Një mbrëmje dimri në Manhattan
Nga Eduard M. Dilo
Sipas orarit të afishuar, treni po vinte në stacionin ku kisha dalë për të shkuar në Manhattan. Nuk isha i vetëm; edhe njerëz të tjerë po prisnin.
Zura vend në një stol dhe, disi i shkujdesur, po shikoja telefonin — mesazhet dhe Facebook-un, mos kishte ndonjë gjë të re. Pas pak treni u fut në tunel dhe sinjali u dobësua.
Mendova të vizitoja Pemën e Krishtlindjes në Rockefeller Center dhe më pas Katedralen e Shën Patrikut. Ishte vërtet bukur, edhe pse pak ftohtë. Ftohtë, por dimri i Nju Jorkut ka një bukuri të veçantë.
Gjithandej flitej se sot Nju Jorku do të mbulohej nga dëbora — thuhej se do të binin 8–12 inç.
Në mbrëmje, dëbora filloi të binte. Fillimisht e lehtë, pastaj më e dendur, duke mbuluar rrugët, ndërtesat dhe njerëzit. Dritat e qytetit pasqyroheshin mbi bardhësinë dhe krijonin një atmosferë pothuajse të pazakontë për një metropol kaq të madh.
Bardhësi dhe bukuri nën shkëlqimin e dritave kudo. Sa e bukur është Krishtlindja!
Pema e Krishtlindjes në Rockefeller Center shfaqej madhështore. Dritat e saj ndriçonin fytyrat e njerëzve që ndaleshin për fotografi, për një kujtim, për një çast gëzimi.
Çifte të reja përqafoheshin e putheshin pa u shqetësuar nga i ftohti, ndërsa pak më tutje patinatorët rrëshqisnin mbi akull, mes muzike dhe dritash festive.
Gjithçka ishte e rregulluar me shije, por ajo që binte më shumë në sy ishte gjallëria.
Në një qytet të njohur për ritmin e shpejtë, ajo mbrëmje dukej sikur i kishte ndalur njerëzit për pak çaste. Qëndrova aty duke vëzhguar, pa nxituar. Ndonjëherë mjafton të jesh i pranishëm, të shohësh dhe të ndjesh, për ta kuptuar se edhe në një qytet të madh, momentet e vogla kanë peshën e tyre.



