21/12/2024

Një dështim tjetër i madh i diplomacisë kosovare

0
u1_Xhylije-Ibrahimi

Është momenti i fundit që Kosova të ndryshojë diçka në politikën e jashtme, përndryshe rrezikon të humb njohje të tjera dhe të mos marrë votat e duhura për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Fundja, edhe abstenimi në votim në favor të Kosovës, është një lloj tërheqje e njohjes.

NGA XHYLIJE IBRAHIMI

Në një shkrim timin rreth tërheqjes së njohjeve për Kosovën, të publikuar para pak ditësh, u përpoqa të tërheq vëmendjen e qeverisë dhe qytetarëve të vendit për mossukseset e Ministrisë së Jashtme, pa e ditur se dështimi për t`u anëtarësuar në Interpol, do të jetë minusi i radhës i këtij dikasteri shumë serioz, i cili udhëhiqet nga AKR-ja, një parti kjo minore në Kosovë, por që ka arritur t`i marrë pozitat kyçe në qeveri.

Dështimi për anëtarësim në Interpol, për fatin e keq të Kosovës, e zhveshi krejtësisht ministrin Behxhet Pacolli nga imazhi i diplomatit, ku ai më së paku e ka vendin, pa paragjykuar sukseset që mund t`i ketë në ndonjë sektor, megjithëse në qeveri nuk ka qenë pa shanse për t`u dëshmuar.

Hiq më larg se një natë më parë, kryediplomati ynë foli me mburrje për punën që ka bërë në lobim te shtetet tjera, për të votuar në favor të Kosovës, për anëtarësim në Interpol. Për më tepër, këtë e quajti punë e kryer. Në të vërtetë, ky nuk është dështim vetëm i ministrit të Jashtëm, por edhe i stafit të kësaj Ministrie, që përbëhet nga dhjetëra zyrtarë, pavarësisht se fatura kryesore i adresohet z. Pacolli, i cili, po e përsëris edhe këtu, është lavdëruar shumë për punën që po bënte dikur nëpër botë për të sjellë njohje të reja për Kosovën.

Tani po del që njohjet që i ka sjellë z. Pacolli, nuk janë më në anën e Kosovës, pavarësisht nëse tërheqja e tyre është e mundur ose jo, siç po thuhet në opinion. E keqja është se këto shtete, madje edhe më shumë seç po përmendën, e kanë tërhequr votën për Kosovën dhe kjo u pa më 20 nëntor 2018.

Abstenimi në votim, po edhe vota kundër e një numri të shteteve që na kanë njohur, nuk ka emër tjetër, pos dështim i diplomacisë kosovare. Kjo nuk mund të arsyetohet me diplomacinë e pandershme të Serbisë kundër Kosovës, siç po provojnë herë pas herë të thonë diplomatët tanë, sepse dihet që Serbia, si armik shekullor, nuk punon për ne.

Nuk jam e prirë të bëj krahasime, por z. Pacolli, sado që është dëshmuar emër i madh në biznes, në diplomaci nuk ka arritur të bëjë as sa Skënderi i vogël, siç e quajnë disa, e të mos flasim për z. Hoxhaj, që për bindjen time, është diplomati më i mirë që ka pasur Kosova deri tani.

Është e pajustifikueshme që votat për Kosovën të mungojnë pikërisht në mandatin e ministrit Behxhet Pacolli. Kjo duhet të jetë shqetësuese për shtetin tonë, sado që Ministria e Jashtme po përpiqet t`i minimizojë dështimet.

Thjesht, z. Pacolli nuk po dëshmon afinitete diplomatike dhe tani po vërtetohet se as njohjet e mëhershme nuk kanë qenë meritë e tij. Merita e tij e vetme është se ai ka vrapuar të sjellë i pari lajmin për njohjen e Kosovës nga ndonjë vend i botës, pasi punën kryesore e ka kryer dikush tjetër.

Behxhet Pacolli duhet të pranojë se diplomacia nuk është fusha e tij dhe të tërhiqet sa më shpejt, ose duhet të veprojë qeveria. Është momenti i fundit që Kosova të ndryshojë diçka në politikën e jashtme dhe diplomacinë e saj, përndryshe rrezikon të humb njohje të tjera dhe të mos marrë votat e duhura për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Fundja, edhe abstenimi në votim në favor të Kosovës, është një lloj tërheqje e njohjes. Këtë realitet nuk di ta lexojë vetëm një diplomat që ka hyrë të luaj në fushën e huaj.

…………………………

(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok