN PSIKO-SOCIAL ME NJË TONALITET DRAMATIK
Për romanin “Ku(rvë)nata” të Gjon Markut
NGA QAZIM D. SHEHU
Gjon Marku është një autor i njohur dhe mjaft aktiv në botimin e veprave letrare (poezi dhe prozë), si dhe të veprave studimore me peshë, të cilat arrijnë të kapin tematika të ndryshme nga lashtësia gjer më sot dhe që paraqesin interes të shtuar me monografitë e botuara, librat me intervista apo gjurmime të tjera. Ai është edhe koleksionist-filatelist, çka tregon për një punë të palodhur të tij, të mbështetur mbi dije dhe sistemime metodike.
Romani i tij “Kur(v)nata”, me një titull të stilizuar, përmes të cilit, me anë të këtij titulli provokues, autori synon të tërheqë vëmendjen e lexuesit drejt realitetit të ashpër, nuk i referohet vetëm një personazhi apo një ngjarjeje të caktuar, por simbolizon një gjendje më të gjerë morale të shoqërisë. Për të shenjuar përmbajtjen, autori përcjell, me një prozë plot nerv dhe të rrjedhshme, përplasjen e njeriut të ndershëm me një shoqëri të mbushur me korrupsion dhe degradimin e saj moral.
Pikërisht në këtë shoqëri ndihen edhe përpjekjet e individit të ndershëm për të ruajtur vlerat e tij morale, edhe pse në këtë mjedis triumfojnë ligësia, hipokrizia, dyfytyrësia etj., vese shoqëruese që shkojnë zinxhir me njëra-tjetrën, sipas interesit personal të protagonistëve apo personazheve të tjerë të dorës së dytë në roman.
Kjo tematikë e rëndësishme është shtjelluar nga shkrimtari me mjaft mjeshtëri, duke sjellë në fokus natyrën e individit dhe të shoqërisë, në një ballafaqim sa moral, aq edhe realist, që zbërthen këtë moral të dyzuar e intrigues.
Integriteti moral, shoqëruar me vuajtjen dhe forcën shpirtërore të individit, na bën me dije se njeriu nuk duhet të heqë dorë nga parimet e tij, nga ajo çfarë ai e gjykon si të drejtë, të mirë e, për këtë arsye, edhe më të dobishme.
Shkrimtari dëshiron të tregojë, dhe ia arrin kësaj artistikisht, se përfitimet materiale janë të përkohshme, se pasuria më e madhe e njeriut mbetet ndërgjegjja e tij e pastër, ajo që nuk pranon asnjë njollë, asnjë yshtje ose asnjë kompromis në rrugë të gabuar.
Koncepti i parashtruar më sipër mbi natyrën ideore të subjektit të veprës e bën atë një roman psikologjik, me tone të forta të të shprehurit dhe me një zhbirilim këmbëngulës autorial e të kujdesshëm në natyrën e qenies njerëzore, duke na treguar veçoritë e një romani që shpreh ngjarje, të cilat lëvizin me shpejtësi në veprimin e tyre për të arritur fundin, por edhe botën shpirtërore të personazheve, sidomos të Engjëllit, që është personazhi kryesor. Kjo botë shpirtërore ndien lëvizjen, turbullimin dhe shtrëngatën e shpirtit, të trysnuar nga ky realitet ballafaques midis individit dhe shoqërisë, siç e cekëm më lart.
Duke i caktuar subjektit një logjikë artistike, narratori i sjell personazhet natyrshëm brenda luftës së tyre, në sferën e interesave apo të marrëdhënieve që ata ndërtojnë me njëri-tjetrin.
Kështu, krahas vështrimit psikologjik që ai u bën atyre me mjeshtëri në thurjen e ngjarjeve dhe të reflektimit mbi to, mund të themi se ky roman përfshin dhe shpreh artistikisht tablo realiste, ku dramaciteti nuk është një petk i hedhur supeve të ngjarjeve, që ato të mos kenë ftohtë nga diçka që vjen jashtë tyre, por ai vlon së brendshmi nga konfliktet dhe ky ballafaqim moral tensionues në vepër.
Engjëlli është figura qendrore e romanit dhe përfaqëson boshtin ideotematik të veprës. Ai paraqitet si një njeri i ndershëm, i drejtë, punëtor dhe me ideale të larta. Që në rininë e tij, ai beson se puna dhe merita duhet të shpërblehen, por realiteti i tregon të kundërtën.
Engjëlli përballet me shumë padrejtësi. Nuk fiton të drejtën për të studiuar degën që dëshiron. Humb vajzën që dashuron. Humb të atin. Përballet me mosmarrëveshje e largime nga njerëz të tjerë, për të manipulohet dhe shpifet, burgoset padrejtësisht dhe kjo e bën atë një personazh gati dostojevskian. Pavarësisht të gjitha këtyre vuajtjeve, Engjëlli nuk humbet karakterin e tij si njeri i devotshëm ndaj parimeve të larta që manifeston. Ai vazhdon të mbrojë të vërtetën dhe drejtësinë, duke u bërë simbol i rezistencës morale.
Një nga aspektet më të rëndësishme të romanit është analiza psikologjike e personazhit kryesor. Gjatë romanit, Engjëlli kalon nëpër disa gjendje emocionale: shpresë dhe optimizëm në rini; zhgënjim nga padrejtësitë e para; dhimbje nga humbja e njerëzve të dashur; zemërim ndaj korrupsionit dhe padrejtësisë; vetmi dhe mosbesim ndaj njerëzve; pjekuri morale dhe shpirtërore.
Këto ndryshime e bëjnë personazhin më realist dhe më të afërt me lexuesin. Njerëzit, zakonisht, kur ndodhen, jo për faj të tyre, në pozita të pafavorshme marrëdhëniesh të tilla, ata, vullnetdobëtit, fillojnë e dorëzohen dhe i nënshtrohen fatit, por Engjëlli është ndryshe. Ai është djalë i zgjuar, i ndershëm dhe me ëndrra të mëdha. Përfundon shkollën me rezultate të shkëlqyera dhe dëshiron të vazhdojë për mjekësi, por kjo nuk arrihet, sepse këtë degë e kapin persona me lidhje politike.
Veçse, ai nuk dorëzohet; vazhdon studimet për inxhinieri. Kur ai del në jetë, ai e kupton se vendin që meritonte e zënë sërish njerëz të favorizuar nga privilegjet familjare dhe lidhjet politike.
Engjëllin e ndjekin fatkeqësi të ndryshme edhe në jetën intime dhe familjare. Humb vajzën që dashuron, humb të atin. Me këto detaje, autori jo se ka synuar ta bëjë sa më dramatik romanin, për të mos i dhënë protagonistit një ditë të bardhë, por ai sjell rastësitë e jetës, të cilat ndodhin, duke u kthyer, përmes verbërisë së tyre, në domosdoshmëri.
Ai na tregon se jeta nganjëherë nuk e kursen individin, qoftë me të mirat e saj, qoftë me të këqijat, dhe shpreh idenë se njeriu, përkundër asaj që ndodh ose që i vjen pa e thirrur, duhet të tregohet i fortë dhe dinjitoz – një ide që ta kujton një varg të famshëm të poetit gjakovar Din Mehmetit: “Fatin tim nuk e nënshkruaj”.
Bota shpirtërore e Engjëllit është e ndjeshme, një botë e thellë, e pasur, e mbushur me dhembshuri (kur humb të atin). Romani hapet me një skenë prekëse, ku Engjëlli dhe motra e tij vizitojnë varrin e babait më 3 prill. Kjo skenë ka një rëndësi të veçantë, sepse vendos atmosferën e përgjithshme të veprës, të mbushur me kujtime, reflektime dhe dhimbje.
Nga ky moment nis një rrëfim i gjatë për jetën e protagonistit, për sfidat që ai ka kaluar dhe për padrejtësitë që ka përjetuar. Vetëm njerëzit me një botë të pasur ngrihen përballë një realiteti të ashpër, prozaik, të vrazhdë, banal, kokëfortë në paudhësitë e tij.
Kjo ide romantike përbën një poetikë të hollë në roman, që vjen si nënshtrat kuptimor – si një vijë e hollë lirike-dramatike. Synimi i autorit për ta dhënë Engjëllin si individ me botë të pasur realizohet edhe në momente të tjera. Kjo botë e pasur i jep romanit një vlerë të dukshme dhe na ndihmon ta shohim këtë personazh të plotësuar dhe, në zhvillimin e tij artistik, deri në fund.
Vuajtja i jep Engjëllit një ndërgjegje të qetë; padrejtësia e ushtruar mbi të nuk e bën dhe nuk ia arrin ta trondisë këtë ndërgjegje. Ai e kupton këtë, ai ka filozofinë e tij jetësore, moralin e trashëguar dhe moralin e injektuar nga kultura dhe qëndrimet e tij të drejta e sovrane.
Edhe personazhet e ndryshme të zhytura në llumin e korrupsionit, të dredhive e të padrejtësive, si noterja, gjyqtarja Parashqevi, dikur-dikur bëhen viktimë e asaj që kanë kurdisur vetë. Sepse, siç thotë Shekspiri në tragjedinë e tij të famshme “Hamleti”: “Çdo gjë e nisur me të keq, përfundon për të keq e për dreq”.
Nuk është puna se deformimi moral e ndyrësia shpirtërore (njollosja) kanë përfshirë vetëm nivelet e mesme e të larta të shtetit, por ato kanë zbritur deri poshtë, siç është rasti i dy policëve që mishërojnë oportunizmin, interesin personal dhe mungesën e theksuar të ndershmërisë.
Romani “Kur(v)nata” nuk është një rrëfim i thjeshtë ngjarjesh për të ngjallur një kërshëri, e cila vjen nga episode interesante dhe kurthet e papritura të ngjarjeve, të cilat autori i realizon me mjeshtëri dhe në mënyrë të pashkëputshme në zinxhirin e ngjarjeve. Ai është një roman social, me vështrim të gjerë pasqyrues të një shoqërie të kapur në paudhësitë e saj.
Në rrëfim përfshihen ngjarje dhe episode që lidhen me realitetin shqiptar, si tragjedia e Kanalit të Otrantos, aksidentet tragjike me studentë në Himarë, problemet e pronësisë, grabitjet e pasurive dhe konfliktet e shumta që lidhen me tranzicionin shoqëror.
Këto episode e bëjnë romanin jo vetëm historinë e një individi, por edhe pasqyrë të problemeve që kanë prekur një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare, e një individ me vetëdije qytetare të lartë nuk ka pse të mos i përjetojë. Ky vështrim e bën autorin ta zgjerojë përmbajtjen e romanit dhe ta ndërlikojë strukturën dhe arkitekturën e tij.
Krahas linjës kryesore e disa linjave të tjera që lidhen me të, prozatori i talentuar, Gjon Marku, i ka shtuar këto pamje të pasurimit të tij për të treguar botën e protagonistit, i cili nuk i shikon episodet e lidhura me të si rastësore, por ato janë shkakësore dhe vijnë si rrjedhojë e tymnajës së një krimi të heshtur të një shoqërie të rënë në depresion dhe hutim nga mungesa e idealeve dhe ngutja për t’u pasuruar përmes padrejtësisë.
Romani është një vepër me një prozë reflektive. Refleksioni dhe mendimet e ndryshme i japin kësaj proze tipare moderne dhe bëjnë që lexuesi të mos e lexojë atë thjesht si ngjarje, por, përmes ngjarjes, të futet më thellë te thelbi i problemeve dhe te tipologjia e tyre.
Autori ka zotësinë që konfliktin personal ta shndërrojë në një konflikt moral midis së mirës e së keqes dhe, për rrjedhojë, të japë momentumin e vështrimit filozofik për historinë dhe rrënjët e këtyre problemeve.
Narratori dallohet për një gjuhë sa realiste, aq edhe simbolike e poetike. Ai është poet dhe poeti e shkruan prozën mirë; di të hyjë në gjendjet psikologjike.
Kështu, emri Engjëll simbolizon njeriun e pafajshëm, por edhe emra të përgjithshëm, si burgu, ujqërit, drita dhe errësira, mbartin simbolikën e tyre.
Me një gjuhë të pasur, të gjallë e të këndshme në figura (në masën e duhur, aq sa e duron proza këtë), si metafora, krahasime, simbole, si dhe dialogë të gjallë e intensivë-shprehës, e sidomos antitezën dhe kontrastin, shkrimtari Gjon Marku arrin ta përcjellë veprën më bukur e më këndshëm në lexim.
Sepse romani lexohet me një frymë për larminë e karaktereve, rrjedhshmërinë e narracionit, lirizmin e sidomos dramacitetin e fortë, si dhe për ligjërimin artistik të të rrëfyerit.
Kjo e bën këtë roman të konsiderohet një nga veprat më të njohura të tij, krahas romaneve të tjerë që ai ka botuar.
