23/12/2024

Nga politika inatçore tek ajo armiqësore!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Në historinë më të re të Kosovës viti shkollor 2022/2023 do të mbahet mend si viti më i mbrapsht i segregacionit apo ndarjes së shkollave dhe nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve sipas përkatësisë partiake, gjegjësisht të ndarjes së popullatës në dysh, pro&kontra grevës!

Segregacion i paparë mes dy shtresave të popullsisë

Ndarja në dy taborre e prindërve dhe mësimdhënësve, pro&kontra grevës shkon në favorin e politikës e në dëm të nxënësve, të cilët po e pësojnë shkaku i inateve personale, grupore dhe partiake.

Të dy taborret e barrikaduara i jepin të drejtë vetes, por në fakt asnjëra palë nuk ka të drejtë absolute të bllokojë fillimin e vitit të Ri shkollorë, gjegjësisht procesin edukativo arsimorë në vendin tonë.

Simpatia ndaj një partie ose tjetre i ka bërë prindërit dhe arsimtarët t’i harrojnë fëmijët, përkatësisht nxënësit e tyre! Kjo është tragjikomedi e llojit të vet, e paparë dhe e padëgjuar jo vetëm në historinë 32 vjeçare të shtetit të Kosovës, por as në vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Greva nuk ka të ndalur për fajin e popullatës

Përderisa fëmijët e shtresave të ulëta rrinë në shtëpi shkaku i prindërve që duan të respektojnë kushtet dhe rregullat e ‘Këshillit Grevist’, fëmijët e politikanëve i vijojnë mësimet në shkollat private dhe jo vetëm, ata i gëzojnë të gjitha privilegjet kur janë në pyetje bursat për studime brenda dhe jashtë vendit, kurse fëmijët e popullatës së varfër mbeten të ngujuar në shtëpi, kurse prindërit e tyre zihen njëri me tjetrin për shkakun e politikanëve milionerë dhe partive politike të dështuara në pushtet dhe opozitë.

Jo ky ka faj, jo ai tjetri ka faj, greva nuk ka të ndalur për fajin e popullatës që po i mbështet këta politikanë të papërgjegjshëm dhe këto parti politike të dështuara në të gjitha qeverisjet e pasluftës e deri tek kjo e fundit!

Sikurse çdo medalje që i ka dy anë, edhe kjo grevë i ka dy anët e saj! Ana negative është mosfillimi i vitit të Ri shkollor, kurse ana pozitive është se ju doli ngjyra të gjitha partive politike në pushtet dhe opozitë, ku të gjitha së bashku janë fajtore për mosfillimin e vitit të Ri shkollorë.

Me asgjë nuk mund ta justifikojnë barrikadimin e tyre pushteti dhe opozita, përkundrazi të dy palët, kush më pak e kush tjetër më shumë janë përgjegjëse për krizën e shkaktuar në arsim dhe jo vetëm si produkt i politikës inatçore, të kthyer së fundmi në politikë armiqësore!

Pasojat e grevës së parcializuar

Kjo klasë politike është përgjegjëse për krijimin e pabarazisë në mes të fëmijëve në Republikën e Kosovës. Bllokimi i procesit mësimor në shkollat publike duke lejuar funksionimin e shkollave private, ka krijuar një formë të segregacionit në arsimin parafillorë, fillorë dhe të mesëm.

Tragjikomedia bëhet më e madhe kur njëra palë (qeveria) bën presion tek mësimdhënësit për fillimin e mësimit në të gjitha shkollat pa dallim, ndërsa pala tjetër (opozita) e bën të kundërtën duke e mbështetur ‘Këshillin Grevist’ në dëm të nxënësve!

Presioni i qytetarëve, në veçanti i Këshillit të Prindërve duhet të jetë më i ashpër ndaj dy blloqeve të pozicionuara, ndaj pushtetit dhe opozitës për të gjetur zgjidhjen e kompromisit për hirë të nxënësve-të ardhmes së këtij vendi.

Çka u bë mjaft u bë mjaft, u bëmë gazi i botës me stërgjatjen e grevës politike, kemi hyrë në muajin e dytë të grevës së parcializuar në arsim dhe sektorin publik, pasojat e së cilës po i vuajnë fëmijët e qytetarëve të rëndomtë, por jo edhe fëmijët e politikanëve milionerë. Prindërit në vend të sukseseve të fëmijëve të tyre po i numërojnë ditët dhe orët e humbura të pallogaritshme të mësimit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok