07/10/2024

NË RRETHIN E TREMBËDHJETË TË SADIK BEJKOS

0

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Në rrethin e trembëdhjetë” e Sadik Bejkos, nga vëllimi poetik “Letër Hamurabit” (1997), është një krijim kompleks që ndërlidh elemente të ekzistencializmit, simbolizmit dhe absurditetit në një temë aktualiteti jo vetëm shqiptar. Shkruar në një kohë trazirash sociale e politike në Shqipëri, poezia reflekton mbi drejtësinë që kërkohet e nuk gjendet dhe padrejtësitë që përndjekin individin në shoqëri.Përmes një tribunali imagjinar, poeti shfaq ankthin dhe dilemat e tij, duke u shndruar në  gjyqtar të vetëdijshëm për pafuqinë e vendimeve që merr. Bejko, ish i dënuar nga regjimi monist (pa gjyq), përdor këtë poezi si formë reflektimi dhe proteste ndaj realitetit, ku drejtësia mbetet iluzion dhe fajtorët dalin gjithmonë të fituar. Poezia ngre pyetje për kuptimin e drejtësisë dhe vendin e individit në një botë të dominuar nga absurditeti dhe padrejtësia dhe jep mesazhin ekzistencial, sipas të cilit: njeriu është i dënuar të jetojë në një botë ku drejtësia dhe kuptimi janë shpesh të pa arritëshme dhe përpjekjet për t’i fituar ato janë të destinuara të dështojnë dhe harrohen.

I-Le ti lexojmë artistikisht vargjet e poezisë së Sadik Bejkos, ku vargu i parë: ” Në një tunel/në rrethin e trembëdhjetë/kam ngritur një tribunal pambarim” shfaq një absurdi-tet logjik të qëllimshëm, pse :

-Fraza “Në një tunel” shfaq një hapësirë të mbyllur që përfaqëson absurditetin e gjykimit në mungesë të drejtësisë. Tuneli simbolizon një ambient të errët dhe pa dalje, një hapësira metaforike, të ngritur nga poeti (kam ngritur)  ku ai përballet me vetveten në një betejë të ndërgjegjes, ndërsa “tribunal pambarim”në kontekstin e poezisë shpreh idenë se gjyqet janë të pafundme,gjë që reflekton absurditetin e jetës ekzistencialisht. Ky tunel metaforik është një hapësirë ku drejtësia është iluzore dhe tribunali shpirtëror është i destinuar të jetë i pafund dhe pa arritje, një cikël i pambarim dështimesh e fatke-qësish.

-Fjala e parë, “rrethi” të sjell instiktivisht në vemëndje rrathët e ferrit të Dantes, por me ndryshimin se te ai janë nëntë rrathë, ndërsa Bejko flet për rrethin e trembëdhjetë, duke nënkuptuar diçka më të thellë, më të lemerishme se ferri i Dantes. Ndërsa në “Komedinë Hyjnore” rrethi i 9-të i ferrit është vendi ku gjenden mëkatarët më të mëdhenj, tradhtarët, që vuajnë në akull (jo në zjarr), çka simbolizon ftohtësinë e tradhtisë, Sadik Bejko, duke krijuar një rreth të trembëdhjetë, zgjeron  konceptin e ferrit në një kuptim më ekzistencial dhe të personalizuar. Në këtë rreth të tij, nuk janë vetëm mëkatarët ata që vuajnë, por ca më tepër është dhe ai vetë, intelektuali dhe njeriu që kërkon drejtësi në një botë ku sistemi nuk e ofron atë.

Realisht ky rreth nuk është hapësirë klasike e ferrit, por është vend brenda psikikës së poetit, ku ai është gjyqtari, i akuzuari, dëshmitari dhe viktima, ku ai vazhdimisht gjykon padrejtësitë, por pa arritur të ekzekutojë vendimet. Ndaj ky rreth për Bejkon, është një ferr, një gjendje e vazhdueshme torture mendore, ku ai ndjen ankth për shkak të padrejtësive që përjeton në shoqëri. “Nën ankth e makth që zgjat, me peshore në dorë” shfaq situatën ku ai përpiqet të balancojë drejtësinë.

-Përdorimi i numrit trembëdhjetë në poezi nuk është rastësor, pasi ai është i njohur në shumë kultura si një numër ters, që ndjell fatkeqësi dhe shoqërohet me një lloj frike. Në poezi, trembëdhjeta është simbol i një hapësire ndëshkimi, ku absurditeti dhe pafuqia janë pjesë e përditshmërisë. Për këtë arsye dhe vargjet sugjerojnë  një gjendje (të përje-tshme) ankthi, ku nuk ka as shpëtim, as zgjidhje. Përdorimi i numrit trembëdhjetë lidhet jo vetëm me një ndjesi personale të poetit për padrejtësinë e përjetuar në monizëm, por edhe me fatin e përgjithshëm të shoqërisë, ku as drejtësia nuk mund të vendoset dhe as shpresa për përmirësim nuk shihet. Si numër, trembëdhjeta nënvizon absurditetin e situatës, madje dhe duke krijuar një kontrast të fortë mes dëshirës së poetit për drejtësi dhe realitetit ku ndodhet. Duke rilexuar këtë numër  në titullin dhe vargje, shohim se kjo zgjedhje e bërë nga Bejko shton dimensionnin fatalist të poezisë, lidhur me përjetimin e padrejtësisë si diçka që ka rrënjë të thella, jo vetëm në sistemin shoqëror, por edhe në vetë fatin e jetës. S’di pse gjatë leximit të kësaj poezie e parafytyroj Sadik Bejkon duke mbajtur mbi supe këtë numër, si Krishti kryqin e tij në ecjen drejt Golgothasë.

Rrethi i 13 i Bejkos është një gjendje ekzistenciale, një luftë shpirtërore për drejtësi në botën tonë, por që Bejko e ka nisur qysh në rini dhe e vazhdon dhe sot.  “Si një prift i thinjur në kishë” ai vazhdon e përpiqet të vendosë drejtësinë, duke mbajtur në dorë një peshore, simbol i drejtësisë së braktisur, në vend të Biblës, të cilën nuk e përdor dot në qëllimin e saj. Vargu: “Me tru në erë, me peshoren në dorë jap vetëm të drejtë”, shfaq  një përpjekje të dëshpëruare të tij.

-Të ve në  mendime vargu: “kam ngritur një tribunal pambarim” dhe pyet veten: a ka të drejtë poeti Sadik Bejko të marrë rolin e një gjykatësi (moral), duke vendosur drejtësi në një tribunal (shpirtëror) të ngritur nga ai vetë, si një përgjigje ndaj padrejtësive që e rrethojnë? Duke ditur se poetët janë viktimat e para të çdo sistemi shoqëror, por ata janë edhe gjykatësit më të drejtë të tij,(ndonëse vendimet e tyre nuk kanë të bëjnë me asgjë fizike), Bejko ka të drejtë të ngrejë  tribunalin për të gjykuar. Këtë përgjigje unë e gjeta dhe te fjala e Lasgush Poradecit thënë Kadaresë: “poeti ka përgjegjësi për gjithçka ndodh dhe kurdoherë që ndodh”. Mbështetur te përgjegjësia qytetare e tij dhe përgjegjësia si poet, Bejko është në të drejtën e tij në ngritjen e tribunalit. Ndërsa për sa i përket marrjes së kompetencave të gjykatësit unë do ju thoshja se ai përsëri është në të drejtën e tij si poet e qytetar të ngrejë (në psikikën e tij) tribunalin dhe të gjykojë shkelësit e ligjit, nxitësit, por së pari veten e tij, siç shprehet te vargjet:” Jam vetë i akuzuari dëshmitarët, publiku…/ Vendimet i jap e aty më mbesin / letrat i mbulon myku”. Veprimi i Bejkos nuk është përvehtësim i funksionit zyrtar, ky veprim buron nga përgjegjësia si poet, më tepër se nga përvoja personale për vendimet e padrejta, edhe pse ishte pikërisht kjo përvojë që i formoi ndërgjegjen kritike ndaj sistemit të drejtësisë.

Duke patur parasysh faktin që poezia është shkruar në vitin 1997, kohë kur Shqipëria ishte në kaos si pasojë e rrëzimit të firmave piramidale, poeti dëshmon realitetin e mungesës së shtetit, ligjit dhe drejtësisë. Shoqëria ishte zhytur në anarki, me grupe të armatosura që kryenin krime: grabisnin banka, rrëmbenin njerëz etj., ndërkohë që institucionet shtetërore nuk ekzistonin  të vendosnin rregull. Pikërisht në këtë kontekst, Bejko vendos veten në rolin e gjykatësit për të ngritur zërin kundër padrejtësisë.

– Poeti, duke e vendosur veten në rolin e një gjyqtari në një tribunal imagjinar, mund të shprehë ndjenjën e pafuqisë së individit  përballë një sistemi të korruptuar dhe të pandershëm. Vargjet si “I fitoj të gjithë gjyqet në tribunal, por… të ndëshkuarit- të lirë; fajtorët? prapë fitimtarë,” shprehin një realitet, ku fajtorët, ata që përfituan nga kaosi, jo vetëm që nuk u ndëshkuan, por vazhduan të ngjiten në majat e shoqërisë. Ironia thellohet se: edhe në tribunalin imagjinar, drejtësia mbetet e parealizuar, pasi “letrat i mbulon myku”. Në këtë mënyrë, poezia shfaqet si një formë proteste kundër absurdite-tit të një sistemi ku drejtësia nuk funksionon për njerëzit e zakonshëm, duke qenë njëkohësisht dhe ironi ndaj viktimave të cilët, mbetën pa drejtësi në  kaosin shoqëror. Sa keq që ky përfundim është më shumë se thjeshtë në psikikën e poetit. Sigurisht që poezia e Sadik Bejkos, me vargjet e cituara shpreh një universalitet të thellë, pasi ato (vargjet) kapërcejnë kufijtë e një konteksti specifik historik apo shoqëror dhe përbëjnë një reflektim mbi drejtësinë e padrejtësinë që shoqëron ekzistencën njerëzore në botë. Ato paraqesin një pamje të errët të botës, dhe ky univers moral nuk është thjesht realiteti shqiptar i viteve 1997, por një koncept që ka gjetur jehonë në letërsinë dhe filozofinë botërore, duke i dhënë poezisë një dimension të përjetshëm.

-Nuk është e lehtë të jesh gjyqtar në tribunalin e Bejkos, ja, dëgjojeni çfarë thotë ai: “Nën ankth e makth që zgjat,/me peshore në dorë,/ndëshkimi im vetëm ther”, pra Bejko jeton në një ndjenjë ankthi a makthi, duke zhvilluar një luftë të pafundme (me veten) për drejtësi. “Me peshore në dorë” simbolizon përpjekjen e tij (të vazhdueshme)për të ruajtur ekuilibrin dhe drejtësinë, por ndëshkimi i tij “vetëm ther”  pse vendimet e tij janë të drejta,ndonëse të padobishme.Ironia është se poeti i fiton gjyqet në tribunalin e tij shpirtëror, por vendimi mbetet i pa vlefshëm, i pa ekzekutueshëm sepse të ndëshkuarit janë të lire dhe fajtorët “prapë fitimtarë”, paradoks ky që tregon absurditetin dhe pafuqinë në një botë ku ligësia triumfon.

-Vargjet “Bëjnë jetë, bëjnë paret…ata. / Popullojnë majat dhe rrugën. / Qeshin nga lart, më nxjerrin gjuhën” pasqyrojnë realitetin social, një kontrast të fortë midis padrejtësisë sociale dhe forcës së korrupsionit me popullin. “Ata” janë simboli i atyre që kanë fituar pasuri me mënyra antiligjore dhe vijojnë të ngjiten në majat e shoqërisë, pra“ata” bëjnë para, krijojnë pasuri, përfitojnë të mira materiale. Pasuria e përfituar padrejtësish ushqen dhe arogancën e nënvlerësimin e “atyre” për njerëzit e ndershëm: “Qeshin nga lart, më nxjerrin gjuhën” në një akt përçmimi, kjo pse ata, “lart,” ndihen të paprekshëm. Interesant është vargu i fundit, “një huq i rinisë” i cili vlen si një e dhënë biografike e Bejkos, pse idealizmi për drejtësi i ka lindur në rini, si  besim i palëkundur, që me kalimin e kohës i është kthyer në  obsesion, ndoshta i kotë. Ndaj  shfaqet dëshpërimi i tij, lodhja e një jete, pasi e kupton se ky “tribunal” iluzion i rinisë së tij, ka mbetur ideal i parealizu-eshëm. Sa për ngushëllim për poetin, ky varg përmban edhe një ndjenjë nostalgjie për idealet e rinisë, duke bashkuar në vetvete dëshpërimin dhe iluzionet e humbura.

II-Poezia e Sadik Bejkos është poezi komplekse, që klasifikohet si psikologjike, simbolike e metaforike, pse këto tri shtresa janë ndërthurur e pasurojnë interpretimin e saj në nivele të ndryshme.

Poezia është psikologjike, pasi thelbi i saj është një përballje shpirtërore, një tribunal imagjinar ku poeti gjykon veten dhe shoqërinë. Ajo reflekton një gjendje ankthi, zhgënjimi dhe vetëakuzimi, duke pasqyruar një luftë shpirtërore përballë padrejtësive të botës, eksploron psikologjinë e individit në një cikël të pafund akuzash dhe dënimesh, që nuk realizohen në botën reale. Këtu, poeti tregon përpjekjen e tij për të mbajtur një ndjenjë drejtësie morale, pavarësisht se realiteti përreth është kaotik dhe i padrejtë.

Poezia është edhe simbolike, pasi ajo shprehet me simbole që japin kuptim të thellë.Psh, tuneli është simbol i mbylljes, errësirës e mungesës së daljes, përfaqëson bllokimin shpirtëror dhe psikologjik të individit. Numri trembëdhjetë është simbol që lidhet me tersin, fatin e keq, madje dhe këtu përfaqëson realitetin e pashpresë. Peshorja shfaqet si simbol i drejtësisë, ndonëse në këtë kontekst ajo shndërrohet në objekt koti,pa fuqi për të ndikuar në botën reale. Pra,  në tërësi, poezia përdor simbole për të përçuar idenë e absurditetit të drejtësisë në ë botë të padrejtë, duke e çuar poezinë në një qasje me rrymën e simbolizmit modernist.

Kjo poezi shprehet me një gjuhë thellësisht metaforike. Tribunalet, gjyqet, peshoret, dhe vetë rrethi i trembëdhjetë janë metafora për betejën shpirtërore të poetit me konceptin e drejtësisë morale. Tribunalet e tij (imagjinare) janë përpjekjet (e tij) për të vendosur drejtësi në  botën e padrejtë, ndërsa realiteti ironikisht përmbys përpjekjet,duke treguar se dhe kur individi përpiqet të mbajë një sens drejtësie, bota nuk ndryshon dhe fajtorët “triumfojnë”.

III-Duke patur parasysh dhe sa më sipër, poezia e Bejkos shfaqet në qasje me rrymën ekzistencialiste brenda modernizmit, dhe kjo për disa arsye të dukëshme:

Një nga karakteristikat kryesore të ekzistencializmit është përballja me absurditetin e jetës dhe mungesën e kuptimit të qartë në botë. Në poezi, tribunali imagjinar i poetit është një përpjekje për të vendosur drejtësi, në një realitet ku drejtësia nuk ka forcë. Kjo përplasje mes përpjekjes për të gjetur sens drejtësie në një botë kaotike është  tipar themelor i ekzistencializmit.

Duke krijuar një tribunal në mendje, poeti shpreh një përpjekje për të vendosur rregull, por realiteti është i përmbysur,një situatë që pjell absurditetin. Vargjet si “I fitoj të gjithë gjyqet në tribunal, por… të ndëshkuarit- të lirë; fajtorët? prapë fitimtarë” reflektojnë ndjenjën e pakuptimtësisë, tipike për letërsinë ekzistencialiste, ku individi ndien se çdo përpjekje e tij është e parëndësishme.

Ekzistencializmi përqendrohet në izolimin dhe vetminë e individit, në këtë poezi heroi është i vetëm, ndonëse është njëkohësisht gjyqtari, i akuzuari dhe dëshmitari, ai në thelb përball veten me një ndjenjë izolimi. Vetmia është një element ekzistencialist, ku individi përballet me vetveten dhe ekzistencën e tij.

IV-Figurat artistike në poezinë “Në rrethin e trembëdhjetë” të Bejkos si metaforat, simbolet, imazhet dhe personifikimet janë thelbësore për ndërtimin e kuptimit ekziste-ncialist. Këto elemente letrare ndihmojnë në krijimin e një bote simbolike dhe abstrakte, ku individi përballet me absurditetin dhe kotësinë e jetës. Por le të shohim  se si secila prej këtyre figurave kontribuon në përforcimin e ideve ekzistencialiste:

Simbolet:

-Simbolikisht:”rrethi i trembëdhjetë” përfaqëson një hapësirë të izoluar, vend ku individi përjeton ankth dhe vetëgjyqësi dhe i qaset si  referencë ferrit. Poezia e vendos subjektin lirik një “rreth të trembëdhjetë,” që është simbol i vuajtjes së pafund, duke forcuar ndjenjën ekzistencialiste të kotësisë dhe izolimit.”Në një tunel, në rrethin e trembëdhje-të / kam ngritur një tribunal pambarim.”

-Tribunali është simbol i drejtësisë, por në poezi, ai bëhet simbol i kotësisë e dështimit. Poeti gjyqtar (edhe i vetvetes) vazhdon të dënojë pafundësisht dhe drejtësisht, por drejtësia e tij nuk ka asnjë efekt. Ky tribunal duke qenë një krijim psikik nuk e ndryshon dot realitetin. Vargu: “Vendimet i jap e aty më mbesin, / letrat i mbulon myku.” tregon se drejtësia nuk realizohet, duke simbolizuar absurditetin ekzistencial.

-Peshorja, simbol i drejtësisë, është tjetërsuar në këtë poezi. Në vend që të sigurojë drejtësi ajo “ther”, duke sjellë ndëshkim dhe dhimbje. Ky simbol thekson ironinë dhe kontradiktën që individi përjeton në përpjekjen për të vendosur një drejtësi që nuk zbatohet. “Me peshore në dorë, ndëshkimi im vetëm ther.”

Metaforat:

Metafora:”Me tru në erë” përfaqëson problemet mendore të individit. Truri është simboli i arsyes dhe mendimit logjik, ndërsa “në erë” përçon idenë e kaosit, humbjes së kontrollit. Ky imazh shfaq çrregullimin ekzistencial të individit që nuk gjen një kuptim të qartë në botë, ku metafora mbështet idenë ekzistenciale se individi është i dënuar të jetojë në një botë pa elemente të qartë kuptimi.

Metafora e priftit të thinjur përfaqëson individin e vuajtur në një kohë të gjatë duke predikuar drejtësinë. Ky prift është simboli i një personi të moshuar, të ndërgjegjësuar se përpjekjet e tij janë të pafrytshme. Metafora e priftit thekson ndjenjën ekzistenciale të lodhjes dhe dështimit në përpjekje për të gjetur kuptimin në jetë. “Jam i moshuar, prift i thinjur në kishë, / dhe s’heq dorë nga ky tribunal në mendje, … një huq i rinisë.”

Personifikimet:

-Fajtorët janë personifikuar si të fuqishmit e shoqërisë, “popullojnë” majat, zotërojnë pushtetin, janë të paprekshëm nga drejtësia, duke përforcuar ndjenjën e absurditetit ekzistencial të individit që përpiqet të luftojë padrejtësinë. “Bëjnë jetë, bëjnë paret… ata. / Popullojnë majat dhe rrugën.”

-Myku  është personifikuar për të simbolizuar kalimin e kohës dhe harresën. Drejtësia e shkruar në letrat e tribunalit është mbuluar nga myku, tregon se gjithçka që shkruhet brenda këtij tribunali mbetet e harruar, pa vlerë. Personifikimi i mykut tregon kalbjen dhe rrënimin e idealeve dhe aspiratave të drejtësisë në botën e realitetit. “Vendimet i jap e aty më mbesin, / letrat i mbulon myku.”

Imazhet:

-Imazhi qëndror I poezisë: ”Në një tunel, në rrethin e trembëdhjetë” krijon ndjesinë e izolimit të plotë dhe errësirës. Ky imazh është një metaforë për gjendjen psikologjike të individit që ka humbur rrugën në kërkim të drejtësisë dhe kuptimit, që thekson krizën ekzistenciale.

Imazhi: ”Letrat që mbulon myku” është ekzistencialist, pasi shpreh ndjenjën e absurdit dhe pakuptimësisë, karakteristikë e kësaj rryme. Myku (i personifikuar) simbolizon kalbjen e harresën, përfaqëson dështimin e drejtësisë në aspektin e ekzekutimit të vendimeve. Këto “letra që i mbulon myku”, tregojnë kotësinë e veprimeve të njeriut në botë ku drejtësia dhe përpjekjet për të ndrequr gabimet përfundojnë të braktisura e  të harruaraa.

Ndërkohë imazhi: ”Fajtorët që popullojnë majat dhe rrugën”:shfaq një pamje shumë ironike e vizuale. “majat” simbolizojnë pozitat shtetërore, ndërsa “rruga” përfaqëson njerëzit e thjeshtë. Ky imazh krijon kontrast mes individit që përpiqet të sjellë drejtësi dhe atyre që, ndonëse të fajshëm, shijojnë jetën pa pasoja.

Mund të vazhdojmë me figurat artistike dhe të provojmë se janë ndërlidhur me idetë ekzistencialiste, duke krijuar një ndjenjë ankthi dhe shpesh janë të mbushura me ironinë e drejtësisë së munguar, absurdin e ekzistencës dhe pamundësinë e individit për të gjetur kuptim në një botë të mbushur me kaos dhe padrejtësi. Simbolet, metaforat, personifikimet dhe imazhet që krijon  Bejko në poezi forcojnë përvojën ekzistenciale, duke i dhënë kompleksitet perceptimeve të tij për botën dhe vetveten

V-Në krijimtarinë moderniste të Bejkos, poezia “Në rrethin e trembëdhjetë” përfaqëson një arritje të re dhe të rëndësishme për disa arsye.

Së pari, poezia dallohet për thellësinë e saj ekzistencialiste, një karakteristikë kyçe e modernizmit. Poezia nuk përpiqet të japë përgjigje të qarta dhe as të propozojë zgjidhje konkrete për padrejtësitë që shfaq,por përqëndrohet tek absurditeti i gjendjes njerëzore , ndjenjat e izolimit dhe ankthit, të cilat janë tipare të forta të modernizmit. Kjo trajtohet përmes gjyqit absurd që poeti organizon brenda mendjes së tij, një tribunal imagjinar ku ndëshkimet janë iluzion dhe drejtësia e pamundur të realizohet.

Së dyti, struktura dhe figuracioni i poezisë përfaqësojnë  distancim nga format tradicio-nale. Bejko përdor vargje të lira dhe stil të fragmentuar që reflekton kaosin e paqartë-sinë e kohës. Është kjo thyerje me formën klasike që i jep poezisë një ndjenjë moderne dhe përçon  energji të re, ku ndërthuret liria e shprehjes dhe zgjedhja e vetëdijshme për të shmangurnjë strukturë të ngurtë poetike.

Së treti, përdorimi i simbolizmit në mënyrë moderne e bën  poezinë arritje të rëndësi-shme në krijimtarinë e Bejkos. Simboli i “rrethit të trembëdhjetë” nuk është thjesht një element i izoluar, por një metaforë e thellë për humnerën ku drejtësia dhe moraliteti janë rrëzuar, madje ky simbol përfaqëson zgjerim të mëtejshëm të kufijve të kuptimit dhe shtyn lexuesin të mendojë përtej konvencioneve.

Së fundmi, Bejko kritikon shoqërinë përmes një gjuhe poetike plot metafora e simbole, duke krijuar një poezi që nuk është thjesht një produkt i kohës së tij, por një reflektim universal mbi padrejtësinë dhe absurditetin. Pikërisht kjo aftësi për të përmbledhur kohën dhe mbajtur një reflektim personal e bën poezinë e tij arritje të re në poezinë moderniste shqiptare.

VI-Poezia “Në rrethin e trembëdhjetë” e Sadik Bejko-s ka rëndësi të veçantë në poezinë shqipe, jo vetëm për forcën e saj ekzistenciale dhe simbolike, por edhe për mënyrën se si trajton temën e drejtësisë dhe padrejtësisë, një tematikë e ngulitur thellësisht në historinë shqiptare. Kjo poezi shquhet për stilistikën e saj të fuqishme, gërshetimin e elementeve të simbolizmit, metaforës dhe personifikimit për të krijuar  hapësirë unike të gjykimit moral dhe shpirtëror.

Vlera e saj qëndron në aftësinë e Bejkos për të ndërtuar një tribunal të brendshëm, një tribunal që ekziston (në psikikën e tij) përtej gjykatave fizike, duke reflektuar realitetin shqiptar plot me vuajtje dhe padrejtësi. Poezia, duke përdorur një gjuhë të ngarkuar me figura letrare, sfidon lexuesin të shohë drejtësinë jo si një koncept të fiksuar ligjor, por si betejë personale dhe universale.

Për më tepër, poezia bën një ndërthurje të forte (e të heshtur) mes përvojës personale të autorit dhe realitetit të përgjithshëm shqiptar në periudha të vështira. Si një akt i qartë proteste kundër padrejtësisë së strukturave shtetërore, Bejko i jep kësaj poezie një rëndësi të veçantë në historinë e letrave shqipe, duke e shndërruar në një simbol të qendresës intelektuale ndaj shtypjes dhe padrejtësisë.

Poezia pavarësisht se nuk përmban optimizëm të drejtpërdrejtë apo “dritë në fund të tunelit,” mund të shihet si një akt i thellë, proteste, rezistence dhe shprese në vetvete. Në një realitet ku drejtësia është iluzore dhe padrejtësia mbizotëron, vetë fakti që poeti arrin të krijojë dhe të artikulojë këto shqetësime përmes artit mund të konsiderohet një formë e shpresës. Nëse drejtësia nuk mund të gjendet në botën juridike, atëherë poezia bëhet bota, hapësira ku padrejtësia denoncohet dhe ku individi, pavarësisht mungesës së dritës, arrin të dëshmojë të vërtetën e tij. Vetë krijimi i poezisë është një mënyrë për  përballimin e absurdit dhe ruajtur një qëndrese shpirtërore, edhe në errësirën më të madhe.

Sarandë, shtator 2024

SADIK BEJKO

Në rrethin e trembëdhjetë

Në një tunel,

në rrethin e trembëdhjetë

kam ngritur një tribunal pambarim.

Jam vetë i akuzuari dëshmitarët, publiku…

Vendimet i jap e aty më mbesin,

letrat i mbulon myku.

Nën ankth e makth që zgjat,

me peshore në dorë,

ndëshkimi im vetëm ther.

I fitoj të gjithë gjyqet në tribunal.

por… të ndëshkuarit- të lirë;

fajtorët? prapë fitimtarë.

Bëjnë jetë, bëjnë paret… ata.

Popullojnë majat dhe rrugën.

Qeshin nga lart, më nxjerrin gjuhën…

Jam i moshuar,

prift i thinjur në kishë,

dhe s’heq dorë

nga ky tribunal në mendje,

…një huq i rinisë.

Në tribunalin tim s’marr pranga,

litarë, xhelatë a burg.

Me tru në erë, me peshoren në dorë

jap vetëm të drejtë.

Këtu, në tunel,

në rrethin tim të trembëdhjetë.

Nga libri “Leter Hamurabit” 1997

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok