21/12/2024

“Në emër të popullit”

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Sa herë e dëgjoj këtë fjali duke u përsëritë shpesh, e kuptoj se prapa saj zihet një gënjeshtër e madhe. Sepse, kur flitet në emër të popullit, populli është në gjumë të thellë. Në mos jo në gjumë të thellë, i përgjumur po se po. Dhe nga ato pak dromca që dëgjon, populli kurrë nuk mund të formojë një të vërtetë.

Te romani i Stefan Çapalikut “Një engjëll veshë me frak” është një  pjesë interesante, kur dy burra e arrestojnë Poetin, njërin prej personazheve të romanit, dhe njëri prej tyre buzagaz i thotë Poetit: “në emër të popullit je i arrestua! Është ora e gjashtë e mëngjesit. Poeti mendon me vete se djelmoshat që kanë ardhur ta marrin nuk e kanë mirë që flasin në emër të popullit, se në këtë orë populli është fjetë.”

Në fakt, sa herë ndodh të bëhen veprime të mëdha, populli është fjetë dhe veprimet e mëdha e me interes, bëhen natën dhe pa pëlqimin e popullit.

Pse atëherë abuzohet shumë me fjalinë “në emër të popullit”?

A nuk janë bërë të gjitha padrejtësitë dhe krimet njerëzore në emër të popullit?

Udhëheqësit që flasin ethshëm në emër të popullit, zakonisht nuk e çajnë kryet për popullin, pos që populli iu duhet për të zgjatë pushtetin ose për të mbajtë atë.

Pra, ekziston një e vërtetë e madhe se populli kurrë nuk vendos, ai në të vërtetë jep besim politik në një moment të caktuar, por kurrë nuk vendos, dhe ai është në gjumë sa herë bëhen pazare të mëdha në kurriz të tij.

Këtë të vërtetë etike duhet ta predikojnë intelektualët, shkrimtarët, gazetarët, me një fjalë, secili që ka vetëdije dhe që nuk i pëlqen ecja dhe rreshtimet në një drejtim.

Sepse, sa më shumë që përdoret kjo fjali, aq më e frikshme bëhet, dhe për mua, është njëra prej fjalive më të pështira, më neveritëse e më të pasinqerta kur përdoret vend e pa vend dhe përsëritet shpesh. Në këso raste, kjo bëhet vetëm për të justifikuar veprime e agjenda të caktuara ideologjike.

Pra, ata ta që flasin shumë në emër të popullit, gënjejnë shumë dhe popullin e përdorin si mburojë. Dhe historia njerëzore njeh me tonelata gënjeshtra të tilla të hatashme të cilat njerëzimit i kanë shkaktuar habi e tmerre pafund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok