NJË PASDITE ME VËLLAZËRIT TAFA
BASHKATDHETARË TANË NË GJERMANI, AFARISTË TË SUKSESSHËM
Emrush Tafa, me të cilin njihem nga shkolla fillore, i ka dy vëllezër dhe dy djem afaristë të suksesshëm në Nuremberg të Gjermanisë, të cilët udhëheqin dy firma që punësojnë rreth 200 punëtorë, shumica shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Vëllezërit Tafa nuk i karakterizon vetëm suksesi në afarizmin e tyre, por edhe angazhimi për organizimin e bashkëkombëseve tanë në diasporë
Nga Hamza HALABAKU
Më kujtohet si sot kur për herë të parë erdha në Nuremberg, në Gjermani, ku e kisha djalin e dajës tim, mësuesin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe, Nusret Dërgutin. Në vitin 1989, Komiteti i atëhershëm i Kosovës për Arsim, Shkencë e Kulturë e kishte zgjedhur dhe e kishte caktuar për mësimdhënës të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Nuremberg dhe qytetet e afërta në Bavarinë Qendrore.
Në Nuremberg kisha mbërritur aty kah fundi i shtatorit të vitit 1990. Në dy-tri ditët e para kur ishim takuar me mësuesin Nusret, e pyeta si i shkonte puna e mësimdhënësit dhe si e kishte atë botë përkrahjen e bashkatdhetarëve.
Më tregoi për sukseset dhe peripecitë me të cilat ballafaqohej atë kohë që, dorën në zemër, nuk ishte edhe shumë punë e lehtë puna e mësuesit. Më tregoi për bashkatdhetarët dhe përkrahjen e tyre. Më foli se aty jetonin e vepronin disa bashkatdhetarë dhe një numër i tyre ishin krahu i djathtë i Shkollës Shqipe dhe natyrisht përkrahës të mësuesit. Në mesin e atyre që ishin krahu i djathtë i shkollës shqipe e përmendi edhe Emrush Tafën. Edhe pse kishin kaluar shumë vite që as se kisha parë e as nuk kisha dëgjuar për te, mu kujtua se në fillim të viteve të gjashtëdhjeta e kisha pasur shokë klase Emrushin, në Shkollën Fillore në fshatin tim të lindjes, në Pozharan
Shumë mirë i thash, këtë emër e njoh. E kam pasur shok nga klasa e pestë në tetëvjeçare. Ai me disa shokë, nga fshati i tyre, vinin për çdo ditë në shkollën e fshatit tonë. Në fshatin e tyre, në Terpezë, kishin vetëm shkollën fillore katërklasëshe, që ishte paralele e ndarë e shkollës tetëvjeçare të fshatit tonë. Edhe pse ishin ashtu të vegjël, si edhe ne moshatarët e tyre, qoftë mot me shi apo borë, qoftë mot me vapë apo shumë i ftohtë, ata ishin të rregullt në mësime. Kishte prej tyre që ishin edhe më të mirë se ne vendorët në mësime dhe aktivitetet e tjera shkollore. Dëshiroj të takohem me të, i thash mësuesit Nusret. Nuk vonoi shumë dhe mësuesi e mori në telefon. I tregoi për dëshirën time që të takoheshim kurdo që ai të jetë i lirë. Emrushi ia pohoi mësuesit Nusret se njiheshim që nga klasa e pestë, respektivisht se kishim qenë shokë klase.
U takuam në mbrëmjen e një fundjave të asaj vjeshte të vitit 1990 dhe biseduam shumë gjatë për kohën tonë të fëmijërisë, por edhe për atë aktualen. Folëm gjerë e gjatë për kohen kur kishim qenë nxënës, për mësuesit tanë dhe për nxënësit që dalloheshin për të mirë në klasën tonë. Biseduam edhe për shumë gjëra. Nga Emrushi, gjatë atij takimi, mësova se ai ishte takuar me Hysen Terpezën, që ishte bashkëfshatar i tij, dhe se ai kishte mësuar shumë gjëra nga xha Hyseni, për kohën e Luftës së Dytë Botërore, për kohen pas asaj lufte, si dhe për shumë gjëra të tjera që lidheshin me fatin apo fatkeqësinë tonë kombëtare.
Emrushi më tregonte për punën e tij në Gjermani dhe për përpjekjet e vazhdueshme që t’i ndihmonte pesë vëllezërit e tij, të cilët po shkolloheshin në shkollat e mesme të Kosovës ose po studionin në Universitetin e Prishtinës.
Nuk kaloj shumë dhe erdhi edhe fundi i viteve të nëntëdhjeta. Lufta nisi në Kosovë. Tani Emrushi kishte probleme për tërheqjen e fëmijëve të tij nga fshati i lindjes për në Gjermani.
Më vonë pata marrë vesh se pas shumë përpjekjeve dhe peripecive Emrushi kishte arritur që bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij t’i ofronte afër vetes në qytetin e Nurembergut. Në vitet e nëntëdhjeta i erdhën edhe dy vëllezërit e vegjël, Xhymshiti, që të gjithë e njohim si Xhyma dhe vëllai më i vogël Faruku,
me që, atë kohë, ata kërkoheshin nga pushteti i atëhershëm që të shkonin në shërbimin ushtarak që atëherë ishte i obligueshëm për të gjithë qytetarët e ish-Jugosllavisë.
Edhe vëllezërit edhe të katër fëmijët e Emrushit, ishin edukuar se puna është virtyt dhe duhet përvjelë mangët qoftë në atdhe apo në mërgatë. Dikush prej tyre në punë e dikush në kurse të gjuhës gjermane e pastaj edhe në studime, kanë arritur që shumë shpejtë të integrohen në qytetin ku jetojnë e veprojnë.
Në saje të këtij përkushtimi dhe punës ata arritën të jenë të njohur jo vetëm në Nuremberg, por edhe më gjerë.
Nga Emrushi kamë mësuar shumë për të arriturat e dy vëllezërve dhe të fëmijëve të tij, meqë shumë shpesh takohemi për, siç thuhet, kafen e mëngjesit.
Xhyma dhe Faruku, sapo kishin mësuar mirë gjuhën gjermane, pa vonuar shumë, e kishin hapur firmën e tyre “TAFA” (DIENSTLEISTUNGEN GMBH), që dorën në zemër nuk e di domethënien në gjuhën shqipe, ku angazhuan apo më mirë me thënë punësuan, shumë punëtorë. Nga themelimi i kësaj firme, numri i të punësuarve sa vinte e rritej. Tani, siç më tregonte një ditë Xhymshiti, numri i të punësuarve në firmën e tyre e kalon numrin 50. Shumica e punëtorëve të punësuar në firmën e tyre “TAFA” janë djem, po ka edhe vajza që janë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Shqipëria. Gjatë punës së tyre disa vjeçare, si tregojnë tani vetë ata, punët e kontraktuara me palën gjermane i kryejnë në afat rekord dhe pala gjermane përherë është e kënaqur me firmën “TAFA” dhe pronarët e saj, sepse punët e kontraktuara i kryejnë me sukses duke iu përmbajtur me përpikëri kontratave.
Dy vëllezërit e përmendur të Emrushit nuk i karakterizojnë vetëm sukseset në afarizmin e tyre, por si Xhyma dhe si Faruku janë të angazhuar edhe në aktivitetet shoqërore. Faruku, vëllai më i vogël është kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Nuremberg me rrethinë, degë kjo që ka më shumë se njëqind e tridhjetë anëtarë. Ndërsa Xhyma, përveç punës aktive në firmë, tash e një kohë të gjatë është i angazhuar në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) të Bavarisë për hapjen dhe mbarëvajtjen e punës së Shkollës Shqipe në këtë vend të Gjermanisë. Xhyma (Xhymshiti) është nënkryetar i Kryesisë së këtij asociacioni. Ai tregon se viteve të fundit kanë hapur e rihapur më shumë se 36 shkolla të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Bavari dhe, siç thotë Xhyma, Kryesia e LAPSH-it, bashkë me të gjithë koordinatorët dhe aktivistët e tjerë, që të gjithë me punë vullnetare, nuk pushojnë asnjëherë angazhimin që në qytetet ku ka numër të mjaftueshëm nxënësish shqiptarë të shtohet numri i shollave shqipe.
Firma “TAFA” vazhdimisht e ndihmon LAPSH – in edhe financiarisht.
Faruku, vëllai më i vogël, nuk rrinë asnjëherë duarkryq. Ai, përveç punës në firmën “TAFA” që bashkë me Xhymën e kanë rolin kryesor për gjetjen, mbikëqyrjen dhe kryerjen me sukses të punës së vet dhe të bashkëpunëtorëve të tyre kryejnë edhe punë të tjera. Që nga hapja e firmës së tyre, asnjëherë nuk kanë mbetur pa punë. Faruku për çdo fundjavë organizon, me bashkëpunëtorët e tij dhe të rinjtë e tjerë lojë futbolli. Për çdo të shtunë, në mbrëmje, ata janë në njërën fushë të futbollit në periferi të qytetit dhe ndiejnë kënaqësi kur takohen të gjithë së bashku …
Edhe bijtë e Emrushit, Labinoti dhe Atdheu, në vitin 2006, kanë hapë firmën e tyre “LEO” e cila, po ashtu, po ecën gjurmëve të asaj “TAFA” të
xhaxhallarëve të tyre.

Logo e Firmës “LEO”
Tani familja Tafa ka dy firma. Njëra “TAFA” nën drejtimin, si e përmenda edhe më herët, të dy vëllezërve të Emrushit, Xhymës dhe Farukut, e tjetra është firma “LEO” që është nën mbikëqyrjen e dy bijve të tij, Labinotit e Atdheut. Edhe kjo firmë, si tregojnë Labinoti e Atdheu, që nga themelimi në vitit 2006 dhe deri më tash është treguar e suksesshme. Në firmën që e udhëheqin Labinoti dhe Atdheu janë të inkuadruar më shumë se 150 punëtorë. Edhe në këtë firmë, sipas udhëheqësve të saj, dominojnë punëtorët që vijnë nga trojet tona etnike.
Dorën në zemër, suksesi i këtyre afaristëve më gëzon pa masë dhe çdo takim me shokun tim të klasës, Emrushin, nuk kalon e të mos flasim edhe për suksesin e tyre, ndonëse Emrushi nga modestia që ka nuk flet shumë për këto suksese. Kështu janë të gjithë pjesëtarët e kësaj familje.

Labinot Tafa, njëri nga udhëheqësit e firmës “LEO”
Mirëpo, unë kam mësuar se vëllezërit e Emrushit, Xhemshit e Faruk Tafa dhe bijtë e tij, Labinoti e Atdheu, janë afaristë shembullor. Firma “LEO” kryen punë në mirëmbajtjen e hekurudhave në Bavari pastaj mirëmban shumë autostrada të Bavarisë. Kjo firmë kujdeset që drunjtë të cilët rriten rreth hekurudhave, e që në Gjermani ka shumë, të mos jenë pengesë për lëvizjet e trenave.
Gjatë takimit që e patëm një ditë me Labinotin, ai na foli shumë më shumë për punët që firma e tyre “LEO” kryen në Bavari e më gjerë por, për këtë do të njoftohemi një herë tjetër!
Dorën në zemër, unë nuk kam bërë ndonjë studim për afaristët tanë që veprojnë në Nuremberg e rrethinë, por jam i bindur se këto dy firma të familjes Tafa janë më të suksesshmet në këtë nënqiell.
Nuremberg, 26 shkurt 2026
