05/12/2025

NJË DORË MBI MUSINENË… DHE VALIXHJA…

0
Musine-kokalari-Yllesi2

Është dora e studiuesit, historianit

dhe veprimtarit të njohur Uran Butka…

Nga Visar Zhiti

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, që z. Butka drejton, si dhe familja Kokalari, tashmë e shpërndarë nëpër botë, na ftuan në përurimin e librit “Musine Kokalari – një yllësi” – “kushtuar figurës së shquar të shkrimtares, intelektuales, politikanes dhe martires Musine Kokalari” – shkruar nga Uran Butka, që do të paraprijë korpusin prej 7 veprash të Musinesë së bukur…

Folën profesorë nga Tirana e Prishtina e Shkupi, përshëndeti

nga familja dhe Arba Kokalari, Eurodeputete që tashmë banon në Suedi… vegim politik i Musinesë…

…dhe kujtoj takimet e mia në shtëpitë e Musinesë në Gjirokastër e Tiranë me familjarë të saj, vizitat me studiues të huaj dhe një ditë me kineastin Edmond Budina në apartanentin e znj. Bibika Kokalari, e shoqja e njërin nga nipërit e Musinesë që i shkonte dhe e takonte në burg e internim, po ai s’është më… ja, valixhja e Musinesë, dorëshkrimet, fletore plot, – na tregon ajo, – e para shkrimtare në letrat tona moderne, – them unë, – disidentja e parë grua në kampin socialist… – ja, dhe qendismat e Musinesë, ndërsa kjo është bruca e zezë, me këtë mbulohej  në burg… e prekim… si nata e saj…

Takoj në përurim nipër e mbesa të Musinesë, brezat më të rinj, dhe ja, Bibika, po ajo buzëqeshje që kanë gratë e veçanta, që vuajtja s’ua ka shprishur mirësinë. Ecën me një bastun në dorë, më dhimbet, – ky është bastuni ku u mbështet Musineja, – them unë dhe ajo qesh me gjithë shpirt, – ai shkop ishin duar tuaja… – vazhdoj unë… dhe e di, këto rrëfime e shumëçka do të gjejnë vend në veprat që presin të dalin të Musine Kokalarit, tani nën kujdesin dhe përkushtimin e Uran Butkës. Valixhja u hap…

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok