21/12/2024

Ngërç hakmarrës (VI)

0
Vilhelme-Vranari

-Novelë

Pjesa – 6-

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj- Vivra

Sa u ktheva nga Rumania, fjala e kryeministrit u zbatua nga Ministria e Financës. Nga frika se mos humbisnin apo rrëzoheshin nga kolltuku i partisë-shtet, më dëbuan nga puna edhe pse më quanin “Profesor Agroni, shkencëtari i palodhur”. I hodhën pas krahëve dogmat e tyre marksiste bashkë me furçat e servilizmit që nuk ka ngjyra të tjera veç të errtës dhe më çuan si ekonomist i thjeshtë në kooperativën bujqësore malore të Dukatit në Vlorë. Aty punova nga viti 1979 deri në vitin 1982. Familja ime për tre vjet jetoi në kushte shumë të vështira vetëm për të mbijetuar me pagën qesharake me 30 lekë për ditë pune. Veç për një gjë falenderoj Zotin, bashkëshorten si dhe miqtë e mi që në çdo rast nuk më harruan. Moralisht dhe fizikisht ata kanë qenë mbështetja ime kryesore.

Për deri sa çdo qytetar i Shqipërisë diktatoriale, qoftë edhe njeriu i partisë ose kundërshtar i saj, nëse kalonte kufirin pa vizë apo pa lejë kalimi, në mënyrë klandestine, në fshehtësi apo vjedhurazi nga rojet kufitare, trajtohej si tradhtar i partisë -shtet.  Si për një njeri që vinte nga një familje e deklauar, edhe Agroni që, edhe pse xhaxhanë e kishte dëshmorë të luftës së Vlorës, kurse dajon dëhmorë të luftës çlirimtare, vetëm pse nuk pranoi të bëhej anëtar partie, u trajtua po aq ashpër si i deklasuar nga lufta e egër e klasave.

Vështirësitë ekonomike që pushtuan vendin pas shkëputjes edhe me Kinën, ndërkohë pati dhe njëfarë “zbutjeje” deri diku e luftës së klasave, në kohën e 80 pëqindshit, kur ekonomia ishte në asfiksi astme të plotë, i detyruan qeveritarët ta kthenin shkencëtarin e pazëvendësueshëm në Ministrinë e Financave. Tashmë me titullin “Profesor” Agroni aty punoi me vetmohim si sekretar shkencor deri në vitin 1990.

Agroni, si njeri përparimtar dhe pinjoll i një familjeje me ide nacionaliste, përkrahu proceset demokratike dhe u vendos familjarisht në vijën e parë të luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste. Në vitin 1992 u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Nga viti 1992 deri në vitin 1994, ka qenë Drejtor Ekonomik i Radio Televizionit Shqiptar dhe nga viti 1994 deri në vitin 1996, drejtor Ekonomik në Qytetin Studenti.

Ai flet me krenarinë e prindit të dhembshur  për fëmijët e tij:

-Jetën tonë si çift e kanë plotësuar më së miri dy fëmijët tanë, djali dhe vajza, të cilët vazhduan arsimin e lartë në ato vështirësi dëbimi dhe përndjekjeje. Ata të dy shkëlqyen në degën që përzgjodhën. Ndaj shprehem për ta me mburrje, se janë mirënjohja dhe krenaria jonë si prindër dhe si gjyshër. Me një nip nga djali dhe një mbesë nga vajza, jam i lumtur që ata jetojnë dhe punojnë në liri të plotë, larg intrigave, shpifjeve dhe thashethemeve të njerëzve të paditur që kanë mohuar vlerat e kombit.

Me rënien e Murit të Berlinit, edhe me ndryshimet politike sociale që ndodhën në vendin tonë, u nda shapi nga sheqeri. Shqiptarët u ballafaquan me një të vërtetë të madhe. Fenomenet sociale negative që ishin mbajtur nën dhunën e kërbaçit të diktaturës hoxhiane, dolën nga strofkat të tkurrur nga frika, si kërpudhat pas shiut. Kurse servilët e Partisë, ndërruan uniformën, nga e kuqe e bënë blu. Çudia më e madhe ndodhi tek ata bastard që i zinte gjumi të kuq dhe në mëngjes dilnin të veshur me manto blu. Kurse ajo “Tjetra” dhe ata “Të Tjerët”, servilët me puthadorët e partisë së Punës që e kujtonin veten të pathyeshëm, edhe kur ranë nga pendët dhe humbën pozitat e dikurshme, përsëri nuk e ulnin hundën.  Edhe pse nuk pranonte fundin e hidhur, “profesoresha” me diplomën e shkollës apo të kursit 6 mujor të partisë priste dhe priste…

Po çfarë priste akoma vallë? Tek e fundit pas shumë e shumë të këqijave që kishte kurdisur, hakmarrja e drejtësisë u dha shpërblimin e merituar, jo vetëm asaj, por gjithë të tjerëve pa dinjitet që e kishin shitur surratin e tyre të pistë, të ndyrë dhe të palyrtë për pesë qindarka…

Pavarësisht nga të këqijat dhe dëmet që u kishin sjellë qytetarëve, jo tani që u ranë pendët, kanë ngelur si kokoshi i lagur, dhe si peshku pa ujë. Në kohën e tyre, kur, pa u menduar vrisnin e prisnin kokat e fajtorëve pa faj, hakmarrja e drejtësisë, u qëndronte mbi kokë si sëpata e Liktorit. Gjëmat e tyre makabre prej xhelatësh kërkonin shpagim hakmarrjeje.

Unë si Agron, jam kundër hakmarrjes së njeriut ndaj njeriut.Shpagimin e padrejtësisë së tyre e bënë dora e drejtësisë e udhëhequr nga Zoti. Asnjëri prej atyre përbindshave të panumërt, nuk doli para gjyqit të drejtësisë. Por shpagimin e ngërçit të shkaktuar nga bëmat e vetgjyqësisë prej xhelatësh, e morën papritur dhe pa kujtuar. Kur Agroni gëzonte sukseset e veta, të djalit apo të vajzës të cilëve u dhuroi sekretin e dashurisë për teorinë e numrave, ajo “Tjetra”, ai “Tjetri”, apo ata “Të Tjerët” përjetonin hidhërimin më të madh për veten e tyre apo për fëmijët. Me paturpësinë më të madhe i ishin kthyer besimit fetar, të cilin e kishin ndaluar me dhunë dhe me tragjedi makabre. Nuk e kuptoj se si kishin kurajo dhe i drejtoheshin Zotit, kur ata shkatërruan me dhunë gjithë institucionet fetare dhe dënuan me burgim të përjetshëm gjithë klerikët të të dy besimeve. Me sytë drejt qiellit pyesnin mes një dëshpërimi të thellë:“Çfarë të keqe të paskam bërë, o Zot që më dënove kaq rëndë?!”

Një zë i brendshëm nga trupat e tyre të kalbësyer që kishte ngelur i pa cënuar nga ligësitë e secilit prej tyre, klithi aq fort sa i la pa frymë:

-Paskeni harruar, more të pafè, se çfarë keni bërë? Vetëm një rast po ju kujtoj. Dhunën, ngërçin e shkaktuar nga përndjekja juaj shkatërrimtare pa asnjë arsye ndaj një gjeniu, Agronit, shkencëtarit që nderoi vendin e tij me zbatimin e matematikës lineare…Ky bashkëpuntor i palodhur i botës së kulturuar, në marrëveshje shkencore me universitetet më në zë të kohës, Oksfordit, Amerikës, Kanadasë, Francës, Italisë etje… u tregoi juve e të gjithë shqiptarëve se gjenialitetin, sado që ta ndalosh, ta pengosh me të gjitha mënyrat vrastare, madje ta fundosësh në fund të detit, ai del mbi sipërfaqe, se besimi në Zot dhe shkencë, u përket njerëzve të virtytshëm. Tani që po provoni dhembjen në veten tuaj, duhet të kujtoni ç’ gjëma tragjike keni bërë dhe të besoni se çfarë plage të pashërueshme u keni hapur njerëzve të pafaj.

Ata “Të Tjerët” fryheshin nga marazi i egos, smirës, mllefit, urrejtjes dhe hakmarrjes, kur ky matematicien i shquar i vendit, i pari që në kushtet e vështira të diktaturës aplikoi matematikën lineare, shkencëtari dhe bashkëpunëtor i katedrave shkencore më në zë të kohës. Ky shqiptar i vlerësuar nga universiteti Oksfordit, i ShBA-ve, Parisit, Bukureshtit apo Kanadasë së largët për punën e tij shkencore, shpesh herë binte ndesh me teoritë e Ajnshtajnit.

Vuajtjet, denigrimi dhe lufta që i bën peshkaqenët e vegjël, nuk ia zbehën Agronit trashëgiminë kulturore të familjes, as dëshirën e tij të ethshme për të njohur botën e pafundme të numrave dhe kalkulimeve. Gjatë viteve të krizës botërore, ai nuk u step as nga shiu e as nga bora, herë i ngrënë, herë i pangrënë, herë i mbathur e herë i zbathur, përditë me çantën në sup, duke zgjidhur me mendje ekuacione me shumë të panjohura, ecte më tepër se një orë në këmbë vetëm për të marrë dituri. Talenti i tij shpërtheu qysh në shkollën e mesme, ku Agroni shkëlqeu duke qenë fitues i disa olimpiadave të matematikës në shkallë vendi. Në këtë mënyrë rriti e madhoi emrin, autoritetin dhe famën e gjimnazit “Ali Demi”, që u rendit një ndër shkollat e mesme më të shquara të vendit të asaj kohe. Arritjet e tij prej gjeniu ishin pasojë e studimit sistematik. Ai i ri  i papërtuar, me shumë vullnet, edhe pse i përndjekur nga hibridët e vemjeve të sigurimit të shtetit, përkthente gjithë arritjet shkencore të kohës, nga rusishtja dhe anglishtja. Paralel me aplikimet e reja shkencore në fushën e matematikës dhe statistikës madje edhe jashtë vendit, ai ishte i pari matematicien apo ekonomist në vendin tonë që përfundoi studimin për aplikimin e matematikës lineare në prerjen e materialeve për të fituar ndërmarrja apo shteti edhe nga mbeturinat ose hedhjet që shkonin dëm. Pas kryerjes së studimeve me rezultate të shkëlqyera, ai meritonte të ishte graduat akademik, pedagog statistike a matematike në Universitet.

Ndërkohë ai ka qenë bashkautor në shumë libra universitarë për financimin e ekonomisë dhe futjen e metodave matematikore në ekonomi. Por lufta e njerëzve të ulët e intrigantë i qëndronte mbi kokë duke e ndjekur hap pas hapi, ndaj e degdisën në Përmet dhe më pas në Dukat të Vlorës. Edhe pse larg familjes, ai nuk u tut, por vazhdoi studimet shkencore.

Pas botimit të tri librave për metodat matematikore të aplikuara në ekonomi, paralelisht punonte me një libër për Krizën Ekonomike Botërore, ku pikërisht në këtë studim ra ndesh me teoritë e Ajnshtajnit. Me ndarjen nga jeta në një moshëdhënieje vlerash shkencore, ai la shumë projekte në mesrrugë. Megjithatë ai baba i palodhur, që punoi në shërbim të së mirës, i dhuroi së bijës sekretet dhe dashurinë për numrat, vullnetin për të njohur të fshehtat e botës universale që na rrethon dhe i edukoi dëshirën për të kërkuar më shumë nga vetja. Ky shqiptar i mirë, fisnik nga rrënjët, e ka merituar renditjen mes elitave të vendit, madje si gjithë të tjerët, si figurë e shquar e kulturës kombëtare , ai e ka vendosur veten në panteonin kombëtar. Agroni i dhà aq shumë kombit të tij, kurse partia- shtet, veç vuajtjes dhe heshtjes misterioze, nuk i dha asnjë shpërblim. Ndaj shpreh mirënjohjen time për personalitete të tillë të kombit, me citatin:

S’është kombi që nderon njerëzit e shquar, po janë ‘ATA’ që ia rrisin vlerat dhe nderojnë  KOMBIN!”Vivra

Mbyllje…  Shpagim

Unë si autore,këtë libër me titull,“Ngërç hakmarrës” e formulova dhe e strukturova në bazë të kujtimeve të Agronit, personazhit kryesor, rreth të cilit shtjellohet e gjithë përmbajtja. Ankthi apo ngërçi hakmarrës që e shoqëroi atë deri në frymën e fundit ishte një torturë e vërtetë. Ndaj Ai, si personazh bëhet simbol i dijes, përfaqësues i shkencës dhe i mirësisë për gjithë shqiptarët, jo vetëm të djathtë, por edhe të majtë që i anatemoi dhe u mohoi vlerat një regjim totalitar. Që nga mijëra kilometra larg, nga vendet e demokracisë, nga Amerika apo Kanadaja, Ai rrëfen ngadalë e me dhembje, enigmat, ankthet dhe traumat e jetës.

“Ngërç hakmarrës”është një novelë përgjithësuese, sepse jo vetëm Agroni, por dhe personazhet e tjerë që janë me qindra dhe mijëra, si, ajo “Tjetra, ai “Tjetri” dhe ata “Të tjerët”gjenden kudo, madje me shumicë numerike si simbioza të së keqes dhe ligësisë.

Në personin me emrin “Agron”, kam shkrirë dy identitete reale. Unë me sytë e mendjes shoh dy intelektualë të shquar të kombit, thuajse me të njëjtin fat, të cilët me punë studimore, me vullnet dhe kurajo, mes zjarrit të një lufte personale ndaj tyre, ata të dy me profesionalizëm,dolën mbi veten dhe krijuan identitetin e tyre intelektual tejet personal,individualitetin dhe një emër të madh elitar në fondin e artë të kulturës kombëtare.

Me vullnet, me palodhshmëri përmes studimeve më të reja të shkencës në botë, e shndërruan veten në Personalitete të Shquara të Kombit. Ata e kanë ngritur vet Panteonin e tyre, duke qëndruar në majën e tij, si simbol të kulturës së re përparimtare, sepse botëkuptimi i tyre mbi jetën, mbi të ardhmen dhe rolin e shkencave, i ka kaluar kufijtë apo caqet e kalbura të një shoqërie astmatike mesjetare, që ende merr frymë me supa. Njëri nga këta dy persona të shkrirë në një trup të vetëm, jeton dhe jep vlerat e tij shkencore të pakundërshtueshme, veçse larg tokës mëmë.

Në këtë novelë rrëfehet një e vërtetë e hidhur nga Agroni, i cili nuk mbart urrejtje dhe as që kërkon hakmarrje ndaj keqbërësve, sepse vlerëson se dhe ata “Të Tjerët” megjithëse e kanë  shpirtin të zi, janë si ai, të një race, të një gjaku, flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëjtat tradita. Edhe pse larg dhe me një jetë gjithë ankthe dhe shqetësime, atij njeriu të mirë i erdhi keq kur dëgjoi fundjetën e kundërshtarëve të tij,se dikujt i prenë njërën këmbë, tjetrit të dy këmbët, njëri prej tyre vdiq pas një agonie të tezhajtur i paralizuar, dikush vdiq ngaankthi i kancerit, kurse njëri prej tyre, përjetoi dhembjen më të madhe të prindit, vdekjen aksidentale të fëmijës së tij.

Ky ishte Agroni, që nuk u gëzua për fatkeqësinë e secilit prej atyre që ia kishin nxirë jetën, po me dhembje u shpreh:

-Askujt nuk ia kam dashur të keqen, por koha si gjykatësja më e mirë, mori hak. Ndoshta, ndoshta ishte tepër vonë, por koha vonon, por nuk harron të marrë hak. Ndaj me të drejtë thuhet: “Hak pa marrë dhe borxh pa larë nuk ngelet në këtë botë!”

Aspektet e novelës që rrjedhin si uji i burimeve të ftohta të lugjeve tona, të mbajnë peshë deri sa lexon edhe fjalën e fundit. Flitet për fatin e njerëzve të veçantë, intelektualë të lindur, idetë e të cilëve tejshtrihen në tërësinë e jetës sociale apo akademike brenda dhe jashtë trojeve amëtare, madje edhe në katedrat akademike matanë kufijëve tanë. Ngjarjet e trishta, që kanë lënë pas shijen e hidhur të dhembjes, sa e sa trauma psikike, sa vuajtje shpirtërore, sa plagë që ende, edhe pas dhjetëra vitesh pikojnë gjak dhe vrer, janë mëkt i pashlyeshëm. Të gjitha pasojat që lanë ditëzinjtë, të fusin në mendime të thella, nga të cilat dalin pyetje enigmash pa fund dhe ngelen ende pa përgjigje. Në novelë keqbërësit janë personifikuar me nocionet abstrakte, ajo “Tjetra”, ai “Tjetri”,ata “Të Tjerët”, të cilët tek të pafajashmit ka lënë zvargur një laklitar dhe një ngërç frymëmarrës që nuk shërohet kurrë. Kjo rrëfehet në novelë ngadalë mes gjykimeve social-psikologjike, mes një monologu apo dialogu filozofik të vetëqenies si një frymor i mbinatyrshëm, ku ngërthehet jeta, shpirti dhe mendja e helmatisur nga krimet makabre të atyre “Të Tjerëve”. Mes pabesisë, servilizmit dhe përndjekjes së tyre të paskrupull, ata “Të Tjerët” kanë vrarë interesat dhe identitetin shpirtëror, ndërgjegjësor dhe social të fajtorëve të pafaj, sepse i veçuan nga të tjerët duke u vënë damkën e mohimit dhe të turpit. Në kushte të tilla krimi moral, mendor, shpirtëror, fizik apo jetik, ngre krye ndaj padrejtësisë “Mbiuni”,“Mbinjeriu” e “Mbindërgjgjja”.          Vetëm duke e parë veten me një sy tjetër, apo nga një këndvështrim më i gjerë, atëherë je në gjendje t’i kundërvihesh së keqes me çdo lloj forme.

Agroni para disa vitesh u kthye për pushime në shtëpinë që kishte blerë në Rivierën e magjishme shqiptare në gjirin e bukur të Vlorës, përballë tri portave hyrëse të qytetit, Karaburun, Sazan dhe Triport. Nga ai qytet ku u formua si individualitet, Agroni ishte në kulmin e punës studimore dhe vlerave shkencore të matematikës lineare, kur u nda nga jeta e ndërkohë kishte ende shumë për të thënë. Iku shkencëtari përmes heshtjes së heshtur, u nis pa bujë në udhëtimin e tij të përjetshëm. Paçka se iku si një i mohuar, por u largua i qetë si një baba i lumtur, pasi të dy fëmijët ndoqën rrugën e tij. Si një intelektual i formuar, Ai u mësoi atyre të dyve sekretet dhe lumturinë e numrave, duke u lënë trashëgimi kulturën shkencore. Mbi të gjitha ai e nisi rrugën e përjetësisë me ndërgjegje të pastër.

Djali i tij ekonomist, jeton dhe punon si biznesmen në Kanada. Kurse vajza studioi për Fizikë kuantike në universitetin e Tiranës. Studimet pasuniversitare i kreu në ShBA, pas vitit 1991. Sot ajo është kozmologe dhe pedagoge universiteti në ShBA, ku jep kozmologjinë dhe identifikon zbulimet e saj shkencore rreth të fshehtave dhe mundësive jetike të multiversit në shërbim të Agjensisë së Hapësirës Kozmike -NASA.

Kurse babai i tyre, Agroni erdhi t’i prehen eshtrat e lënduara në paqe në qytetin e Diellit, në perlën margaritare, në Rivierën e bukur e të magjishme jonike, aty ku kanë folenë perënditë.

Çudi!

Përse vallë humbjen e jetës së një dijetari, të një matematicieni të ndritur e shoqëroi heshtja e heshtur?! Kësaj pyetjeje i përgjigjet antivlera që ka zënë vendin e vlerave reale dhe të vërteta shkencore.

Eh,bota!

Bota nuk i ka Elitat dhe i nxjerrë nga dheu njerëzit e famshëm, i ringjallë, i nderon duke i vendosur në Panteonin e kombit të vetë, pavarësisht se ç’racë janë, ç’ngjyrë kanë apo çfarë gjuhe flasin. Kurse ne i kemi elitat e kombit dhe i varrosim për së gjalli ose u nxjerrim eshtrat nga varri që t’i diskriminojmë, edhe pas vdekjes, megjithëse e dimë që i vdekuri nuk mund të marrë as të japë dhe s’mund të bëjë asgjë.

Pas leximit të librit, secili do të shprehet: “Në këtë novelë gjej veten edhe unë, edhe ti, edhe ai tjetri, sepse të gjithë qytetarëve të këtij vendi të lashtë u ka mungur liria, e cila është shumë dimensionale.”

Ndaj me bindje them: “Njeriut që i mungon liria vetjake, ngjet me një vend të pushtuar e të skllaëruar nga i huaji!”.

Vivra

*–*   Vlorë, 11 shator, 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok