Nga Dushkaja në Prekaz!
Shkruan: Florim Zeqa
Para se të shkoja për të fjetur, ashtu spontanisht më erdhi në mendje Prekazi, vizitat e panumërta që do të bëhen në këtë vend për Ditën e Pavarësisë, Epopenë e UÇK-së dhe Natën e Zjarreve!
Nga kërkimi i së vërtetës deri tek kënaqësia shpirtit
Në mbrëmjen e 28 dhjetorit të vitit 1997, pasi ra muzgu unë dhe daja Sahit Sahiti nga Grabanica, me Traktor u nisem për të shkuar në Jabllanicë (sot Shqiponjë) për një ndejë qefi tek miqt e Dushkajes. Edhe pse nuk ia thash dajës Sahit, kjo nuk ishte dëshira e vetme e imja.
Ishte koha kur në vende të ndryshme të Kosovës kishin filluar të dilnin të maskuar natën pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i legjitimonin ata që lëviznin orëve të vona të natës. Prandaj, për ta thyer kurreshtjen e kisha planifikuar që, në momentin që t’na ndalojnë t’ia heqë maskën njërit prej tyre, pasi isha i bindur se do të dilte njëri prej shokëve të aktiviteteve të asaj kohe! Mirëpo kësaj radhe fati nuk e deshi të takohem me shokët e imagjinuar!
Me të arritur në Jabllanicë (Shqiponjë), u pritëm mirë dhe me dashamirësi nga dhëndëri i dajëve, Sokol Lila. Me të mbaruar darkën e shijshme në sofrën bujare të miqëve, Sokoli na sugjerojë të shkojmë tek fqinjët e tij të lagjes, pasi ata e kishin një gazmend familjarë (fjalë nusje). Me t’u ofruar tek shtëpia ku kishin festë, dëgjohej zëri i çiftelisë dhe sharkisë, dëgjohej zëri i bukur i rapsodëve popullor që e madhështonin gëzimin e kësaj familje shqiptare.
Kur hyrëm brenda në odën e burrave, kënga ishte në momentin më kulmorë, e shoqëruar edhe me krisma armësh. Neve vetëm na ulën në vendin e nderit dhe asnjë fjalë derisa përfundojë kënga. Pastaj shoqëruesi ynë (Sokoli) na prezentoj para të zotit të shtëpisë dhe mysafirëve, për të vazhduar me bisedat e zakonshme me t’zotin e konakut dhe disa prej pjesëmarrësve me të cilët njiheshim paraprakisht.
Pas një pushimi të shkurtër, njëri ju tha “shahirave” që t’i marrin përseri në dorë veglat muzikore, mirëpo në atë moment ndërhyri një burrë shtatlartë dhe me mustaqe nga ana tjetër e odës, “Jo, fillimisht due me ia ndëgjue zanin Florim Zeqës, këtij burri, për të cilin kam dëgjuar të flitet në odën e Jasharajve në Prekaz, mbas andej ju këngëtar mos e ndalni këngën deri në mëngjes”!
Në atë moment u mendova, se nga kush mund të ishte permendur emri im në Prekaz dhe e ndjeva peshën e përgjegjësisë së madhe! Meqë isha në rrjedha të ngjarjeve nuk e kisha të vështirë të kyqesha në bisedë rreth aktualitetit politik të asaj kohe, e cila u pëlqye dhe duartrokit nga të pranishmit e këtij gëzimi familjarë.
Nga ajo që më kujtohet nga distanca kohore, e di që në mes të tjerave e kam thënë edhe këtë: “Tashmë secili prej nesh e kemi të qartë, se diplomacia dhe rezistenca aktive paqësore janë të pamjaftueshme për largimin e pushtuesve serbosllav, andaj kërkohet nga ne që të mobilizohemi edhe për rezistencën e armatosur deri në çlirimin e vendit…”.
Pas përfundimit të ahengut familjarë, diku rreth mesnate, sërish shkuam në konakun e Sokol Lilës, për të vazhduar ndejën deri në ora 5 e mëngjesit. Temë bosht e bisedës ishin përgatitjet për rezistencën e armatosur. Në mesin e dhjetëra veprimtarëve të çështjes kombëtare, që atë natë u tubuan në konakun e Sokolit, ishin edhe Sadri Zeneli (intelektual i kalibrit) dhe Myrtë Zeneli (të dytë heronjë dhe dëshmorë të lirisë së Kosovës).
“Takimi me Adem Jasharin”
Këto ditë, përseri bashkë me dajën Sahit vendosëm që të shkojmë edhe në Prekaz, për ta thyer kurreshtjen dhe kënaq shpirtin me komandantin legjendar Adem Jashari. Ashtu edhe ndodhi, në hyrje të fshatit, tek varrezat e dëshmorëve e hasëm një pritje të ngrohtë vëllazërore. Meqë ishte takimi i parë me Ademin, fillimisht atij ia prezantova dajën, pastaj kur e fillova të pëshpërisë emrin tim, “nuk ka nevojë, ma priti Ademi, ty të njohë Florim nga ditët e para të rezistencës aktive paqësore!
“Mirë paskeni bërë që keni ardhur për vizitë në këtë kohë, pasi ditëve të shënuara nuk po më lënë të qetë ata që më nuk më lanë të qetë tre dekada më parë. Nuk po mund flas me ta dhe as t’ua kthejë përgjigjjen e merituar! Kjo më së shumti po më lëndon dhe po ma trazon shiprtin”!
Në momentin kur Ademi fillojë rrëfimin për kohën e rezistencës aktive, cingërrima e telefonit ma prishi ëndërrën e shkurtër, por shumë domethënëse për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen.
P.S. Rrëfimi i parë në Dushkajë është autentik dhe origjinal, kurse takimi me Adem Jasharin ishte pak më tepër se vizitë e imagjinuar në Prekaz, ishte rrëfim i një ëndrre të shkurtër, e cila do të dëshiroja të më përseritej prapë, për të mësuar shumë të vërteta të pathëna deri më tani! Ëndrrat mund të përsëriten me një ndryshim të vogël në ngjarje apo temë, kur ato mbeten të papërfunduara.