03/03/2025

NË KRAHINËN E ÇAMËRISË

0
Basha-Cameri3

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

Çamëria, një vend magjik në zemër të Epirit të lashtë, shtrihet si një perandori drite përgjatë brigjeve lindore të detit Jon, nga Butrinti e Bistrica deri në Gjirin e Prevezës. Emri i saj i shenjtë lidhet ngushtë me çamët, popullin autokton që dikur mbushte këtë tokë të bekuar. Në kohët moderne, Çamëria shpesh përfshin të gjitha trevat shqiptare të Greqisë, duke u shtrirë në Epirin e sotëm dhe një pjesë të Maqedonisë Perëndimore.

Në kohët antike, Çamëria ishte pjesë e Epirit, deri kur romakët e ndanë në dy njësi administrative: Epirin e jugut dhe atë të veriut. Kështu, zona veriore, e njohur nga vendasit si Çamëri, u përfshi në letërsinë romake si Epiri verior, por ndarja burokratike nuk mundi të zhbëjë emrat dhe identitetin e fortë të popullit të kësaj toke.

Kur sllavët pushtuan Ballkanin, Çamëria mbeti një nga ato treva që nuk iu nënshtruan ndikimeve të tyre. Në ndarjen që Bizanti bëri sipas përkatësisë fetare dhe etnike – grekët, shqiptarët dhe ardhacakët sllavo-turk – kjo tokë ruajti krenarinë dhe fisnikërinë e saj. Luftërat mes liderëve për kështjellat e Çamërisë ishin të ashpra, dhe popullsia shqiptare vuajti shumë nga mizoritë e ekstremistëve fetarë bizantinë. Por në mes të kësaj errësire, doli ndihma nga perëndimi i Ballkanit dhe familjet shqiptare që ruajtën traditat e qëndresës.

Skënderbeu, i njohur si princi i Shqipërisë dhe Epirit, u shfaq si simbol i guximit dhe luftës për liri. Pas betejave të ashpra në Ballkanin Lindor kundër bizantinëve dhe sllavëve të krishterë, në vitin 1449, Çamëria ra nën sundimin osman. Në periudhën osmane,

Janina u bë qendra administrative e një prej vilajeteve shqiptare, ndërsa Ali Pasha Tepelena u shqua për përpjekjet e tij për të bashkuar popullin e Çamërisë dhe për ta organizuar në një shtet shqiptar.

Ka një histori që lidhet me emrin e Çamërisë, që thuhet të ketë origjinën nga lumi Thyamis, i njohur më pas si Glyks apo Kalamas, që rrjedh në këtë krahinë. Gjatë sundimit osman, tingulli “Th” u transformua në “Ç”, duke reflektuar ndryshimin gjuhësor të turqishtes që nuk përdorte tingullin “Th”. Studiuesi grek Georgion Nikokles sugjeron se fjala “Çam” nënkupton pishën, dhe “Çamëri” përkthehet si vendi i pishave, një teori që mbështet autoktoninë e pjesshme të shqiptarëve në këtë zonë.

Çamëria sot ndahet në katër rrethe kryesore: Filati, me 54 fshatra; Paramithia, me 51 fshatra; Igumenica, me 54 fshatra; dhe Parga, me 34 fshatra. Çdo rrëfim, çdo kodër, çdo kështjellë e kësaj toke mbart me vete histori të lashta, plot mister dhe lavdi, që qëndrojnë si gurë të fortë në kujtesën e kombit shqiptar.

RRUGA PËR JANINË…

Të nesërmen, më 19 qershor 2024, u zgjuam në agun e një dite të re, të përgatitur për të vazhduar udhëtimin tonë nëpër shtigjet e jetës. Me Tefikun kemi kaluar shumë, kemi shkelur nëpër rrugët e botës dhe kemi zbuluar mrekulli të ndryshme, por herë pas here, në disa vende ndjehej një gjë e çuditshme, një mister që na transportonte në një dimension tjetër, një botë që ende mbetej e padukshme për të tjerët.

Kjo ndjesi më kishte përfshirë edhe atë mëngjes. Janina dhe Parga më dukeshin si vende të një kontinenti të largët, si ishuj të fshehur që unë isha e para që po i zbuloja. Kjo përvojë e thellë, një ndjesi që më kishte ndodhur edhe më parë në vende të tjera që më kanë lënë pa frymë, ishte një shkrirje e realitetit me magjinë e zbuluar. Nuk di se cilin vend do të veçoja; ndoshta Izraeli me misteret e tij të thella, Egjipti i lashtë me hijeshinë e përjetshme, Palermo me atmosferën e saj mesdhetare, San Marino, Monako, Porto, Andorra – të gjitha këto vende kishin lënë një gjurmë të pashlyeshme në shpirtin tim.

Kudo që kemi udhëtuar, kemi ndjerë një lidhje të veçantë, si të ishim pjesë e një historie që po zbulohej për herë të parë. Por sot, rruga për Janinë kishte një magji të veçantë, një magji që më bënte të ndihesha si eksploruese në një botë të re, një botë që po më përqafonte me të gjitha misteret dhe mrekullitë e saj të pazbuluara.

Dhe në një mëngjes të thjeshtë dhe të qetë, u larguam nga qyteti i Selanikut dhe nisëm udhëtimin drejt Janinës. Qytetarët na kishin siguruar se rruga ishte e shkëlqyer dhe trafiku i lehtë, por unë shpesh nuk mund të ndihmoja veten që ta krahasoja këtë udhëtim me ato që kam përjetuar në Itali. Sidomos, rruga nga Bolonja për në Romë më dukej si një ekuivalenc e mundshme.

Nga fillimi, bukuria e rrugës na çmendi. Autostrada kishte katër korsi dhe ishte e qetë, pa ndonjë densitet trafiku që të shqetësonte. Siç kalonim kilometrat, rruga bëhej gjithnjë e më magjepse. Tunelet, të vendosura një pas një, na përshëndetnin si porta hyrëse në një botë të re. Çfarë kisha lexuar për këtë rrugë, se ishte më e shtrenjta në Evropë dhe kishte mbi 94 tunele, po shndërrohej në realitet para syve tanë.

Malet e kodrat e shumta nuk na shqetësonin. Tefiku, ishte një vozitës i padiskutueshëm, dhe vozitja e tij e qetë dhe vazhdueshme ishte një përvojë pa stres. Kur e pyesja herë pas here nëse ishte i lodhur, ai përgjigjej me buzëqeshje dhe një lëvizje të kokës që “jo”, duke e bërë këtë udhëtim të lehtë dhe të këndshëm.

Me çdo kilometër që kalonim, shenjat në rrugë na tregonin se sa afër ishim destinacionit. Kur distanca e mbetur u ul nën 100 kilometra, ndjeva një gëzim të thellë, sepse e prisja me padurim të arrinim në Janinë, destinacionin tonë të parë në Çamëri.

Ndërsa shihja emrat e qyteteve që kisha dëgjuar shpesh – Igumenica, Arta, Preveza, Parga – isha e magjepsur nga bukuria dhe ngjyra e peizazhit. Por emri që më tërhoqi më shumë ishte SUEL. Ky emër u përsërit disa herë dhe, kur e pyeta Tefikun, ai qeshi dhe më tha se ishte fshati Sul, një fshat shqiptar që i përkiste rrethit të Paramithisë. Ai më kujtoi trimëreshat e Sulit që kishin rënë në liqe, duke refuzuar të mos i  dorëzoheshin Sulltanit. Ky fakt më la të habitur dhe më hodhi në një botë të panjohur të historisë dhe krenarisë shqiptare.

JANINA

Kilometrat rridhnin me padurim, si hapa drejt ëndrrës që e kishim ndjekur me zemër të fortë e shpirt të palodhur: Janina, qyteti i shumëpritur, i fiksuar në mendjet tona prej kohësh. Në navigatorin tonë, një tabelë na tregoi se duhej të ktheheshim djathtas – më shumë se një shenjë, ajo ishte një përshëndetje e bukur që paralajmëronte fundin e udhëtimit tonë. Çdo kilometër tjetër shkrihej në pamje të reja, dhe në atë përzierje të peizazheve, Janina filloi të shfaqej para syve tanë, si një oazë e largët e dëshiruar prej kohësh. Me entuziazëm të lartë, thirrëm “Janina!” dhe unë, me një ndjenjë gëzimi të pastër, fotografova tabelën e qytetit, që shkëlqente me shkronja të mëdha: “Janina.”

Pas dy kilometrave, navigatori ynë ngadhënjyes arriti tek hoteli “Grand Serai Congress & Spa.” Rrugëtimi prej më shumë se 300 kilometrash u shkri në një ndjenjë triumfi, dhe lodhja u tret në ajrin e ngazëllimit të mbërritjes. Dyert e mëdha të hotelit u hapën me një ndjenjë madhështie, dhe ne hymë brenda, ku u përshëndetëm me mirësjelljen e portierit që na drejtoi me kujdes për parkimin dhe bagazhet. Pamja e hotelit ishte madhështore, me një kopsht të mbushur me lule që rrezatonin ngjyra, dhe një fuaje elegante që të ftonte të hyje në një botë qetësie dhe hijeshie. Na dhanë çelësin e dhomës, dhe një djalosh i ri na ndihmoi të vendoseshim rehat, duke na treguar për oraret e darkës dhe mëngjesit, dhe pastaj na la të shijonim çdo çast të mbërritjes sonë.

Në ndarjen me Agonin, mes përshëndetjeve të shumta, ai na kishte kërkuar të lajmëroheshim sapo të mbërrinim në Janinë. Pas një kafeje të shijshme që e pimë me kënaqësi të madhe, e morëm në telefon dhe i treguam se ishim në hotel. Meraku i tij ishte i dukshëm, por ne e siguruam me gëzim se gjithçka kishte shkuar për mrekulli, dhe e përshkruam me entuziazëm udhëtimin tonë dhe qytetin që na kishte magjepsur. Ai na pyeti nëse dinim për Ali Pashë Tepelenën që kishte jetuar aty, dhe ne qeshëm, duke i thënë se nuk kishte nevojë të na kujtonte historinë, sepse e dinim…qesha.

Ndërsa bisedonim për Ali Pashën dhe për bukurinë e dhomës tonë, ai na befasoi duke thënë, “Mam, a e ke parë portretin e Ali Pashë Tepelenës në murin e dhomës suaj?” Kjo rastësi e mrekullueshme na bëri të qeshnim edhe më shumë.

Kur e pyeta për ditët e tij në det, ai u përgjigj me një ton të trishtuar, “Keq, shumë keq… po na mungoni shumë…” Dhe ne, me një ndjesi të ngrohtë në zemër, e mbajtëm këtë bisedë si një kujtim të ëmbël të udhëtimit tonë dhe dashurisë që na lidhte përtej çdo largësie.

Malli nga ndarjet e përkohshme

Në stinët e vjeshtës dhe pranverës, shpesh na gjente rruga drejt qytetit bullgar të Sandanskit, një oazë qetësie dhe relaksimi. Ishte si të kërkonim strehë nga zhurma e përditshmërisë, në krahët e natyrës që na përqafonte me ngjyrat e saj të ngrohta. Agoni, me përkujdesjen e tij të zakonshme, na përcillte me makinë, dhe pas dhjetë ditësh kthehej për të na marrë, së bashku me Albinën dhe Benin. Megjithatë, kishte diçka çuditërisht paradoksale në këtë skemë – ata qëndronin me ne vetëm dy apo tre ditë, përpara se të ktheheshin sërish në Kosovë. Dhe atëherë, pas largimit të tyre, një boshllëk i thellë na mbulonte mua dhe Tefikun. Pushimi, që dikur ishte arratisje nga rutina, kthehej në një mërzi të padurueshme, çdo orë dukej më e gjatë, çdo moment më i rëndë.

Dy vjet më parë, nuk e durova më këtë ndjenjë të rëndë që më kaplonte. Një ditë, ia shpreha Agonit brengën time. I tregova se, megjithëse ishim mirënjohës që na dërgonte në pushime, dita kur ai dhe të tjerët niseshin për në shtëpi ishte më e vështira për mua. “Pse ndodh kështu, mamë?” më pyeti ai me një ngasje të butë. “Ne dëshirojmë të jemi me ju, veçanërisht që Beni të kalojë disa ditë me ju.” Por unë i tregova se ndihesha keq pas largimit të tyre dhe i kërkova që herët tjera të mos vinin, që të mund të qëndronim vetëm ne dhe të riktheheshim në paqe. Ai, me mirëkuptimin e tij të zakonshëm, pranoi pa kundërshtim. Dhe kështu, gjatë këtyre dy viteve, ne nuk i lamë të vinin më me  ne. Kështu, qëndrimet në Sandanski filluan të bëheshin më të lehta, si një qetësi e përmbushur, pa hijet e largimit që rëndonin mbi pushimin tonë.

Kohët e fundit, teksa bisedonim nga Janina dhe ai po ankohej për ditët e ngadalta që vinin pas largimit tonë, një buzëqeshje e ngadalshme më shndriti fytyrën. Para se të arrija t’i tregoja për përjetimin tonë në Sandanski, ai më ndërpreu me një zë të ngrohtë. “Mos e thuaj,” më tha, “ne gjithashtu e përjetuam atë që ju përjetonit në Sandanski, kur ne iknim për në shtëpi.” Ishte e vërtetë – kishte diçka të rëndë në atë ndarje, një boshllëk që as pushimi s’mund ta mbushte kur një pjesë e familjes largohej.

Me këto fjalë të qeta dhe të ngrohta, u përshëndetëm. Dëshira jonë mbeti e pandryshuar – të kalonim mirë të gjithë së bashku, duke mbushur çdo moment të përbashkët me gëzim dhe ngrohtësi, pa peshën e ndarjes që e bënte çdo pushim të dukej më i gjatë.

Vizita në Qytet

Pas bisedës me Agonin, me një padurim të ngrohtë, ne prisnim momentin e daljes për të shijuar qytetin në ritmin tonë të ngadaltë. Në recepcionin e hotelit, i pyetëm se si mund të shkonim deri në qendrën e qytetit pa përdorur veturën. Ata u habitën dhe na u përgjigjën se qendra ishte këtu pranë. Ne kërkuam të vizitonim kalanë dhe liqenin e mrekullueshëm të Janinës. “Të gjitha janë afër,” na thanë ata. “Mund të shkoni në këmbë.” Me çantat e mbështjella në shpinë, dolëm nga hoteli.

Pas vetëm dhjetë minutash ose edhe më pak, në horizont u shfaq liqeni i bukur, duke dremitur nën rrezet e diellit. Rreth tij, disa turistë ecnin ngadalë, si ne, në kërkim të një mjeti për të shijuar qetësinë e ujit. Fillimisht na dukej se vendi ku ankoroheshin barkat ishte afër, por për të arritur atje, na u desh të përshkonim një rrugë të gjatë dhe të bukur, që na dha mundësinë të zbulojmë secilën ndalesë të këtij qyteti të mrekullueshëm.

Qyteti i Janinës gjatë historisë

Janina, kryeqyteti i rajonit të Epirit në Greqi, është një qytet që ndan me ne sekretet e kohës së kaluar. Me rreth 70,000 banorë, qyteti është një pasqyrë e bukur e periudhës osmane, një kujtesë e ndritshme e historisë që shpërfaqet në çdo ndërtesë të saj. Para vitit 1913, Janina ishte qyteti më i madh jugor shqiptar, një qendër e kulturës dhe e jetës shqiptare.

Sot, pas shpërnguljeve të mëdha dhe masakrave, shqiptarët janë të paktë në këtë qytet, dhe rrënojat e historisë dhe asimilimit të ashpër kanë lënë gjurmët e tyre. Janina ndodhet në një lartësi prej 480 metrash mbi nivelin e detit dhe përqendrohet në brigjet e Liqenit të Janinës, një peizazh që shpalos magjinë e tij çdo ditë.

Qyteti është i lidhur me qytetet e tjera të mëdha, duke qenë 100 km nga Gumenica, që ndodhet në perëndim të Janinës. Në të kaluarën, para vitit 1923, Janina përfshinte lagje të njohura si Dederuç, Pazari i Drithërave, Guraba, Ibrahim Pasha, Kalluça, Karavatja, Luca, Mitropolia, Namazgjah, Shëngjergji (Aj Jorgji), Mejdan dhe Siri Xhami, secila me historinë dhe karakterin e vet, që tani janë vetëm reminishenca të një kohe të shkuar.

Antikiteti dhe Mesjeta e Hershme

Në thellësitë e Janinës, ku hapat e njeriut jehojnë prej paleolitit, rreth 20,000 vjet më parë, gjurmët e Molosëve ngjallin kujtime të lashta. Qyteti i fushuar nga kohët klasike, i përmbysur nga pushtimi romak, nuk e humbi kurrë plotësisht jetën, ndonëse forma e tij urbane u shndërrua.

Në misterin e historisë së tij, përmendet themelimi i qytetit nën Justinianin I, por fortifikatat helenistike flasin për një të shkuar më të lashtë, të rindërtuar më vonë nga duar bizantine e osmane.

Në vitin 879, Janina del në dritë me emrin e saj, në aktet e Këshillit të Katërt të Konstandinopojës, e lidhur me Peshkopin Zaharia. Muret e saj ngrihen si mburojë gjatë shekujve, përballë Normanëve dhe duarve të pushtuesve, duke e bërë Janinën një perlë të Epirit që lindi mes legjendave e historisë.

Mesjeta e Vonë (1204–1430)

Nën Mihalin e I, Janina filloi të rilindë si një pikturë që merr jetë të re, ku refugjatët e Kostandinopojës gjetën strehë dhe qyteti mori frymë të re.

Edhe pse banorët u përpoqën t’i largonin në vitin 1232, Janina u rrit, duke fituar rëndësi. Prania e varangianëve dhe emri i saj në shkrimet e kishave e bënin qytetin një qendër të rëndësishme. Pas betejës së Pellagonisë, Janina u çlirua nga duart e Nikejve, ndërsa sulmet e mëvonshme nga perandoritë dhe sundimtarët lokalë nuk e thyen shpirtin e saj.

Deri në vitin 1430, kur trupat osmane u shfaqen para mureve të saj, qyteti u dorëzua, por ruajti autonominë e premtuar, duke qëndruar krenare në histori si një vend i rezistencës dhe rifillimit.

Janina gjatë Shekujve 15-16

Nën sundimin osman, Janina u bë një qendër administrative që lulëzoi në stabilitet të qetë. Në fillim, 50 familje myslimane dhe 1,250 të krishtera formuan strukturën e saj, dhe me kalimin e viteve, hebrenjtë gjetën vend në qytet.

Në vitin 1611, një kryengritje e Dionisi Sqillosofit trazoi popullsinë, duke i sjellë fund privilegjeve të krishterëve, të cilët u dëbuan nga kështjella. Asllan Pasha, me hakmarrje të pamëshirshme, rrënoi manastirin dhe ngriti xhaminë e tij mbi rrënojat, simbol i një epoke të re. Nga shkrimet e Evlija Çelebiut në vitin 1670, qyteti përshkruhej si një mozaik i lagjeve myslimane, të krishtera, hebreje dhe rome, duke gjetur ekuilibrin e tij në një botë të ndryshueshme.

Janina gjatë Shekujve 17-18

Megjithë shtypjen dhe konvertimet e shekullit të 17-të, Janina ruajti zemrën e saj të krishterë. Gjuha greke, mbizotëronte ndërsa turqishtja ishte për zyrtarët osmanë dhe shqipja për banorët shqiptarë. Grekët dhe shqiptarët ndanin këtë qytet të gjallë, ku kulturat bashkëjetonin dhe gjuha lidhte shpirtin e tyre.

Pas trazirave, qyteti u shërua shpejt dhe në fund të shekullit të 17-të, Janina ishte një qendër tregtare e lulëzuar me 1,900 dyqane. Lidhjet me Venedikun dhe Livornon e shndërruan qytetin në një portë të artë të shkëmbimeve kulturore dhe ekonomike.

Sundimi i Ali Pashës (1789-1822)

Në shekujt 18 dhe 19, Janina u ngrit nën hijen madhështore të Ali Pashë Tepelenës, që nga zemra e qytetit të tij sundonte një perandori të përzierë, përfshirë Shqipërinë jugore dhe Greqinë veriperëndimore. Ai ndërtoi lidhje me figurat kryesore të Evropës, ndërsa Janina lulëzonte me pasuri dhe dije, por edhe mbante mbi vete hijen e mizorive të tij. Nën sundimin e tij, qyteti u bë simbol i armëve, parasë dhe letrave, një qendëre gjallë kulturore, pavarësisht dhunës që e rrethonte. Kur Ali Pasha u vra më 1822, një epokë e trazuar mori fund. Megjithatë, një dritë shprese u ndez me themelimin e Zosimeas më 1828, një shkollë dijesh që sfidoi furtunat e kohës, duke u rilindur dhe qëndruar simbol i kulturës dhe dijes në Janinë.

Shekulli i Fundit Osman (1822-1913)

Në fundin e sundimit osman, Janina u përball me ringjallje dhe pasiguri. Zjarri shkatërrues i vitit 1869 dogji zemrën e qytetit, por falë përkushtimit të Ahmet Rashim Pashës dhe ndihmës së arkitektit Holz, Janina u rilind me hijeshi të re. Tregu dhe kishat u rindërtuan me ndihmën e shqiptarëve të diasporës, duke i dhënë qytetit një shkëlqim të ri.

Në shekullin e 19-të, qyteti njohu një lulëzim të ri ekonomik e kulturor. Banka Osmane solli zhvillim, ndërsa shqiptarët dhe grekët kërkonin të drejtat e tyre kombëtare, secili në udhën e vet drejt identitetit dhe lirisë.

Periudha Moderne (nga viti 1913)

Më 21 shkurt 1913, Janina u dorëzua pas betejave të Luftës së Parë Ballkanike, duke hyrë nën flamurin grek dhe hapi një kapitull të ri. Por, pas paqes, ndërrimet e dhimbshme të popullsisë myslimane dhe refugjatëve grekë e transformuan qytetin.

Nga komuniteti shqiptar-mysliman mbetën vetëm disa familje, një kujtim i largët. Lufta e Dytë Botërore solli bombardime të tmerrshme dhe shkatërrimin e bashkësisë hebraike nga nazistët. Megjithatë, në vitin 1970, me themelimin e Universitetit të Janinës, qyteti rigjeti frymën e tij intelektuale, duke hapur horizonte të reja.

Ishulli i Janinës

Në bregun e liqenit Pamvotidh, ishulli i Janinës ngrihet si një margaritar, ku historia dhe natyra vallëzojnë bashkë. Të magjepsur nga hijet e pemëve dhe dritat që shndrisnin ujërat, u nisëm me një barkë drejt këtij vendi të lashtë, ku misteri i Ali Pashës ende jetonte.

Nën diellin e zjarrtë, liqeni na freskonte ndërsa përjetonim bukurinë e rrugicave të ngushta dhe manastireve të lashta. Mes përjetimit të futbollit dhe gëzimit për Shqipërinë, i ftohti i një bokalli me ujë e luleshtrydhe na rigjallëroi.

Ishulli, me pyje të harlisura dhe brigje të buta, fshehte histori të rrëfyera nëpër muze dhe rrugë, një vend që lidh kohërat e vjetra me të sotmen.

Muzeu i Ali Pashës

Në zemrën e ishullit të Liqenit të Janinës, një kuptim i thellë i historisë priste për të na zbuluar misteret e tij. Muzeu i Ali Pashë Tepelenës, një dritare në të kaluarën e ndritshme të këtij regjioni, shfaqej me elegancën e një ndërtese të vjetër manastiri, ku në të kaluarën kishte ndodhur një ngjarje e madhe – vrasja e Pashait legjendar.

Ndërtesa, me formën e saj tradicionale popullore janitase, ishte e mbushur me objekte të çmuara nga jeta e përditshme e kohëve të hershme. Çdo send i ruajtur ishte një dëshmi e jetës dhe kulturës së atyre ditëve, që tani ishin aty për të nderuar dhe rikujtuar vizitorët.

Një pamje e paharrueshme në muze ishte piktura e dorëzimit të kokës së Ali Pashës te Sulltani, një skenë që kapte momentin dramatik të fundësis së tij. Piktura të tjera gjithashtu tregonin pamje nga jeta e tij si pasha, duke ofruar një pasqyrë të gjallë të historisë së tij të lavdishme dhe të trishtuar. Një befasi e veçantë ishte dyshemeja, ku ishte e mendohej se kishte kaluar plumbi vdekjeprurës – një përkujtim i tragjedisë së përjetuar.

Në këtë ishull të mbushur me histori, mund të gjeni gjithashtu suvenire të ndryshme, nga libra dhe bizhuteri të bukura deri në objekte të tjera interesante që mund të mbani si kujtime të paharrueshme. Një udhëtim me varkë nga skela e qytetit ishte një përvojë që ia vlen të bëhet, për të eksploruar këtë vend të mbushur me thesare të panumërta, ku çdo kënd dhe çdo objekt rrëfen histori të pasura dhe emocionuese.

Kalaja e Janinës

Rrugëve të Janinës ecnim, duke soditur me kureshtje të madhe gjurmët e së kaluarës që ende mbeteshin të ruajtura në këtë qytet të bukur. Kalaja, si një kurorë e historisë, qëndronte krenare në zemër të qytetit, duke i ofruar çdo cepi të saj një pamje të mahnitshme që të bënte të ndiheshe i lidhur me madhështinë e veprave njerëzore të së kaluarës. E ndërtuar gjatë epokës osmane, kjo kala ruante në gjirin e saj edhe fragmente të tjera më të vjetra, bizantine, që e bëjnë atë një dëshmi të gjallë të historisë.

Në brendësi të kalasë, dy kalatë qëndrojnë në harmoni, si dy motra që ruajnë sekretet e së kaluarës. Në akropolin verilindor, dikur pallatet e sundimtarëve bizantinë, sot mbretëron Xhamia e Aslan Pashës, një dëshmi e viteve 1618. Ndërsa në juglindje, Ich-Kale, kalaja e brendshme, mban në qendër Muzeun Bizantin, ndërsa Xhamia Fethiye dhe varri i Ali Pashës i qëndrojnë pranë, si roje të palodhura të historisë.

Rrugëve të kalasë, mes shtëpive të vjetra të vendbanimit, gjenden Soufari Sarai, shkolla e kalorësisë së Ali Pashës, biblioteka turke, sinagoga hebraike dhe rrënojat e banjës bizantine. Edhe pse të rrënuara, ato qëndrojnë si kujtime të një kohe të largët, një mozaik i pasur i kulturave që kanë kaluar këtu. Kulla e Bohemundit dhe ajo e Thomait, të vendosura në hyrje të kalasë, janë dëshmitare të epokës bizantine, duke ruajtur me krenari kujtimet e kohëve të shkuara.

Sot, brenda mureve të kalasë, ende ka jetë; shtëpitë e vjetra janë të banuara dhe banorët, me mirësjellje të natyrshme, na përshëndesnin duke kaluar rrugicave të kalldrëmit. Ata ishin të mësuar me pranin e turistëve, të cilët ecnin në kahe të ndryshme, të tërhequr nga bukuria dhe historia që kjo kala ofronte, si një urë që lidh të shkuarën me të tashmen.

Muzeu Bizantin i Janinës

Pas një udhëtimi të gjatë në ishullin e liqenit të Janinës, kur lodhja  kalëronte në çdo hap dhe dielli ndriçonte çdo skaj të peizazhit, qyteti i Janinës vazhdonte të fshihte thesare të tjera për të zbuluar. Në distancë, kalaja e Ali Pashë Tepelenës ngrihej me krenari, dhe në zemrën e saj, muza e historisë priste të na shpaloste sekretet e saja.

Muzeu Bizantin, një gur i çmuar në këtë bastion të lashtë, shfaqej si një ndërtesë mbretërore e integruar në brendësi të kalasë. Ndërtuar në vitet 1960 si një pavijon mbretëror, ky muze magjepsës ishte hap për publikun në vitin 1995. Ai zinte një vend të rëndësishëm në kalanë e Janinës, duke përfaqësuar një lidhje të thellë me të kaluarën e lavdishme të qytetit.

Në këtë tempull të kulturës dhe historisë, ne mund të admironim një koleksion të mrekullueshëm që përfshinte skulptura të hershme të krishtera dhe bizantine, si dhe argjendarinë e pasur që ndodhet në një ndërtesë të akropolit të shekullit të 19-të. Më tej, koleksionet e gjetjeve nga Arta, qeramika e rafinuar, librat dhe paleotipat, si dhe ikonat postbizantine ofronin një pasqyrë të gjerë të artit dhe kulturës bizantine.

Koleksioni i argjendarisë, me shkëlqimin e tij të ndritur dhe formave të shquara, ishte një kujtim i jashtëzakonshëm i mjeshtërive të artizanëve të dikurshëm. Secila pjesë e këtij muzeu është një fragment i rrëfimeve të lashta, një udhëtim nëpër kohë që na lidh me një epokë të largët dhe të lavdishme.

Muzeu Bizantin i Janinës është më shumë se një koleksion objektesh; është një pasaportë në të kaluarën, një udhëtim në një botë të ndryshme ku historia dhe arti bashkohen në një simfoni të jashtëzakonshme. Pas këtij udhëtimi, u kthyem në qytet, ku kalaja e bardhë dhe xhamia madhështore mbetën kujtime të paharrueshme.

Takimi me Gratë Shqiptare

Ndërsa shëtisnim rrugës “Ali Pash Tepelena” në Janinë, zëri i gëzuar i disa grave shqiptare na tërhoqi vëmendjen nga larg. Shumë shpejt, bisedat e tyre të ngrohta dhe qeshjet e këndshme na bënë të ndalim dhe t’i vështronim. Ato kishin zënë një kënd të ngrohtë në anën e rrugës, ku mbi një stol ishin vendosur disa libra dhe një pano e madhe e cila shpallte: “Të mësojmë bashkë Biblën e Zotit.” Në atë moment, fjalët shqipe që shihnim ishin si një përrallë e gjallë për ne.

Ngadalë u afruam dhe i përshëndetëm ato, që na u përgjigjën me ngrohtësi në shqip dhe greqisht. Gratë, të cilat ishin të sjellshme dhe të hijshme, ishin befasi për ne. Pas një bisede të shkurtër, ku morëm informacion të vlefshëm për aktivitetet e tyre, ato na treguan se jetonin dhe punonin në Janinë, ku ishin bërë mikesha të ngushta në mes veti. Ato na informuan se sot ishin në pushim dhe kishin dalë në rrugë për të ndihmuar ata që ishin të interesuar për fenë dhe për të shpërndarë njohuri të shenjta.

Pasi na treguan për jetën e tyre të përditshme, ku punonin në disa punë për të mbajtur familjet e tyre, u ndjemë të afërta me to. Ndërsa i pyesnim për profesionet e tyre, ato na përshkruan përkushtimin në punë me një buzëqeshje dhe humor, duke na ndihmuar të kuptojmë se sa të përpikta dhe të dedikuara ishin.

Pasi iu treguam se ishim kalimtarë dhe vetëm për vizitë ishim në Janinë, Olimbia, më e moshuara, na pyeti nëse e kishim vizituar kalanë e Ali Pashës. Kur i thamë se ajo ishte e mbyllur, Greta, e cila duket më e re dhe më energjike, u ofrua të na udhëheqë. Me entuziazëm dhe dashuri për qytetin e Janinës, ajo dhe Sabirja, si dy guida të pasionuara, na  shpjeguan çdo detaj të kalasë dhe na dhanë një pamje të thellë për historinë dhe legjendat e saj.

Pjesë e këtij udhëtimi ishte dhe një zbulim tjetër: Greta na tregoi për një tunel të fshehtë nën liqen, që Ali Pasha përdorte për të kaluar në mënyrë të fshehtë. Ajo na informoi se burri i saj kishte guxuar të hynte në të, por kishte ndaluar për shkak të frikës. E gjithë kjo na bëri të ndiheshim si pjesë e një historie të madhe dhe të mistershme.

Kur doli ora 19 e mbrëmjes dhe filloi të errësohej, na u desh të largohemi nga kalaja, por jo pa parë edhe një herë qytetin që rrethohej nga një atmosferë e gjallë. Sabirja na tregoi për përvojat e saj, punën e saj në komunën e Janinës dhe jetën e saj në këtë qytet, duke ndarë me ne sfidat dhe sukseset.

Ndërsa qyteti vazhdonte të jetë i zhurmshëm dhe i gjallë, grave iu ofruam të provonim akulloret që dukeshin të shijshme, dhe megjithëse fillimisht ishin të ngurruara të pranonin, e më vonë e bënë me kënaqësi në një vend të bukur. Kur u ndamë, na pyetën për hotelin tonë dhe Greta qeshi kur mori vesh se kishim zgjedhur një nga hotelet më të mira të qytetit.

Përpara se të ndaheshim, ato na treguan se tani, pas dite do të shkonin në punën e tyre të dytë, por gjithmonë gjenin kohë për të ndihmuar dhe për të shpërndarë njohuri në rrugë. Një detaj i veçantë ishte rituali i cingërimës së telefonave në orën 21, që përfaqësonte thirrjen e familjarëve për në shtëpi, një zakon që po përsëritnin çdo ditë.

Në këtë takim, ne u ndamë të mbushur me njohuri dhe përvojë, duke ruajtur kujtime të bukura nga një grup i veçantë dhe të paharrueshëm të grave shqiptare.

Greta

Të nesërmen, në mëngjesin e vonë, në restorantin e hotelit “Grand Saraj” po shijonim mëngjesin, ndjeva dy duar të ngrohta që mbyllën sytë e mi nga pas. Frika më kaploi për një çast, por mendova menjëherë se Tefiku ishte aty dhe asgjë e keqe nuk mund të ndodhte. Një qeshje e gëzuar u përhap pas meje dhe duart më përqafuan ngrohtësisht. Kur ktheva kokën, pashë menjëherë Gretë-n, atë grua të njohur nga nata e kaluar. “Ooo Greta!” thirra e habitur, “Si ke ardhur këtu?”

Ajo qeshi dhe na tregoi se punonte si kameriere në atë restorant. “Mbrëmë nuk desha t’ju tregoj se punoja këtu, sepse doja t’ju bëja një befasi,” tha ajo, duke buzëqeshur. “E shihni, ja pati sukses.” Me një buzëqeshje të ngrohtë, ndihmoi që të zgjedhim më të mirën nga mëngjesi dhe na tregoi se nuk ishte zakon të kishim mysafirë nga Kosova.

“Kam dëgjuar për Kosovën dhe për luftën e saj,” tha Greta, “e di se ka pasur shumë dhimbje dhe krime, por besoj se Zoti do të ndëshkojë ata që bënë keq.” Greta ishte një besimtare e përkushtuar dhe besonte se një ditë drejtësia do të bëhet. Ajo na tregoi edhe historinë e emrit të saj të bukur.

Megjithëse Greta kishte studiuar për mësuese matematike, ajo kurrë nuk kishte ushtruar këtë profesion. Në vend të kësaj, kishte punuar në shumë profesione të tjera. “Jemi të shtypur këtu,” tha ajo me sy të mbushur me lot, duke na prekur thellë me historinë dhe fatin e saj.

Pasi mbaruam mëngjesin dhe u përshëndetëm me Gretën, morëm rrugën për Pargë. Agoni kishte rezervuar një hotel për ne për katër ditë. Rruga drejt Pargës, vetëm 98 kilometra larg Janinës, ishte e drejtë dhe llogaritëm se mund të arrinim atje brenda një ore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok