NJË LAVDI KOMBËTARE NË NJU JORK!
Udhëheqsit fetarë, përfaqsues të tri feve kryesore shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke u lutur së bashku në Sallën e Kuvendit të Bashkisë së Nju Jork-ut, në nderim të 111-vjetorit të Shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur, 28-Nëntor, 1912.
Nga Frank Shkreli
Një qytet është aq i madhërishëm sa edhe ata persona që jetojnë aty e që japin shembëll dhe shërbime për komunitetin e tyre – në këtë rast – komunitetin shqiptaro-amerikan në qytetin e Nju Jorkut. Qyteti i Nju Jorkut – më saktësisht Kuvendi i Bashkisë së qytetit më të madh të Amerikës – e ktheu sallën e mbledhjeve ku debatohet politika, ekonomia dhe fatet e qytetit –javën e kaluar, u kthye në një hapësirë të një atmosfere gazmore mbarë-shqiptare për të festuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në 111-vjetorin e pavarësisë shqiptare, Metropoli Nju Jork — me këshillimin e aktivistit të komunitetit shqiptaro-amerikane dhe ish-anëtarit të Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, nepëmjet përfaqusesve të zgjedhur të qytetit “që nuk fle kurrrë” — dekoroi tre udhëheqës fetarë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork. Dekorata e Mirënjohjes iu dorëzua Dom Pjetër Popaj, famullitarit të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë, për kontributet e tija të vyera në shërbim të komunitetit shqiptar në Nju Jork. Dekoratë Mirënjohjeje nga qyteti Nju Jork iu dorëzua edhe udhëheqsit të komunitetit mysliman shqiptar në Nju Jork, Z. Tahir Kukaj për shërbimet e tija. Kuvendi i Bashkisë Nju Jork vlerësoi gjithashtu me Çertifikatë Mirënjohjeje edhe Z. Dervish Eltion, udhëheqsin fetar të Teqesë Bektashiane në Detroit si dhe Peshkopin Nikodemi të Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë, për shërbimet dhe shembëllin e bashkjetesës fetare në këtë qytet të madh metropol botëror.
“Mbrëmë në Sallën e Këshillit të Nju Jorkut ishte një atmosferë e gëzueshme shqiptare në nderim të 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Urime udhëheqësve tanë fetarë për dekoratat dhe falënderimet tona të veçanta Këshilltarit të qytetit Robert Holden si dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak që mundësuan një ceremoni të tillë për të dekoruar udhëheqsit fetarë më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan”, është shprehur Mark Gjonaj, aktivisti i shquar i komunitetit dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jork-ut.
Një ditë para se t’u ndaheshin dekoratat udhheqësve fetarë shqiqptaro-amerikanë, Kryetari i qytetit Nju Jork, Eric Adams dhe Kryetarja e Kuvendit të Bashkisë së Nju Jorkut- Adrieanne E. Adams nderuan komunitetin shqiptaro-amerikan me pjesëmarrjen e tyre në ngritjen e Flamurit të Kombit shqiptar në qendrën Wall Street të qytetit – në shënim, gjithashtu, të përvjetorit të 111- të Pavarësisë së Shqipërisë.
Këto aktivitete, nga viti në vit, jo vetëm në Nju Jork, por edhe anë e mbanë Amerikës, me rastin e 28 Nentorit të Pavarësisë së Shqipërisë, tregojnë jo vetëm rëndësinë dhe rolin që ka luajtur gjatë dekadave dhe po luan aktualisht komuniteti shqitaro-amerikan, në jetën politike dhe shoqërore në Amerikë, por ven në dukje gjithashtu edhe respektin që shoqëria amerikane, nepërmjet përfaqsuesve të saj politikë, ka për shqiptaro-amerikanët dhe për komunitetet dhe udhëheqsit e tyre fetarë — por jo vetëm — anë e mbanë Amerikës.
Por, ceremoni të tilla luajnë edhe një rol tjetër edhe më të rëndësishëm, sepse të pranishmit në këto ngjarje – sidomos për festën e 28-Nentorit – shqiptarë, amerikanë dhe të huaj — shijojnë edhe kulturën shqiptare, veshjet, kengët dhe vallet tona. Janë raste këto në të cilat komuniteti shqiptaro-amerikan, i tregon jo vetëm Amerikës por edhe botës — se megjithëse, me një të kaluar të tmershme nën regjimin komunist për pothuaj një gjysëm shekulli, i vet-izoluar nga bota demokratike perëndimore – me vlerat e Heroit të lavdishëm kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeu, Kombi shqiptar është i denjë i një të ardhëmërie më të mirë, si pjesë përbërse dhe pandarë e botës perëndimore demokratike, euro-atlantike.
Ky ka qenë edhe mesazhi që pasqyronte dhe predikonte gjithmonë edhe diaspora shqiptare anti-komuniste gjatë luftës së ftohtë – pa dallime feje, krahine e ideologjie. Megjithëse shpesh e ndarë dhe e përçarë politikisht –imigracioni i vjetër anti-komunist ishte i bashkuar rreth Gjergj Kastriotit – Skenderbe, shembullit dhe rolit të tij historik, përbashkues kombëtar – ashtu siç janë sot të bashkuar rreth 28-Nentorit edhe udhëheqsit fetarë të këtij brezi shqiptaro-amerikanësh, të cilët u nderuan nga qyteti Nju Jork, pikërisht për këto veti përbashkuese dhe karakteristika të traditës shqiptare të shërbimit, vlerave kombëtare dhe bashkjetesës, në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nentor, 2023 në Bashkinë e Nju Jorkut.
Shqiptarët edhe mund të njiheshin, botërisht, si popull shpirt-madh e shpirt gjanë, nëse vërtetë kthehemi tek rrënjët dhe vlerat e verteta kombëtare e shpirtërore, disa prej të cilave edhe përfaqësohen nga tre fetë monoteiste të shqiptarëve. Ceremonia e dekorimit të tre udhëheqësve fetarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, javën që kaloi, në sallën e Bashkisë së Nju Jorkut, para botës amerikane na bën ne si komunitet këtu në këtë vend të madh e të bekur – më krenarë si shqiptarë, pa marrë parasysh se cilës prej tre feve tona i përkasim.
Për mua, dekorimi i tre udhëheqsve tanë fetarë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një shenjë qytetërimi për tre të dekoruarit, patjetër, por edhe një lavdi kombëtare për të gjithë ne si pjesëtarë të këtij komuniteti këtu në Nju Jork dhe më gjërë. Dhe se, pa marrë parasysh, dhe megjithë sfidat me të cilat përballet sot Kombi shqiptar, sidomos në trojet e veta shekullore – një ceremoni e tillë në mes të Nju Jorkut na bën të besojmë, sadopak, se vlerat e përbashkëta kombëtare dhe fetare kanë mbijetuar turbullirat e shekullit të kaluar, megjithë përpjekjet e komunizmit për t’ zhdukur ato njëherë e mirë. Njëkohësisht, kjo ceremoni simbolizon –jo vetëm shprehjen e ndjenjave të shëndosha atdhetare të shqiptarëve pa dallim, bazuar në gjak dhe gjuhën e përbashkët, pore dhe shpresën se këto vlera do të dalin gjithëmonë ngadhnjimtare mbi të keqen. Vlera shqiptare brez pas brezi, të cilat janë nepërkëmbur dhe janë luftuar për një gjysëm shekulli me qëllim për tu zhdukur nga regjimi komunist sllavo-aziatik – nostalgjikët e të cilit – për fatin e keq të Kombit shqiptar – ende edhe sot – në heshtje ose publikisht, mbrojnë trashëgiminë e komunizmit të pa fe e të pa atdhe.
Ka ardhur koha që kjo trashëgimia komuniste, e dhunëshme dhe anti-kombëtare, që dikur i drejtohej më shumë se askujt tjetër klerikëve të tre feve kryesore – sidomos klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare – për t’i zhdulur ata fizikisht dhe nepërmjet tyre edhe vlerat fetare dhe kombëtare që ata përfaqësonin. Komunizmi në Shqipëri mbetet një trauma e pashëruar, është shprehur kohët e fundit në një intrevistë televizive Ipeshkvi I Rrëshenit, Gjergj Meta. “Ne nuk jemi përballur kurrë si popull me të kaluarën tonë komuniste. Jo vetëm me dëmin material, ka shkatërruar, ka burgosur, vrarë e torturuar. Për 45 vite mbi popullin shqiptar ka rënduar një trauma, s komunizmi duhet trajtuar si një trauma që prek nivele të ndryshme të shoqërisë”, ka thënë prelati katolik i Rrëshenit, ndërsa ka komentuar apelin e kohëve të fundit të Kishës Katolike në Shqipëri, drejtuar udhëheqsëve më të lartë të Shqipërisë që të dënohet krimi i apologjisë të Komunizmit në Shqipëri. Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf – Ka ardhur koha – 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar — që të dënohen, zyrtarisht, krimet e komunizmit, përfshir edhe ato kundër klerikëve të tre feve ndër shqiptarët – ashtuqë të shlyhet njëherë e mirë ajo e kaluar kriminale e regjimit komunist – kësaj fryme internacionaliste vëllavrasëse, nga faqet e historisë së Kombit shqiptar. Askush nuk kërkon hakmarrje, por një ditë më të mirë për të gjithë shqiptarët kudo.
Megjithë mbrojtjen zyrtare të trashëgimisë komuniste nepërmjet “krimit të apologjisë të komunizmit”, në Shqipëri, dekorimi i tre udhëheqësve fetarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, i paraqet shqiptarët dhe vlerat e tyre në një dritë krejt tjetër. Tregoi vlerat e bashkimit dhe të shpirtit vëllazëror ndër shqiptarët, pa dallim feje a krahine. Për më tepër, celebrimi shqiptar në sallën e Bashkisë së Nju Jorkut, tregoi se shqiptarët – veçanërisht shqiptarët e Amerikës, duke u bazuar në vlerat shekullore të Kombit të vet – ata nuk u larguan kurrë nga vlerat e qytetërimit të demokracive perëndimore, sidomos Amerikës, t cilat I dëshironin dhe I dëshirojmë edhe sot për Kombin shqiptar,
Prandaj, për nga natyra e saj, ceremonia dhe dekorimi i tre udhëheqësve fetarë –mysliman, katolik dhe orthodoks — të komunitetit shqiptaro-amerikan, nga Bashkia e Nju Jorkut, me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, lëshoi rreze qytetërimi, nderimi e mirënjohjeje. Ishte një ditë lavdie kombëtare, ditë e bukur për Shqipërinë dhe për të gjithë Shqiptarët kudo dhe pa dallim.