16/11/2024

Një model poetik i historisë dhe përditshmërisë së botës dibrane…

0

Rreth librit “Dibra, zani i shqipes” të autorit Hysen Dervishi

Nga Dukagjin Hata

Pas Naim Frashërit dhe Fishtës, dy kolosëve të letrave tona kombëtare, që njëri tek “Historia e Skënderbeut”dhe tjetri tek “Lahuta e Malësisë”, shkruan në vargje histori që mbeten emblema historike e poetike të të gjitha kohëve, autori Hysen Dervishi është i treti që shkruan një histori të këtij soj në vargje. Libri i tij “Dibra, zani i shqipes” është një poemëe gjatë epiko-historike, ku ndërthuren kohët dhe hapësirat e udhëtimit dibranë në analet e historisë dhe rrjedhat e përditshmërisë. Promovimi i këtij libri përcolli një ineteresim të madh jo vetëm të dibranëve në gjithë shtrirjen e tyre trevore, por dhe të qarqeve letrare e mediatike.

Sot promovimet e librave janë kthyer në  modë, ashtu si rrjetet sociale dhe asetet e tjera të modernitetit. Por promovime të tilla, si ky i librit poemë “Dibra, zani i shqipes” të autorit Hysen Dervishi, janë të veçanta, madje krejt të veçanta dhe kthehen në ngjarje kulturore, që përcjellin ide, qasje dhe kauza, të cilat lidhen pazgjdhshmërisht me botën dibrane, me ngjarjet, të ndodhurat dhe figurat më emblematike të saj. Hysen Dervishi është një figurë e kompletuar e kulturës dibrane, poet, shkrimtar, regjizor, drejtues institucionesh kulturore, njeri me vizion që vështron përtej unit të tij, ai përcjell edhe në këtë libër një sagë mbresëlënëse për treven tonë pandibrane.

Në këtë poemë gëlon historia e Dibrës, saga e një madhështie të natyrshme, që ka ardhur gjer në ditët tona në valët e trazuara të historisë dhe përditshmërisë.

Me emrin e Hysen Dervishit lidhen studime dhe kërkime përkushtuese e shteruese në fushën e mendimit dibran e shqiptar, ide, qasje dhe refleksione që lidhen me figura emblematike të kujtesës dibrane e shqiptare, shqyrtime historiko-analitike dhe investigime, që në komplesk e krijojnë dhe dimensionojnë të plotë një vepër krijuese, që tenton të konfigurojë një areal të mbetur deri dje në hije të të vërtetave të thëna nën zë, por që tashmë përcillen nën një projeksion dhe optikë të re pasqyrimi.  Këto janë pasqyruar gjërsësisht në librat e tij, por në këtë poemë ata rikthehen dhe përcillen në një zhanër poetik, me sharmin dhe përndritjen estetike, që i bën këto rrëfime kaq të prekshme dhe emocionuese.

Nëse në librin “Dibra zemra e kombit” autori shkruan me  një gravitet emocional të veçantë, që do të thotë se e ka përjetuar realisht dhe emocionalisht çdo fjalë e frazë, në këtë poemë, ai sitën në një sitë të hollë ngjarje dhe personalitete, që duket se parakalojnë në memorien e tij, depërton të palcën e të ndodhurave të botës dibrane dhe figurave më përfaqësuese të Dibrës në të gjitha kohërat, me anë të vizionit dhe depërtimit poetik. Ndonëse dimensioni estetik nuk është qëllimi kryesor i autorit, ky dimension ka ardhur i plotë dhe i kontruar në një areal poetic befasues.

Falë një pasioni dhe këmbëngulje unike, shoqëruar me njohje të thellë e të kompletuar të “lëndës së parë” që bën objekt kërkimi, Dervishi përcjell tek lexuesi modele estetike e historike studimore që janë gurë kilometrikë në memoristikën kolektive dibrane e më gjërë.

Në arealin e emrave të autorëve dhe librave të tyre memoristikë, që përfshihen në zhanrin e letërisë dokumentaro-poetike, qëndron denjësisht emri i Hysen Dervishit dhe libri i tij “Dibra, zani i shqipes”.

Është një libër i shkruar, nëse përdorim një njësi frazeologjike popullore, “me lëkurë”, me  një gravitet emocional të veçantë, që do të thotë se autori e ka përjetuar realisht dhe emocionalisht çdo fjalë dhe frazë dhe pas një site të hollë të ngjarjeve dhe personaliteteve, që duket se parakalojnë në memorien e tij, depërton të palcën e të ndodhurave të botës dibrane dhe figurave më përfaqësuese të Dibrës në të gjitha kohërat.

Autori vjen me këtë libër voluminoz, ku shpaloset madhërishëm historia dibrane, me ndodhi të bujshme, kohë dhe epoka qëndrestare e të trazuara, ku madhështia e shpirtit kolektiv dibran, urtia, bujaria, mendjemprehtësia, shfaqen si modele fundamentale në luftë e në paqë, në të mirë e në të keq, ku arkitipi genetik i një treve me rrënjë të ngulitura fort në histori dhe në përditshmëri thërret për vazhdimësi tradite.

Poeti Hysen Dervishi, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikologjisë dhe shpirtit dibran, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli me rrënjë të ngulura thellë në histori, i cili e shkroi sagën e fiseve krenare e të panështruara ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare.

Në këtë libër mjaft interesant, bota dibrane lëviz në tredimensionalitetin e kohës, në ato ura të kujtesës shqiptare, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të njohur për qëndresën dhe mençurinë, për degët dhe rrënjët në gen sojnik e fisnik, për të djeshmen dhe të sotmen.

Me një stil poetik të ngrohtë dhe plot ngjyra, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i historianit përzihet me tharmin estetik të poetit, Hysen Dervishi na sjell në këtë libër një përcjellje dinjitoze të historisë dibrane, në pikat e saj më kulmore për fatet e veta dhe të shqiptarisë.

Udhëtimi i Hysen Dervishit në analet e botës dibrane është një udhëtim virtual, ku mplekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika dibrane me atë kombëtare, narracioni zhbirues dhe zbulues përmes detajeve të gjetura me reflektimin shterues rreth të ndodhurave, fakteve historike dhe figurave me të cilat na i sjell të lidhura ata shkrimtari.

Si një njohës virtuoz i psikolgjisë së thellësive dibrane, i historisë dibrane dhe individëve që me bëmat e tyre atdhetare kanë bërë epokë dhe janë identifikuar me pjesën më vezulluese dhe më të ndritshme të vlerave gjithëkohore të shqiptarisë, autori na jep një gamë të gjërë e të larmishme pamjesh dhe reflektimesh, ngjarjesh dhe personazhesh, që janë bërë njësh me kohën e tyre, si interpretë të së drejtës zakonore dhe shpirtit kolektiv të një treve të njohur për besë e mençuri, guxim e trimëri, e cila ka qenë në të gjitha kohët në ballë të aksionit kombëtar për liri dhe dinjitet shoqëror.

Që nga personazhet emblematikë të luftërave  antiturke qysh në Mesjetë, në ato antiserbe, gjer tek modelet e rezistencës antifashiste në valët e Luftës së Dytë Botërore, në këtë libër parakalojnë emra të shquar të historisë dibrane, ushtarakë, komandantë legjendarë, politikanë mendjehollë, prijës popullorë, gjeneralë, misionarë pajtimi, trima e tribunë të mendimit e veprimit gjithëdibranë.

Njohja e thellë e traditave dhe zakoneve dibrane, përvetësimi i filozofisë së odave dibrane, ku muhabeti bëhet me rrotulla dhe “prit e kthe”, e ka çuar autorin në kërkimin dhe modelimin e një gjuhe fine dhe të koncentruar bindshëm në stilema të forta përcjellëse dhe mesazhuese, duke bërë që në libër të mos mungojnë parabolat, aludimet, nëntekstet e holla të një gjuhe fine e të përpunuar me kujdes, që na paraqitet në trajtën e ajzbergut.

Duket se aparati metodologjik dhe shqyrtues i fakteve dhe të dhënave, të bazuara në burime gojore e arkivore, në këngët dhe trshëgiminë tjetër të vlerave të etnosit kolektiv, shoqëruar kjo me sharmin poetic befasues, që e karkterizon autorin në shkrimtarinë e tij, e bëjnë librin të lexueshëm me një frymë dhe me kërshërinë e ndezur për çdo ngjarje e figurë, që gjen pasqyrim në faqet e tij.

Libri “Dibra, zani i shqipes” i autorit Hysen Dervishi është një libër që mungonte në tavolinat e punës së studiuesve dibranë dhe më gjërë, një enciklopedi poetike e figurave dhe ngjarjeve më në zë të botës dibrane, një shpalim historik, analitik, investigues, në një shtrirje të gjërë të kohë-hapësirës shqyrtuese, analitike, krahasuese e ballafaquese, të një qasjeje të re të mendimit historik, të çliruar nga diktatet politike dhe autoçensura, e cila pas çlirimit të letrave nga çensura e dikurshme, shfaqet tek mjaft shkrimtarë si një autosugjestion i ardhur nga ajo që Karl Gustav Jung e quante “nënëvetëdija e harruar”.

Ky libër lypset të jetë një libër tavoline për dibranët, sidomos për shkrimtarët, historianët dhe mendimtarët dibranë, të cilët do të gjejnë në faqet e tij të shkruara me vërtetësi, dashuri dhe emocion, të vërteta të njohura, pak të njoura ose të panjohura, që janë shkruar me zemër në dorë nga një shkrimtar me sqimë, një njohës shijehollë i historisë dhe mendësisë kolektive dibrane.

Sot, në përvjetorin e tetëdhjetë të lindjes së Hysen Dervishit, i uroj edhe njëqind vite të tjerë plot shëndet e krijimtari, bekime e lumturime pastë familjarisht në çdo hap e çast të jetës!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok