17/11/2024

Tregim nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Mëngjes…Si përditë u ktheva nga ecja sportive. Më është bërë zakon, që  para se, të bëj dushin, ndez kompjuterin. Duke shijuar kafen e mëngjesit lexoj postën elektronike. Këtë gjë po bëja edhe atë ditë. Syri më kapi një analizë si përgjigje e një shkrimi që nuk i drejtohej shkruesit. Cinizmi, vetmburrja e autorit si specialist dhe njohës i thellë i gjithçkaje, më bëri të qesh me vete…

“Eh, ç’më çove në atë kohë të mallkuar, që mos u ktheftë kurrë! Sikur ta dije se sa shumë kam fituar në këto vite…  ”- mendova dhe solla ndërmend një ndodhi.

Në jetë asgjë nuk është e përkryer. Veç njeriu është në gjendje të dallojë, analizojë dhe të krahasoj të djeshmen me të sotmen dhe mbi të shkuarën të mendojë se si duhet ta ndërtojë të nesërmen …

I veluri nuk e beson të uriturin. Ai që ka një shtëpi apo vilë të bukur, nuk ka si ta dijë se ç’ndjen një i pastreh…A mund ta di çdokush që i është plotësuar çdo dëshirë apo tekë, se si ndihet ai , të cilit ia vranë çdo ëndërr qysh kur përshëndeti botën? I lumturi, që ka si mburojë hijen e një lisi të madh, a mund ta imagjinojë dot vallë vrasjen morale, si një vdekje e ngadaltë? Eh, sa antiteza ka jeta njerëzore…! Janë aq shumë sa ngjasin me njëra-tjetrën si dy pika uji, por edhe janë aq të ndryshme sa… E përbashkëta e jetëve të mohuara apo të dhunuara është dhembja, si ndjesi, se format janë aq të larmishme, sa imagjinata nuk…

Isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Isha jetimja me baba gjallë. Si unë kishte plot, me mijëra, madje edhe më keq…  Por mua, adoleshentes, më dukej se vetëm unë isha e vuajtura, që ma kishin mohuar të drejtën, atë të drejtë legjitime që të rritesha nën kujdesin atëror. S’guxoja t’i shihja njerëzit në sy. Më dukej sikur do të më thoshnin:

“Ti nuk ke të drejtë as të më hedhësh sytë, jo të rrish me mua…Nuk je shoqja ime. Jemi të ndryshme… Nuk ke sy të shikosh se ku jeton ti dhe ku jetoj unë? Po të ishe si unë, s’do të jetoje në një bodrum sa një vrimë miu, pa dritare, gjithë lagështi dhe një metër nën nivel,”- mendim që m’u bë fiksim.

“Edhe familja ime ka të drejtë të jetojë si të tjerët. Përse nuk kërkojmë edhe ne një shtëpi për së mbari?”- mendimin ia shpreha nënës.

-Mama, unë do të shkoj të kërkoj shtëpi.

-Shtëpi?! Po ku? Kujt do t’i drejtohesh? Cila zyrë do të ta hapë derën dhe do të mirëpres? Jo bijë, jo. Jo vetëm që do të zhgënjehesh, por do të të vritet shpirti yt i njomë, zemra ime e vogël. Lermi hallet mua, moj bijë.

-E kam vendosur. Do të shkoj te Kryetari i Komitetit Ekzekutiv.

-E njeh?

-Jo. E di që është kushëri i afërmi yti, mama … Di që babai yt ose gjyshi im e ka rritur dhe e ka shkolluar nipin, ngaqë ishte jetim. Kurse ti i ke shërbyer duke i larë dhe hekorosur rrobat.

-Tek ai i paudhi?! Jo, bija ime. Mos shko, të lutem! Nuk të pret. Ai është mosmirënjohës.

-Do të shkoj derisa të mërzitet dhe do ta detyroj të më dëgjojë.

Të nesërmen, para se të nisesha për në shkollë, shkova kërkova takim me Kryetarin. Më thanë se nuk kishte pritje. Ditën tjetër shkova përsëri. Jo ato dy ditë, por për gjashtë muaj rresht shkova çdo ditë me përjashtim të së djelës dhe nuk më lejuan të takohesha me të.

Kjo më indinjoi së tepërmi. Mora lejë nga shkolla dhe një mëngjes e prita para portës së Komitetit Ekzekutiv. Që së largu dallova makinën e tij të tipit Varshava. Në kohën që do të zbriste, polici më largoi nga porta.

-Përse më largon? Nuk i bëj asgjë të keqe Kryetarit. Jo vetëm që s’kam asgjë në duar, por nuk mund t’i bëj keq as mizës. Ai dëgjoi dhe mbajti këmbët.

-Si është puna?- pyeti me shikimin poshtë, në këpucët e mia.

-Kam kohë që kërkoj një takim zyrtar me ju, dhe nuk më lejojnë. Më thonë se s’jeni në zyrë. Gënjejnë zyrtarët tuaj, ose ju nuk dëshironi të më prisni…

– Si të quajnë? E  kujt je?-zëri tij i ftohtë e rrëqethës, reflekthej në tiparet e tij të ngrira. Nga ai qëndrim tejet armiqësor, më hynë drithmat. Trupi m’u bë mornica. Flokët m’u ngritën përpjetë si iriq. Ishte shpirti im i brishtë, ai që ndjeu mungesën e dëshirës prej tij. për të ndihmuar një adoleshente.

I thashë emrin tim, të babait dhe mbiemrin…U ngrys si qielli i errët  dhe u ashpërsua në fytyrë si tufan. Dhe më pas…

-Hëm…- me një shikim në muret e godinës urdhëroi sekretaren të më regjistronte emrin.

-Eja në orën 12  se kam pritje për popullin,- ishte një përgjigje e akullt që u duk sikur më tha : « Përse vjen? Çfarë kërkon nga unë? Të të bëj mirë?! Po a e meriton?”- me këto mendime që më gëlonin në tru, u sorollata vitrinave të zbrazta. Gjithsesi aty kishte mjaftueshëm për të realizuar kërshërinë e një të reje… pa rini.

Sado që u mundova ta përdorja kohën, duke u endur nëpër qytet, kullota sytë, por s’më mbante vendi. Padurimi kishte arritur kulmin. Në orën njëmbëdhjetë u gjenda para godinës së ekzekutivit.

Koha kishte ndalur ritmin. Dukej sikur ecte me hapin e breshkës. Që aty dëgjova sahatin e madh të qytetit që ra dymbëdhjetë herë. Më shkriu gjaku e nisi të më lëviz me shpejtësi. Më dukej sikur do të ndodhte mrekullia. Hynin e dilnin njerëz me, apo pa arsye, kurse unë ngela atje. Pritja e tejzgjatur dhe ankthi më shkaktuan një dhembje koke të jashtëzakonshme. Ajo që më mërziti më shumë ishin ata që vinin befas nga rruga dhe pyesnin:

– Brenda është Kryetari ?  – dha pa pritur, hynin si në shtëpinë e tyre. “Këtu qëndron ndryshimi mes meje dhe “atyre…”- kujtova në çast.

Ora  katërmbëdhjetë. “Ndoshta nuk më pret…Megjithëse  e re… por edhe për mua durimi e ka një kufi…”- nuk m’u durua dhe …

-Më falni, a mund të pyesni, nëse do të më presë Kryetari?- iu drejtova nëpunëses te iformacioni. Ajo, një fryçkë që e kalonte kuintalin, më pa vëngër e gjithë inat, sikur i  kisha jetën borxh. Bëri sikur mori në telefon dhe më qetësoi se ishte ende i zënë. Po shkonte ora tre kur më tha të hyja…Shko majtas, kati i dytë, korridori majtas dera e parë… po në të majtë.

Nuk di pse më hyri një drithërim që nga thoji i këmbës dhe deri te fija e flokut. Para derës së madhe prej druri, dykanatshe  mbajta këmbët.

Trokita lehtë dhe prita…

Heshtje…

Provova përsëri…një zë i huaj gruaje , m’u përgjigj:”Hyr”

Ula dorezën dhe sakaq u gjenda brenda. Ndërsa mbylla portën, vura re se ishte e veshur me një dyshek izolues, thurur me rombe. Për një çast qëndrova atje në pritje. Me një vështrim gjithpërfshirës në pak sekonda u njoha me zyrën. Ishte një dhomë e madhe, e lartë  dhe gjithë dritë. Kishte tri dritare të mëdha, ku në korniza druri rëndonin perdet  prej kadifeje vishnje. Në gjysmën e dhomës …një sallon pritjeje…Mbi një qilim persian me ngjyra të gjalla, hiejshonin një palë kolltukë të rëndë të veshura me kamosh ngjyrë vishnje. Një tavolinë mesi prej  xhami dhe taketuke cigaresh prej druri. Gjithçka e punuar artistikisht, ngjasonte me një dhomë klasike. “Të kujt kanë qenë vallë? Ndoshta kanë qenë pronë e familjes sime, ndoshta…”- mendoja e tronditur. Pak më tej një tavolinë pune, e gjatë në formën e shkronjës “L”. Në mesin e njërës anë qëndronte ai, Kryetari, i zhytur në shkresa dhe dosje. Në anën tjetër, përballë me të, ishte tavolina e sekretares. E njoha… gruaja e një sigurimsi që kishte marrë më qafë kush e di sa jetë njerëzish dhe familje të tëra i kishte syrgjynosur në kanale e llomi kënetash. Këta fatkeq ishin të burgosurit pa pranga reale, por ishin të izoluar nga mure betoni të padukshëm. Ishin të prangosur me zinxhirë skllavërie të padukshme, për të cilët “liria” ishte fjalë e ndaluar..

Për ironin e fatit, kjo grua që më zhbironte vjedhurazi me bisht të syrit, ishte kunata e njeriut që pas sekuestrimit të pronës sé familjes sime, shtëpia jonë e shtetëzuar, u bë pronë e tij.

Ky punon në gjithë këtë hapësirë, kurse ne 5 veta…  u asfiksuam në një bodrum pa dritë, pa ajër dhe gjithë myk. Vëllai njëzet e një vjeç dhe i vogli njëmbëdhjetë. Nëse del babai nga burgu, ku do të flemë vallë?Gjashtë persona në shtatë metra  katrore e gjysmë ajër. Secilit na takon nga 2,9 metra kub ajër. Edhe një i vdekur në varrin, ku e kanë kallur, ka më shumë ajër se sa ne. Pra ne jemi të vdekurit e gjallë…!” – mendoja mes vagëllimit të lotëve. Hodha shikimin mbi njeriun prej të cilit prisja mrekullinë. E drithëruar prisja te dera.

-Ulu këtu,- më tregoi karrigen sekretarja.  Objekt piktakimi i vështrimeve të tyre pyetëse, ishte trupi im. U ndodha midis atij dhe asaj. Ai vazhdonte ende të shikonte dokumentet. Ishte një shvlerësim, një shpërfillje e tij ndaj meje. Si i zgjati dy-tri dosje sekretares  që t’i çonte diku, vazhdoi të hapte sirtarët me radhë. Penduli i një sahati të madh muri lajmëroi se ora ishte pesëmbëdhjetë. Pastaj me sytë mbi xhamin e tavolinës, si kruajti zërin, më pyeti se përse isha munduar.

-Kam nevoj për një metër kub ajër, Kryetar.

-Çfarë?! Si… si the?! – ngriti zërin.

-Më nevojitet një metër kub ajër…

-Je në vete moj vajzë ?!Mos duhet të ta jap unë ?! Ajër ka sa të duash. Nuk ta ka ndaluar njeri….Ajër, ujë, diell dhe det qyteti ynë ka me bollëk.

-Jo, Kryetar, jo…mua ma kanë ndaluar ta thith oksigjenin në çdo kohë. Ma kanë kushtëzuar këtë domosdoshmëri…Shpesh herë më më bllokohet frymëmarrja…dhe më duket sikur do të vdes.

-Ke gabuar adresë…Shko te mjeku.

-Nuk kam nevojë për mjek, por për një kthinë të vogël , ku mund të përgatitem për në shkollë. Duhet të më besoni. Qoftë dimër apo verë mësoj në oborr, mbi kapakun e pusit. Strehë kam vetëm disa llamarina që i ka vendosur vëllai. Ruhem vetëm nga shiu, por nga i  ftohti, jo…   -dhe i fola për kushtet në të cilat jetonim.

-Nëse nuk ke kushte, mos shko në shkollë. Madje shkolla jote nuk i shërben askujt.

-Më shërben mua…Po ju pse e vazhduat shkollën?

-Sepse i kisha të gjitha kushtet.

-Jam shumë më e vogël nga ju, por e di se si e keni kryer shkollën. Shoh se në jetë mirësia nuk u shpërbleka.

-Kush tha që nuk ua di për nder atyre që u treguan bujar , kur ngela jetim…?

-Me fjalë, se me veprim jeni…mosmirënjohës.

-Të pret gjuha shumë, ty vajzë. Qepe më mirë, që mos të ta presin.

-Ne të katër jemi të një moshe me fëmijët tuaj. A do ta lejonit djalin tuaj të rritur të flinte me motrën? Apo vajzën e madhe me prindërit në një dhomë? Nuk besoj…

-Unë e kisha mendjen në vend, jo si …Luftova për kushte jetese të mira për familjen.

-E di…e kam mëse të qartë. Veçse shoh se kam trokitur në portën e gabuar.

-Më vjen mirë që e di. Tani besoj se e kupton se përse portën e Komitetit  ta kanë mbyllur. Ky është Pushteti i Partisë, ndaj…T’i mendonte babai yt pasojat…Sepse të këqijat e burrave i paguajnë gratë dhe fëmijët.

-Nëse gaboi apo kreu krim im atë, po e shlyen me burgim të përjetshëm. Ne, fëmijët dhe gruaja e tij, a nuk kemi të drejtë të jetojmë si njerëz?

-Secili i mban hallet mbi shpinën e vet.

-Nuk po ju kërkoj mëshirë, vetëm një të drejtë, Kërkoj një metër kub ajër më shumë, që të ndihem e gjallë…

-Mos e kërko tek unë…kërkoja shkaktarit…Yt atë e ka fajin.

– Doja të dëgjoja fjalën tuaj të fundit…

-Shko në zyrën e strehimit. Komiteti Ekzekutiv nuk jep shtëpi. Pastaj, mos vallë e quan veten të barabartë me të tjerët ? Nuk mund të jetosh në një pallat me ta, jo.

-Më falni për shqetësimin! Nuk e besova nënën… Kujtoja se te një prind gjendet një zemër bujare, por paskam menduar gabim, -u largova nxitimthi. Vrapoja si e marrë nëpër shkallë, duke i kapërcyer dy e nga dy.

-Do të vritesh moj vajzë, -më këshilloi dikush. E pashë gjithë inat dhe doja t’i shprazesha atij. Po i bëja një padrejtësi, ashtu si edhe mua…por iu drejtova:

-Ju, i lumturi nuk më kuptoni dot mua, jo…- vrapoja pa qenë në vete, duke e lënë atë me supe të ngritur dhe me sy të zgurdulluar. Nuk më vinte turp që më shihnin duke qarë. Papritur u gjenda pranë kazanve të plehrave. Mes paqartësisë së vagëllimit, më  kapi syri një zonjë me flokë të bardha. Ishte veshur me të vjetra, por rregullsia në trup më ngjalli respekt. Iu afrova, ashtu e pezmatuar dhe i zgjata të vetmen dhjetëlekshe që më kishte dhënë nëna për të ngrënë diçka gjatë ditës. Ajo nuk donte ta pranonte, por unë këmbëngula.

-Jo kështu moj vajzë…Je shumë e re për t’u trishtuar…Natyrisht e ke një hall, por lotët, oh lotët nuk zgjidhin dot asgjë. Veç shprehjes së dhembjes që të kapëlon trup e shpirt dhe kënaqësisë që u jep atyre që u therin sytë, nuk dhurojnë asgjë tjetër, -më vështroi gjatë… dhembshëm, siç di një nënë. Lëshoi në tokë dëngun me letra, hoqi dorashkat e zbardhylta, dhe me duart që i dridheshin, më fshiu lotët. –Je kaq e brishtë, kaq e pafajshme sa…vetëm “Ai” e di , -në atë çast ngriti shikimin drejt qiellit. M’i kapi të dyja duart në të sajat dhe unë ndjeva një trup të drobitur që dridhej si ndër ethe. Buzët e saj të thara, të çara si bujashkë ulliri, flisnin shumë. Tek ajo zonjë pashë një shpirt të madh, por të mardhur e të sakatosur…

-Më shikon mua? Dikur isha një zonjë e madhe. M’i morën të gjitha…Burrin dhe djalin m’i burgosën. Pasi varën djalin tonë, dritën e syrit, im shoq, nuk hëngri, nuk piu më, derisa vdiq prej marazit. I gjori, ngeli përjetë i bugosur. Nuk e di se ku i kanë varret… Madje nuk di, kanë apo s’kanë një copë varr vallë?! Time bijë e torturuan, e përdhunuan në hetuesi deri sa u çmend. Vdiq në psikiatri. Nuk kisha pse jetoja më. Ngela fillikat. Qaja sa më binte zali. Askush nuk më afrohej. Nuk më fliste njeri. I trembte fantazma e një bashkëshorteje që ia prenë jetën në mes. Isha hija e një nëne që ia rrëmbyn dhunshëm jetën e fëmijëve, familjen dhe lumturinë. Fati më la me duar në gji. Më hodhi pamëshirë në udhëkryqet e jetës. Nuk dëgjoja, nuk shikoja më asgjë. Vetëm vajtoja e vajtoja papushim. Një mëngjes u gjenda në një kotec pulash. Nuk di kush më çoi. U ngrita me mundim, u hoqa zvarrë deri te shtëpia ime. Atje gjeta disa fytyra të panjohura. Fëmijët që luanin në rrugë, sa më panë, u larguan të tmerruar, duke klithur: “E çmendura, ajo është e çmendur…!”-u ktheva…

“Kaq keq jam katandisur?!”- dhe u vështrova në vitrinat e një dyqani. U zmbrapsa e tmerruar. Ata kishin pasur të drejtë. Nuk dija sa kohë kishin kaluar. Isha thinjur e tëra dhe rrudhosur në fytyrë…Bija ime, më fal,që ta shpraza ty helmin e shpirtit, më fal! Dua të të them se si ti ka plot…Vetëm një gjë mbaj mend:” Jeta qenka e dhembshur. Që të jetoj mbledh letra, kartona, i shes dhe ushqehem…”

-Më vjen keq, nënë! – u shfajsova duke e përqafuar.

-Sa shumë do ta paguaja këtë fjalë të madhërishme “Nënë”dhe këtë përqafim të çiltër që më ka munguar dhe do të më mugojë gjithë jetën. Të faleminderit bijë!

-Jam e lumtur që u njoha me ju…-u largova e lehtësuar. Ktheva kokën. Doja ta pyesja se si quhej, po ajo ishte zhdukur sikur e përpiu dheu. Vazhdova rrugën me ndjenjën e keqardhjes për atë zonjë që ia kishin mohuar të gjitha të drejtat dhe gëzimet që dhuron jeta…”Paska dhe më keq…”

– Hë moj bijë?- pyeti nëna sa hyra në koliben tonë. -I dhashë të drejtë asaj që më këshilloi të mos shkoja.

-Mama, ai takim nuk më shkoi dëm. Sot kam mësuar shumë.

-Jeta është përvojë për të nesërmen, bija ime ,- dëgjoja e zhytur në mendime:

Kjo përvojë më flet çdo çast që të mos harroj kurrë se mbi sa gërmadha dhembjesh, shkatërrimi dhe vuajtjesh, ndërtohet e nesërmja. Kërkova një metër kub ajër dhe fitova diçka të madhe. Mësova se përmes dhembjes së përjetuar, lind e nesërmja, ku nuk duhen përsëritur gabimet e së djeshmes. ”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok