15/11/2024

Një burrë e një grua, n’mes të Parajsës, dhe s’merren vesh!

0

Nga S. Guraziu – Ars Poetica, N 2021

1 – “Pashprehshmëria e Zotit”

Kuptohet, për besimtarët Zoti s’rri “fshehur” diku prapa reve, mirëpo duke qenë trans-universal, për njeriun është i pakapshëm, i padukshëm, i pakapërthyeshëm. Si ilustrim (na duhen shembujt) le t’ia fillojmë me ndonjë shembull – psh., sipas besimtarëve të krishterë, Zoti veç e ka “zbuluar veten si trinitet”, si nje trio personash. Mirëpo Zoti mund të “shihet” vetëm me përvojën shpirtërore, nëse kihet a ndjehet nevoja të shihet, nëpërmjet “dritareve metafizike”. Universi shpirtëror është univers në vete, sikur dhe universi fizik që është një univers më tepër i Multiversit. Anise, as vetë “string-teoricienët” s’e kanë idenë sa universe mund t’i ketë Multiversi…

Sipas besimtarëve, “pashprehshmëria e Zotit” lidhet me paaftësinë e njeriut si qenie (dmth. pafajësisht) për ta kuptuar madhështinë hyjnore, jo vetëm me anë të arsyes, por dhe me anë të “zbulesës” (e madje dhe qoftë me anë të “zbulesës” shkencore a filozofike). Sa më shumë që Zoti e zbulon veten (dhe kështusoj sa më shumë njeriu e njeh) aq më i “pashprehur” bëhet (dtth. si rrjedhojë, aq më pak mund të kapërthehet madhështia e tij – psh. mund t’flitet për omnipotencën në termat e imagjinates, por realisht me mendje s’mund të kapërthehet “omnipotenca hyjnore”… etj etj).

2 – Dikur… , fare në bisht të kohëlinjës historike

Lilita, gruaja e parë e Adamit (që para Evës, dhe ndryshe nga Eva) ishte krijuar nga e njëjta lëndë (materie) zanafillore sikur dhe homologu i saj, Adami. Gjatë një shetie lëndinave-lulishteve të Edenit (atëherë pra, gjatë vetë “para-kohës”) Lilita do takohej me Luciferin dhe do ta kishin një bisedë mjaft miqësore. Luciferi (“Ylli i Mëngjesit”) në atë pikë s’i kishte punët dhe aq mirë me Zotin (takimi pati ndodhur pasi Zoti e kishte “paralajmëruar” – Krijuesi ia pati tërhequr vërejtjen Luciferit që t’rrinte urt, që t’mblidhte mendjen, që t’mos ligësohej).

Gjatë bisedës e sipër Luciferi do ta bindte për idenë e problematikës, Lilita do t’i besonte. Ai pati argumentuar se, duke qenë e krijuar nga balta njësoj sikur dhe Adami, ajo ishte e barabartë me të, andaj s’duhej t’rrinte “nën” të, as e “nën-shtruar”, as e “nën-privilegjuar”, assesi një marionetë e burrit dhe as e lidhur me fijesh të “burracakëve”. Afërmendsh, Lilita do ndriçohej nga fjalët e “Yllit Mëngjesor” dhe do këndellej.

Menjëherë pas kthimit në “shtëpi”, Lilita dhe Adami do ia fillonin me zënkat e me grindjet. Pastaj, herët a më vonë do vinte koha e ëmbëlsirave, ajo thjesht do refuzonte të shtrihej “nën” të (gjë që kurrë s’kishte ndodhur më parë). Sipas saj edhe Adami duhej ndonjëherë “përfundi”. Adami do i kundërvihej, sipas tij ai duhej “sipër”, meqë burri ishte superior. Lilita do ta kundërshtonte duke i thënë se të dy qenë krijuar të barabartë…

Ndoshta grindja do ketë zgjatur tërë natën, ndoshta tërë javën… s’ka të dhëna, specifikat më të “hollësishme” rreth detajeve të kësaj zënke mungojnë. Gjithsesi, e qartë se Adami na pati ngelur me gishta n’gojë, asgjë të ëmbël atë natë. Në thelb Lilita e ngratë thjesht po ia kërkonte atë “barazinë bazike”. Nëse ai na qenkësh “mbret”, atëherë dhe ajo qe supozuar t’na ishte “mbretëreshë”, s’është se po i kërkonte kushedi çfarë. Burri i parë i botës assesi t’i pranonte “xhentilesat”, assesi të kulturohej një grimë, si superior ndjehej i “fyer” që ndonjëherë dhe gruaja t’na ishte “sipër”.

Pra duke dështuar ta fitonte barazinë legjitime të “poshtë-lart-pozitës”, në dëshpërim e sipër Lilita do ta klithte “Emrin e Pashprehshëm” të Zotit dhe do ta linte Adamin ashtu të zemëruar, qyqe fillikat. Pas ikjes së saj, Adami e pati parë të udhës të ankohej tek Zoti, ankesa ishte e thjeshtë: “gruaja kishte ikur, e kishte braktisur”. Padyshim Zoti atëbotë do jetë prekur sa s’ka më, 1 burrë e 1 grua n’mes të Parajsës dhe t’mos merren vesh… ehuuu. Apo mbase, natyrisht disa gjëra dhe i kishte parallogaritur, kuptohet i gjithë skenari “kush poshtë e kush lart” Zotit i ishte i paranjohur.

Pa humbur kohë tre engjëj dritëbardhë qenë ngarkuar me detyrën t’ia kthenin gruan rishtas në “shtëpi”. Gruan e ikur engjëjt do e gjenin diku buzë Detit të Kuq, e lehtë për engjëjt ta gjenin mirëpo problemi do përkeqësohej, ajo thjesht s’donte të kthehej. Lilita kishte vendosur të lahej e rrezitej aty në plazh, më mirë ta mbyste mërzinë në vetmi sesa t’i kthehej atij derdimenit… pa asnjë “fije” kulturë, madje na mbahej gjoja si burrë “superior”, superioriteti i tij donte vetëm “lart”, kurrë “poshtë”.

Sidoqoftë, edhe engjët ishin nën urdhrat dhe instruksionet specifike, do ta kërcënonin me humbjen e 100 fëmijëve të saj çdosecilën ditë, nëse t’mos i kthehej Adamit. Lilita do këmbëngulte në refuzimin – kërcënimi i engjëjve dhe vendimi i Zotit do ishte fundimtar, si rezultat do ndëshkohej me vdekjen e gjithë fëmijëve të saj.

Dhe kështu, Lilita e gjorë do përjashtohej përgjithmonë nga Kopshti i Edenit, e zhytur në mjerim e dhimbje, e braktisur nga çdo mirësi e botës rrotull.

Më vonë (njësoj siç e pati takuar Luciferin) do ta takonte Samaelin. Edhe ky na ishte skajshmërisht i lënduar sepse i dëbuar nga “sfera hyjnore”. Dhimbja e tij ishte e pakufijshme, vetëm Krye-engjëjt e dinë (t’jesh “engjëll i rrëzuar” a i dëbuar… mbase s’është asfare e lehtë). Zoti e pati dëbuar për shkak të urrejtjes dhe të pikëpamjeve mizantropike që kishte për njerëzimin. Shih pra, edhe Krye-engjëll i Zotit, dhe s’i donte njerëzit, arrogancë që ç’ke me të, arrogancë engjëllore!

Meqë Lilita ishte “njerëzore”, fillimisht Krye-engjëlli s’do ta përfillte, e mbase do ishte dhe armiqësor ndaj saj. U muar vesh, asgjë e “njerëzores” s’i pëlqente… Mirëpo Lilita do e kishte vëmendjen e tij duke deklaruar se ideja e ekzistencës së saj vetëm sa për t’qenë e nënshtruara e Adamit s’pinte “ujë”, roli i caktuar nga Krijuesi thjesht si “e nështruar e Adamit” padyshim ishte diç si “pëlhurë për sytë e saj”, për ta mbajtur të “verbër” nga gjetja e një qëllimi më të lartë ekzistencial. Kështu që s’donte t’ishte pjesë e “hesapeve njerëzore”, as grua e nën-shtruar e Adamit. Më me dëshirë do ishte “sipër njerëzve, sipër Adamave… sesa poshtë tyre”.

Lilita gjithashtu do ia bënte me dije se tashmë edhe ajo kishte t’njëjtën pikëpamje sa i përket “natyrës njerëzore”. Më në fund do ta bindte Krye-engjëllin se ishte aleate e tij, se ia vlente t’kishte besim tek ajo. Në fund të fundit edhe Krye-engjëlli thjesht një i dëbuar, një i lënduar. Lilita e njihte mjaft mirë dhimbjen e tij, do dinte dhe të “përkujdesej” për gjendjen e për lëndimin e tij.

3 – Tani, e sotmja, fare në fill të kohëlinjës…

Prapë si shembull, të krishterët nuk besojnë në 3 perëndi por në 1 (nëse t’na ishin 3 perëndi… atëherë mbase besimi i tyre do quhej Triteizëm). Nga ana tjetër, jo të gjithë të krishterët besojnë se Ati, Biri dhe Fryma… Shpirti i Shenjtë janë 3 “forma” të Zotit (diç si, avulli, uji, akulli, diç si analogji… si 3 modalitete molekulare të materies). Psh. pikërisht kështu besonin modalistët e “lashtësisë” (sa herë t’jetë më gjatë se 1 mijëvjecar, unë thjesht ia them “lashtësi” : ) Që nga lashtësia dhe ende sot e kësaj dite njësoj besojnë dhe modalistët modernë – kjo formë e besimit quhet Modalizëm.

Triniteti… ose doktrina e krishterë e Trinitetit, perëndinë e përkufizon si 1 Zot i vetëm ekzistent në 3 persona të barabartë, pra si një trini bashkëthelbësore: Zot-Ati, Zot-Biri dhe Zot-Shpirti i Shenjtë. Sipas logjikës pritet ta kuptojmë se fjala është për tre persona të ndryshëm që e ndajnë një thelb (të qenësisë). 3-Zot-personat përcaktojnë se kush është 1-Zoti, ndërsa një thelb i vetëm përcakton se çfarë është Zoti (thelbësisht).

Kjo doktrinë njihet si Trinitarizëm, ndërsa e kundërta si Anti-trinitarizëm. E fundit i ka disa “nuanca” të mospajtimit me Trinitarizmin, nuancat janë mjaft “origjinale” sa i përket dallimit, përfshijnë Unitarizmin, Binitarizmin dhe Modalizmin.

Dhe s’e mohon kush, Trinitarizmi është një doktrinë mjaft e “koklavitur” por dhe temë simpatike, e nxehtë, mjaft e disku-rrahur. Madje as vetë kryeqendrat kishtare të Perëndimit e të Lindjes nuk pajtohen sa i përket Trinitarizmit, “sqarimi teorik” më i zakonshëm i perëndimorëve zor se do pranohej nga lindorët, sikur që vlen dhe anasjellëza.

Hm, nëse 1 burrë e 1 grua dikur, që nga zanafilla, n’mes të Parajsës… dhe s’do merreshin vesh, nëse vetë Zotit i qe imponuar të “intervenonte”, atëherë mbase s’kemi pse çuditemi as me “mosmarrëveshjet” Lindore-Perëndimore të së tashmes. Zoti e dinte atëherë në fill të vetë zanafillës, sikur që Zoti e di dhe tani…

Natyrisht, ka disa teori rreth Trinitetit, teori të kolorizuara, mjaft të “polarizuara”. Disa prej teorive (kuptohet, sipas njohësve të çështjeve të besimit) janë tepër të gabuara, aq të gabuara sa rrjedha s’kishte si rridhte ndryshe, por janë shpallur “teori heretike”. Prapë, s’duhet rrudhje vetullash “habitore”, edhe teoritë moderne mund t’jenë “heretike”, njësoj si dikur në Mesjetë njësoj dhe sot e kësaj dite…

Dhe pra si t’ngelet njeriu i kthjellët me buzëqeshjen, kur dhe këta të akuzuarit për “herezi” thjesht besimtarë, të devotshëm e krenarë. Krijohet përshtypja sikur besimtarët e taborreve moderniste na dilkan në oborr për t’i akuzuar besimtarët e taborreve tjera për “heretizma”, per t’i refuzuar teoritë e tyre. Ngatërrimi vetëm sa shkon e thellohet, i degjojmë mirë se ç’thonë të gjitha palët, mirepo s’vonon dhe e pashmangshme, logjika na bëhet lëmsh. Ja pse dhe teologët thonë se shumë të krishterë VETË e pranojnë që NUK e kuptojnë “trinitetin”, sikur dhe po aq shumë të krishterë realisht s’e kuptojnë… ama pandehin se e kuptojnë.

Tekefundit triniteti i të krishtereve është vetëm 1-ri nga sa të duash “trinitete” të kësaj bote, psh. Hindu-panteoni përbëhet jo nga 1… por nga 2 trinitete (pse vetëm 1 nëse mund t’i kesh 2), pse jo një trini perëndish dhe një trini tjetër perëndeshash, trinia “Trimurti” përbëhet nga tre perënditë kryesore, e që janë Brahma (Krijues), Vishnu (Ruajtës) dhe Shiva (Shkatërrues), trinia “Trimurti” ekuivalentohet (barazohet) dhe kontrastohet me trininë “Tridevi” të perëndeshave, e që janë 3 perëndeshat kryesore të panteonit; Sarasvati (Krijuese), Lakshmi (Ruajtëse) dhe Kali (Parvati – Shkatërruese).

Gjithsesi, e qartë, Trinitarizmi është doktrinë themelore, doktrinë thelbësore e Krishterimit, ashtu me “paqartësinë” e vet sikur na e thotë që s’mund të kuptohet logjikisht. Zoti s’rri “fshehur” prapa reve, është shfaqur si uni-zot-trinitar, por mund të “shihet” vetëm si përvojë shpirtërore. Triniteti nuk “përputhet” me logjikën, dhe prandaj as që mund të kuptohet me anë të logjikës, përveç si përjetim shpirtëror. Po ashtu, e qartë se “përjetimi shpirtëror” s’ka si ndryshe por totalisht diç si “përvojë subjektive”. Shpirtrat, ashtu në natyrën e vet të pafajësisë, mbase mjaft “kureshtarë”, mund t’kapën për akëcilën teori kashtologjike, secili shpirt e ndjek “teorinë” e vet, sipas ndjenjës dhe përvojes së vet. Dhe bota kurrë s’ka qenë më e mbushur me shpirtra e frymorë, e di Zoti si “qeverisen” botët… s’jemi duke iu përzier ama… hm! Dikur vetem 2 shpirtra, sot panumër shpirtra…

Nëse thuhet se Zoti është 1 + 1 + 1 = 1, ekuacioni na kalamendet dhe e qartë se alogjik, mirëpo duke patur besimin ja që mund t’ketë dhe “logjikë shpirtërore”. Logjika e arsyes jo, por ama ajo shpirtërorja mund të ushqehet me besimin se Zoti është njëkohësisht 3 = 1. Është sepse thjesht mund t’jetë, sepse është i pakufizuar dhe omni-potent, sepse trinitaristët besojnë se është, sepse ashtu-kështu mister i pakapërthyeshëm, sepse Zoti s’është “njerëzor” por hyjnor, sepse madhështia e Zotit është trans-universale (s’është vetëm gjoja “universalitet tokësor”), sepse Zoti është pafundësisht… gjithçka, sepse, sepse, panumër sepse.

Njëkohësisht 3 dhe 1 – ky pohim si “direktivë” doktrinare, si zgjidhje e enigmës “alogjike” është pakashumë thelbi i Trinitetit, është diç si shpëtim, në fakt.

E qartë se njeriu e ka “gjuhën” të vogël (rishtas e qartë – për arsyet që i janë të njohura perëndisë), njeriu s’ka ndonjë “gjuhë” tjetër më të aftë për ta përshkruar një diç si koncept që s’kapërthehet. Por njeriu ka nevojën shpirtërore, arsyen filozofike për ta kuptuar veten, un-in e vet, shpirtin e vet… në relacion me madhështinë hyjnore.

Andaj nëse “ekuacioni alogjik” 1 + 1 + 1 = 1, nëse paqartësia e mistershme” e Trinitetit na qenka mjaftueshëm satisfaksionale, atëherë s’kanë pse “skuqen” as Perëndimi as Lindja për mospajtimet rreth teorive. Kushedi, nesër mund t’i shkrep dhe Jugut për mospajtim, Perëndimoret e Lindoret ngelin të “mospajtuar” por ama dhe Jugorëve u lind dëshira t’i ndjekin konformizmat rreth ideve të reja. Ndoshta dhe Verioreve thjesht u shkrepin tjera teori e risi, kurrë s’duhet thënë kurrë. Sa çarjet, sa degët e nëndegët, sa rrembat e sa gjembat i njohi e kaluara yyyyyyy… dhe vetëm Lisi i “fraksioneve” të Amerikës si shembull, ashtu si një rrap disa-shekullor me kurorën madhështore, do na trulloste me marramendjen.

Triniteti mbase është po aq dhe njëfarëlloj “qetësie e arsyes”, jo vetëm qetësi satisfaksionale e shpirtërores, për sa kohë e vërteta e natyrës hyjnore ngelet e panjohur, përtej njeriut (dmth. prore andej, diku në anën tjetër të “misteriozitetit”). Të këndejmën e misterit të krishterët e besojnë siç ata besojnë se duhet ta besojnë; herë me trinitarizmat e herë me anti-t, herë me unitarizmat, herë me modalizmat, binitarizmat, triteizmat, parcializmat, monarkionizmat, adoptionizmat, arianizmat…

Padyshim, të gjitha pikëpamjet dhe teoritë e besimtarëve justifikohen nga vërtetësia (qëkur Zoti mund të “shihet” vetëm me përvojën shpirtërore, qëkur përvoja shpirtërore ashtu-kështu subjektive, qëkur besimi ashtu-kështu e justifikon veten, andaj dhe ndodhin “fraksionet”, mospajtimet, degët etj.) – Zoti thjesht vazhdon i mistershëm, ishte dhe akoma ngeli ai fantomiku i mistershëm, një mister i “madh”.

[ mit. hebraike – perëndesha nokturnale ( diç si “vizitkartë mitologjike” ) ]

…një dikush dje m’kishte shkruar mesazh (fb), ndër të tjera se “gruaja” e Adamit për te cilën kam folur është “…non-kanonike, s’duhet përzier me figurat biblike”…

…pakëz i habitur ia ktheva: s’kuptoj sinqerisht, s’e kam prekur fare këtë hesap, natyrisht që është përjashta “kanonit”, askund s’kam thënë se është “brenda”, le që s’kam “përzier gjë” por s’e kam përmendur madje as biblen, s’e kam prekur as “çështjen pse është jashtë kanonit”, me sa di unë s’e kam përmendur as biblen, as kanonin as non-kanonizmin…

…dhe ngjitas ia nisa këtë “vizitkartën”, së bashku me pjesën në Testamentin e vjetër, anglisht (Isaiah 34:14), si dhe një citat shkurt (Genesis 2:18) – nga dje heshtje… s’ma ktheu as mirëkuptimin e shkurtër as gjë, ku di… mbase do e ketë kuptuar “si i shoh unë gjërat rreth miteve e legjendave, absolutisht pa të keq : )

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok