NË KËRKIM TË HARMONISË
(Gani S. Pllana: “Në peshoren e zemrës”, poezi, 2024)
NGA PREND N. BUZHALA
Libri me poezi i Gani S. Pllanës përshkohet nga tipi i poezisë së deklaratës, d.m.th. nga paraqitja e drejtpërdrejtë e shprehjes artistike, pasi shumë nga vargjet përmbajnë deklarata dhe mendime të formuluara qartë rreth temave e motiveve të ndryshme, si atdheu, kultura, rinia, mërgimi, aktualiteti apo liria. Poezia me karakter deklarativ është ajo që shpreh një mendim të qartë, të drejtpërdrejtë dhe sadopak të argumentuar. Poeti përdor një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, pa shumë figura apo imazhe të ndërlikuara.
- Shprehja e drejtpërdrejtë,mesazhet etike dhe morale
Gani Pllana i komunikon mendimet e tij personale, ndjenjat dhe bindjet në një formë që është shumë e hapur dhe e qartë për lexuesin. Ky tip shkrimi është më argumentues dhe informativ, duke synuar të trajtojë një mesazh të fortë. Për shembull, kur poeti thotë: “Rinia rilind
këngën gëzimplotë”, ky varg është një deklaratë e drejtpërdrejtë që thekson ringjalljen dhe fuqinë e rinisë që sjell energji pozitive dhe të përparuar. Ajo është një frymëzim dhe thirrje për veprim. Ose: “për lirinë u flijuan breza” –është një deklaratë e qartë për vlerën e lirisë, duke kujtuar sakrificat e të kaluarës. Kësisoj, shprehen bindjet personale dhe reflektimet mbi jetën: “Mërgimi djeg, mërgimi dhemb”, është një përjetim e këndim i qartë dhe i drejtpërdrejtë mbi ndikimin e mërgimit, duke e shpjeguar atë si një përvojë që sjell dhimbje dhe humbje.
Mesazhin “Mos ia kthe shpinën atdheut” e shfaq drejtpërdrejt për të rinjtë, duke i paralajmëruar ata të mos e harrojnë atdheun e tyre dhe të qëndrojnë të lidhur me rrënjët e tyre, me ruajtën e lidhjes me kulturën dhe traditat kombëtare. Vazhdon më tutje: “Ruaj fjalën, si flakë të shenjtë” , ku thekson rëndësinë e ruajtjes së besës dhe të fjalës. Ky është një mendim i shqiptuar e i afishuar haptas që i jep vlerë etike dhe morale përmbajtjes së fjalës dhe besimit. Poeti e do atë poezi që ngjall dashuri dhe shpresë e që e shpreh rolin e poezisë si mjet frymëzimi dhe forcimi të lidhjeve shpirtërore. “Loti trand gurët në bjeshkë” është një varg që përdor metaforën për t’i përshkruar emocionet e forta. Edhe mesazhet mbi rëndësinë e punës dhe angazhimit shprehen po me këtë gjuhë: “Ngrihu herët bir-puna është nder” e që është një këshillë e thjeshtë dhe shumë e kuptueshme për rëndësinë e punës dhe angazhimit në jetën e përditshme.
Ky stil është i qartë dhe i drejtpërdrejtë, duke mos e fshehur apo mbështjellë mesazhin pas figurave poetike të ndërlikuara, por duke i bërë ato të dukshme dhe të kuptueshme që nga vargu i parë. Edhe kur poeti përsiat mbi realitetin e kaluar dhe të tashëm: “Rreth sofrave të bashkuar, vëlla me vëlla e miqësisht“, ai shpreh një mendim të hapur për ndryshimin e ndodhive dhe marrëdhënieve mes njerëzve, duke e theksuar humbjen e unitetit dhe solidaritetit që dikur ishte i dukshëm. Ky është një reflektim personal dhe mendim që i drejtohet lexuesit për t’i kuptuar pasojat e ndryshimeve sociale dhe kulturore.
Gjatë shekujve poetët i kanë përdorur vargjet e tyre për të shprehur dhe përçuar mesazhe etike dhe morale, si një lloj udhëzuesi për jetën e përditshme. Poetët, përmes vargjeve të tyre, i drejtohen publikut për përhapjen e mësimeve mbi vlerat më të rëndësishme që formojnë një shoqëri të shëndetshme. Kështu shpreheshin romantikët tanë dikur, si Naim Frashëri që përpiqej të përhapte idetë iluministe ndër ne, kundruall obskurantizmit osman. Ajo që ndodhi me poezinë shqiptare dhe poetët tanë, siç janë rilindësit apo poetët e periudhave të mëvonshme, qëndron te fakti se ata e përdorën poezinë për të theksuar ide dhe parime që kishin të bënin me lirinë, atdheun dhe nderin.
Në poezitë e këtij libri mesazhet etike dhe morale janë të shumta dhe të ndryshme dhe ndriçojnë aspektet më të rëndësishme të jetës njerëzore, siç janë dashuria për atdheun, përgjegjësia për brezat që vijnë, si dhe nderimi për vlerat njerëzore.
Në poezinë “Mos ia kthe shpinën atdheut”, poeti shpreh bindjen e fortë se atdheu është burimi i identitetit dhe i nderit, dhe kjo është një temë që mbështetet në ndjenjat dhe përvojat personale të autorit.
Kështu, karakteri deklarativ i poezisë është tipar i orientuar drejt komunikimit të një mesazhi të qartë dhe të kuptueshëm, me qëllime morale, etike apo filozofike. Në këso rastesh, poeti përdor formën imperative dhe pohuese të vargut, për ta frymëzuar veprimin dhe që t’i shprehë mendimet e tij në mënyrë të sigurt dhe të vendosur. Shprehje e drejtpërdrejtë nuk ka figuracione të pasura lirike apo metafora, simbole apo krahasime të ndërlikuara. Ajo ka një qëllim të qartë: përçimin e mesazhit pa pasur nevojë për ndërtim poetik të ndërlikuar.
- Metafora e peshores: pasuria e lashtë dhe realiteti i sotëm
Çfarë dëshiron të vërë në peshojë poeti:
Kur në poezinë e parë me titull “Vlerat njerëzore” shkruan:
A thua vlerat pellazgjike
Po vihen në peshojë historike
Si vlerat njerëzore në peshore
Ai dëshiron të na sugjerojë se motivi pellazgjik vë në peshojë një seri idesh, vlerash dhe dimensionesh historike, kulturore dhe etike. Poeti, nëpërmjet këtij motivi, kërkon të vërë në veprim refleksione mbi të kaluarën e kombit dhe për vlerat e tij, me përpjekjen ta mbajë drejtpeshoren mes të kaluarës dhe të tashmes. Gjithsesi është edhe një dëshirë që në këtë peshore t’i ndërlidhë vlerat dhe trashëgiminë kulturore pellazgjike, me natyrën, nderin dhe identitetin kombëtar, si dhe me ndryshimet e kohës moderne, si zhvillimet sociale, politike dhe kulturore që e kërcënojnë ruajtjen e këtyre vlerave. Nënvizohet rëndësia e vlerave njerëzore dhe kombëtare, që janë të trashëguara nga paraardhësit e brezave të kaluar. Fjala dhe veprat e mençura kanë peshë të madhe.
Poeti krahason pasurinë kulturore të lashtë me atë të sotme. Thekson se si këto vlera janë mbajtur gjallë dhe janë rrezikuar nga ndryshimet shoqërore dhe botërore. Vlera të tilla si guximi, nderi, dashuria për atdheun dhe mbrojtja e tokës, janë të lidhura me moralin dhe zhvillimin shoqëror. Kjo mbijetesë kulture dhe e identitetit kombëtar, përballë sfidave të ndryshme historike, si pushtimet, emigrimi dhe ndryshimet sociale, shpreh shqetësimin për humbjen e këtyre vlerave dhe bën një thirrje për t’i ruajtur rrënjët e lashta, për ta ndihmuar kombin të mbetet i fortë dhe i bashkuar. Poeti këtu i lidh vlerat pellazgjike me vlerat njerëzore universale, të cilat përfaqësojnë principet dhe normat morale që formojnë jetën e shoqërive (Vargu “Si vlerat njerëzore në peshore”). Peshorja është simbol i drejtësisë dhe barazisë, dhe përdorimi i saj në këtë kontekst do të thotë që vlerat pellazgjike dhe ato njerëzore duhen matur dhe vlerësuar me kujdes, për ta kuptuar ndikimin e tyre sot. Motivi pellazgjik është tregues i rëndësishëm në poezinë dhe letërsinë shqiptare, që nga De Rada, autorët e poetët tjerë arbëreshë e deri më sot. Në letërsinë shqiptare, ky motiv ka një përmasë simbolike që lidhet me idenë e kulturës së lashtë, guximit, lavdisë historike, si dhe idesë së rrënjëve të një kombi. Trajtimi i këtij motivi në poezi përshkohet nga një nostalgji dhe ndjenjë krenarie për origjinën dhe pasurinë e kulturës që ka kaluar brez pas brezi.
Kështu, këto ide e motive poeti i nis që me poezinë e parë të librit, me titullin “Hora arbëreshe“, në të cilën poeti spikat traditën e “horës”, me vallëzimet dhe këngët tradicionale arbëreshe që dëftojnë forcën dhe unitetin e këtij etnikumi të dëbuar dhunshëm nga gjenocidi osman: “Yll në dhe të huaj.” Pra, edhe pse arbëreshët jetojnë jashtë Shqipërisë, ata i mbajnë gjallë identitetin e tyre dhe rrënjët kulturore. Ky mall për atdheun dhe identitetin arbëresh është i përbotshëm, i cili nuk mund të shuhet as nga koha, as nga largësia. Fakti që arbëreshët flasin “me gjuhën e zemrës”, thekson se gjuha është komunikimi, por ajo më shumë është një pjesë e qenies së tyre. Edhe kostumet e festave të identitetit arbëresh që ruhen me krenari, edhe historia e vuajtjet nëpër periudha të turbullta, shpirti arbëreshë mbeti i pathyeshëm, me lidhjet për atdheun e të parëve. Arbërishtja, gjuha e lashtë e arbëreshëve, flitet ende në familjet e tyre dhe është pjesë e rëndësishme e qenies së tyre:
Arbëreshët këndojnë
gjuhën e zemrës mal
në rrënjët e saj
Arbëria s’ka të ndalë
- Reminishencat tjera poetike
Një varg poezish tjera kujtojnë ngjarje dhe përjetime nga e kaluara. Këto janë reminishenca poetike që përjetësojnë momente, ndjesi ose periudha të shkuara, që përmes fjalëve dhe vargjeve, poeti përpiqet të sjellë në jetë një pamje më të qartë dhe më emocionale të asaj që ka kaluar, por që ruan ende një peshë të rëndësishme për poetin dhe lexuesin. Te këto poezi reminishenca ka karakter reflektues dhe nostalgjik, që lidhet me kthimin pas në kohë, për ta ripohuar ose rishikuar një periudhë të historisë dhe ngjarjeve.
Te poezia “Reminiscencë” (pranë obeliskut të nënës sime), poeti e fillon me një përkujtim për nënën dhe ngritjen e një obelisku në nder të saj. Ky obelisk është simbol i respektit dhe nderimit të kujtimit të nënës, i përjetësuar në gurë graniti, duke i dhënë një pasuri të qëndrueshme kujtimit përgjithmonë. Rrëfimi është emocional dhe prekës, pasi autori bisedon me nënën, e cila është e ndarë nga kjo botë, por kujtimi dhe dashuria për të janë ende të pranishme. Autori jep një monolog në natyrë, pranë lumit Ibër, ku ai përqafon dhe përkëdhel gurin, duke e ndjerë nënën si diçka të gjallë, edhe pse ajo është larg.
Kjo poezi është vetëm “një hyrje” tek të tjerat, siç është poezia “Dy pika lot në Stamboll”, një motiv si te Dritëro Agolli, ku trajtohet komunikimi e forca e gjuhës shqipe, e cila mbetet një lidhëse e fortë për shqiptarët, pavarësisht ku ndodhen ata. Ky takim me një burrë në Stamboll është përvojë që shpalos një ngjarje të thjeshtë, por shumë domethënëse për ata që ndihen të lidhur me gjuhën dhe identitetin e tyre, edhe në vendet më të largëta. Pika e lotit në fytyrën e burrit është simbol i dhimbjes dhe nostalgjisë, një ndjenjë që shqiptarët e përjetojnë kur takohen me bashkëkombës të tjerë pas periudhave të gjata tragjike të ndarjeve. Por, siç na dëfton poezia, gjuha shqipe ka mbijetuar, dhe, ndonëse otomanët mundën të ndikojnë shumë, ata nuk e zhdukën kurrë identitetin shqiptar. Ky segment e paraqet shpirtin luftarak të shqiptarëve dhe forcën për t’i mbajtur të gjalla gjuhën dhe traditat.
Kjo kujtesë tragjike na vjen edhe te poezia “Dëbimi nga Molla e Kuqe” ku poeti trajton dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre gjatë periudhës 1877-1981 nga Toplica, Vranja e viset tjera, kur u shpërngulën për shkak të dhunës dhe gjenocidit serb. Detaje të tmerrshme të vuajtjes dhe tragjedisë si dhunimi i grave, vdekja e fëmijëve dhe dëbimi masiv, janë përshkruar me një gjuhë të thjeshtë, por të fuqishme, që tregon se këto janë plagë të përjetshme që do të mbesin të regjistruara përherë në kujtesën e popullit shqiptar. Poezia shfaqet si reflektim i dhimbjes dhe pasojave të një periudhe tragjike të historisë shqiptare, ku gjithçka që kishte të bënte me identitetin shqiptar është rrezikuar të zhduket përmes forcës brutale dhe përpjekjeve për ta shkatërruar popullin shqiptar.
- Atdhedashuria, tonet elegjiake dhe mërgimi
Po e sotmja?
E sotmja si te poezitë “Kosova zemërgjerë” dhe “Ikje nga Kosova” na ligjëron për realitete të tjera. Këto dy poezi janë një homazh për Kosovën që ka përjetuar shumë vështirësi dhe dëbime gjatë historisë, por që gjithmonë ka mbetur zemërgjerë, duke strehuar mijëra të dëbuar dhe që e ka ruajtur frymën e atdhetarizmit dhe përpjekjeve për t’i kthyer të drejtat e humbura. Poezia thekson lidhjen e thellë të shqiptarëve me Tokën e shenjtë, Arbërinë, dhe tokat e tjera iliro-shqiptare, duke e pasqyruar Kosovën si simbol të qëndresës dhe vazhdimësisë së identitetit shqiptar, edhe pas luftërave dhe tragjedive që kanë përjetuar. Në vazhdim, poezia tjetër flet gjithashtu për ikjen e rinisë shqiptare. Ky fenomen i mërgimit është dhimbje e thellë për poetin dhe për çdo prind që sheh se fëmijët e tij duhet të largohen nga vendi, për t’u përballur me një të ardhme të pasigurt. Mirëpo, pasojat janë tragjike. Kështu, te poezia “Rënkim nëne” paraqet një nënë që përjeton vetminë dhe trishtimin e thellë nga largimi i fëmijëve. Ajo flet për mërgimin si një dukuri të zakonshme, që është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë familje shqiptare, sidomos në fshatra e qytete ku rinia largohet për një jetë më të mirë jashtë vendit. Nënës i bie “Terr sysh” një shprehje që tregon trishtimin e thellë dhe zhgënjimin. Edhe te “Boshatisja e Kosovës” poeti sheh boshatisjen e vendit dhe shkatërrimin e strukturave familjare dhe shoqërore për shkak të mërgimit. Poeti paraqet pamjen e një atdheu të braktisur, ku shumë shtëpi janë mbyllur, pleqtë dhe të rinjtë janë të vetmuar, duke pritur një kthim që nuk vjen. Poezia flet për një mohim të identitetit kolektiv që vjen me boshllëkun e krijuar nga largimi i të rinjve, si dhe për përpjekjet e pleqve që mundohen t’i mbajnë lidhjet e familjes. Kjo është një panoramë trishtimi dhe pasigurie, që i prek të gjithë dhe që pasqyron humnerën e shpirtit të atyre që mbeten prapa.
Me këso tonesh vijnë edhe dy poezitë tjera: “Larg vendlindjes” dhe “I riu kurbetçar”, ku malli dhe dhimbja e të larguarit, kumton një dialog të brendshëm mes nënës dhe fëmijës, por fëmija është tashmë kurbetçar, duke u shprehur për pagjumësinë dhe vuajtjet që ndien në mërgim; apo kur poeti përshkruan humbjen e fëmijërisë dhe përjetimin e një bote që duket krejtësisht tjetër nga ajo që ata kanë njohur, përtej kufijve të vendit të tyre.
Reflektime të tilla çmeritëse hasim te poezitë “Obobo ç’u bë kjo gropë”, “Vallë do ndalemi diku”, “Të vetmuar” etj., ku tmerri dhe zhgënjimi i thellë lënë një boshllëk të madh pas; ku shfaqet dyshimi që shoqëron çdo vendim të rëndësishëm në jetën e një mërgimtari; dhe, ku poeti shpreh humbjen e lidhjeve të familjes dhe të afërmve që janë larguar. Vetmia e gjyshërve dhe mosha e vjetër përbëjnë një pamje të pasigurisë dhe të dhimbjes që ndjehet kur të rinjtë largohen.
Përpos motiveve të tilla, vijnë katër poezi tjera me tone elegjiake që i kushtohen bashkëshortes që ka shkuar në përjetësi. Poezitë vijnë si një përkujtim për bashkëshorten e humbur, Sadeten, një grua që ka lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në jetën e poetit dhe të të gjithë atyre që e njihnin. Ajo portretizohet si një engjëllushë e bekuar, e cila ka dhënë shumë për të tjerët, ka qenë një udhërrëfyese për studentët dhe një grua e dashur për familjen e saj. Te poezia “Pas ikjes tënde…” (Sadetes – bashkëshortes sime), folësi lirik reflekton dhimbjen e thellë që ndjehet kur një person i dashur largohet, dhe përpjekjen për ta përballuar humbjen, duke kërkuar ngushëllim në fjalët e studentëve dhe kujtimet që ajo la pas. Kështu edhe te poezia “Kujtimet për Ty” (Sadetes – bashkëshortes sime) është një vazhdim i reflektimeve për Sadeten. Kujtimet për të janë të shumta dhe të paharrueshme. Poezia thekson momentet e jetës së përbashkët, rëndësinë e veprave dhe mësimeve të saj dhe gjurmët e thella që ajo la në jetën e të gjithë atyre që e njihnin. Ajo ishte jo vetëm bashkëshorte dhe nënë, por edhe pedagoge dhe mentore, e cila ndikoi në jetën e shumë studentëve. Poezia është një tribut i përjetshëm për Sadeten. Te “Para obeliskut”, ky përkujtim vjen nëpërmes obeliskut, si simbol i kujtimit dhe respektit për të.
Dy poezi tjera, “Doktori martir i lirisë” dhe “Nëna e martirit të kombit”, na e këndojnë figurën e nënës së martirit Dr. Fahredin Hoti, dhe këtij mjeku, një figurë e rëndësishme e luftës dhe mjekësisë dhe martir i lirisë. Ai ishte mjek i shquar, por gjithashtu luftëtar i UÇK-së, i cili ia përkushtoi jetën lirisë së Kosovës. Poezia përshkruan heroizmin dhe sakrificat e tij gjatë Luftës së Kosovës, ku Fahredini, bashkë me djalin e tij 14-vjeçar, ra në luftë për atdheun: “Për atdheun ranë dëshmorë / Për liri-fanarë!” është një thirrje e fuqishme për të nderuar ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës, dhe një nderim për sakrificën e pafundme që ata bënë për të siguruar një të ardhme më të mirë për popullin e tyre. Te “Nëna e martirit të kombit” dhimbja e nënës së martirit, Nasibe Hoti, që humbi të birin dhe nipin në luftë, jepet me tone të thekshme, me vazhdimin e jetës me krenari dhe fisnikëri. Poeti përfundon me një ton të theksuar kombëtar dhe historik: kjo nënë ishte simbol i malësorëve të Kosovës dhe nënë krenare e Lirisë.
Në poezinë “Te Kulla e Isa Boletinit” paraqet ngjarjen e gjetjes dhe kthimit të eshtrave të Isa Boletinit, një figure të rëndësishme kombëtare që luftoi për liri dhe pavarësi. Ky akt i gjetjes së eshtrave është një moment triumfi për popullin e Boletinit dhe Shalën heroike, por është gjithashtu simbol i ruajtjes dhe nderimit të trashëgimisë kombëtare. Tone atdhedashurie shqiptohen edhe te poezia “Dardania nëpër shekuj”, ku historia e Dardanisë dhe lufta e vazhdueshme e këtij populli për ta mbrojtur atdheun nga pushtuesit e ndryshëm që kanë kaluar nëpër këto troje, ka edhe përmasën tjetër, bukurinë dhe vlerat historike, qëndresën dhe krenarinë për trashëgiminë e saj.
- Tonet kritike
Tonet kritike mbi gjendjen e arsimit dhe kulturës në Kosovë dhe më gjerë, trajtohen te disa poezi tjera. Te “Gocat tona”, këto goca janë të bukura, por të hutuara dhe pa shpresë për të ardhme; ato shihen si figura të përpjekjeve të dështuara që ta kenë një vizion të qartë të jetës. Megjithëse ato kanë mundësi arsimimi dhe shkollimi, mungesa e një vizioni të qartë dhe mungesa e mundësive ekonomike i bëjnë ato të ndihen të humbura. Largimi i djemve për në Perëndim shton edhe më shumë ndjesinë e përçarjes dhe humbjes, ku rinia ballafaqohet me peshën e rëndë shpirtërore dhe me plagë të thella për të ardhmen. Te “Mësuesit fanarë etnikë” vlerëson kontributin e mësuesve, veçanërisht gjatë periudhës së luftës dhe krizës. Kurse te “Vatrat e diturisë” trajton evoluimin e arsimit në Kosovë, duke përmendur periudhën kur Kosova kishte një universitet të fortë dhe të respektuar. Evokon periudhat e vështira, kurse në kohën e pasluftës është arritur një zhvillim i rëndësishëm me universitete dhe mundësi arsimimi më të mëdha. Megjithatë, shfaqet hapur një kritikë ndaj shoqërisë dhe edukimit të sotëm, ku shkollat dhe universitetet janë më të shumta, por mungon një thelb dhe përmbajtje e thellë në arsim.
Te “Etja për dituri” përshkruan një etje të madhe për dituri, që ka karakterizuar brezat e kaluar. Arsimimi, shkollimi dhe edukimi kanë qenë të pamundur për shumë njerëz, për shkak të sundimit të pushtuesve dhe kufizimeve të imponuara nga regjimet e ndryshme. Ky evokim vjen edhe te “Shtëpitë shkolla” në kushtet e luftës dhe të vështirësive, ku shumë familje dhe mësues hapën derën e shtëpive të tyre për të mundësuar arsimimin. Poeti nderon ata atdhetarë dhe mësues që nuk i trembeshin as vështirësive të luftës, por vazhdonin të punonin për të mbajtur gjallë dritën e dijes.
Ndryshe ndodh te “Shkollat tona sot” ku përshkruan gjendjen e arsimit të sotëm në Kosovë. Autori kritikon gjendjen aktuale, duke theksuar ndryshimet e mëdha në mënyrën e mësimdhënies dhe mungesën e angazhimit të thellë të nxënësve dhe mësuesve. “Shkollat tona jo si duam ne” është një vërejtje për mungesën e përkushtimit dhe të thellësisë në procesin arsimor. Poezia përmend teknologjinë e re, siç është përdorimi i telefonave inteligjentë, se si kanë ndikuar në ndryshimin e përqendrimit dhe interesit të nxënësve për mësim. Poezia ngre pyetje të mëdha për drejtimin e arsimit, ku poeti është i shqetësuar me klithmën: “Dardaninë tonë ç’e gjeti”.
Tone të theksuara kritike dhe refleksive kanë edhe poezitë tjera, të cilat prekin shumë aspekte të jetës shoqërore dhe arsimore të Kosovës, si dhe të përvojës kolektive të popullit shqiptar, duke ngritur pyetje mbi vlerat e humbura, rrugën e humbur të rinisë dhe shkatërrimin e trashëgimisë kombëtare. Poezia ndërthur pjesë të ndjeshmërisë dhe shqetësimit për gjendjen aktuale të shoqërisë dhe arsimit, me reflektime historike dhe kritika ndaj traditës dhe mosmirënjohjes.
Së këndejmi na vjen “Urtësia e penës” që vlerëson fuqinë dhe rëndësinë e penës si mjet i shkrimit dhe dijes. Urtësia e penës është ajo që mban gjallë historinë, kurse dija është një dhuratë që nuk duhet harruar. Në këto kohë sfiduese ka edhe njerëz të mirë (poezia “Njeriu i mirë”), ku portretizohet njeriu i virtytshëm dhe i drejtë, që njihet nga veprimet e tij dhe jo nga pamja fizike; ai është njeri i urtë dhe i nderuar, që ka vlera të thella dhe është i nderuar nga familja dhe shoqëria.
Poezia “Lutje për paqe” na fton për paqe dhe dashuri universale. Ai e nderon figurën e Nënës Tereze, që shërbeu si simbol i mirësisë dhe dhembshurisë, që i dha shpresë dhe dashuri botës dhe që udhëhoqi veprimet e saj nëpërmjet shërbimit dhe lutjes për paqe. Një homazh i bukur për lirinë lexohet te poezia “Çmimi i lirisë” ku këndohet fryma e jetës, që është më e çmuar se çdo pasuri tjetër. Liria është një dhuratë e shenjtë, që është paguar me gjak dhe sakrifica nga brezat e kaluar, dhe duhet mbajtur me çdo çmim. Në fund, poeti porosit: “Edhe këtu jetohet mirë”. Është një thirrje për t’i vlerësuar ato që kemi, dhe për t’i ruajtur lidhjet me familjen dhe shoqërinë, duke jetuar në dashuri dhe mirëkuptim. Edhe te “Ku më bukur” ligjëron për bukurinë dhe pasurinë e natyrës shqiptare, ku poetët rilindës të shekullit XIX e shihnin tokën si një burim të pasur të jetës dhe identitetit.
- Në përfundim
Si e vërejmë, poeti nuk synon artin me çdo kusht, por përcjelljen e mesazheve, ideve dhe evokimeve, lartësimit të virtyteve dhe qëndrimit kritik ndaj të metave të shoqërisë së sotme. Është kërkimi i të vërtetës si parim krijues. Kështu, te poezia “E vërteta…” shfaq një këshillë të urtë për të rinjtë: e vërteta gjithmonë del në shesh, pa marrë parasysh përpjekjet për ta fshehur. Poeti kërkon ta shohim jetën drejt në sy (“Shihe jetën në sy”), me një thirrje për të jetuar në harmoni me veten dhe botën përreth, duke vënë në dukje se dashuria dhe jetesa e ndershme janë thelbësore për një jetë të lumtur.
Poeti është në kërkim të harmonisë. Kërkimi i harmonisë është një motiv i rëndësishëm që shfaqet në poezi, por përgjithësisht shfaqet edhe në filozofinë njerëzore. Ai lidhet ngushtësisht me përpjekjen për të arritur një peshore dhe një bashkëveprim midis elementeve të ndryshme të jetës – si shpirtërore, fizike, mendore, sociale dhe natyrore. Në kontekstin e poezisë, kërkimi i harmonisë është përpjekja për ta gjetur një pikë ekuilibri mes individit dhe botës që e rrethon, mes dashurisë dhe dhimbjes, mes të kaluarës dhe të tashmes, mes natyrës dhe shoqërisë.
Dhjetor, 2024