22/12/2024

Ngjarja që mobilizoi stacionet policore në Rrafshin e Dukagjinit

0
u6_Ali-Zeqa1

Shfletim i Historisë

Në 27 vjetorin e Rezistencës së Bokshiqit

“Kemi përjetuar tortura të rënda në stacionin policor në Klinë, na kanë goditur me tyta pushkësh dhe mjete tjera të forta në të gjitha pjesët e trupit, por të gjitha i kemi përjetuar më lehtë sesa sharjet dhe fyerjet në baza kombëtare, dhe prapë duronim në pamundësi për të bërë gjë. Në atë moment jam betuar, se edhe nëse më ndodhë ndonjëherë në jetë që të më shajë ose ofendojë ndonjë shqiptarë, nuk do të më shkojë mendja për ta bërë edhe më të voglën gjë, por vetëm do t’i themë, të qoftë për nderë” (Halil Zeqa, 25 shkurt 1993).

Shkruan: Florim Zeqa

Ftesat për dorëzimin e armëve, shkas për ushtrimin e dhunës

Pas lënjes së ftesave për dorëzimin e armëve në fshat, me rastin e shkuarjes në polici të disa fshatarëve, ata ishin përballuar me dhunë ç’njerëzore të policëve serb, siq ishte rasti i Halil Zeqës dhe Haxhi Fazliut, të cilët edhe përkundër maltretimeve të rënda fizike dhe psiçike, ishin kërcënuar edhe me jetë,…por që në asnjë rrethanë nuk ishin dorëzuar dhe nënshtruar, duke mos e pranuar posedimin e armëve që në fakt i mbanin të fshehura në shtëpitë dhe pronat e tyre.

Kërkesat për dorëzimin e armëve ishin vetëm një pretekst i policisë serbe për ushtrimin e dhunës ndaj shqiptarëve.

Në këtë situatë ishte e domosdoshme ndërmarrja e hapave konkret në parandalimin e aksionit të armëve.

Kësisoji, fillimisht kryesia e fshatit muar vendim për organzimin e përbashkët të një rezistence paqësore, e cila për qëllim parësorë kishte pengimin e patrulles së policisë në momentin e hyrjes në fshat.

Për ta realizuar me sukses të plot këtë plan, kanë qenë të caktuara tre grupe fshatarësh që me çdo kusht ta ndalin patrullen e policisë serbe.

Grupi i parë e ka pas për detyrë ndaljen e patrulles përmes dialogut, me kërkesën për kthim të mënjëhrshëm prapa, në të kundërtën nëse policët ngulin këmbë hyrje në fshat, atëherë me policinë serbe do të vazhdojnë të mirren grupi i dytë, përkatësisht i treti sipas nevojës.

Ndjenjë krenarie dhe shqetësimi

Ashtu siq pritej, në mëngjesin e 23 shkurtit të vitit 1993, rrethë orës 08 e 45 minuta, automjeti (NIVA) më katër polic serb ja mësyjnë Bokshiqit.

Zakonisht, patrullat e policisë, para se të ngjiteshin për Bokshiq, ndalonin në fshatin Grabanicë. Mirëpo, kësaj radhe, patrulla e policisë e cila ishte nisur për Bokshiq, fillimisht ndaloi në shkollën fillor “Azem Bejta” në Grabanicë për të bërë një vizitë “rasti”.

Ishte pushimi pas orës së parë të mësimit, kur në lokalet e shkollës u futën 3 policët (serb të fshatrave fqinje), të cilët silleshin si kauboj nëpër korridorin e shkollës, ku pas disa minutave qëndrimi në brendi të shkollës, nga oborri shkollës me automjetin e policisë “NIVA” nisen për Bokshiq.

Duke i ditur parapërgatitjet në fshat, isha i bindur për atë që do të ndodhë.

Ashtu siq pritej, policët serb në hyrje të fshatit ndalohen nga grupi i parë i rezistencës, të cilët jo vetëm që i ndaluan, me shpejtësi dhe në mënyrë tejet efikase arrinë t’i çarmtorisn tre policët serb, të cilëve ua rrëmbejnë nga duart automatikët, duke i urdhëruar të kthehen prapa e të mos vijnë më në fshat.

Policët serb, të frikësuar dhe poshtëruar nga pritja që hasën nga fshatarët, para se të kthehen nga fshati Bokshiq, siq e kanë zakon, me një dinakëri ju luten fshatarëve deri në përulje që t’ua kthejnë armët (automatikët), me premtimin se nuk do t’i shohin më në fshat, duke ju kërkuar falje dhe mirëkuptim për gjithçka që kishte ndodhur deri në atë moment.

Pas një konsultimi në mes tyre, anëtarët e grupit të parë të rezistencës; Muhamet Zeqa, Ukë Musa, Ismet Zeqa, Mustafë Binaku, Demë Keka, etj. ua kthejnë armët policëve të dëshpruar dhe dorëzuar njëkohësisht.

Policët e dëshpruar, të mundur dhe turpëruar në fshatin Bokshiq, me të khtyer në stacionin policorë në Klinë, i alarmojnë të gjitha stacionet policore dhe ushtarake në Rrafshin e Dukagjinit dhe më gjërë.

Nga momenti i çarmatosjes dhe kthimit të policëve serb nga Bokshiqi, për fshatarët fillon ndjenja e krenarisë dhe mobilizimit të përgjithshëm, por njëkohësiht edhe e shqetësimit të madh se çfarë do të ndodhë në orët e ardhshme.

Ishte ky rasti i parë që kishte ndodhur deri më tani në komunën e Klinës, që ishte kthyer prapa e gjunjëzuar policia e Serbisë, dhe ishte rezistenca e parë aktive në pengimin e aksionit famëkeq të armëve në nivel vendi.

Nga mëhalla e Mekajve e deri të mëhalla e Ramzeqëve, në një distancë prej vetëm 100 metrash, kanë qenë të tubuar të gjithë burrat e fshatit dhe fshatrave për rreth.

Nga bisedat e bashkëfshatarëve vërehej gatishmëria e madhe që të vazhdohej me rezistencën luftarake pa llogaritur pasojat, por kishte edhe të atillë që tërheqja nga veprimet e radhës do të jetë akoma më e dëmshme.

Megjithatë, dominonte mendimi i përbashkët se policia serbe do të rikthehet kah mbrëmja me përforcime të mëdha. Prandaj, e këkohej zgjidhja që nga kjo situatë të dilet me sa më pak pasoja, duke mos provokuar dhunë të cilën policia serbe do ta përdorte si shkas për hakmarrje ndaj pleqve, grave dhe fëmijëve në shtëpitë tona.

Për këtë arsye u mor vendimi që turma e bashkëfshatarëve të shpërndahet jo nëpër shtëpi, por në pika të caktuara si dhe të vazhdohet me rojet të shtuara nëpër fshat.

Evitimi i një masakre të planifikuar nga pushtuesit serb

Pas kthimit prapa të policëve serbë, në mesin e banorëve të fshatit, krahas ndjenjës së krenarisë, ishte shqetësimi së çfarë do të sjellin orët në vazhdim.

Gadishmërisë së bokshiqasve për vazhdimin e rezistencës së armatosur ju bashkangjitën edhe fshatrat për rrethë si; Grabanica, Dollova, Këpuzi, Qeskova, etj. Por falë intervenimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, ndodhi evitimi i një masakre të madhe të planifikuar nga pushtuesit serb.

Të njëjtën ditë, rrethë orës 16 e 30 minuta, ndodhi sulmi më i madhë i policisë serbe, i njohur deri atëhere në komunën e Klinës e mbase edhe në Kosovë.

Ishin 32 policë më armatim luftarak, e 7 automjete policore që hyjnë dhunshëm në fshat, duke demoluar,  thyer dyer e dritare të shtëpive që ishin cak i tyre, siq ishte shtëpia e kuvendeve te rezistencës në qendër të fshatit. Për të vazhduar më rrahjen e grave;  Hate Zeqa (80), Gjylshahe e Servete Zeqa,…pastaj më rrahjen e të moshuarve; Ali Zeqa (65), Halil Zeqa (63), Avdyl Fazliu (70), Ramadan Uka (54), Binak Uka e kështu më radhë…deri të Gëzim Gashi (mysafir i rastit).

Policia serbe në mungesë të organizatorëve të kësaj rezistence dhe të rinjëve që kërkoi, arrestoi të gjithë burrat e fshatit që i gjeti nëpër shtëpitë e tyre, duke i rrahur e fyer fillimisht në prezencën e familjarëve te tyre; Ali, Halil e Avdyl Zeqa, Haxhi, Avdyl e Daut Fazliu, Dedë e Martin Hamza, Ukë Musa (kryetar i aktivit të LDK-së), Ramadan Uka e Rasim Binaku…për ti dërguar të gjithë së bashku në stacionin policor të Klinës, ku i rrahin në mënyrën më ç’njerzore deri në orët e mëngjesit të 24 shkurtit 1993.

Ashtu të dërmuar nga torturat, të përgjakur, më plagë të rënda trupore, pasi ua hapin derën, më shkelma e grushta, kondak pushkesh i hudhin në rrugën e mbuluar më borë e akull!

Mirëpo nga lendimet e rënda trupore, një muaj më pas, në spitalin e Pejës ndërron jetë Ali Zeqa, 65 vjeqar. Ishte ky dëshmori i orëve të para të lirisë sonë.

Nga rënja e këtij dëshmori politika shqiptare e asaj kohe ka përfituar poena politik në qarqet ndërkombëtare, derisa sot, ky dëshmor anashkalohet qëllimisht nga politika aktuale, ngase asnjë fjalë nuk u tha e nuk u shkrua për këtë martir të lirisë sonë.

Kujtimi për Rezistencën e Bokshiqit ruhet në artikuj të të gazetave të asaj kohe, si dhe në kujtesën e qytetarëve të Klinës.

Për ngjarjën e 23 shkurtit të vitit 1993, të aksionit policor mbi ketë fshat, ishte shkruar shumë nga mediat vendore e ndërkombëtare.

Ishte ky rasti i parë i rezistencës në komunën e Klinës, i cili pati jehonë të madhe në qarqet ndërkombëtare, me ç’rast fshatin Bokshiq e vizituan; OSBE-ja, Këshilli për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut me seli në Helsinki dhe gazetarë e reporter të mediave ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok