Një ditë para varjes se Havzi Nelës
(Fragment nga libri Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën)
Nga Rexhep Shahu
Një ditë para se me të varë ty Havzi, vëllezërit e tu në Kollovoz nuk kishin bukë për fëmijët e tyre për të ngrënë darkë atë natë, nuk kishin drithë për bukë, miell për bukë.
Kishin flluar të gatuanin bukë me blidhe byku e mbeturina drithi.
Brigadieri i kooperativës, Jemin Kola, rastësisht ua sheh vetë bukën që kishin në dorë e po hanin Asllani e Shukriu, bukë me blidhe me mbeturina lëme. Ia merr një kafshatë buke nga dora Shukriut dhe e fut në gojë. Ndërsa e përtypte, ajo bënte kërc – kërc. Si me pasë zall, zhavor në gojë. Edhe më e dobët se sa dukej ishte ajo bukë. Ai tronditet dhe u thotë Asllanit e Shukriut, hajdi sonte natën te arat me kujdes… dhe merrni ndonjë dujë drithë.
Asllani me djalë e Shukria me djalë, me Fadilin, shkojnë marrin do duaj drithi me kuaj…
Edhe mbrëmjen e ditës që të varën ty Havzi, Shukriu shkon prapë për me marrë ndonjë duaj drithi me kalë, me vjedhë me dijeninë e shokëve që ishin përgjegjësa në kooperativë se Shukriu e kishte gjendjen më të dobët. Por roja, Liman Nela, që ishte me njollë në biografi, e kapë dhe i thotë, sonte nuk duhet me marrë dujë Shukri, shko sonte, shko…
Shukriu nuk dinte asgjë se çfarë po ndodhte atë natë me ty Havzi. Nuk kishte si ta dinte se bash atë natë ty po ta vinin litarin në qafë… Ai dinte vetëm se nuk kishte drithë për bukë. Ai nuk dinte asgjë për lirinë që të mungonte ty, nuk dinte asgjë për miqtë e armiqtë e partisë, ai dinte vetëm se nuk kishte bukë për fëmijët, drithë për bukë…
Ishte mbrëmja e ditës qe të varën ty Havzi e dy vëllezërit e tu nuk kishin miell në magje. Kishte shumë roje, shumë lëvizje nëpër fshat e nëpër zonë. Ishte një frikë shumë e madhe se mos po arratisen njerzit e Havziut. Liman Nela i këshilloi të mos lëviznin atë natë, të mos merreshin në qafë…