22/12/2024

NJË  LUFTË  E  RREBTË  PARTIZANE…

0
SHTJEFEN PALUSHI (TEFA)

Nga Fritz RADOVANI

(Kallxim i vërtetë)

Kujtime.., nga Tefa…

Një rastësi… Nga data 18 Korrik 1969 e deri me 18 Korrik 1985, kemi punue bashkë në një dhomë në fabriken e Pelhurave, me karikaturistin e njohtun Shtjefën Palushi, pra me të Ndjerin Tefë. Një periudhë jo e shkurtë dhe shumë mbresëlanëse për mue. Na ndau vetem vdekja shumë e parakohshme e Tefës (1943 – 1985). Ishte mjeshtër i karikaturës dhe i aplikimit të saj në tekstil, ku fillon zanafillën ky art i panjohtun dhe i lanun në heshtje në Shqipni atëherë po, por edhe sot…

Ishte një ditë nandori i vitit 1984. Porsa dolëm në punë Tefa më pyeti: “Fritz, a ké ndigjue shkrepje pushkësh mbramë?…”

– Unë ju përgjegja, jo! Po ku, janë shkrepë ato armë?

Atëherë, Tefa, filloi kallximin: Rreth orës 8 .30’ të darkës, tue shkue në shtëpi kishte fillue me rrigue pak shi. Ishte kthye në Kafe të Madhe. Ka hapë derën dhe nuk ka pa asnjë nga shokët e tij me të cilët kalonte orët e mbramjes aty. Porsa ka marrë me dalë ka ndigjue një za: “Tefë! Eja, eja, se kemi një karrigë të lirë!..”. Asht drejtue nga tavolina e tyne, ku me të vërtetë ishte një karrigë lirshëm dhe dashje apo padashje do të pranonte ftesën. Asht ulë mbasi i ka përshëndetë të parin Elez Mesin, të dytin Dulaç Lekiqin dhe të tretin Asllan Licin, të tre ish partizan dhe punojës të Sigurimit të Shtetit, që në thëmelimin e tij. Të tre të njohtun mirë edhe nga gjithë populli i Shkodres. Sigurisht, biseda e tyne vazhdoi pa u ndërpre prej pranisë së Tefës aty. Fjalën e kishte Dulaçi në lidhje me një betejë që kishin zhvillue aty nga viti 1946, ndër disa kodra nga fshati i Sheldisë, ku simbas informatave ndodheshin disa grupe të arratisunish antikomunistë. Këta bashkë me një brigadë të Ndjekjes, që patrullonte atë zonë kishin mujtë me ra në gjurmët e të arratisunve dhe, madje, edhe me i rrethue. Rruga e vetme e tyne ishte me ju ngjitë malit dhe me ra në pritën tjetër të Ndjekjes, që ishte në gadishmëni mbas kodrës, ku aty drejtonte atë operacion Zoji Thëmeli, pra bash vetë kryetari i “njohun” i Degës së Mbrendshme të Shkodres, një kriminel i rexhun.

Mbasi i shpjegojnë Tefës fillimin e aksionit, ku ishin vra edhe tre vetë të zbulimit, ata vazhdojnë tregimin e asaj beteje sa të rrebtë, aq edhe të paharrueshme për ta.

–          E, si të tha ai qeni Elez, kur të njohti zanin? Iu drejtue Dulaçi, shokut vet Elezit.

–          Po. Ai qen bir qeni, edhe ma mbante mend edhe emnin e gjyshës, atij ia basha nanën e tij…Po, as unë nuk i lashë gja pa thanë atij klysh k…

–          Sa shkrepi automatikun, grrrrrrr, Elezi e pyeti ate: “Po kur të mbarohen fishekët ku do me shkue mor klysh k…?”

–          Po e pate nanën gjallë, kam me shkue tek nana jote e, kam me hi n’até të s…

–          Pa të futë gjallë prej.., aty prej ku ke dalë, nuk e la po re në duert tona, .., mor ta b.., nanen.

–          Edhe po shanë me nanë mor zag k.., i kishte thanë Dulaçi.

–          Po edhe ti qenke aty mor klyshi i Enverit, që po më xen në gojë nanën teme?

–          Po, mor zag e sterzag k.., se pa ba gostë me kokën tande nuk ikim prej këtu!

–          O ju, ju basha nanën Parti, se gjallë nuk jeni kah më kapni sot mue! E na holli një bombe që gati na përlau…

–          Aja nana Parti ka me ta ba nanën tande, mar klysh k…

–          Ajo ju ka ba nanat tueja e jo nanën teme mor shkurll…

–          Ju jeni shkur… që doni me çlirue Shkodren, mor ju b.., nanat tueja!

–          Shkur.., jeni ju mor dylberat.., e Zoj Themelit…

–          Na qit e ata qit.., po kur, po dorzoheni mor push…?

–          Push…e Titos donë me ba gostë me kokat tona, o ju, ju b…

–          Bam..,bum .., pelcitshin bombet, mbi krytin tonë…

–          Po, ku, po i leni ata motrat …

–          Nanat tueja.., mor klysht e …

–          Jo, ata të tuejat, mor ju …

–          Këta qit… e ata, prit…

Aty, nga ora 10 pa pak minuta afrohet kamerieri e merr të hollat e kafeve.

Ndërhynë Tefa, po si rezultat i kësaj lufte kaq të rrebtë e të fortë, a mujtët me i kapë të gjallë?

Jo, mor ia basha.., nanën e tyne, na ikne kadoshat, i përgjegjet Dulaçi.

Plot një orë e gjysëm, tue ba automatiku e mitralozi krrrrrr e gërrrrrr, e tue u sha me nana, gjyshe e motra.., bam e bum bombet në tjetrën anë e si rezultat: “Na ikne kadoshat!”.

Fati që erdhi ora me u mbyllë kafja, se do të vazhdonte “lufta” edhe kushedi sa orë tjera!

Tregonte Tefa, kur dolem tek dera u ndamë, me mend gjithë rrugës i shava edhe unë “nanat e tyne”.., se kishte fillue me ra një shi që me bani qullë, derisa mërrijta në shtëpi…

Çudi bre burrë, mos me ndi gjithë ata pushkë, mitraloza e bombe që u shprazën në Kafe të Madhe.., e, në fund: “Na ikën kadoshat!”…

Me të vertetë ishte një luftë “e rrebtë partizane” !! Mos u harroftë..!

(Shkoder 1984).

Melbourne, Korrik 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok