03/10/2024

Tregim nga Resmi Osmani

Admir Struga,që ishte duke ngrënë sillën, dëgjoi tringëllimën e telefonit në dhomën e ndenjies,që binte rrall pas  daljes së  celularëve.

-Urdhëroni, në telefon Admir Struga, po ju dëgjoj.

-Kapiten, sa mirë që u gjeta në shtëpi.Jam Eda, kryeinfermjerja e shtëpisë së të moshuarve. Zonja Makbule nuk ndihet aq mirë. Sot në mëngjes ka patur temperaturë të lartë, mbi 39. Mendova  t’iu vë në dijeni kapiten.

– Mirë bëtë.Tani zgjuar është?

-Para 10 minutash po. Vetëm se është shumë e këputur.

-Po vij menjëherë.Mos është kovid?

-Jo.Ka marrë vaksinën.I bëm testin, e rezultoi negative. Duket se ka marrë një bronshit. E kemi akomoduar në një dhomë tjetër, ku mund ta kemi më mirë nën kujdes-tha infermierja-por ju lutem kaloni një herë nga unë në zyrë.

U vesh shpejt e shpejt, vendosi maskën antikovid dhe papritur ashensorin zbrit nëpër shkallë.

As njëqind metra larg pallatit prisnin taksitë. Mori njerën syresh dhe i dha adresën shoferit. Edhe pse kishte hyrë marsi, dita ishte e mugët dhe e ftohtë.Në të dy anët e rrugës, në këmbësoret shiheshin njerëz , burra e gra  me maska në  fytyrë. Makina, priti sa u dha sinjali në semafor dhe hyri në bulevardin”Gjergj Fishta” dhe mori drejtimin për verilindje.I heshtur, u ul nëndenjësen e prasme dhe befas iu përhitën pamje të së shkuarës:

Nëna,Makbulja, që të gjithë në pallat   e thërrisnin zonja Bule, ngaqë kishte qënë mësuese  e shumicvës prej fëmijëve të tyre, ishte tetdhjetë e dy vjeçe.

Pas vdekjes së të shoqit, inxhinier Strugës, sido që e dhimbshme, e mbajti veten dhe nuk e la ta pllakoste zia, mërzia dhe molisja e dhimbjes për atë që iku pa kthim.E tillë ishte jeta. Kishte fillim po edhe një fund. Jetonte me kujtimin e tij dhe dashurinë për dy fëmijët që tashmë kishin dalë në jetë. I bënte ballë përditshmërsë, kujdesej për veten dhe qeveriste shtëpinë. I biri, I diplomuar inxhinier mekanik, ende i pamartuar, përfitoi një bursë dhe shkoi në një shkollë pilotimi civil në Francë. Ndërsa e bija me të shoqin dhe fëmijët emigroi në Kanada.   Mbeti fillikat, e vriste vetmia dhe e trishtonte shtëpia e heshtur. Kësisoj kaluan kohë. Sëmundja u shfaq tinëzisht si një hije, përparonte ngadalë: në fillim me marramendje të lehta, që më pas kaluan në dridhje të duarve dhe trupit e më pas humbje kujtese. E diagnostikuan me parkimson. Merrte rregullisht ilaçet, por dobia ishte e pakët. Sa vinte rëndohej. NUk ishte më zonjë e vetes, por prapseprapë , lëvizte, bënte Pazar, priste të njohurat dhe u shkonte për vizitë.

Pati biseda të gjata telefonike me të birin dhe të bijën dhe më në fund u tha se nuk ishte më zonjë e vetes dhe kishte vendosur të shkonte në një azil privat, ku do të kujdeseshin për të. Përsa kohë ata s’ i gjendeshin dot pranë, nuk i thanë as po as jo. Le ta vendoste vetë sesi i bëhej më mirë.

Dhe ashtu e bëri. Me pensionin dhe kursimet e saj në vite, ishte në gjëndje të paguante për shërbim cilsor e kujdes shëndetësor. Me këshillën e miqve zgjodhi azilin privat ”Pleqëri e bardhë”, që ndodhej rrëzë Dajtit, në një park plot blerim. I kishin dhënë një dhomë më vete, të pajisur me orenditë e nevojshme. Ajo u bë shpejt pjesë e bashkësisë së të moshuarve, shihte televizor, lexonte gazetat,librat dhe përditësohej me të rejat e vendit.

Kur u kthye nga studimet, Admiri u ndje i ndrydhur dhe i vetmuar në shtëpinë e heshtur e të mbushur me kujtime. Nga kornizat e vendosura në mure e sodisnin portretet e prinderve dhe te së motres me dy femijët e saj. Derisa u punësua në Ajr Albania, oficer i dytë në njerin nga  aeroplanët  e  linjës Tiranë-Stamboll. E vizitonte të ëmën thuajse përditë, e më pas sa herë gjente kohë të lirë. Për të ishte torturë ta shihte sesi tretej ashtu dalngadalë, sesi hem mosha hem sëmundja, gjithnjë e më shumë ja mjegulluan mendjen. Ai qe tronditur kur kishte parë vetminë e saj, shkëputjen nga bota në dhomën ku lëngonte. Kishin nisur t’I shfaqeshin vegime. Herën e fundit ajo e kishte marrë për të shoqin, babanë e tij, i vdekur para gjashtë vjetësh.Admiri  përjetoi topitjen e saj, humbjen e interest për jetën që bëhej jashtë mureve të dhomës së azilit, shkëputjen nga çdo kontakt me realitetin dhe të tashmen.Vetëdija ishte me të kaluarën, kujtimet e mjegullta, në të tashmen e saj, ajo nuk gjente asgjë ngushëlluese.

Nëna tashmë nuk i zotëronte më këmbët. Levizte në një karrocë me rrota.

Nuk mund të ankohej,  për të kujdeseshin mirë: në shtatë të mëngjesit e lanin, e vishnin dhe e ulnin në karrigen me rrota dhe I jepnin mëngjesin.rrinte vetëm në dhomën e saj.Për të nuk kishte të nesërme, veç të shkuarës dhe të tashmes.Nuk dëgjonte radion se ish rënduar nga veshët.Të lexonte e kishte tepër të vështirë. Ekranin e televizorit e shihte turbull.Në dymbëdhjetë hahej dreka.E zhvishnin dhe e shtrinin në krevat. Një darkë të lehtë.Nata e gjatë me ëndërra, vegime dhe makthe, e kështu përditë.Admiri  e dinte se nuk kishte ç’të bënte më shumë, përveçse ta vizitonte dhe ta shihte sa të ishte e mundur më shpesh.

Kur shihte të moshuarit e azilit, Admiri e dinte se kur njeriu bie në varfëri dhe vetmi dhe nuk është më i zoti i vetes, pas një jete të gjatë dhe aktive, ai thuajse zhvishet nga dinjiteti dhe identiteti, e kështu është i dënuar, i harruar, në rastin më të mirë, së bashku me të moshuar të tjerë, të braktisur e të shkatrruar, të përfundonin në ndonjë azil, që tashti kishin filluar t’i quanin “Shtëpi të moshuarish”! Shaka e hidhur e fundjetës, dënim i ashpër për të vetmen arsye se ke jetuar shumë dhe je plakur. Një ingranazh i konsumuar në mekanizmin shoqëror,që dallga e jetës I shtynte drejt bregut të hiçit dhe harresës tashmë të padobishëm, Si një hedhurinë, për tu përcjellë më së fundi në varreza.

Këto ishte duke menduar Admir Struga, kur taksia u ndal para portës së azilit.

Përshkoi koridorin e bardhë dhe pyeti një sanitare për dhomën ku e kishin vendosur të ëmën. Ajo i rrëfeu,të fundit djathtas dhe e përcolli për aty. Dhoma ishte më e vogël se e saja ku rrinte zakonisht. Ç’do gjë e bardhë. Pa që e ëma ishte shtrirë në krevat dhe shikonte tavanin me sytë që atij iu dukën më të mëdhenj e më të mjegullt se zakonisht.Fytyra e saj aq e dashur e dhembsur dhe fisnike, e tretur dhe rrudhur nga sëmundja, ishte përskuqur nga zjarrmia e etheve Duart e saj të dobëta nduknin mbulesën. Iu afrua krevatit dhe i mori dorën.

-Mirëdita, nënë.

Ajo i hoqi sytë nga tavani dhe e vështroi me sytë e përhumbur dhe i foli me zë të mekur që mezi dëgjohej.

-Erdhe bir, të prisja.-Pamja e saj, thoshte atë që ajo s’mund ta fliste me buzët e  rreshkura,por nga sytë buronte malli i pashuar i nënës për birin dhe dëshira e pamundur për të folur me të birin.

-Erdha ,nënë, por mos folë se lodhesh.-U ul pranë, në karrige, pa ia lëshuar dorën. E pa me dhimbsuri fytyrën e saj të plakur e të lodhur me sytëe mëdhenj që shkëlqenin nga ethet.-Si ndihesh nënë? E pyeti ai, por e kuptoi se pyetja ishte e tepërt.

Ajo nuk u përgjegj  menjëherë, veç e shikonte, kapsalliti sytë, ngadal’ e me vështirësi si t’i rëndonin kapakët.Deshi t’i thoshte se jeta e saj po sosej dhe ky ishte fundi, por ndrroj mendje.Nuk deshi ta mërziste djalin.

-Kam ftohtë –tha më në fund.

Admiri gjeti në raft batanien dhe e mbuloi.

Ajo murmuriti diçka si një falnderim. Ai u ul përsëri duke e vështruar me dashuri e dhimbje.Nuk dinte ç’të thoshte. Vetëm mbante dorën e saj të imët e të ftohtë. Tek frymonte ajo gulçonte, dalëngadalë frymëmarrja u qetsua dhe ajo mbylli sytë e ra në gjumë. Ai rrinte ulur pa ia lëshuar dorën.Qetësi. Pas një kohe të gjatë ia lëshoi dorën me kujdes dhe u ngrit më këmbë. Ishte koha për t’u larguar. I përkëdheli faqen që ishte e nxehtë dhe e thatë. Nuk kishte bërë as dy hapa drejt derës, pa ia hequr vështrimin, kur ajo hapi sytë dhe e pa.

-Ver shallin dhe kasketën,kopsit xhupin, se jashtë bën ftohtë.-tha me zë të shuar. – Biri im, ruhu mos ftohesh.-Psherëtiu dhe i mbylli sytë.

Pas një çike, Admiri mbajti këmbët, u kthye prapë te shtrati, u përkul mbi nënën dhe i puthi ballin, pastaj i brengosur,  me çap të lehtë u largua, duke pyetur veten: a do ta gjente gjall kur të kthehej?

Pasdite do të merrte fluturimin për në Stamboll, ku do të ngarkonin mijëra vaksina antikovid, që priteshin me padurim e shpresë.

*       *      *

Dy orë sa zgjati fluturimi, nuk e kuptoi si rrodhi koha. E kishte mëndjen te e ëma, por edhe te ngarkesa që po mbartnin, vaksina e shumëpritur, që do të sillte shpëtimin e jetës së mijra njerëzve. Aeroplani bëri rrotullimet mbi aeroport për të humbur lartësinë dhe shpejtësinë, pastaj rrotat zunë në pistë dhe avioni ngadalë  iu afrua ngrehinës së aeroportit.Kishin dalë për t’ipritur një dërgatë qeveritare, gazetarë dhe operatorë televizivë.

Admiri, zbriti shkallët dhe shmangu grumbullin zhurmues të pritësve. Ndjeu tringëllimin e ziles së celularit. Nga numri pa që ishte e ëma.” U ktheve bir? Isha në merak për ty. Jam më mirë” Zëri i saj i erdhi si një fllad, puhizë e ngrohtë pranverore,  ngazëllyese dhe iu duk se hapësira u mbush me mijra lule të kuqe e të kaltra.

Tiranë, mars 2021.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok