Në pritje të surprizave zgjedhore!
Shkruan: Florim Zeqa
Që nga sot kur përfundon afati i dorëzimit të listave zgjedhore në KQZ, fillon edhe faza e parë e zhvillimeve më dinamike të fushatës zgjedhore. Sot do të bie perdja dhe do të hiqen të gjitha dilemat se kush do të jetë në lista e kush jo, pra, do të bëhen publike të gjitha listat e partive politike.
Sasia nuk e përcakton cilësinë e qeverisjes në vendin tonë
“Demokracia” piramidale nga lartë-poshtë e ka ngulfatur shprehjen e lirë dhe mendimin ndryshe në partitë tona politike. Aderimet nga partitë e tjera në formën e riciklimit e shprehin nivelin më të ulët të demokracisë së brendshme dhe përfaqësimin më jo parimor dhe më antidemokratik të qytetarëve nesër në Kuvendin e Kosovës!
Mos ndryshimi i ligjit zgjedhor, gjegjësisht e ndarjes së Kosovës në disa lista zgjedhore (së paku pesë) e paraqet pabarazinë zgjedhore dhe diskriminuese në vendin tonë, me ç’rast përfitojnë qytetet e mëdha me më shumë deputet në listë, ndërsa komunat e vogla diskriminohen në numra ose nuk përfshihen fare në lista zgjedhore siq ka ndodhur në disa prej partive të mëdha! Të mos flasim për deputët e pavarur, të cilët pothuajse e kanë të pamundur ta kalojnë pragun e lartë prej 5 % të përcaktuar nga KQZ-ja!
Kalkulimi i votës nga partitë politike e jo i arritjes së përmirësimit të cilësisë në Kuvendin e Kosovës ka bërë që prindërit e futbollistëve apo djemtë dhe vajzat e këngëtarëve, figurave politike dhe ushtarake të bëhen pjesë e listave zgjedhore, duke i anashkaluar më të merituarit brenda partive tona respektive, që në fakt janë aktivistët dhe veprimtarët më të devotshëm nga themelimi i partive!
Se sa do të jenë të qëlluara këto katapultime të anonimëve politik brenda listave zgjedhore mbetet të shihet pas përfundimit të procesit zgjedhor, madje do të shohim se a do të bëhet deputet fituesi i “Big Brother” për të plotësuar mozaikun e imoralitetit politik në Kuvend. Këtu nuk e kam fjalën për pesonalitetin në listë, por për imazhin e keq që ka krijuar organizimi i “Big Brother” tek popullata e gjerë në Kosovë.
Për një gjë jam i sigurtë, aderimet e këtyre emrave anonim në lista zgjedhore nuk e rrezikojnë avantazhin politik të liderëve dhe rrethit të tyre të ngusht, të quajtura klane në zhargonin politik.
Grupet e interesit nëpër partitë tona politike janë të interesuara që ta ruajnë dominimin ekstrem pavarësisht rezultatit zgjedhor. Për këtë arsye, liderët më shumë rëndësi i kanë kushtuar arritjes së qëllimeve personale sesa të rritjes së subjektit politik.
Krerët partiak për të ruajtur ndikimin total në parti i përzgjedhin më të dëgjueshmit dhe më servilët që i kanë shërbyer me devotshmëri liderit dhe klanit të tij!
Liderët partiak në vend të programeve zhvillimore se si të arrihet tek ndryshimi substancial i qeverisjes dhe mirëqenjes qytetare, më shumë kujdes i kanë kushtuar emrave të vegjël që ju sjellin vota, por që nuk ju bëjnë konkurencë në renditje të arritshmërisë elektorale.
Në mungesë të një alternative të re politike, nga këto zgjedhje nuk do të kemi ndryshim por vetëm vazhdimësi të çasjes (keq)qeverisëse të deritanishme nga të njëjtat parti dhe politikan që thyen shpresat e qytetarëve për jetë në këtë vend.