21/12/2024

NË PËRKUJTIM TË PROF. DR. NUHI VINCA

0
Tarelli-Struge

Mbi urë. Strugë. 2024.

Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta për të gjithë është e shkurtër dhe e papërsëritshme: Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është e arritja e virtytit – Poeti filozof Virgjili

Veprimtari në Strugë

Nga Kadri Tarelli

Para pak ditësh, më saktësisht më 18, të gushtit, 2024, në sallën e teatrit “Poshka”, në qytetin e Strugës, në 40 ditë të ndarjes nga jeta, u përkujtua emri dhe vepra e atdhetarit, shkrimtarit, studiuesit, përkthyesit dhe poetit strugan e Prof. Dr. Nuhi Vinca.

Pjesëmarrja ishte mjafte madhe, familjarë, qytetarë, miq e shokë të vjetër e të rinj, disa të ardhur edhe nga Dardania, Prishtina, Prizrendi, Mitrovica, Suedia, mes tyre edhe grupi ynë nga Durrësi: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli, Gëzim Agasi dhe piktori Arben Kristani.

Si fillim në Strugë, ne u pritëm nga çifti Ilir Kafexholli dhe Teuta Vinca Kafexholli, bijë e Prof. Nuhiut, ardhur nga Prishtina.

Më duhet të them, se çuditërisht është shkrimi i dytë që po i kushtoj një personaliteti si Prof. dr. Nuhi Vunca, këtij veprimtari të ndritur të letrave shqipe, por në drejtime të pangjashme me njëri-tjetrin:

I pari, drejt ngjitjes në majë të karrierës dhe lavdisë, është shkruar në nëntor 2021, me rastin e festimit të 90-vjetorit të tij, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, veprimtari e pasqyruar në: Gazeta “Bota Sot”. Dardani. 18. 11. 2021,  “VOAL. Zëri Shqiptarëve”, Zvicër, 18. 11. 2021,  “Fjala e lire”, Londër, 18. 11. 2021, dhe gazeta “Fjala”. Tiranë, me titull: “Kuvendim me prof.. Dr. Nuhi Vinca”. 27. 11. 2021.

Ndërsa i dyti, tani pas kaq kohësh, drejt ngjitjes te yjet, drejt lavdisë e përjetësisë, me dhimbjen e ndarjes me një mik të rrallë. Kjo ngjarje e rëndë dhe e hidhur, po më shtyn të përcjell pak nga mbresat tona, nga një veprimtari sa të rrallë në organizim e formë, aq edhe e pasur me kumtin e përkujtimit në përjetësi të jetës dhe të veprës së këtij mësuesi dhe studiuesi me përmasa kombëtare. Diku në bisedë, rrethuar me miqtë, u shpreha: “Në takime të tilla, veç familjarëve vijnë edhe të afërmit, të gjithë të shtyrë nga dhimbja e zakoni, si përjetim i traditave tona të ardhura nga shekujt, ndërsa në këtë tubim, me ç’po shoh, marrin pjesë miq e shokë të ardhur nga larg, siç është edhe ardhja e z. Hysen Ibrahimi, Kryetar i shoqatës atdhetare letrare artistike shqiptare, “Papa Klementi XI. Albani. Suedi”. Të gjithëve na bashkojnë vlerat, sa njerëzore aq edhe intelektuale, si atdhetarë, studiues e krijues, që i bëjnë nder kombit. Janë pikërisht këto vlera që na bëjnë të jemi sot këtu, të ndjejmë së bashku dhimbjen e të ndajmë bashkërisht humbjen e një miku të shtrenjtë”.

Shpendi Topollaj, që foli në emër të grupit durrsak, si mik i hershëm i Prof. Nuhiut, në fjalën e tij qëndisur bukur, ku ndjehej krenari e trishtim, mes të tjerave, shton: “…….. Nuhiu shkoi i lumtur, se në këto dit të ndarjes nga kjo botë, këtu me të është e gjithë Shqipëria. …… Ndaj për këtë njeri dhe intelektual të përmasave të pazakonta, duke e vlerësuar atë sipas mënyrës Hegeliane, që artikulonte, se “Njeriu s’është kurrgjë tjetër, veçse një varg i veprave të veta”. Kështu që duke e parë vendin dhe rolin që vepra e tij luajti e do të luajë në edukimin qytetar e atdhetar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mendoj se është rasti, që t’i kujtojmë drejtuesit e pushtetit vendor, këtu në Strugë, që Profesorit të nderuar Nuhi Vinca, t’i ngrihet bust dhe t’i vendoset në breg, atje ku Drini del nga liqeni, që ai e deshi dhe i këndoi aq shumë, pikërisht aty ku ai nis udhëtimin nëpër Shqipërinë e tij të shtrenjtë”.

Fjalimet nuk kishin të sosur nga bashkëkohanikët, miqtë, bashkëpunëtorët, ish nxënësit e tij të hershëm, mes tyre edhe lexues e vlerësues të veprës letrare e studimore, të cilët sollën në kujtesë copëza jete të jetuar sipas kohës, rrethanave, kushteve e mundësive, shpesh herë jo të lehta, mbase jo të mundshme. Mund të përmend disa nga emrat që morën fjalën: Vegim Vinca, Shpendi Topollaj, Hysen Ibrahimi, Agim Vinca, Bajazit Murtishi, Vait Nasufi, Xhevat Lumani, Ilire Vinca, etj.

Me ndjesi malli, artiste Ilire Vinca, na solli në kujtesë disa nga vargjet e gdhendura nga Prof. Nuhiu, i cili në frymëzim poeti, dhimbje atdhetari, shprese shqiptari e pritje luftëtari, shkruante: – “Këtu te ky gur, shpirt gur,/ndahet Shqipëria nga Shqipëria…../Këtu në Qafëthanë, /këtu në Qafëthanë,/ një shekull e pret, jetimin një nanë….”. Fjala prekëse e artistes, u shoqërua me violinë nga artistja me emër të veçantë por të bukur, Syhana Reçi.

Në fund, pas kuvendit në sallën e teatrit, një tjetër ndodhi na priste: Ashtu në grup të gjithë pjesëmarrësit u ngjitëm mbi urrën e lumit Drin, që bashkon dy anët e qytetit të Strugës dhe ashtu në valëzimin e rrjedhës së ujërave të kristalta, hodhëm lule shumëngjyrëshe. Veprim magjik, që mrekullon cilin do që përjeton një skenë të tillë. Veprim që nuk e kam ndeshur gjëkundi. Do të jetë mrekulli, nëse ceremoni të tilla përkujtimore shoqërohen me hedhje lulesh në lumë, det apo liqen. Nuk di ç’të them: është zakon i riteve pagane, të mbetura e të ardhura ashtu natyrshëm nga besimi i hershëm i lashtësisë, apo një zakon i lindur, po natyrshëm, vetëm në qytetin e Strugës. Në të dy rastet është një mrekulli e vërtetë.

Për poetët dhe dijetarët, nuk ka vdekje. Ka vetëm ngjitje në përjetësi. Më pëlqen ta kujtoj shprehjen e të diturit Viktor Hygo, kur thotë: “Njeriu e ngre vetë piedestalin, koha i ngre monumentin”. I bindur se Prof. Dr. Nuhiu i ngriti vetë piedestalin, ashtu edhe monumentin.

Kadri Tarelli

21, të gushtit 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok