NJË BASHKËBISEDIM PËR ÇAMËRINË
Nga Fahri Dahri
Dje (30/03/2026), pata një ftesë për bashkëbisedim lidhur me plagën e pa mbyllur, të ndodhur që nga viti 1913 dhe që u përkeqësua në përmasa mjaft çnjerëzore gjatë viteve 1944-mars 1945.
Tashmë dihet mirë nga të gjithë dhe nga ata që e krijuan dhe e lejuan, të cilët duhet ta kishin shëruar plagën e thellë kombëtare shqiptare, që njihet si “Çështja Çame” (shkëputja nga trojet Amë – 1913, persekutimi moral, fizik, ekonomik, politik, ndëshkim pasuror, demografik).
Bashkëbisedimi u krye me gazetaret Luela Myftari dhe Sildni Koqini. Ishte i ngrohtë, i sinqertë, i mirëkuptueshëm, me ndjenja të thella në kërkim të mbrojtjes së “Çështjes Çame”. U dskutuan dhe u hodhën mendime për mundësitë e zgjidhjes në përputhje me ligjet, konventat, rregullat ndërkombëtare. Nëpërmjet Bashkimit Europian dhe SHBA të krijohet një komisioni hetimor, me objekt nxjerrjen e përgjegjësisë, shkaqet dhe shkaktarët e kryerjes së genocidit grek ndaj banorëve autoktonë të Çamërisë. Sigurisht në këndvështrimin tonë.
Në bashkëbisedim u trajtuan disa probleme me interes të përbashkët mes fqinjësive shtetërore dhe më gjërë.
Ishte aftësia profesionale e dy gazetareve që krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe lehtësuese në zhvillimin e bisedimit.
Në përfundim të takimit, më dhuruan tre libra të autorëve me origjinë nga Çamëria.
Sot lexova njërën prej tyre me titull: ODE (Për tempujt që nuk harrohen), të autorit Luan Rama. Libri i kushtohet tragjedisë, masakrave greke ndaj popullsisë autoktone të Çamërisë. Në libër, autori e merr lexuesin dhe e shoqëron në rrugëtimin e vdekjes dhe të vuajtjeve të skajshme të banorëve të besimit mysliman të Çamërisë. Trajton me vërtetësi, nëpërmjet gërshetimit të dëshmive si ngjarjet e individëve dhe të atyre kolektive. Të sakta ngjarjet e kryera, të rrënqethet trupi. Krime monstruoze, aspak veprime njerëzore, por kafshëri e kafshëve të lloit të egërsive.
Një veçanti në mënyrën e tregimit nga autori, i cili ka zgjedhur informimin e tragjedisë nëpërmjet hijeve të atyre të gjallëve që u vranë, u masakruan, u dogjën në furrat e zjarrta, u përdhunuan, të atyre që mbetën të vrarë në trugjet e pemëve, në puset e ujit, në sheshet e dasmave, të kuvendimeve.
Kam lexuar shumë shkrime, dëgjuar këngë dhe shikuar valle. Njoh ecurinë e vuajtjeve të atyre banorëve, të cilët u bënë pre e “Megalloidesë” të vitit 1844, ku është shpalosur dhe vulosur strategjia e shtetit grek për shtrirjen e helenizmit edhe në popujt dhe trojet e të tjerëve, nëpërmjet pushtimeve dhe nënështrimeve. Por prap se prap, duke lexuar këtë botim të shkrimtarit Luan Rama, më bëhet sikur i kexoj apo i dëgjoj për herë të parë.
Ju faleminderit i nderuar Luan!
***
Mbresa nga takimi.
– Gazetarja Myftari para regjistrimit të bashkëbisedimit më shumë dashamirësi më ofroi një bllok për të shënuar konsideratën time për veprimrarinë e “Çamikos”. Më erdhi keq që nuk ja plotësova kërkesën, jo se nuk duhej, por më pengon dridhja e duarve, rrjedhojë e moshës. U mirëkuptuam. Kërkesën ja plotësova në bashkëbisedim.
– Në momentin e largimit i pyeta dy gazetaret se si lindi idea e “Çamikos”.
Më sqaruan. Ishte rrjedhojë e ndjenjave për vendlindjen e të parëve. Ishte Amaneti për të mbetur gjallë Çamëria me historinë, gjeografinë, gjakun, zakonet dhe traditat e saj.
Të kuptohet nga të gjithë dhe kudo se Çamëria ekziston. Është e gjallë dhe kërkon të drejtat e saj legjtime. Në përgënjeshtrim të atyre që e kanë dashur dhe e duan të vdekur. Të atyre që çirren se “Çamëria nuk ekziston”.
– Mes tjerash u shprehën se “Çamikon” e kishin hedhur si ide vite më parë me përfaqësues të një partie politike.
Përgjigja ishte se nuk ishte ide e mirë edhe për faktin se: “Çamët nuk dinë të flasin“.
Të jem i sinqertë mbeta i shtangur.
Kjo përgjgje ishte jashtë çdo llogjike. Thënësi i këtij konkluzioni a nuk e dinte se kush ishte Homeri, po Akili, Hasan Tasini, Elena Gjika (Dora d’Istria), Abedin Dino, Kolë Idromeno, Musa Demi, Ali Demi, Bilal Xhaferri, Teme Sejko, Qamil Buxheli, e shumë e shumë të tjerë që kanë shkëlqyer me mendjet dhe dituritë e tyre, jo vetëm në krahinën e Çamërisë e të Shqipërisë por në Europë dhe në Azi.
Sot me “Çamikon”, e cila ushtrron emisionin e saj të sukseshëm, tepër të frytshëm, flasin bukur, pastër, me ndjenja edhe ata të rinjtë e të rejat, dëshmitarë okularë të dramës çame, që sot janë të thinjur, me rudha, me syze, por plot energji, dëgjohen me shumë vëmëndje pavarësisht kur mimikat e fytyrës, lotët që rrjedhin nga sytë flasin me shumë dashuri për vendlindjen e tyre. Dhe këto të folura nga çamët e lindur atje, na i bëjnë të mundura dy mbesa të reja pramthiote e lopsiote.
Besoj se edhe ai/ajo që u shprehën se “çamët nuk dinë të flasin”, nëse e thanë nga padija, do jenë gëzuar që nëpërmjet “Çamikos” morën vesh që çamët dinë të flasin. Por duhet të dinë edhe se “çamët dinë të flasin në vende dhe në kohën që duhet folur”.
Falenderoj përzëmërsisht dy gazetaret si dhe z. Alket Veliun që kontribuojnë suksesshëm në të vërtetën se “Çamëria ekziston, është gjallë dhe kërkon të drejtat legjitime të saj”.
Ju uroj udhëtim të mbarë në misionin e shenjtë të përkushtimit ndaj vendit të paraardhësve tanë.
Fahri Dahri
31 Mars 2026
