06/03/2025

Një dhuratë e bukur që shkrimtarja Vilhelme Vrana Haxhiraj na dhuron në këtë 8 Mars

0
Vilhelme-Cmendura

Mendime rreth romanit “Ai dhe Ajo…’E Çmendura” të shkrimtares Vilhelme Vrana Haxhiraj

Nga Lejla Gorishti

Të dashura Zonja ! Ju uroj Gëzuar Marsin, Ditën Botërore të Gruas !

Soloni, ishte një burrë shteti, ligjvënës, filozof politik dhe poet arkaik athinas ka thënë: “Perënditë kanë bërë dy gjëra të mrekullueshme; gruan dhe trëndafilin.”

Çfarë simbolike…?! E madhërishme, e bukur dhe me aromën e veçantë  të trëndafilit.

Këtë simbolikë e gjen të mishëruar te libri i sapodalë nga botimi nga shtëpia botuese Europrint, i  autores së mirënjohur, shumëdimensionale,Mjeshtre e Madhe të penës, vlonjates Vilhelme Vranari Haxhiraj, me titull “ Ai dhe Ajo,…’E Çmendura”.

Ky roman ka në qendër përgjithësimin  e  portretit të një gruaje dhe të një epoke, plot luftë dhe fitore. Nga përprekjet e pafundme, zbulohet gjithë madhështia e jetës të Asaj gruaje që bën epokë.

Është një temë mjaft reale ku trajtohet një problem që i prek të gjitha gratë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.

“Mendoj, – thotë autorja,- se të gjitha gratë,të çdo moshe apo profesioni, e ndjejnë nevojën  që të jenë paksa të lira, të marrin frymë jashtë çdo lloj trysnie dhe çdo lloj tutele. Nuk e kam fjalën këtu për shkelje normash e rregullash morale, as tradhëti bashkëshortore apo mohim përgjegjesie…, jo! Por çdonjeri i çdo moshe, profesioni duhet ta kuptojë se, ashtu si burrat që qëndrojnë e shijojnë sa e sa çaste vetëm mes shokësh e të pavarur nga gratë e sidomos nga fëmijët, ashtu dhe ne kemi nevojë të jemi paksa të çlirta ose të pavarura.”

Është tronditëse, madje tepër drithëruese për një grua të dëgjojë që nga goja e bashkëshortit të saj të dalin fjalë kaq të ulta dhe fyese siç na thekson shkrimtarja në këtë roman…

– Është mirë që ta qepësh atë gojë që e ke si halè. Nuk bën gjë tjetër vetëm leh si bushtër gjithë ditën, sepse je cipëplasur, të ka plasur delli i ballit, dhe një të tille si ti, nuk i mbyllet kamarja. Le të bëjë çfarë të dua unë, ti përsëri jashtëqitje nxjerrë nga goja, se veç edukatës që të mungon, dallohesh si rrugaçe edhe akoma më keq si mosmirënjohëse. Po vazhdove me fjalorin tënd prej ndyrësire, do të të zhvsh në mes të rrugës. Mos ma thënçin më emrin dhe mos qofsha biri i atij babai me nam në gjithë kazanë.

-Si ta marrë këtë paralajmërim, kërcënim apo të drejtën prej tutori të “burrit”mbi gruan, atë të drejtë të pronësisë bashkëshortore që ka vendosur patriarkati i mesjetës? Jam zonjë e vetes dhe nuk kam nevojë për tutelë.

-Sepse je bushtër, je një zabërhane e pashoqe që bredh dhe llap gjithë ditën si ato rrufjankat.Mos po mendon vallë se ke qenë ndryshe? Jo…Kështu ke qenë që e re. Unë, që isha krenaria e djemve të asaj kohe, doja të të nxirrja ty nga errësira në dritë, por… Sado që u mundova të të bëja qytetare, shkriva gjithë energjitë për të të mësuar ty dhe harrova veten, u vetmohova për ty, sepse isha me shpirt intelektuali apo si ta them simbol i qytetarit të lindur, jo shaka…Kurse ti ngele, po ajo që ishe… Një fshatare e pagdhendur. S’ke ku shkon më tej, veçse atje, atje…në gjenezë ke vajtur. Nuk bëhesh më e mirë nga ata të paaftët e fisit tënd. Je njëlloj si ata, vulëhumburit e tu.”

Është pak të thuash turp për një dhunë të tillë psikologjike, për një fjalor kaq fyes e denigrues ndaj gruas me të cilën ka krijuar familjen e tij ky burrë. Të ushtrosh dhunë psikologjike apo fizike ndaj femrës është krim. Krimi më i pafalshëm, sepse ti ke ngritur dorë kundrejt një të pambrojture, po bën të fortin në një betejë me një askush, sepse forca e femrës nuk llogaritet në dhunë. Kur një burrë vë dorë mbi një grua, përveçse kur duhet ta përkëdhel atë,  e fyen me një fjalor të rëndomtë rrugësh, është më filliqësirë se fëlliqësira. Është sjellja më e ulët jashtë çdo norme njerëzore e cila nuk kapërdihet.
Kjo lloj dhune vjen nga ata burra që janë frikacakë ndaj të tjerëve dhe atë inat që kanë e nxjerrin tek femra që ka në shtëpi, bashkëshorte apo e fejuar, vjen nga ata burra maskarenj qe nuk dinë se kanë dalë nga një nënë, që nuk e dinë ç’është dashuria e që s’do ta dinë kurrë. Vjen nga ata burra që tek të tjerët nuk guxojnë ta ngrenë zërin,s’kanë  fytyrë,dhe gruas(që fatkeqësisht i duron), ia nxijnë jetën…Edhe dhuna psikologjike nuk është më e pakët,ajo është një problem me vete,që ndodh kryesisht për shkaqe të rëndomta si psh,ekonomia…po jap nje shembull nga libri, kur gruaja punon dhe burri eshtë pa punë, shkurt burri është një parazit që ha lekët e djersën  e gruas, dhe që i duket sikur ia ka për borxh ajo e shkreta.

“Situata pastaj nuk është më një zënkë burrë-grua, por skllav-skllavopronar, -na thotë autorja.Një situate banale e krijuar nga ai burrë që ka aq fytyrë ta quaje veten burrë para botës, kur të gjithë e dinë  se nuk eshtë me tepër se një hiç që e mat forcën  me gruan…
Dhe si justifikime përdoret gjithmonë, xhelozia. Besoj se duhet ta keni vënë re dhe nëpër lajme, kur ndodhin krime në familje.
Unë mendoj se edhe gratë kanë një pjesë të fajit, sepse i durojnë burrat aq shumë, thua se ai ua ka shpirtin në dorë. Pse?! Kur sot më shumë se kurrë, ka një sërë mundësish denoncimi. Janë hapur zyra për mbrojtjen e grave të dhunuara, janë këto shkrime me vlerë për të na hapur sytë e për të ngritur zërin. Ky libër është një pasqyrë e gjallë e jetës sonë.  Këtë thekson dhe autorja në fund të romanit, kur thotë:…”nëpër paragrafe e rreshta do të gjeni diku veten tuaj si dhunues apo i dhunuar, të strukur nëpër faqet e këtij romani të vogël po me peshë të rëndë psiko-morale dhe sociale, i cili i bën apel kohës dhe njeriut që i mungon logjika, arsyeja, si dhe humanizmi.”
Pasi lexon edhe fjalën e fundit, cilido arrin në këtë përfundim:
Çdo njeri duhet të mësojë nga gabimet dhe fajet e tij apo të të tjerëve. Atëherë kupton se përvoja e së shkuarës është një shkollë autodidakte, pa u ulur në bangat e shkollës, pa mësues dhe pa libra. Kjo është shkolla e jetës, para së cilës, deri në frymën e fundit, përherë i detyrohemi me respekt përvojës së kohës, ku çdo individ është nxënës,” Vivra.

Urime dhe shumë suksese Vilhelme Vrana Haxhiraj!

Vlorë më, 05.03.2025

Lejla Gorishti (redaktore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok