21/12/2024

NJË MËSUES DHE DREJTUES SI GJELOSH TOMA DO TË MBETET PËRJETËSISHT NË MEMORIEN E BREZAVE TË SOTËM DHE ATYRE QË DO TË VIJNË, SI NDËR EMRAT MË TË NDERUAR E TË RESPEKTUAR TË ARSIMIT LEZHJAN

0
Gjelosh-Toma

IN MEMORIE

(U nda nga jeta në moshën 75-vjeçare Mësuesi i “merituar” Gjelosh Toma)

Nga FRAN GJOKA

Jeta është e ndërtuar e tillë, që ka një fillim dhe një mbarim e gjithsekush në këtë jetë, me mundësitë që krijohen, dëshiron që të bëjë gjëra të tilla që të mbetën në jetë e që t’i shërbejnë njerëzve, t’i shërbejnë ecjes përpara për të mirën e fëmijëve, nipave e mbesave, brezave që vijnë. Aq me tepër që kjo merr më shumë vlerë në sistemin e arsimit, në punën e bukur të mësuesisë, nga ku ke nxjerrë prej duarve të tua breza të tërë nxënësish, që do të vazhdonin rrugën e jetës me ritëm, me dashuri për të mirën dhe dëshirën që shërbesa e tyre në mësuesi të jetë fisnike dhe e dashur për gjithkënd. Vjen një çast që jeta ndërpritet krejt, duke lënë pas të dashurit dhe të njohurit, dhimbje dhe lotë, por dhe kujtime të mira dhe të paharruara. Kujtime që mbetën nga brezi në brez dhe kujtohen vazhdimisht. Kështu, “Mesuesi i Merituar” dhe drejtori i respektuar, Gjelosh Toma ndrroi jetë pak ditë më parë në qytetin e Lezhës. Një lajm që na hidhëroi pa masë të gjithëve, teksa sillje ndërmend emrin dhe veprën e tij, përkushtimin ndër vite, duke i dhënë shpirtërisht dije e kulturë brezave.

Mësuesi i merituar u lind në fshatin Markatomaj të Lezhës, shkollën fillore e mbaroi në fshatin e tij të lindjes. Pas përfundimit të gjimnazit “Hydajet Lezha”, mbaroi arsimin e lartë në Universitetin Shtetëror të Tiranës për matematikë-fizikë me rezultate të shkëlqyera. Punoi me sukses dhe për shumë vite drejtor i shkollës së mesme Zejmen. Si shok e mik i imi i ngushtë e kam parë gjithnjë drejtues të apasionuar, njohës i shkëlqyer i lëndës së matematikës, si edukator dhe familjar i palodhur, si burrë me vlera të padiskutueshme intelektuale, si njeri, prandaj e kujtojmë sot me respekt të madh…

I rritur në një familje me prindër punëtorë, të thjeshtë, por të ndershëm dhe me tradita të shkëlqyera arsimdashëse. Nga ky trung familjar janë ngjizur cilësitë e karakterit të Tij që përcollën në breza traditën, burrërinë malësore e shumë të tjera, Gjeloshi u rrit e hodhi shtat dhe u formua në këtë familje të ardhur historikisht nga Malësia e Madhe dhe u mëkua që të donte vendin e tij dhe njerëzit.

Fëmijëria dhe adoleshenca nuk ishin të lehta për të e ndoshta ky është shkaku i një miredukimi e shkollimi me sakrificë. E kam njohur profesorin e ndjerë që në rininë time të hershme. Ishte dhe mbetet një patriark i pedagogjisë shqiptare, ishte një drejtues dhe menaxhues i shkëlqyer në sistemin e drejtimit të arsimit pra, një njeri me shumë vlera. Të gjithë ata që e kanë njohur, që kanë punuar e që kanë dëgjuar për të, që e kanë ndjekur në rrjetet sociale, me dhimbje të thellë përjetuan lajmin për ndarjen nga jeta të drejtuesit dhe mësuesit të merituar, Gjelosh Toma, që për 40 vjet sakrifikoi shëndetin e tij për t’u dhënë dije e kulturë brezave, duke mos u ndalur për asnjë çast së kërkuari kuptimin e jetës, duke vënë në funksion të këtij misioni fisnik të gjitha mundësitë dhe aftësitë e veta kulturore e profesionale.

E tillë ishte fryma që Gjeloshi jetësonte, e tille ishte jeta që ai thurte dhe aq shumë e donte, me pagabueshmërinë që nisi 40 vjet më parë në mësuesi në të gjitha etapat e tij, sepse karakterizohej nga një intuitë për t’u orientuar drejt e kur i duhej të “përballej”, jo rrallë, me kapriçot e jetës, të cilat me urtësi, me mençuri e pjekuri i kapërcente denjësisht e me vendosmëri.

Duke shkruar këto radhë për këtë figurë e personalitet me vlera të mëdha intelektuale, të duket se dëgjon zëra brezash në vite… tek rrëfejnë se mësuesi dhe drejtuesi i merituar, Gjelosh Toma u dha me plot pasion kulturë brezave. Ai ishte shembulli më i shkëlqyer, i njeriut të formuar e me personalitet e kulturë njerëzore.

E themi papritur, jo aq nga mosha 75-vjeçare, por nga peripecitë që Gjeloshi ka jetuar e përjetuar nga humbja e papritur të bashkëshortes së tij, Liza Toma, e cila është ndarë 18 vjet më parë, duke lënë në pikëllim të thellë 4 vajzat dhe bashkëshortin e saj. Kjo grua, e cila sa qe gjallë e ruajti dhe çoi më tej cilësitë e arta të femrës lezhjane, mbeti që të ishte ndër më të vlerësuarat, por dhe mirënjohëse nga brezat. Ishte një nënë që personifikonte modelin, figurën e një nëne të dhëmbshur dhe edukatore e përsosur, me cilësi të spikatura individuale. Mbetet për vajzat e saj një nënë e shkëlqyer, një bashkëshorte që rrezatonte veçse dashuri dhe mirësi, një nënë qytetare me emancipim bashkëkohor.

Veprën e prindërve të tyre e pasojnë sot 4 vajzat e mrekullueshme, të zgjuara e të shkolluara: Juliana, Silvana, Edona, Brisilda. Këto 4 pasardhëse shikojnë sot modelin e prindërve të devotshëm, babanë e tyre të mirënjohur dhe të paharruar, të nënës së tyre Liza, që sa jetoi, personifikoi te vajzat modelin njerëzor të një nëne të dhëmbshur, të një nëne dhe babai të dhembshur, të dashur, me dijeni të shumta për jetën.

Të jetosh për një kohë të gjatë përkrah një njeriu me shumë vlera, një personalitet të tillë siç ishte Gjelosh Toma, ishte sa e lehtë dhe aq e vështirë. Ishte e lehtë, sipas kujtimeve që kam dhe ruajtur për figurën e tij, ishte njeriu me vlera të padiskutueshme, me kulturë e vizion perëndimor, tepër i përgaditur, emocional, i dhembshur, me vizion të gjerë për jetën, familjen e shoqërinë.

Ishte i “vështirë” sepse profesori kishte lindur i talentuar për shekncat ekzakte, donte të punonte, megjithëse në kushte të vështira, në momente të tilla kur vështirësitë familjare, nuk e favorizonin sa duhet dëshirën dhe pasionin e tij. Megjithatë, ai punonte, punonte dhe studionte pa u lodhur njëkohësisht. Kujtimet, mbresat për punën drejtuese dhe hulumtuese në arsim të rrëmbenin.

Ka ngjarje të bukura e mbresëlënëse në jetën e tij 40 vjeçare, ka ndodhi edhe të hidhura, që zgjojnë kujtime të zymta për të kaluarën. Përmes kujtimeve të shokëve, ish kolegëve të tij, lartësohet sot deri në Zenit figura madhështore e mësuesit dhe drejtuesit të merituar, Gjelosh Toma, këtij pedagogu të madh dhe njeriu me vlera universale, të cilat i kujtojnë sot me aq dashuri dhe pathos. Dhe, siç duket, do të kalojnë plot vite e dekada të tjera dhe emri i të ndjerit Gjelosh Toma do të mbetet në kujtesën e brezave, ku sot është bërë shpirti dhe zemra e kujtdo.

Kur bisedon me njerëz të profesioneve të ndryshme, e kujtojnë shpesh mësuesin dhe drejtuesin ku mbante një shtrirje të gjërë miqësie e shoqërie, duke u skaltur në kujtesën e brezave me atë portretin si një emblemë e veçantë që rrezatonte dashuri dhe frymë atdhedashurie ai në sistemin e punës drejtuese si ekspert i mirë i arsimit, e ruajti me kujdes të madh raportin profesionist-punë të pandërprerë e udhëhiqej nga parimi i patundur se çdo gjë varet nga puna që bën çdo ditë njeriu.

Kjo, siç duket kishte shumë rëndësi tek Gjelosh Toma, aftësia profesionale shoqërohej me punë të dendur dhe rezultate kulmore, që flasin dhe sot për vlerat e shkëlyera të punës së tij. Asnjëherë nuk i uli vlerat deri në nivelin “korruptiv” të punës së tij, por i qëndroi besnik Betimit të Mësuesit. Asnjëherë nuk diti të diferencojë mësuesit sipas shoqërisë dhe miqësisë, por gjithmonë ishte pranë tyre me pasionin që jepte profesioni, edukimi dhe kultura e tij qytetare.

Sa jetoi e punoi, kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e tij edhe kur ishte përballë “përfitimive” të mirave materiale e famës shoqërore e miqësore që ai kishte, mbeti deri në frymëmëarrjen e fundit i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësitë. Këtu më vjen ndërmend një thënie e Sokratit: “Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhè, por kur harrohet”.

Ndërsa shkuraj këto radhë për këtë njeri të shkëlqyer në punën drejtuese dhe menaxhuese, me vjen keq për harresën e organeve të pushtetit. Kurrë s’ka punuar për lavdi, ndonëse lavdinë me punë dhe sakrifica, emrin e mirë që la kudo e meriton plotësisht pas vdekjes që t’i jepet nga organet kompetente dhe një titull tjetër “Mjeshtër i Madh” i punës apo dhe “Qytetar Nderi” i Lezhës.

Për njerëz të tillë të ditur, të emancipuar, tolerant, në shërbim të arsimit për 40 vjet me radhë, që mbajti titullin e lartë dhe të denjë “Njeri”, si Gjeloshi, sa shumë ka nevojë sot shoqëria shqiptare.

I hodha këto mendime në letër këtij njeriu ideal që u shua papritur nga jeta. Kuptohet që është e vështirë që brenda një shkrimi të tillë të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën e gjërë dhe të gjithanshme të një profesionisti të tillë si Gjelosh Toma.

Do duhen që figura të tilla të talentuara të një modeli të cilësisë dhe dashurisë njerëzore të ndriçohen më në thellësi e gjerësi në të ardhmen, jo thjeshtë si shfaqje respekti e vlerësimi ndaj tij, por edhe si një ndihmesë në shërbim të brezave të rinj dhe të historisë së arsimit tonë kombëtar. Mësuesi i merituar, Gjelosh Toma u nda prej nesh disa ditë më parë, duke lënë pas kujtimin e njeriut të mirë dhe të devotshëm.

E kujtojnë me lotë malli e dhimbje vajzat e tij, nipërit dhe mbesat, motrat dhe vëllezërit, ish nxënësit dhe mbarë komuniteti prindëror Bregamatës dhe ish kolegët, mësuesit, sollën një trazim të madh shpirti e keqardhje.

Përjetësisht mirënjohje misionarit të arsimit lezhjan e kombëtar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok