22/12/2024

NJË KUJTIM DHE NJË NGUSHËLLIM NGA AMERIKA: PUSHOFSH NË PAQË I MADHI AGIM DOÇI

0
Shkreli-Agim-Doci3

Përshëndetje dhe interpretim nga Agim Doçi: “Mjeshtër i Madh”, dhe Qytetar Nderi i Qarkut Shkodër, shkrimtar dhe poet i shquar i kombit – I njohur edhe si, “Zani i Fishtës”.

“I paharrueshëm ashtë At Gjergj Fishta për atë që i thotë vetes shqiptar!”

Nga Frank Shkreli

Poeti i mirënjohur shqiptar Agim Doçi u varros sot pasi u nda nga kjo jetë në moshën 76-vjeçare. Ai pësoi të shtunën e kaluar hemorragji celebrale pas disa ditësh që ndodhej në reanimacion. Lajmin për humbjen e poetit dhe shkrimtarit e kanë dhënë familjarët e tij me anë të rrjeteve sociale. Reagimet plot trishtim e hidhërim për kalimin e tij në amshim u regjistruan nga mbarë trojet shqiptare dhe përtej – por për fat të keq, siç duket deri tani, jo edhe nga autoritetet zyrtare në Tiranë e në Prishtinë. Nuk munguan ngushëllimet nga njerëz të thjesht dhe nga kolegë e bashkpuntorë të Agim Doçit gjatë dekadave, dërguar familjes për ndarjen e tij të parakohëshme nga kjo jetë.  Me këtë rast po hedh në letër disa kujtime, me mall e respekt, për vizitën e paharrueshme të Agim Doçit në Amerikë, dhe mesazhet e tij me atë rast, pesë vjet më parë.

Ishte Nentori i vitit 2019, kur Agim Doçi erdhi në Amerikë për herë të parë. Siç qe shprehur ai atëherë, “Në Amerikë më pruri At Gjergj Fishta”.  Rasti ka qenë mbajtja e një simpoziumi shkencor, organizuar me 2 Nëntor, 2019, nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” në bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”.  Simpoziumi ka zhvilluar punimet në Qendrën Kulturore, “Nënë Tereza” pranë kishës “Zoja e Shkodrës”, në Scarsdale të Nju Jorkut. I ftuar për të marrë pjesë në atë simpozium ishte edhe poeti e “Mjeshtëri i Madh” — Agim Doçi me bashkëshorten Yllka.

Duke thenë se tanimë ai ka marrë titullin, “Zani i Fishtës”, për interpretimet e tija të At Gjergj Fishtës — autori i mbi 3000 teksteve dhe këngëve ndër më të njohurat, anë e mbanë trojeve shqiptare, sidomos ato kushtuar Kosovës, lirisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Agim Doçi tha se, megjithkëtë, “nuk është kollaj me recitue At Gjergj Fishtën”.

Nga sa mbaj mend, ndonëse kanë kaluar 5 vjetë nga ai organizim, por më kujtohet se poeti Agim Doçi – admirues i madh i lahutës dhe i Fishtës — me atë rast është treguar shumë kritik dhe i zemëruar ndaj Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, që nuk kishte kundështuar në atë kohë — duke lejuar që lahuta të shpallej instrument i Serbisë, i mbrojtur nga UNESCO.  “Më vjen shumë keq”, ka thënë ai se, “nuk mund të rrij pa folë: Një ambasadore shqiptare që nuk ka ditur kurrë shqip, as ajo as babai, as gjyshi i saj — në UNESCO ia shiti lahutën e shqiptarëve dhe ia dhanë dhuratë “gusles”.  “Gusla” është një vegël qorre e shkive”, u shpreh poeti Agim Doçi, duke pasqyruar, atëherë dhe sot, zemërimin dhe zhgënjimin e vazhdueshëm të shumë shqiptarëve ndaj vendimit të autoriteteve shqiptare – që me atë rast heshten ndaj vjedhjes së një prej instrumenteve më identifikuese të shqiptarëve – lahutës së vjetër.

Më kujtohet se Agim Doçi, shprehu gjithashtu, me atë rast, krenarinë e tij për prejardhjen e tij nga Mirdita, duke thënë, pak me humor, ndoshta, por seriozisht, se nuk kërkonte nga askush të shpallej qytetar nderi – “jo vetëm Shkodra po edhe Nju Jorku të më bejnë qytetar nderi, unë jam mirditas, diku atje, ku foshnja plaket nga hallet, atje ku plaku bën si fëmia, atje ku shteti me njerzit tallet…”, shtoi ai. Kështu foli poeti i mbi 50-çmimeve dhe mijëra teksteve e këngëve, si dhe adhuruesi i dashuruar me Kosovën dhe me veprën e At Gjergj Fishtës.

Si pjesë e përshëndetjes dhe interpretimit të veprave të Fishtës – frymëzimi i tij jetësor — poeti Agim Doçi në vizitën e parë të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ftuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”, në bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” – ndër të tjera recitoi edhe këtë vjershë të Poetit të Madh Kombëtar, At Gjergj Fishtës:

SE SHQYPNIA U RRUDH E VOGEL

 Poezi Për Atdheun

Kishin Hyp Nji Rreze Dielli
Ai Shën Pjetri e Ai Shën Mhilli
E Po Flisnin Për i Hall Të Vjetër
Ai Shën Mhill Me Njat Shën Pjetër
Se Shqypnia U Rrudh e Vogël
Për Shqyptartë Sa Nji Gogël
Lene T`shëjt e Mos Ta Zgjasim
Zbresin N`tokë Shqypninë e Masin

Morën T`shëjt Nji Lamsh T`mashit
Nisën Matjen N`Prevezë T`tashin
Mirpo Lamshi u Ka Mej
Porsa Mbrin T`shejtnit Në Qafë Pejë

Edhe Nejse Mos Me u Zgjat
Si Me Mat Shqypninë e Ngrat

Peni i Mashit Asht Mbaru
Vrik Kalon Dreqi Mallku

I kanë Pre Kryet, Lëkurën i Kanë Rru
E Me Ate Lesh Kan Ba Nji Dredhë T`Djallit
Qysh Se u Mat Me Dredhë T`Djallit
Asnji Punë S`na Shkon Për S`marit

Sesa Nisim Nji Punë T`re
T`parët Që e Prishim Jemi Ne

Troç Dy Fjalë Kombit Mbarë
Sy Më Sy Me Ja Thanë Deshta
Ma Zor Mblidhen Dy Shqiptarë
Sesa Mblidhet Nji Thes Me Pleshta

(At Gjergj Fishta)

Është e vështirë të merret me mend pse-ja e heshtjes zyrtare në Tiranë për kalimin në amshim të këtij kolosi të artit e të kulturës kombëtare. Më habit, sidomos, heshtja zyrtare — të pakën për aq sa kam lexuar deri tani, edhe në Prishtinë. Sa shpejt u harrua veprimtaria e tij.  Kontributi i Agim Doçit, në bashkëpunim me kompozitorin e njohur Edmond Zhulali në thurjen dhe kompozimin e shumë këngëve të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës do mbeteen përgjithmonë trashëgimi e tij. Si mund të harrohen këngët aq shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia”, e shumë e shumë të tjera si këto?!  Bashkshortja e Agim Doçit, Zonja Yllka citohet në media të ketë thenë se shoqi i saj i jetës, jo vetëm që nuk vlerësohej sa duhej nga entet zyrtare, por atij, nuk i është dhenë as pensioni që i takonte që prej 11-vitesh.  Është e vërtetë se Agim Doçi nuk i preferonte shumë institucionet zyrtare, prandaj ndoshta nuk është për tu habitur heshtja zyrtare me rastin e kalimit të tij në amshim. Një zë kritik më pak! Nga ana tjetër, si mund të nderojnë e të respektojnë – madje edhe në vdekje — institucionet zyrtare në Tiranë e Prishtinë, një adhurues të At Gjergj Fishtës siç ishte Agim Doçi – ndërkohë që ata për më shumë se tre dekada vazhdojnë politikat komuniste të përjashtimit zrytar të veprave dhe kontributit të Fishtës.

“I paharrueshëm ashtë At Gjergj Fishta për atë që i thotë vetes shqiptar!”, ishin fjalët përmbyllse të përshëndetjes së Agim Doçit në simpoziumin kushtuar At Gjergj Fishtës në Nju Jork, në nëntor, të vitit 2019.  Pa asnjë dyshim, kalimi në amshim i poetit Agim Doçi le një zbrazti të madhe në fushën e kulturës shqiptare në përgjithsi — një mungesë që do të ndjehet për një kohë të gjatë, anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe këtu në Amerikë, ku 5-vjet më parë patëm fatin ta kishim atë në mesin tonë. Vdekja e tij varfëron tmersisht leterësinë shqipe dhe le një zbrasti të thellë në mesin e miqëve e kolegëve të tij — e sidomos në rrethin e tij të ngusht familjar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes për këtë humbje të rëndë me ndjenjat më të thella përdhimtimi dhe me lutjen që Zoti t’u japë forcë.

Me nderim e respekt përulemi përpara kujtimit të këtij patrioti të ndershëm, poetit të madh, Agim Doçi. Sado që të duan kundërshtarët e At Gjergj Fishtës dhe të adhuruesit të tij Agim Doçit, të mundohen të vrasin pafajësinë e Fishtës dhe të Agim Doçit me harresë– ata nuk do ia dalin.  I Përjetshëm dhe i paharrueshëm qoftë kujtimi i tyre në radhët e brezave të shqiptarëve, ndër shekuj.

Ditë e shtunë, më 2 Nëntor, 2019 në Qendrën “Nënë Tereza” në mjediset e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” NY, është mbajtur simpoziumi shkencor për At Gjergj Fishtën, ku mori pjesë edhe poeti Agim Doçi, në përvjetorin e 148 të lindjes së Poetit Kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok