23/12/2024

Në vend të përkujtimit për profesorin tim, Ymer Muhaxherin

0
Ymer-Muhaxheri

DHEMBJE DHE KRENARI ËSHTË JETA, ANDAJ KËTË SHKRIM E SHTJELLOVA EDHE ME LOT, EDHE ME PESHËN E SHPIRTIT DHE TË RESPEKTIT TË VEÇANTË, QË MA DETYROI JETA E PROFESORIT TIM…!

Nga Sejdi BERISHA

Kur njeriu dëgjon lajmin e hidhur, pak trembet, pak përmallohet, pak mbjell mall të veçantë, por, kur ikin njerëzit që janë peshë e histori e vendlindjes, e atdheut dhe e kombit, na sjellin në atë rrethin e kujtimeve që një nga një të kujtohen, të dalin para, dhe kështu bashkë me dhembjen të forcojnë me krenarinë për të qëndruar gjithmonë vertikalisht. Sepse, jeta është vetëm trakullimë, e cila nganjëherë di të rëndoj për gjithçka, por ndoshta edhe ta sjell atë tharmin për shtimin e ndërgjegjes për ta kombinuar të kaluarën me të sotmen dhe për t’i bërë brumë për fatin e rrugëtimit, i cili edhe tash është i shoqëruar me përplasje mbase paradoksale.

Ligjërimi yt i ngjante atyre gjërave të shenjta që kurrë nuk shihen, por që  janë shenjtëri

Dhe, këtë shkrim që po e shkruaj sot më peshën e shpirtit por edhe të respektit të veçantë, ma detyroi, profesori im, Ymer Muhaxheri, i cili u bë pjesë e jetës sime dhe e rrugëtimit tim rebel që në bankat shkollore në Gjimnazin, atëherë “11 Maji” në Pejë. Profesor, shkurt: ishe, mbete dhe do ngelësh përgjithmonë shembull se si një njeri i përkushtohet fatit të kombit dhe të atdheut, e kjo edhe më shumë peshon e dhemb, kur me decenie i edukove me dituri e dashuri gjeneratat e reja për t’u bërë vetvetja por edhe për t’u bërë ndërgjegje për të mirën dhe fatin e familjes, njeriut dhe të kombit…

E di! Ishte shumë vështirë në ato kohëra të viteve të “lëkundura” të gjashtëdhjetave dhe të shtatëdhjetave. Por, profesori im, Ymer Muhaxheri, ligjërimi yt i ngjante atyre gjërave të shenjta që kurrë nuk shihen, por që  janë shenjtëri. Sepse, të ligjërosh lëndën e filozofisë, nuk ishte lehtë në ato kohëra, kur shumëkush sikur e kishte qafën nën këmbët e armikut më barabar.

Më kujtohet, kur në orën e filozofisë uleshe galuc në fund të klasës dhe duke ligjëruar, shpeshherë ndaleshe dhe meditoje, tash e di, por atëherë nuk e dija se për çfarë! Shpesh bëheshe nervoz se nuk ishe i kënaqur me mësimin tonë, por edhe ti ishe i vetëdijshëm se lënda e filozofisë ishte një lëndë e “zorshme” dhe për ne e komplikuar, se na si të ri, por edhe familjet tona kacafyteshin me jetën për kafshatën e bukës e më pak me filozofinë. Për fat të keq kështu ishte…!

Profesori im, Ymer Muhaxheri,

Gjimnazi i Pejës ishte shkollë me histori të veçantë në të gjitha aspektet, por ishte edhe vatër ku vlonte gjaku i rinisë shqiptare për liri dhe atdhedashuri, e që kjo e komplikonte mësimin normal, sepse, përbrenda kishte edhe “mish dhie”, e në shënjestër ishin posaçërisht profesorët, por edhe një numër i nxënësve. Kjo, ta rëndonte shpirtin, por edhe të ngushtonte, që në të shumtën e rasteve, në vend të buzëqeshjes, fytyrën tënde më shumë e përlante serioziteti i “tepruar” dhe mërrolët, që nuk ishin gjë tjetër veçse formulë e realitetit të jetës së atëhershme. Dhe, e di. Asnjëherë nuk e duroje poltronizmin dhe as nënshtrimin nga askush, e as përçmimet nga mësimdhënësit serbë e malazezë. Ishe i mrekullueshëm, dhe kështu na bëje zemrën mal dhe na trimëroje që edhe në atë moshë të ecim vertikalisht dhe vetëm vertikalisht…!

Profesori im, Ymer Muhaxheri,

Që në vitin e katërt të gjimnazit, pra, në maturë, kisha fatin te të kam kujdestar klase. Dhe,… mosha në maturë të gjithëve na nxirrte telashe me ëndrrat që i kishim palosur përbrenda zemrës e shpirtit, për fatin e kombit dhe të atdheut. Pra, më ktheve në atë kohë kur unë së bashku me një shok tjetër thyem me “pahir” një bust përbrenda gjimnazit. I tërë gjimnazi kishte rënë në heshtje, ishte pllakosur se çfarë u bë ashtu! Por, unë për asnjë moment nuk u ligështova dhe as nuk ika nga klasa. Profesor, prej atij momenti filloi edhe odisejada e juaj se si do veproje, që një nxënës tënd të shpëtosh dhe të mos i humbet shpresa e lumturisë. Ishte i matur, edhe kur të detyruan që si kujdestar klase të më marrësh në pyetje. Ishe njeri i madh, ishe tamam filozof i njerëzores që ia tejkaloje realitetit të jetës!

Edhe atëherë, edhe më vonë, edhe përgjithmonë, edhe pse kalove përmes tehut të shpatës, mbete njeri shembull i kombëtares por edhe i njerëzores. Profesor, unë di dhe më kujtohen edhe shumë gjëra, por tash në këtë moment nuk është rendi t’i theksoj.

Ishe shembull se si duhet punuar, se si duhet të jetosh edhe kur je në zgrip të jetës, edhe kur je i ndrydhur e i shtrydhur, edhe atëherë kur ndonjëherë “sosën” shpresat për lumturi dhe për fitore…

Profesori im,

Edhe në rrjedhat e fatit të Kosovës, le gjurmë të cilat janë shembull se si duhet punuar, se si duhet të jetosh edhe kur je në zgrip të jetës, edhe kur je i ndrydhur e i shtrydhur, edhe atëherë kur ndonjëherë “sosën” shpresat për lumturi dhe për fitore. Sepse, e kishe vizionin se njerëzit që e duan drejtësinë dhe lirinë herdokur dalin fitimtarë, por edhe bëhen lapidar i historisë.

Themelimi i Lidhjes Demokratike, atëherë parti e vetme shqiptare, të solli shumë “telashe” e tensione, por gjithnjë u kalite me madhështinë e rrallë, më çiltërsinë e pashoqe, që sot, kur ike në amshim, profesori im i dashur je i pavdekshëm, je pjesë madhështore e qytetit të Pejës, e Kosovës dhe e atdhedashurisë. Prandaj, pusho i qetë dhe krenar në tokën e Kosovës, në dheun e qytetit të Pejës me histori që shndrit si yjet në qiell e që ishte dhe është shembull për të ecur bashkë dhe unikë…!

Po sa jam krenar me ty, o profesori im, Ymer Muahxheri…! Kaq për tash!

(©S. B.)

(Pejë, e hënë 01 nëntor 2022)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok