NJË LIBËR PËR BIODIVERSITETIN në Shqipërinë Veri – Qendrore
NGA NDUE DEDAJ
Me Marianne Graf shihemi rrallë, por komunikojmë vazhdimisht, prej shumë e shumë vitesh. Ajo është e ndjeshme ndaj çdo zhvillimi shqiptar dhe kontribuese e dorës së parë për këtë zhvillim. Nuk e “trembi” as 1997 që të largohej nga misioni i saj, përkundrazi mbasi ndërtoi një numër të madh shkollash anë e mbanë Mirditës, qendrash shëndetësore, banesash sociale, eko-hotelesh e bujtinash turistike në mbarë hapësirën shqiptare, vendosi të ngjitej në malet më të ashpra, kreshtat e Velës, lartësitë e Gurth-Spaçit, Trangë (Lufaj) të Selitës me vepra solide në dobi të turizmit malor dhe të komunitetit. Kemi qenë disa herë dhe bashkë, në Rubik, kur po niste projekti i Infokullës, në Pukë, në ish – burgun e Spaçit etj.
Mund të zgjateshim rreth profilit të saj aspak të zakonshëm humanitar, por ky nuk është një shkrim për punët e zonjës Graf, është thjeshtë një falenderim për librin e saj të fundit në tri gjuhë, gjermanisht, shqip, anglisht: “Biodiversitet. Zentral – Nord – Albanien / Shqipëria Veri – Qendrore / Central Nothern Albania”, “Botimet Geer”, që kryesisht është një album fotografik tematik shterrues.
Libri që të dhurohet është gjithnjë kënaqësi, kur ai është më të vërtetë i tillë, pasi me ta marrë në dorë, pyet: Çfarë të reje sjell ky botim? Në të kundërt do të ishte një “libër për libër”… për raftin e autorit, por jo dhe për lexuesin.
Ata që e njohin Marianne-n, e dinë se si ajo punon, përkulur me orë të tëra mbi projektet për zonat rurale, si dhe duke i ndjekur ato me detaje në terren në vijimësi; po ku gjithnjë në çantën e saj të shpinës ka dhe një fletore shënimesh nga terreni, natyra, kullat, bisedat me njerëzit e thjeshtë, në Mirditë, Pukë, Mat, Elbasan, Tiranë, Shkodër, Divjakë, Kosovë… Kështu dhe lindin librat e saj, që dëshmojnë pasionin e austriakes – shqiptare për fjalën e shkruar, poezinë, traditën, natyrën eko-turistike shqiptare, gjer kanionet e thella që ajo po i bën të vizitueshme dhe shpellat e largëta me “dritë”…
Janë bërë shumë vite që kur kemi marrë udhën për në Shkodër, kur në Teatrin “Migjeni” promovohej botimi i saj të parë “Shqipëria, në veri të Shkumbinit”, ashtu si një vit më parë në shkollën “Pashko Vasa” Rrëshen ku nxënësit dhe mësuesit promovuan librin “Së bashku në shërbim të botës sonë të bukur” me tregime për fëmijë dhe vetëm para pak kohësh në Tiranë, ku nga Unioni “Mirdita” u promovia libri që kemi në duar, Biodiversiteti.
Për të nuk është asgjë e papërfillshme në natyrë dhe mjedis, nga peizazhi tërheqës, banesat dhe mënyra e jetesës, diversiteti i ekosistemit, larmia e i specieve, racat autoktone të kafshëve shtëpiake dhe ato të egra, lulet dhe bimët, shkëmbinjtë dhe ujërat, pyjet dhe kullotat, shpellat dhe kanionet, produktet tradicionale, çdo gjë bio.
Duke qenë vetë një këmbësore e palodhur nëpër Veriun shqiptar, kryesisht atë qendror, për një kohë aq të gjatë, shtëpi më shtëpi e mal më mal, zonja Graf ka kuptuar pasurinë e diversitetit natyror e kulturor në këto rajon dhe rrezikimin e tij nga një serë faktorësh socialë të pamëshirshëm të tranzicionit, ndaj libri i saj vjen si një thirrje për banorët, mjedisorët dhe institucionet për përkujdesje ndaj tij. Ky botim special, nga përmbajtja dhe paraqitja grafike, vlen dhe si një guidë për turistët e vendit e të huaj, por dhe si një manual mësimor për njohjen e vendlindjes nga nxënësit e shkollave.
Një libër tavoline, jo si një stoli, por si një udhërrëfyes për të vepruar.
Mirditë, 21 qershor 2024