31/07/2026

NGJARJET HISTORIKE NUK DUROJNË AS MINIMIZIM, POR AS HIPERBOLIZIM

0
Hamza-Halabaku

Ndonëse po i afrohemi 40-vjetorit të ditës së 2 korrikut të vitit 1990, kur u miratua Deklarata Kushtetuese e Kosovës, ende ka tendenca, që për interesa grupore ose individuale, diçka të minimizohet ose hiperbolizohet nga ajo ngjarje historike dhe nga kontributi i pjesëmarrësve të saj. Mirëpo, jam i bindur se delegatët e asaj legjislature e dinë se nuk ishin vetëm: E kishin prapa Shërbimin profesional të Kuvendit të Kosovës të asaj kohe, por edhe Qeverinë e Kosovës dhe vetë Jusuf Zejnullahun që ishte në krye të asaj qeverie

Nga Hamza HALABAKU

Dita e ngjarjes historike të 2 korrikut të vitit 1990, kur u miratua Deklarata Kushtetuese e Kosovës, po i afrohet 40-vjetorit, por ende po ka raste që disa autorë shkrimesh edhe po i ngatërrojnë datat kur nga deputetët e legjislaturës së vitit 1990, që në atë kohë quheshin delegatë, u miratua Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e parë e Republikës së Kosovës. Thuaja çdo vit shënohen përvjetorët e këtyre ngjarjeve historike, qoftë me ndonjë pritje të delegatëve që ende janë gjallë nga udhëheqës aktual të Kosovës, qoftë me ndonjë emision radio-televiziv apo tribunë nga ndonjë shoqatë. Reagimi im dhe zhgënjimi ka të bëjë me faktin se në këto raste flitet për shumë çështje që kanë ndodhur ditën e 2 korrikut, ose 7 shtatorit të vitit 1990 nga njerëz që nuk kanë qenë të informuar sa duhet. A janë ata më të merituarit dhe më të informuarit të flasin për këtë ngjarje lë për të dëshiruar.

Në takime të tilla rrallë ndonjëherë gjendet edhe ndonjë nga Shërbimi profesional i Kuvendit të Kosovës, meritat e të cilit shërbim nuk ishin të pakta sidomos para e pas 2 korrikut. Mua më brengos fakti se thuaja asnjëherë nuk u kujtua dikush nga udhëheqjet tona aktuale, apo nga mediat, ta ftojnë ish – kryetarin e Këshillit të atëhershëm Ekzekutiv të Kosovës (Qeverisë), z. Jusuf Zejnullahu, i cili ka merita të mëdha për atë periudhë që lidhet me 2 korrikun e vitit 1990 dhe me vetë ngjarjen e asaj dite që shënoi një epokë të historisë tonë më të re. Kur e them këtë kam parasysh faktin se pozita që mbaja asokohe, ndihmës i sekretarit të Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës, ma mundësoi hyrje – daljen nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ditën e 2 korrikut 1990 dhe jam njëri nga dëshmitarët e rrallë që kisha informacione se çka po ndodhte brenda ndërtesës dhe para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ku ndodheshin delegatët, të cilëve nuk po u lejohej hyrja brenda. Për këto gjëra kam shkruar në librin tim “NJË DITË MIDIS DY EPOKASH” (2 Korriku dhe dokumente të tjera që çuan deri te pavarësia), Prishtinë, 2012.

Asokohe isha ndihmës i sekretarit të Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës dhe përgjegjës për Byronë e Sekretarit të Kuvendit, ku kryhej puna finale për përgatitjen e dekreteve, ligjeve, rezolutave, vendimeve dhe aktvendimeve e dokumenteve të tjera që i miratonte Kuvendi. Ato duhej të botoheshin në “Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës”, natyrisht me nënshkrimin tim, në shkresën përcjellëse, me që isha epror i atij shërbimi. Në atë pozitë më kishte emëruar Kryesia e Kuvendit të KSA të Kosovës, më 2 qershor të vitit 1982, ndërsa deri atëherë isha me punë në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë.

Atë ditë kisha vrapuar, me letrat në dorë, për ta dërguar në “Gazetën Zyrtare të KSA të Kosovës” që Deklarata kushtetuese të botohej sa më parë dhe të njëjtën e dërgova, po ashtu me dorën time në Arkivin e Kosovës, që ajo të mikrofilmohet dhe të ruhet, sepse pushteti i atëhershëm kishte mundësi të na e merrte dhe të na e griste e pastaj si do tu tregonim pasardhësve tanë që Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një dokument Kushtetues me të cilin Kosova shpallej si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) të Jugosllavisë.

Për habinë time sot dalin disa njerëz që mund ta kishin ose edhe nuk mund ta kishin fare në dorë tekstin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut që pohojnë se e kanë dërguar në Arkivin e Kosovës. Ne pjesëtarët e asaj kohe të Shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës e kishim të qartë se ai tekst i miratuar nga delegatët bashkë me procesverbalin nga mbledhja duhej të dërgohej edhe në Arkivin e Kosovës por edhe në “Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës”, ku u botua dhe u zyrtarizua.

Më kujtohet saktësisht, gjë që e kam shkruar edhe në librin e përmendur, se “në ditën e 2 korrikut delegatët shqiptarë po tuboheshin para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, pasi milicia e Serbisë nuk i lejonte të hynin brena. Atë ditë ndërtesa e Kuvendit të Kosovës po ruhej nga forca të përforcuara të milicisë serbe. Data për këtë mbledhje ishte caktuar në mbledhjen paraprake të Kuvendit të Kosovës, por në ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Gjorgje Bozhoviq, përmes “Tanjugut” dhe mjeteve tjera të informimit (edhe me telegrame) u kishte shkruar të gjithë delegatëve se mbledhja e caktuar për 2 korrik 1990, do të shtyhej për datën 5 korrik 1990”.

Radiotelevizioni i Prishtinës, që asokohe luante një rol shumë të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes kombëtare në Kosovë, kishte njoftuar se mbledhja e caktuar për 2 korrik, pavarësisht se kryetari i Kuvendit Gjorgje Bozhoviq, e kishte shtyrë (pra e kishte shkelur marrëveshjen nga mbledhja paraprake e Kuvendit), do të mbahej pikërisht më 2 korrik 1990.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, të cilën më vonë mësova se e kishte hartuar akademiku Gazmend Zajmi, gjë që e dëshmon me një shkrim autorial edhe delegati i zëshëm i asaj legjislature, z. Ruzhdi Bakalli. Ai pat deklaruar në foltoren e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, se “Nëse Kosova me dëshirë iu ka bashkuar Serbisë, në vitin 1945, tani me dëshirë edhe duam të ndahemi nga Republika e Serbisë”.

Lidhur me hartimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, delegati i atëhershëm, z. Ruzhdi Bakalli, ka shkruar: „Akademik Profesor Gazmend Zajmi është përpiluesi i vetëm i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut. Akademiku bashkë me Fehmi Aganin dhe Bardhyl Qaushin kanë qenë iniciatorët dhe përkrahësit më të mëdhenj të miratimit të Deklaratës. Akademik Gazmend Zajmi e ka filluar përpilimin e Deklaratës Kushtetuese ne shtëpinë e Fehmi Aganit ku prezent ishin edhe Bardhyl Qaushi dhe delegati Enver Pula, i cili iu është bashkangjitur në të gjitha takimet në shtëpinë e Fehmi Aganit ku është punuar rreth Deklaratës Kushtetuese. Akademik Gazmend Zajmi ka qenë përpilues i Deklaratës, por motori dhe zemra e gjithë procesit rreth Deklaratës Kushtetuese ishte Fehmi Agani. Nuk duhet të harrohet dhe të minimizohet kontributi shumë i madh i kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, z. Jusuf Zejnullahu, i cili e ka përkrahur dhe i ka dhënë shtytje miratimit të Deklaratës Kushtetuese. Më 29 qershor pas orës 17:00 një grup i delegatëve jemi takuar ne zyrën e kryeministrit dhe jemi dakorduar që me 2 korrik ta shpallim Pavarësinë e Kosovës. Nga zyra e tij kemi shkuar në shtëpinë e Skender Skenderit, ku e kemi definuar se kush do ta lexojë deklaratën dhe çështje të tjera”, ka rikujtuar delegati Ruzhdi Bakalli.

Pavarësisht tendencave që për interesa grupore ose individuale diçka të minimizohet ose hiperbolizohet nga ngjarjet e ditës së 2 korrikut 1990, jam i bindur se delegatët e asaj legjislature, delegatët e 2 korrikut, si i quaj unë, e dinë se nuk ishin vetëm. E kishin prapa Shërbimin profesional të Kuvendit të Kosovës të asaj kohe, por edhe Qeverinë e Kosovës dhe vetë Jusuf Zejnullahun që ishte në krye të asaj qeverie.

Siç theksova edhe më lart, pozita që mbaja asokohe, ndihmës i sekretarit të Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës, ma mundësoi hyrje – daljen nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ditën e 2 korrikut 1990 dhe jam njëri nga dëshmitarët e rrallë që kisha informacione se çka po ndodhte brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe në oborrin e saj ku ndodheshin delegatët, të cilëve nuk po u lejohej hyrja brenda. Derisa atë ditë ndodhesha në mesin e delegatëve para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, njëri nga delegatët – Prof. dr. Skender Skenderi, mu afrua dhe kërkoi nga unë që po arrita të hyja brenda në ndërtesë, ta aranzhoj një takim të një grupi prej pesë a gjashtë delegatësh me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, zotëri Jusuf Zejnullahu.

Posa u ktheva brenda në ndërtesë, menjëherë shkova në katin e dytë, ku ishte kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, Jusuf Zejullahu. I tregova për kërkesën e grupit të delegatëve dhe për gjendjen që mbretëronte para hyrjes zyrtare të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Jusuf Zajnullahu pranoi me kënaqësi takimin me grupin e delegatëve. Menjëherë u ktheva te Prof. Skënder Skenderi, që ma ngarkoi detyrën dhe i thash se Jusufi, me kënaqësi, pranon takimin me ta. Pas meje menjëherë u nis grupi i delegatëve për takimin me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, Jusuf Zejnullahu. Në hyrje të ndërtesës kishte numër të shtuar milicësh serbë, të cilët nuk lejonin që delegatët të hynin brenda, pavarësisht se u shpjegova qëllimin e hyrjes së tyre. Ky delegacion i delegatëve arriti të futet brenda vetëm pas intervenimit të vetë kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës. Delegacioni i delegatëve që biseduan ditën e 2 korrikut me z. Jusuf Zejnullahun ishte në këtë përbërje: Prof. dr. Skender Skenderi, Muharrem Shabani, Bujar Gjurgjealo, Ramadan Kelmendi dhe Selvije Gjini. Tani pas tridhjetë e gjashtë vjetësh, mund ta kem harruar edhe ndonjërin nga pjesëtarët e atij grupi për çka kërkoj ndjesë, por këta që i përmenda më kujtohen saktësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok