30/03/2026

NGA MENDIMI I PSIKOLOGUT

0
Pilo-Zyba

– Xhelozia –

NGA PILO ZYBA

Në kohët moderne, psikologjia është quajtur njëra nga sferat më të domosdoshme të jetës njerëzore. Ajo është cilësuar si një barometër i pazëvendësueshëm, i cili ka të bëjë me gjendjen shëndetësore të njeriut. Në vendet e qytetëruara, psikologët janë sot ata që marrin përsipër dhe zgjidhin probleme të mëdha që lidhen me jetën e individit, grupit shoqëror apo edhe vetë shoqërisë.

Po çfarë është psikologjia? Çfarë përmban kjo fjalë? Cilat janë përbërësit e saj, elementet e veçanta që arrijnë të krijojnë atë forcë, atë bindje, atë shërim, që ndoshta edhe vetë mjekësia, me preparatet e saj farmaceutike, e ka të vështirë?

Fjala “psikologji” vjen nga greqishtja e vjetër dhe do të thotë: psyche – shpirt dhe logos – fjalë. E gjitha e përmbledhur në një mendim të vetëm: shpirti i njeriut i shprehur në fjalë.

Sot është kuptuar dhe njihet më së miri se njeriu është i përbërë nga konstrukti trupor, fizik, si dhe nga ai ndjesor – shpirtëror – psikik. Të gjitha këto janë të lidhura me laboratorin qendror që është vetë truri i njeriut, i cili bën koordinimin e veprimeve pas marrjes së të gjitha mesazheve që i ndodhin në moment, i kanë ndodhur apo ai/ajo parashikon se do t’i ndodhin në të ardhmen.

Ky laborator nuk është i njëjtë për të gjithë individët, qofshin këta burra apo gra. Ai është një fabrikë prodhimi, kapacitetin e së cilës e përcakton niveli kulturor, aftësia individuale, aftësia mendore, rrethanat ku rritet dhe ushtron aktivitetin individi, dëshira për zhvillim dhe kërkesat e vetë individit për veten dhe për jetën.

Truri, i cili është një makineri perfekte, i merr ngjarjet dhe veprimet si praktikë të jetës njerëzore dhe i analizon në mënyrë të veçantë dhe me imtësi. Pra, ai shërben si një sitë e imët e mendimit dhe e ndjenjës, për të ndarë, për të lidhur veprimin me logjikën, me interesin, me individin dhe qëllimin e tij për të gjitha këto që u përmendën më lart.

Sot, për të hyrë në shpirtin e dikujt, kërkohet shumë aftësi, talent, zgjuarsi, mirësi dhe mbi të gjitha një cilësi e veçantë që të bën t’i përshtatesh parametrave të tij dhe dëshirës për bashkëpunim. Në kohën tonë, në kushtet tona dhe në vendet tona, psikologu ende nuk shihet si një mjek i shpirtit, si një rregullator i gjendjes shpirtërore në veçanti dhe asaj jetësore në përgjithësi.

Kemi folur dhe kemi shkruar shumë tema përsa i përket psikologjisë. Fushat e lëvrimit të saj në “arat e shpirtit” janë të pafundme, ashtu sikurse është e pafund edhe thellësia e mendimit që ai ruan: valëzimi në momente të caktuara, si një det i trazuar, apo përmbytjet e herëpashershme me gëzime dhe hidhërime, të cilat ulin dhe ngrejnë gjendjen shpirtërore dhe psikike, por edhe atë fizike e shëndetësore.

Në rastin konkret, sot do të trajtojmë një nga fushat e rëndësishme, një nga sferat e veçanta që lidhet drejtpërdrejt me shpirtin dhe psikikën, por edhe me ndjenjën, frikën, pasigurinë dhe dhimbjen e thellë që krijon kjo gjendje: xhelozinë.

Që në fëmijërinë e hershme, nëse njëri nga prindërit tregon më shumë kujdes për njërin nga fëmijët (kur janë dy), tjetri e ndjen këtë ndryshim, trishtohet dhe tërhiqet në një qoshe të vetën. Ajo qoshe i krijon njëkohësisht siguri aty ku ndodhet, por edhe pasiguri për atë që sheh.

Kjo ndjenjë bëhet pikënisje. Ai fillon të analizojë veprimet, ndoshta jo në mënyrë të plotë të vetëdijshme, por kupton se diçka i mungon, se vëmendja ndaj tij është më e pakët. Dhe mbi bazën e asaj që sheh dhe përjeton, ai edhe vepron.

Por shumë herë prindërit apo rrethi familjar nuk e vënë re këtë ndryshim. Pikërisht këtu fillon një dramë që ndoshta fëmijës nuk do t’i ndahet gjatë gjithë jetës.

Kjo quhet xhelozi e krijuar nga kushtet, nga botëkuptimi dhe nga inferioriteti individual. Shumë studiues këtë dukuri e quajnë sëmundje, të tjerë papjekuri, ndërsa të tjerë mungesë të fuqisë mendore për të analizuar me vërtetësi veprimet dhe rrethanat ku individi jeton, krijon apo rritet.

Vetëdija dhe pavetëdija janë dy forca kontradiktore, për të cilat psikologët e mëdhenj si Mesmer, Beker dhe sidomos Frojdi kanë punuar dhe kanë “gërmuar” në minierat e shpirtit njerëzor për të zbuluar mineralet shpirtërore që veprojnë mbi të.

Ndërsa flet, shkruan dhe analizon teknikën e psikoanalizës, Novalis (1802–1885) shkruan:

“Është e habitshme që kaq pak janë marrë me botën e brendshme të njeriut dhe sa qëndrim i pashpirt është mbajtur ndaj saj. Sa pak janë shfrytëzuar mjetet e fizikës për shpirtin dhe shpirti për botën e jashtme.”

Ky mendim, i dhënë më pak se dy shekuj më parë, mbetet edhe sot një çështje e hapur për mbarë njerëzimin: për botën e brendshme të tij, e cila, ashtu si udhëtimet e mëdha të Magelanit, kërkon kërkime dhe zbulime të reja.

Ajo botë e padukshme është shumë më e madhe se ajo që na rrethon; shumë më e pasur apo më e varfër në qenësinë e saj dhe në ekzistencën e vetë njeriut në këtë botë. Gjithçka varet nga mënyra se si ai jeton në të, si vepron, si ushqehet, si gëzohet dhe lumturohet, apo si trishtohet dhe bie në një pesimizëm të thellë.

Në këtë rrugëtim të thellë drejt botës së brendshme të njeriut, nuk mund të anashkalohen edhe kontributet e disa prej mendimtarëve dhe studiuesve që kanë prekur me ndjeshmëri dhe finesë shpirtin njerëzor. Ndër ta, një vend të veçantë zë edhe Stefan Zweig, i cili, në veprat e tij letrare dhe analizat psikologjike, ka trajtuar me një ndjeshmëri të rrallë dramat e brendshme të individit, sidomos ato që lidhen me dashurinë, xhelozinë dhe pasionet e papërmbajtura.

Në shumë nga tregimet e tij, shohim se si një ndjenjë e vogël, e papërfillshme në dukje, mund të marrë përmasa të jashtëzakonshme brenda shpirtit të njeriut, duke e kthyer atë në një forcë shkatërruese. Xhelozia, në këtë kontekst, nuk është thjesht një reagim emocional, por një proces i ndërlikuar psikik që përfshin frikën e humbjes, ndjenjën e pamjaftueshmërisë dhe shpeshherë plagë të vjetra të pashëruara.

Në kohët moderne, kjo ndjenjë është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të zhvillimeve shoqërore dhe teknologjike. Rrjetet sociale, komunikimi i shpejtë dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj jetës së të tjerëve kanë krijuar një terren të ri për lindjen dhe përforcimin e xhelozisë. Njeriu i sotëm, më shumë se kurrë, krahasohet, matet dhe gjykon veten përballë një realiteti shpeshherë të zbukuruar dhe jo real.

Në marrëdhëniet bashkëshortore apo në ato të dashurisë, kjo gjendje shpesh përkthehet në pasiguri të thellë. Partnerët fillojnë të dyshojnë, të kontrollojnë, të kërkojnë prova, duke e kthyer dashurinë nga një ndjenjë e lirë dhe e bukur, në një fushë beteje të brendshme dhe të jashtme. Kjo luftë shpirtërore, e padukshme për syrin e jashtëm, mund të jetë rraskapitëse dhe shkatërruese për individin.

Psikologë të ndryshëm bashkëkohorë e lidhin xhelozinë me atë që quhet “stili i lidhjes emocionale”, një koncept i zhvilluar fillimisht nga John Bowlby dhe më pas i zgjeruar nga studiues të tjerë. Sipas kësaj teorie, mënyra se si individi ka përjetuar lidhjen me prindërit në fëmijëri, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si ai krijon dhe përjeton lidhjet në moshë madhore.

Një individ që ka përjetuar mungesë sigurie emocionale në fëmijëri, ka më shumë gjasa të zhvillojë xhelozi të theksuar në marrëdhënie, duke kërkuar vazhdimisht konfirmim dhe duke pasur frikë nga braktisja. Në këtë kuptim, xhelozia nuk është thjesht një reagim ndaj situatës aktuale, por një jehonë e së kaluarës që vazhdon të jetojë brenda nesh.

Në realitetin e sotëm shoqëror, ku ritmi i jetës është i shpejtë dhe marrëdhëniet shpesh të brishta, këto probleme marrin përmasa edhe më të mëdha. Tradhtia, ndarja, mungesa e komunikimit dhe stresi i përditshëm krijojnë një terren të favorshëm për shpërthimin e konflikteve të brendshme.

Njeriu modern gjendet shpesh përballë një paradoksi: ka më shumë mundësi për komunikim, por ndjen më shumë vetmi; ka më shumë liri, por më pak siguri emocionale. Në këtë kontekst, xhelozia shfaqet si një simptomë e një boshllëku më të thellë shpirtëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok