NËNË-MIRA
Nga Sali Frangu
Sapo ishim kthyer nga Karpeni i Kavajës, ku ne bëjmë stërvitjen verore. Në rrjeshtimin e parë të mëngjesit, na u komunikua që kompania jonë do të kryente muajin e punës prodhuese në aksionin e ndërtimit të hekurudhës Elbasan-Përrenjas, për gjithë muajin Shtator. U gëzuam pa masë. Instiktivisht shpërtheu një “urra”, sa gjëmoi gjithë sheshi gjigand i shkollës “Skënderbej”. Ne tashmë ishim në vitin e tretë dhe ndjeheshim të rritur e të fuqishëm për punë të tilla të mëdha, ndaj dhe ky gëzim ishte i ligjshëm. Ishte dicka ndryshe, dicka që na bënte të ndjeheshim krenarë për kontributin që do të jepnim në atë vepër madhore të rinisë. Na kishin caktuar në Sektorin e Qukësit, më i vështiri pas tunelit të madh dhe urës së madhe. Aty do të cahej kodra e do të bëheshin dy kanale të mëdhenj apo Husekë sic i quanin në gjuhen teknike, deri në nivelin e trasesë së hekurudhës. Por fakt ishte se formacioni mbi të cilin do të punohej ishte një masiv shkëmbor. Një shkëmb pothuajse i zi dhe shumë i fortë. Kur rrezet e diellit binin pingul mbi këtë masiv ai sec merte një nuancë blu të errët. Është madem thonin banorët e zonës dhe ne e mernim të mirëqenë këtë se ata janë vendalinj dhe i dinë mirë këto punë. Aty punohej me mina. Gjatë turnit përgatiteshin dhe bëheshin plasjet, dhe pas pastrimit të materialit tabani ulej mbi gjysëm metri. Po paralelisht me heqjen e materialit nga tabani punohej edhe në të dy shpatet anësure të Husekut, për tu dhënë pjerrësi të njëtrajtëshme, e të mos kishte rreziqe për shkarje gurësh e dherash.
Fushimin e ngritëm në breg të lumit ndanë rrugës nacionale automobilistike. Për të shkuar në frontin e punës na duhej të bënim një rrugë rreth 20 minuta. Rruga kalonte përmes një lagje banimi me 4-5 shtëpi, me kopshte të rrethuar e të sistemuar. Shumë shpejt na doli nami si “bishat”. Nuk binin poshtë 120% në realizimin e normës. Ne tashmë falë stërvitjes fizike që bënim në shkollë, kishim trupa të formuar e të bukur, plot muskuj e fibra, që na i kishin zili jo vetëm vajzat e Institutit të Lartë të Arteve që punonin në frontin ngjitur me ne, por edhe shokët e tyre studentë. Kishte një lloj kimie mes nesh dhe atyre vajzave bukuroshe e të hedhura, që nuk na linin rehat me romuzet e tyre. Ato qenë më të mëdha se ne dhe qenë “pa turp” në romuzet e tyre. Ditët kalonin dhe nami ynë rritej. Vetë Komandant Petja, kështu e thërrisnim ne Komandantin e Kompanisë Petrit Boka, nuk mungonte të na përgëzonte “u lumtë djema, u lumtë shokë skënderbegas”. Ai tashmë qe bërë një “liberal”, në raport me pedantin e ditëve të shkollës. Tani ai nuk e vinte re rripin e liruar, mosmbajtjen e kapeles, apo “rrëmujën” para kazanit të turlisë, që pas ditës së lodhëshme të punës, na dukej gjella më e shijshme në botë.
Sa herë që ktheheshim nga puna, tek shtëpia e fundit, tek porta e drunjtë e oborrit, me një përpikmëri të habitëshme na priste një nënë e moshuar. Ajo e veshur me rroba të zeza tejet të pastra, me një shami borë të bardhë në kokë, dilte aty tek porta e drunjtë më një shportë me fiq, një shportë me rrush dhe një gjym të vogël me ujë të ftohtë nga pusi i shtëpisë. “Nënëmira”, kështu e pagëzuam ne. Po edhe asaj i pëlqente kur e thërrisnim kështu.
Pini një sapllake ujë, merni pak rrush e ndonjë fik, amëlsohuni se jeni lodhë të keqen nana. Ju pastë nana, ju lumshin duart. Lum nanat që u kanë ba! E botë e bote ju boftë nana kurbon!
Ne sikur ta kishim bërë me fjalë mernim vetëm nga një kokërr fik dhe nga një vile të vogël rrush. Ujë pinim të gjithë, se paguret që kishim marrë në mëngjes me vehte qenë tharë.
Të pacim o nënë, të pacim, i thonim ne dhe sërish në rrugën dretj fushimit.
Ajo na shihte ashtu e nuk ngopej. Rrinte aty tek porta e drunjtë dhe na shihte deri sa ne të zhdukeshim pas kodrës së vogën, në fund të rruginës që zbret në rrugën automobilistike. Rrinte aty e lotët i rridhnin rrëke, Por para nesh ajo kurrë nuk qante e nuk e lëshonte vehten. Tekniku yne i turnit, Qamili, që ishte banor i fashatit dhe për hir të së vërtetës i kishte ardhur puna në dere, na rrëfeu historinë e trishtë të Nënmirës. Asaj i kishte vdekur një djalë 17 vjecar, pikerisht në moshën tonë. Një histori vërtetë rrënqethëse, sa edhe vetë Qamili kur na rrëfente nuk i ndalte dot lotët. Djali i saj bashkë me shokun e vet, në një ditë të bukur vere, kishin zbritur në lumë për tu larë si gjithë të rinjtë e fshatit. Madje kishte marrë edhe drekën me vehte për të shfrytëzuar kohën sa më shumë. Papritur shoku i tij kërkon ndihmë, se po e merte rryma. Djali i Nënëmirës pa e zgjatur hidhet në mes të valës së lumit për të shpëtuar shokun e tij që po mbytej. Por nuk qe e thënë… Mbetën që të dy viktima të atij lumi, që në atë moment u kthye në një përbindësh, pa mundur të gëzojnë jetën dhe rininë e tyre. Kjo ka ndodhur para 4 vitesh dhe askush në fshat nuk e ka harruar ngjarjen. Ndaj të gjithë e duan dhe e respektojne Nënëmirën, ndaj ajo ngazëllen e loton kur u sheh ju, se i kujtoni të birin që ishte kështu gjimnazist si ju. Tregimi i Qamilit na rrënqethi e na trishtoi pa masë. Përse ajo nënë e mirë kishte pasur atë fat, përse ishte ndëshkuar kaq rëndë shpirti i saj i madh? Tashmë, sa herë kalonim tek porta e drunjtë, për të marrë racionin e fiqve, nuk harronim edhe ta përqafonim atë nënë të mirë. E sërish e sërish, Nënëmira na priste aty tek porta e drunjtë e oborrit të shtëpisë…
Ditët kalonin si pa u ndjerë dhe aksionit i erdhi fundi. Ne edhe gëzoheshim edhe hidhëroheshim. Gëzoheshim se do i turreshm Tiranës e do të dendeshim me akullore e me filma. Cuditërisht, mbaj mend që në muajin Tetor, që ishte dhe Muaji i Letërsisë, në kinematë e qytetit qarkullonin filma shumë të bukur. Kryesisht ekranizime të romaneve të autorëve të mëdhenj të klasicizmit. Dhe sigurisht na pëlqente kjo. Se na hapte rugë për diskutime e debate nëse romani ishte më i bukur, apo filmi. Pikërish me këtë temë pata botuar një shkrim në gazetën “Zëri i Rinisë”, që u pëlqye shumë dhe bëri goxha bujë, jo thjeshtë për tematikën por më tepër për këndvështrimin e shkrimit tim. Unë përpiqesha të vendosja në paqë e mirkuptim të plotë të dyja palët, edhe ata që ishin partizanë të librit edhe ata që ishin partzanë të filmit. Personalisht kam qenë gjithnjë me të parët. Ky shkrim madje u bë sebep që të më vinin nofkën “gazetari”. Po edhe hidhëroheshim se do të ndaheshim me ata shoqe e shokë studentë, me të cilët u miqësuam aq shumë gjatë ditëve të aksionit, që do të ndaheshim me ata njerëz të mirë të atij fshati, mbi të gjitha me Nënëmirën. Mbaroi dhe dita e fundit e aksionit dhe morëm rrugën e kthimit për në fushim. Por… te porta e drunjtë e oborrit të shtëpisë nuk ishte Nënëmira, por një vajzë e vogël, e imët rreth 10 vjece. Ajo kishte ca sy të mëdhenj, të zinj e plot dritë, ca mollëza të kuqe tek faqet e saj, që mua më dukej se ishte karakteristike e gjithë vajzave të zonës. Instiktivisht ne pamë njëri tjetrin në sy. Vajza e vogël me të njejtin ritual si të Nënmirës, na zgjati gjymin e vogël të ujit dhe shportën e fiqve, që ajo vogëlushe mezi po i mbante në pëarakrahun e saj të njomë. Shtangëm. Asnjëri nga ne nuk e zgjati dorën. Mora guximin dhe iu afrova vajzës së vogël bukuroshe. U ula në gjunjë dhe ja mora dorën e saj të vogël në pëllëmbën time plot kallo, duke e ledhatuar lehtë sikur doja të ndaloja një kob, një mandatë, të cilën nuk doja ta dëgjoja në atë moment.
Ku është Nënëmira? – E pyeta me një zë të mekur.
Ajo vajzë e vogël më pa drejt e në sy dhe dy margaritarë loti ranë tatëpjetë mollzave të saj të kuqe. Me zërin që i dilte me ndërprerje, prej dridhjeve të mjekrës së saj të vogël, më tha mes ngashërimës.
Nënën e kanë cuar në spital me urgjencë…po ajo ma ka lënë mua porosi, urdhëroni ngulmoi ajo, ndërsa fshinte lotët me mëngët e trikos së hollë.
E përqafova fort vogëlushen, e shtrëngova fort pas kraharorit tim. Nuk di sa e mbajta ashtu. Ndjeja dhimbje, për vogëlushen dhe për Nënëmirën. Një lëmsh i madh mu mlodh në grykë e nuk i ndala dot ca pika loti.
Të shkuara nënës. Po ti mos u mërzit se nëna do shërohet e do të kthehet shumë shpejt, se është e mirë dhe e fortë ajo, përpiqesha ta qetësoja unë.
Të gjithë pa e zgjatur morëm racionin e ujit e të fiqve duke e përkedhelur vogëlushen në flokët e saj kacurrela. Dhe vijuam udhën. Në zemër kishim një brengë, një brengë të madhe edhe për Nënëmirën edhe për vajzën e vogël që e kishte ndjerë aq shumë mungesën e nënës së saj të mirë.
Të nesërmen ne ikëm herët. Ikëm… dhe nuk morëm vesh cfarë ndodhi me Nënëmirën, me nënën fisnike që na kishte uruar e bekuar përditë, aty tek porta e saj e oborrit. Për një gjë jam i sigurtë. Shpirti i saj ishte një ogur i mirë, një engjëll mbrojtës për ne…
-Per ZemraShqiptare, nga Tirana, Tetor 2021-