Një kurorë ulliri në kulturën kombëtare

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Libri “Panteoni i Mirënjohjes Përmetare” me autor Shefqet Saliu është manushaqez naimjane, është shkëndijë e diellit dërguar nga “Fron i lart’ i Perëndisë” për të gjithë lexuesit e vëmendshëm që e duan këtë vend të bekuar.

Përmeti është i mahnitshëm, është det i gjerë dhe i thellë ku mund të notosh dhe s’mbytesh kurrë, sepse kanë një mikpritje të trëndafiltë dhe durim sokratik.  Përmeti të frymëzon në çdo fushë që të shkelësh, por ajo më e dallueshmja është historia dhe kultura e shquar kombëtare ku janë rrënjët e Frashëllinjve filluar me Naim Frashërin.  Shfletoj librin plot kurreshtje dhe ndal në faqen e parë me Shenjtin e letërsisë kombëtare Naim Shqipërinë.  Autori Saliu shkruan për Naimin:  “Poet i madh kombëtar, mendimtar, edukator, mësues dhe ndërgjegje e kombit, këngëtar i madh i Lirisë së Atdheut dhe i njeriut, titan i atdhedashurisë”.

Letërsia jonë, kultura kombëtare do të ishte e cunguar pa Naimin dhe ashtu siç thotë Sevasti Qiriazi themeluesja e shkollës shqipe për vashat se Naimi, kur u hap shkolla shqipe nuk harronte të na shkruante dhe të na përhironte…

Naimi vdiq pa privilegje, veç lotit të fjalës për Shqipërinë do të shkruante Lasgush Poradeci.

Në faqen 15 ndalem tek Miss Bukura Elena Gjika, Dora D’Istria” kampione e kulturës e cila shkruante se deri në frymen time të fundit do të punoj për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e Shqipërisë, Atdheut tim të nderuar.  Kjo autore e 150 studimeve një rilindase e përkryer, kjo përmetare e spikatur europiane frymëzoi shkrimtarin amerikan Henri Longfelloun, kur e takoi të shkruante për Skënderbeun.  Arbëreshet në Itali e shpallën mbretëreshën e pashembullt të Shqipërisë.

Lexoj dhe më duket sikur ngjis shkallët e historisë zhytem e tëra në këtë panteon që autori Saliu i ka qëmtuar me majën e floinjtë të penës së tij duke i sjelle pranë nesh.

Natyrshëm ndalem tek Abdyl Frashëri aty ku fillon Rilindja Kombëtare.  Mund t’i kesh lexuar, studjuar, komentuar sa e sa herë në auditore, por përsëri kur shfleton kete liber ke shumë gjëra për të mësuar dhe për t’u frymëzuar.  Me të drejtë Shahin Kolonja shkruan: Vetëm në saje të përpjekjeve vetëmohuese të Abdyl Frashërit, të gjithë shqiptarët u ngritën në këmbë.  Abdyl Frashëri u arrestua, u burgos, u dënua me vdekje dhe u internua nga osmanët për veprimtarinë kombëtare.  Vdiq në moshën 53-vjeçare.

Në këto 100 personalitete ka dhe emra që mund të mos e dish egzaktësisht veprimtarinë, por tek ky libër mëson dhe vetëm mëson.  Ja Apostol Arsaqi nga Hotova e Përmetit ka qenë Kryetar I Këshillit të Ministrave të Rumanisë më 1862, filantrop, mjek, shkencëtar etj.  Ai paguante në shkollën pedagogjike të Athines çdo vit për një vajzë nga Hotova ose treva e Përmetit për të mësuar.  Ai ngriti një shkollë në Hotovë më 1870 me 50 nxënës, në këtë shkollë ka studiuar dhe Petro Nini Luarasi.

E shoh këtë libër si panteon dhe imagjinata më shkon ulur diku buzë Vjosës sime, atje ku ka rrënjët shkrimtari dhe 100 personalitetet e sjellë mahnitshëm në këtë libër.  Here i lexoj plot dallgë buçimash e herë qetësisht pranë një hijeje rrapi shekullor ose pranë një lisi naimjan me cicërima dallandyshes shtegtare…  Ky libër është një diell për lexuesit dhe studjuesit e mirëfilltë, sepse sjellë nga thellësitë e shekujve si nga thellesitë e Vjosës perlat që doemos i duhen Kombit.

Autori Saliu me portretin e tij dhe penën e florinjte vjen qetësisht dhe në fund të leximit të Panteonit doemos pasurohesh me shumë figura të ndritura të Kombit që s’i ke njohur më parë. Pena e tij urtane sjellë identitetin e tokës dhe të qiellit përmetar.  Në këtë libër janë ravijëzuar emra të epërm të kulturës kombëtare si në një optikë makroskopike kulturore, një emblemë historike.

Ky libër është një mozaik i jashtëzakonshem me pena të ndritura pellazgësh përmetarë, me udhehëqës të tipit Abraham Linkoln.

Autori është vetë prodhimi i historisë. Ai ka ditur të studjojë faktet, duke i shërbyer të shkuarës dhe të tashmes dhe duke ndezur pranë nesh flakën olimpike të përjetshme të mirënjohjes për njerëzit e ndritur dhe që ndriçuan mendjet dhe zemrat nëpër rrjedhat e historisë..

Disa figura të ndritura përmetare të persekutuara të Kombit

Në këtë libër janë disa figura të ndritura të persekutuara nga regjimi diktatorial si psh

Mid’hat Frasheri i biri i Abdyl Frashërit..  Ai i takon plejadës së ndritur të letrave si Faik Konica, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta etj.  Ai e quante komunizmin një kolerë që nuk shkatërronte vetëm trupin, por dhe shpirtin.  Ai është midis katër Frashëllinjve të mëdhenj.  U dënua nga regjimi komunist. Apostull i shqiptarizmës, publicist, shkrimtar, veprimtar i cështjes kombëtare, nënkryetar i Komisionit të Alfabetit Shqip, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, Kryetar i Ballit Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e Lirë”.

Sejfulla Malëshova nga Malëshova e Përmetit dhe me nënë mezhgoranase, ku në enumeracionin e vargjeve poetike përmend stanin në Trebeshinë dhe kasollen në selishtë, atje ku ai vinte shpesh ne fëmijëri.  Ai u edukua në Perëndim dhe ishte sekretar i Nolit më 1924. Se bashku me skulptorin e Kombit Odhise Paskalin ata botuan në Itali revistën “Studenti shqiptar”.  Autori shkruan se poeti malshovit e ngjeu penën e tij tek plaga e pamjekuar e popullit, qe e zhuriti për Liri, tek mjerimi dhe shpirti liridashës që e mëkuan me musht patriotik.  Ai është një figurë poliedrike, karizmatike dhe përbaltja që iu bë në regjimin komunist të revolton pamasë.

Të persekutuarit kanë qenë jo vetëm në Mëmëdhe, por shumë prej tyre dhe jashtë në Diasporë.

I tille ka qenë Akile Th. Tasi.  Ai ishte mik i ngushtë i Faik Konicës dhe bashkëluftetar i Nolit.  Ka qenë editor i gazetës më të vjetër shqiptare, Diellit.  Kthehet në Shqipëri dhe dënohet nga regjimi i cili vdes në burgun e Burrelit në vitin 1961.

Kontributi në diplomaci nga përmetarët është me shumë vlerë.  Ali Këlcyra lindi në një familje bejlerësh nga më të vjetrit e luginës, pinjoll i një oxhaku të rreptë vendosur me rrënjëj të hershme.  Më 1920 mori pjesë në Luftën e Vlorës, mbështeti Fan Nolin në Revolucionin e Qershorit.  Ali Këlcyra aristocrat i tri regjimeve pas vdekjes së Mithat Frashërit në New York kryen detyrën e kryetarit të Ballit Kombëtar deri sa vdiq më 1963.

Kasëm Trebeshina është një figurë tjetër e epërme e letërsise i persekutuar.  Ai ka qenë prozator, dramaturg, poet, publicist me origjinë nga Vinokashi i Dëshnicës së Përmetit.  Ai u arresetu nga regjimi për agjitacion e propagandë.  Në vite 90-të ka pasur një sërë botimesh, por ato më të lexuarat kane qenë Mekami, Kukudhi, Kisha e Shën Kristoferit, Legjenda e Kostandinit dhe e Doruntinës etj… Në vitin 997 pas trazirave emigroi në Stamboll të Turqisë.  Mendohet të ketë 140 dorëshkrime, përmbledhje poezish, tregime, novela, eseistike dhe publicistikë që janë ende të pabotuara.

Papavramët janë një dinasti tjetër si në mjekësi dhe në violinë.  Robert Papavrami ka qenë mësues i violinës i disa gjeneratave dhe babai i violinistit me famë botërore Tedi Papavramit.  Tedi Papavrami u lidh me violinën që në moshen 4 vjecare dhe u be i famshëm pas arratisjes së tij në Francë. Ai ka fituar dica çmime prestigjioze ndërkombëtare.

Familja që la pas pësoi persekucionin.

***

Duke lexuar dhe studjuar këtë libër të vjen ndërment historiani modern amerikan Anthony Grafton që për kocidencë kam në duar librin e tij “The Footnote”, nje histori kurioze, në të cilin ai përpiqet të kuptojë historinë e historisë nga një këndvështrim romanesk.

Pena e autorit Saliu duket sikur të ketë vizatuar një hartë ku është e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja e historise nga një këndvështrim i veçantë, për t’u bërë e dobishme për udhëtarin modern.  Libri flet qartazi per historinë tonë se kush jemi dhe pse jemi ashtu siç jemi.

Me të drejtë autori shkruan se pse nuk ka dalë me parë ndonjë libër edhe pse Permeti ka kontribute te jashtëzakonshme për Kombin, por natyrshëm më kujton Volterin i cili thote: “”History can be well written only in a free country.” Që perkthehet se: “Historia mund të shkruhet mirë vetëm në një vend të lirë.”  Autori Saliu e gëzoi këtë status në vendin më demokratik në botë në Amerikë.

Përmeti ka nxjerrë skulptorin e parë kombëtar me vepra monumentale si Odhise Paskali E kush nuk është ndalur para veprave të tij të ndritura që zbukurojnë sheshet, qytetet muzetë!  Dritëzimi i tij është tek thjeshtësia e tejskajshme hyjnore dhe ja si shkruan: “Unë nuk jam sculptor në kuptimin professional të fjalës, as jam poet në kuptimin tradicional të fjalës dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës.  Jam njeri.  Çdo gjë njerëzore më ka terhequr.

Linda, jetova dhe do të vdes i varfër”.

Përmeti është qytet ashtu si i këndojnë: O Pëmet o lezet! Përmeti është shquar në histori, art, kulturë, pikturë, mjekësi, shkencë, përkthime, dramaturgji, sculpturë, Gjuhës, letërsi, Rilindjen Kombëtare, skenat botërore, mjekësi, fe, bujqësi, kulinari etj… Dinastia e Qerimajve është e jashtëzakonshme në skenën shqiptare me 12 artistë në tre breza që fillon me babain e dinastisë Hetem Qerimaj ku kanë një orkestër me një repertor tracidicional dhe të muzikës qytetare shqiptare. Kurora e familjes Qerimaj është Et’hemi e pamundur te gjesh një të dyte, sepse nga nje violinist i pashkolluar u bë me emër në kulturën shqiptare.

Mentor Xhemali është një artist i madh i skenës kombëtare dhe ndërkombëtare.  Kombit rrallë i vinë artistë të këtij kalibri.  Ai ka interpretuar në Traviata, Eugjen Onjegin, Berberi i Seviljes e shumë të tjera.  E famshme mbetet dhe “Një zë po del nga grykë e Mezhgoranit” për betejën që u zhvillua kundër fashistëve italianë.  Ai është nje legjendë unike e artit.

Laver Bariu eshte princ i klarinetës dhe i kabasë.  Ai është elita e artistëve të mëdhenj shqiptarë.  Është themelues dhe drejtues i sazeve të Përmetit.  Populli i kishte vënë epitetin: “Usta Bariu”.

Një tjetër personalitet i artit është Serafin Fanko regjisor, skenograf, dhe një ndër figurat më aktive të Teatrit “Migjeni”.  Ai është një prej ngadhnjimtarëve të teatrit shqip.  Gjyshi i tij Stafani kishte lindur në Bual të Përmetit dhe avokat në kohën e Pavarësisë.

Kompozitori, entnomuzikologu, Akademiku dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave, Prof.Dr. Vasil Tole zë një vend të veçantë në faqet e këtij libri.  Prof. Dr. Tole ka fituar mjaft çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, është autor i 29 librave dhe i 6 teksteve shkollore.

Një vend të rëndësishëm zënë dhe gratë penarta përmetare që i kanë dhënë aq shumë letërsisë kombëtare.  E tillë është Adelina Mamaqi poete, shkrimtare dhe autore tekstesh të këngëve, më e njohura gjatë shume dekadave në letërsinë shqipe për fëmijë, poezi, tregime, fabula e përralla.  Ajo i përcolli me fanatizëm traditat përmetare edhe pse e larguar familjarisht.  Ajo vjen nga familje intelektualesh të shquar të Kombit.  Gjyshi i saj Fehmi Bej Mezhgorani nga Tepelena ka qene firmëtar i Pavarësisë dhe avokat në qeverinë e Ismail Qemalit.

Libri i autorit Shefqet Saliu sfidon metodat dhe dogmat akademike të zbehta, sepse ka një origjinalitet në kryekrejë dhe të rrëmben për ta shijuar.  Me siguri ka dashur nje punë kolosale studimore, kërkimore, do i ketë ardhur si një trill i kohës, por dhe i krenarisë së ligjshme si përmetar.  Libri pasuron Bibliotekën Kombëtare dhe bëhet frymëzues për brezat duke pasur rolet modele të shekujve që i kanë dhënë shpirtin dhe pasurinë Kombit.

Me shumë vlera për artin shqiptar është Gezim Kame pedagog, regjisor i shquar, aktor, pjesë e plejadës së parë emblematike të regjisurës shqiptare.  Ai ka punuar me ikona të artit dhe të kinematografisë shqiptare duke arritur rekorde të paimagjinueshme në shikueshmëri.

Viktor Zhusti aktor i shquar thotë se Kame është një mjeshtër i pa cak, sepse ben një kapitull të veçantë në historinë e regjisurës shqiptare.

I jashtëzakonshëm në personalitete të të gjitha fushave Përmeti ynë ka dhe një prej tyre Hektor Dule, skulptor i Popullit, profesor në Akademinë e Arteve. Mbi njëmijë vepra në art që kanë lënë gjurmë kudo që të shkelësh.  Ai është një emër i madh në mjeshtërinë e artit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, ekspozitat e të cilit janë çmuar nga kritika botërore.

Libri ka një parathënie të shkëlqyer nga prof. Ethem Ruka i cili thotë se Permeti është “magjja” që gatoi dhe vazhdon të gatuajë shpirtra shqiptarësh të mëdhenj.  Prof. Ruka e quan privilegj që iu besua të shkruajë një parathënie për këtë libër enciklopedik me figurat përmetare të një lloj soji që vazhdon të respektohet gjithmonë.

Si përfundim e pamundur të sjellësh përsonalitetet qe ka gjithë Përmeti në këtë shkrim dhe të renditur në libër prej 513 faqesh, por e kujdesshme dhe me plot mirënjohje i shpreh autorit respektin e pakufi për këtë libër që iu ka sjellë lexuesve të shumtë.  Libri ka saktësi historike dhe studimore çka të kujtonë Volterin i cili thotë: “Një historian ka shumë detyra. Më lejoni t’ju kujtoj dy që janë të rëndësishme. E para është të mos shpifni, e dyta nuk duhet të mërziteni.”

Libri ka mbushur vakumin e krijuar si dhe mungesën e një studimi të mirëfilltë shkencor për Përmetin e trëndafilave, për lulishtarët e pashoq të kulturës kombëtare.

Autori Shefqet Saliu me librat e tij historike po ndërton një korpus skulpturor, kulturologjike që të befasojnë dhe njëherazi të frymëzojnë.

Saliu sjellë mjeshtërisht qytetarët zulmëmadh të Rilindjes Kombëtare që vinin nga Përmeti, zgjon nga gjumi letargjik historianët dhe lutet që të vinë të falen në Përmet si një kishë shpirtërore a si një mekë ku merr bekimin e përjetshëm nga kjo kurorë ulliri në kulturën kombëtare

11 Nëntor, 2022

Staten Island, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok