30/12/2024

Një polemikë miqësore me talentin Adi Krasta!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Në një koment relativisht të gjatë Adi Krasta ka trajtuar temën e bashkimit kombëtar dhe nuk pajtohet me idenë e disa personazheve publike që Kosova të shkojë drejt një statusi austriak në raport me Shqipërinë. E thënë ndryshe, Krasta shfaqet tejet i shqetësuar për faktin se Shqipëria dhe Kosova po largohen nga njëra-tjetrën dhe konkludon se Shqipëria e bashkuar është më e fuqishme se dy vende të vogla.

Nisur nga historia, nga padrejtësia që iu bë Shqipërisë së vitit 1912-1913, nga përjetimet tragjike gati 100 vjeçare të ndarjes së kombit, nisur gjithashtu nga kultura dhe gjuha e përbashkët, por edhe nga interesat shqiptare, bashkimi i trojeve shqiptare do ta fuqizonte një Shqipëri reale në kufijtë etnikë të saj. Kjo nuk ha diskutim.

Megjithatë në këtë diskurs më lindin disa paradigma:

Si do bashkohemi, kur do të bashkohemi dhe kush do të bashkohet? Janë tri pyetje që duan përgjigje sa më të qartë e sa më të thjeshtë. A na bashkojnë ato komitetet që rekomandon Krasta? Për mua është e dyshimtë! Idealisht po. Praktikisht nuk e di nëse funksionojnë mekanizma të tillë. Por le t’i kthehemi pyetjeve të para. Kush do të bashkohet? Vetëm Kosova e Shqipëria? Po shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në një numër rreth milionit? Po Lugina e Preshevës dhe shqiptarët e Malit të Zi? Që të ndodhë kjo duhet të zhbëhet shteti i Maqedonisë dhe Malit të Zi, ndërkaq të dyja këto shtete edhe kështu si janë konsiderohen të brishta.

Po Kosova kur mund të bashkohet me Shqipërinë? Kushtetuta dhe plani i Ahtisaarit e ndalojnë bashkimin e saj me ndonjë shtet tjetër, edhe me Shqipërinë, edhe me Serbinë ose Maqedoninë e Veriut. Por le të mendojmë se kushtetutën mund ta ndryshojmë. E drejta ndërkombëtare parashikon që kur një rajon nën sovranitetin e një shteti shkëputet nga ai shtet dhe dëshiron të bashkohet me një shtet tjetër, atëherë duhet dakordësia e shtetit nga i cili rajoni në fjalë shkëputet. Pra Kosova që të bashkohet me Shqipërinë, sa kohë ajo nuk është anëtare e OKB-së, do të duhet të marrë leje në Beograd. Beogradi është i gatshëm ta lejojë Kosovën t’i bashkohet Shqipërisë, por vetëm me kushtet e veta. Ndarja, pra gërshëra, është e vetmja alternativë. Qoftë dhe thjesht për këtë arsye, Kosova duhet të realizohet si shtet dhe deri në atë moment askush nuk duhet të flasë për bashkime. Sepse retorika e bashkimit përdoret si armë nga ana e Serbisë për mos njohjen e Kosovës. “Hë, si do ta njihni ju një shtet, i cili nuk do të ekzistojë, sepse kërkon bashkimin me Shqipërinë”? Kjo është pyetja që do të shtrojë Serbia nëse në Kosovë e në Shqipëri ndizen motorët e bashkimit.

Por ka dhe shumë anë të tjera që duhen parashikuar. A mundet dikush të bashkohet me vëllain e madh, nëse vëllai i tij jep urdhëra për vëllain e vogël edhe në kushtet kur ata janë të ndarë?! Sigurisht që jo, edhe pse vëllezër të një nëne! Paternalizmi i Shqipërisë ndaj Kosovës nuk duket vetëm në arrogancën e sjelljes së Edi Ramës ndaj saj. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Shqipërisë sillen me shqiptarët e Kosovës njësoj si kryeministri i tyre: Me arrogancë, mospërfillje e madje me përbuzje. Por bashkimi është ndjesi, nuk është thjesht çeshtje e një gjuhe të unifikuar. Sepse të unifikuar e kanë gjuhën e tyre edhe Austria e Gjermania, madje aq shumë shtete arabe. Por kanë krijuar shtete më vete. Pra, vetëm gjuha nuk i bën kombet kombe, aq më tepër kur njëra pjesë e kombit tall gjuhën e pjesës tjetër të kombit!

Kësisoj duhen gjithashtu aksesorë të tjerë të domozdoshëm për bashkimin. Një ndër to është ndjesia. Si ndjehen njerëzit në Kosovë në raport me ne shqiptarët e Shqipërisë? Po t’i intervistosh në medie duket sikur askush nuk është kundër bashkimit. Po të flasësh me ta në dhjetë minutat e para të shfaqin euforinë për bashkim dhe më pas me orë të shprehin njëmijë shqetësime që shkojnë kundër bashkimit! Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë kur flasin për bashkimin me Kosovën, shfaqin një konotacion të kuptimit të kolonizimit të saj. Krasta shkkruan se “nocioni kokëfortë e rezistent i kombit të bashkuar po vihet në rrezik nga të paret e fshatrave respektive të cilët e kanë më të thjeshtë të këndojnë në majë të plehut të tyre…” Në fakt duhet qëmtuar fakti se në këtë rezistencë të artikuluar kësisoj nga Adi gjendet një e fshehtë tjetër: – Ikja nga diskriminimi! Ruajtja e lirisë për të cilën shqiptarët në Kosovë kanë sakrifikuar me breza. Ndërkohë që ne në Shqipëri parapëlqejmë ende sot diktaturën dhe tradhtitë, fodullëkun dhe arrogancën. Sigurisht jo të gjithë e aq më pak Krasta. Por fenomeni i përkrahjes së krimit të shëmtuar, të shartuar me arrogancën e pushtetit, është i përhapur në Shqipëri. Kosova nuk dëshiron të bëhet pjesë e kësaj udhe!

Në këtë moment bashkimi si koncept e si mendim politik e filozofik shkatërrohet, asgjësohet. Nuk ka bashkim në një sfond përpjekjesh për linçim, diskriminim dhe lëçitje! Paternalizmi shumë shpejt mund të kthehet në sundim të tipit kolonial. Por një vend si Kosova, e cila ka përjetuar për 90 vite kolonializmin serb, nuk mund të pranojë një kolonizim tjetër, qoftë ky edhe i Sqhipërisë. A mund të ndodhë ky lloj kolonializmi?! Mendoj se jo. Por pleqtë thonin “Ulu në gjunjë se nuk të hanë qentë! Po kush beson se qentë nuk të hanë po u ule në gjunjë”?! Edhe qytetarët e Kosovës kur shohin retorikën paternaliste si diktat të politikës së Shqipërisë, do të duan të qëndrojnë larg këtij diktati. Nuk mund të bashkohen ata si skllevër, siç i trajton prej tetë vitesh Edi Rama, duke ua vënë edhe një kufi të dytë në Kalimash. Nuk mundet të flitet mirë për Kosovën vetëm në sezonin turistik, për të shfrytëzuar sentimentin e tyre patriotik për të pasuruar hajdutët e shtetit shqiptar!

Bashkimin e realizojnë doktrinat, filozofitë e sjelljes, afrimitetet shpirtërore që vijnë edhe nga afrimitetet politike, sociale e kështu me radhë. Ndërkaq vendin e kësaj filozofie e ka zënë filozofia e përçarjes së faktorit politik, por edhe të qytetarëve në Kosovë! Qeveria shqiptare nuk ka kohë për t’u afruar politikisht e shpirtërisht me Kosovën, sepse është e zënë me miqësitë serbe. Të dyja këto, së paku në të njëjtën kohë kur Serbia nuk e njeh dhe nuk e respekton vullnetin e Kosovës për pavarësi, nuk mund të bëhen. Pra, duhet, madje duhej gjetur rruga e bashkimit, të cilën ne e kemi edhe si shans. Duhet përcaktuar edhe kur mund të bashkohemi! Sigurisht që kjo mundësi teorike është pasi Kosova të bëhet shtet i njohur ndërkombëtarisht. Dhe shtyrja e shtetësisë së Kosovës konsideroj se bëhet për këtë shkak, që të harrohet bashkimi i saj me Shqipërinë.

Sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë do të ngjizet ideja e paralelizmit me Austrinë dhe Gjermaninë, të cilën Krasta e kritikon, por nuk mund ta shmangë. Dhe për në fund: Në këto dilema hamletiane unë do të zgjidhja më mirë ekzistencën e dy shteteve në një konkurencë të shëndetshme, sesa një bashkim me ndarje territoresh apo me mentalitetin egoist të epërsisë së njërës palë ndaj palës tjetër!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok