17/11/2024

Ngjarja makabre, 10 tetor 1947, dita kur u vra opozitarizmi shqiptar

0

Atë ditë iu shkul Shqipërisë një grusht intelektualësh të diplomuar në Oksford, Torino, Strasburg, Lion, Monpelje

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Sot 77 vjet nga vrasja e 5 deputetëve dhe 11 intelektualëve që ishin ose cilësoheshin kundërshtarë të regjimit komunist dhe politikës së tij të brendshme dhe të jashtme. Pinjollë të familjeve të njohura e me tradita patriotike, u nxorën para gjyqeve politike, në përpjekje për të shkatërruar njëherë e mirë çfarëdolloj opozite që mund të prodhonte shoqëria shqiptare ndaj sistemit diktatorial komunist që po impononte klika e ardhur në pushtet me dhunën e pushkës. Një datë kur u bë fakt vrasja e opozitës në diktaturë . 77 vjet më parë, u ekzekutuan nga regjimi 16 deputetë dhe intelektualë të cilësuar bashkëpunëtorë të tyre. Por nuk ishte vetëm kaq. Atë ditë iu shkul Shqipërisë një grusht intelektualësh të diplomuar në Oksford, Torino, Strasburg, Lion, Monpelje dhe bijsh të familjeve patriote. Disa u vranë, disa u burgosën gjatë, duke u eliminuar nga jeta publike ku mund të jepnin kontributin e tyre të vyer.

Grupet e deputetëve

Megjithëse njihen si “grupet e deputetëve”, në këto grupe që u gjykuan dhe u dënuan nga viti 1946-1948 vetëm një pjesë ishin deputetë, por duke qenë ndoshta pjesa më e zëshme, u dhanë emrin gjithë proceseve. Akuza formoi tre grupe të tilla. Grupi i parë u akuzua pas Lëvizjes së Postribës, në shtator 1946 dhe u quajt “grupi i Riza Danit”. Më pas u akuzua “grupi i Shefqet Bejës”, të cilët u gjykuan dhe u dënuan më përpara. Në vitin 1948 pati edhe një grupim të tretë, pa asnjë deputet në përbërje, por që akuzohej për marrëdhënie me të dënuarit e dy grupeve të para. Gjyqi ndaj grupit të Shefqet Bejës u zhvillua në kinema “17 Nëntori” gjatë shtatorit 1947. Në atë proces u gjykuan 24 vetë, nga të cilët 16 vetë u dënuan me vdekje. Pesë nga të dënuarit me vdekje ishin deputetë: Shefqet Beja, Sheh Ibrahim Karbunara, Dr.Enver Zazani, Selaudin Toto dhe Irfan Majuni. Tre u dënuan me varje: deputeti Shefqet Beja në Tiranë, inxhinier Sulo Klosi në Rubik, diplomuar në Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg dhe inxhinier Riza Alizoti në Kuçovë, diplomuar në Oksford, specializuar për shfrytëzimin e minierave në Strasburg; 13 të tjerët me pushkatim. Ky proces pati edhe një viktimë të 17-të, babanë e dy dëshmorëve, deputetin Kolë Kuqali, i cili vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga torturat, pa mundur të dilte në gjyq, por zyrtarisht e shpallën të vetëvarur në spitalin ushtarak të Tiranës. Grupi i deputetëve akuzohej për formimin e një organizatë tradhtare-sabotatore, të lidhur me kriminelët e luftës jashtë dhe brenda Shqipërisë dhe të shtyrë e të ndihmuar nga agjentët e imperializmit anglo-amerikan. Akuzoheshin për krijimin e një Komiteti Qendror, kryesuar nga Shefqet Beja. Akuzoheshin se kishin kryer akte sabotazhi, spiunazhi, terrorizmi për rrëzimin me forcë të pushtetit popullor dhe për sjelljen në fuqi të regjimit shtypës të Ballit e Legalitetit. Akuzoheshin si të lidhur me Misionin Amerikan në Shqipëri dhe aspirantë për një demokraci perëndimore, etj… Ata ishin pjesë e grupimit të vetëm që përbënte Kuvendin, “Frontit Demokratik”, të ftuar në zgjedhjet e dhjetorit 1945, për meritat dhe vlerat e tyre, që do e bënin edhe më të besueshëm këtë grupim para zgjedhësve. Ftesë që si duket e pranuan duke besuar në kontributin që mund të jepnin për rindërtimin e Shqipërisë, por kur vendimet e qeverisë po preknin interesat e vendit, ata ishin të parët që ngritën zërin duke krijuar një opozitë brenda parlamentit, ndaj së cilës vetë diktatori Hoxha kërkoi marrjen e masave me anë arrestimesh dhe dënimesh.

Ata kishin qëndrime proamerikane

Ata kishin qëndrime proamerikane, kishin kontakte me aleatët, dëshironin bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, ndryshe nga orientimi lindor i qeverisë shqiptare, kishin një vizion perëndimor, pra ishin kundërshtarë të linjës së politikës së brendshme dhe të jashtme të Partisë Komuniste, por asnjë nga këto nuk mjaftonte për t’i dënuar ata me varje, pushkatim e burgim. Po të mjaftonte, për deputetët do të shërbenin si provë fjalimet në sallën e parlamentit siç ishte fjalimi i bujshëm i Riza Danit që kundërshtoi me argumente Hoxhën dhe projektkushtetutën e parë dhe as ata, as të tjerët, nuk do ishte e nevojshme të torturoheshin për të pranuar akuza të tjera. Akuza që do të përdoreshin për t’i dënuar, por që ishin të sajuara. Manipulimi i hetimimit dhe torturat e përdorura dalin nga raportet e oficerëve hetues dhe nga dëshmitë e të dënuarve të mbijetuar.

Të destinuar për t’u eliminuar me çdo kusht

Ish I dënuari politik Agim Musta para 8 vjetësh  ka sjellë në kujtimet e tij për Telegraf, dëshminë e profesor Foto Balës, të dënuar me burgim të përjetshëm në gjyqin e deputetëve. “Më 1945 më caktuan profesor në gjimnazin e Gjirokastrës, duke më survejuar natë e ditë, derisa më arrestuan nga mesi i vitit 1946. U akuzova se kishim krijuar grupin e Neoballistëve, se ishim lidhur me misionet anglo-amerikane dhe plot marrëzira të këtij lloji, që jo vetëm s’i kishim bërë, por as në ëndërr s’i kishim parë. Më dërguan në Tiranë. Në fillim më trajtuan butë, por kur unë nuk pranova të pohoja ato që më servirnin, hetuesit xhahilë filluan torturat nga Mihallaq Zixhishti, Stavri Xhara, Kadri Hazbiu e të tjerë, që tmerrohem dhe sot kur i kujtoj. U thashë se isha gati të pranoja çfarë të donin, vetëm t’i ndalonin torturat. U ndritën sytë dhe filluan menjëherë të mbushnin procesverbalet. Nën këtë trysni shkrova se isha anëtar i kryesisë së komitetit neoballist, se isha agjent anglo-amerikan-francez, se do të vritnim gra, pleq dhe fëmijë, madje edhe Krishtin dhe Muhametin po të ishin gjallë dhe plot marrëzira të neveritshme, që vetëm mendja e komunistëve mund të shpikë. I ndjeri Enver Sazani, me të cilin qëndrova disa ditë në qeli, më tregoi se hetuesi Mihallaq Zixhishti i kishte djegur dhe sytë me cigare, gjersa i kishte marrë pohimin se ishte agjent anglo-amerikan-francez. Doktor Sazani më tregonte gjatë ditëve të fundit të jetës së tij se hiena Mihallaq i kishte pasë thënë se këto pohime i donin shokët jugosllavë për të demaskuar imperializmin…”

Viktimat e 10 tetorit 1947

Shefqet Beja 35 vjeç, tregtar, demokrat e patriot. Lindur në Durrës e banues në Tiranë. Sulo Klosi 36 vjeç, i ati, Ismail Klosi, hapi shkollën e parë shqipe në Mallakastër. Gjatë luftës është i lidhur me forcat nacionaliste. Viti 1947 e gjen kryeinxhinier në Rubik. Dënohet me varje. Riza Alizoti 37 vjeç, kryen filloren ne Kolegjin Robert të Stambollit. Vazhdon Tekniken e Fultcit në Tiranë. Sheh Ibrahim Karbunara 67 vjeç. Një ndër ata patriotë që me Ismail Qemalin firmosën Shpalljen e Pavarësisë (1912). Dr. Enver Sazani 37 vjeç. Mbaron shkëlqyeshëm gjimnazin e Korçës. Kryen studimet e larta për mjekësi, dy vjet në Monpelie, pjesën tjetër në Lion. Salim Kokalari 50 vjeç. Kryen filloren në Gjirokastër. Në vitin 1916 emigron në Amerikë. Në vitet 1920-1924 është pedagog në Liceun Francez të Gjirokastrës. Selaudin Toto 33 vjeç. Vëlla i Ethem dhe Ismet Totos, të vrarë nga Zogu si kundërshtarë të tij. Kryen Shkollën Teknike të Fulcit shkëlqyeshëm. Muhamet Prishtina, më i riu 22-vjeç. Ndoshta do të flijohej në atë moshë të njomë vetëm e vetëm pse ishte djali i patriotit Jahja Prishtina, njëri nga anëtarët themelues të Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe nip i kryetarit të këtij Komiteti, patriotit Rexhep Kadri Prishtina. Paolo Saggiotti, 40 vjeç nga Gova e Italisë. Pasi kreu studimet ne Institutin Industrial, vjen me 1931 për të punuar ne AIPEN e për të gjetur “pushkatimin” në Kuçovë. Irfan Majuni, 36 vjeç nga Dibra banues në Tiranë, nëpunës, i martuar me fëmijë. Deputet i legjislaturës së parë. Dënuar me vdekje. Tefik Deliallisi, 37 vjeç nga Shijaku, banues në Durrës, mësues, i martuar me fëmijë. Dënuar me vdekje. Hysen Shehu, 35 vjeç (djali i Sheh Karbunarës), i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje. Beqir Qela, 34 vjeç nga Durrësi, mësues, i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje. Abdyl Kokoshi, 37 vjeç nga Vlora, me arsim të lartë (fakultet drejtësie), banues në Tiranë, i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje.Pertef Karagjozi, 39 vjeç nga Gjirokastra, banues në Tiranë, nëpunës, i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje. Agathokli Xhitomi, 59 vjeç, nga Përmeti banues në Përmet, shkrues publik, i martuar e me fëmijë. Dënuar me vdekje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok