08/10/2024

NË QAFË-BARI SHKOHET PËR TË VDEKUR!

0

Nga Agron Tufa

Greva e urisë e ish te burgosurve politikë në vendin tragjik te vuajtjeve, torturave e vrasjeve makabre ne Qafe Bari, në vendin e vuajtjeve të rinisë, është një gjest që shpreh kulmin e dëshpërimit dhe zhgënjimit. Dëshpërim dhe zhgënjim nga liria pa asnjë cilësi njerëzore e 30 viteve të fundit. Një rrugëtim i verbër drejt qorrsokakut postkomunist, të mbushur me figura personazhesh gjakatarë të ish regjimit diktatorial. Kjo grevë është gjithashtu dhe një test bash në periudhën kur shoqëria shqiptare është ndarë më dysh: të rrëzojë diktaturën e ricikluar të etërve apo t’i japë asaj oksigjen mbijetese përmes militantëve të pushtetit. Ndërkohë në malet e Qafë-Barit po flijohen të mbijetuarit e fundit të burgjeve të diktaturës. Është një turp dhe turp i madh, që media, kandidatët për deputetë në parlamentin e ri, misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe grupet apo shoqatat që kanë në thelbin e tyre “të drejtat e njeriut” nuk kanë shkuar ende të takojnë grevistët në kushte të rënda.

Midis grevistëve ka dhe personazhë që përjetuan terrorin e shtypjes së Revoltës së 22 majit 1984 nga dhuna shtetërore e personifikuar në togën e policisë së drejtuar nga krimineli Edmond Caja. Midis tyre ka shumë të dënuar (ridënuar) pas revoltës “për terrorizëm”, si Dush Martini me shokë dhe të cilëve ende nuk iu është hequr sot e kësaj ditë kjo nofkë penale e drejtësisë së diktaturës, duke i privuar dhe nga përfitimi I dëmshpërblimit.

Duket se solidariteti i shoqatave të ish të përndjekurve politikë është topitur, është mpirë dru, pa pikë ndjeshmërie. Por nëse ka mbeteur ende nga raca e qytetarëve me vetëdije, nëse ende ka dhimbje e nder për këta të mbijetuar që i kanë mbijetuar ferrit, nëse pra, nuk duan që të bëhet përfundimisht vonë, kur në këtë histori të shënohen viktimat e para, atëherë duhet të nxitojnë sa më shpejt drejt këtij vendi dhimbjesh, plagësh, gjaku e hidhërimi, për të dhënë një mesazh përkrahje e shprese. Kambana bie, por veshët ajme, janë të shurdhër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok