Ne duam të jetojmë këtu, por jo kështu!
Fjala ime e hapjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike
Nga Lediana Fratari
Të dashur delegatë, të ftuar, anëtarë të Partisë Demokratike.
Ju uroj mirëseardhjen në këtë kuvend të jashtëzakonshëm dhe historik të partisë tonë.
Unë jam Lediana Fratari, delegate, ish kandidate për deputete e qarkut të Tiranës në zgjedhjet e 2021. Për mua është nder dhe privilegj t’ju drejtohem juve në këtë sallë dhe të gjithë demokratëve shqiptarë.
Këtu sot ka burra e gra që janë rrugëtuar bashkë me Partinë Demokratike që nga dita e lindjes së saj. Kjo parti ka shumë nevojë për kontibutet tuaja sot. Ndaj unë, edhe në emër të familjes time të përndjekur politikisht nga diktura, përulem me respekt të madh për punën tuaj.
Familja dhe babai im që u burgos nga rregjimi komunist kontibuoi në themelimin e Partisë Demokratike, ngriti biznesin e tij dhe investoi në Shqipëri. Unë u ktheva nga Anglia ku u shkollova. Kështu kanë vepruar edhe shumë të rinj të tjerë që unë njoh, të angazhuar apo jo në politikë. Kështu kanë vepruar edhe shumë të tjerë që janë pjesë e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike është vetë historia e politikës 30 vjeçare në këtë vend. Ajo ka meritën dhe përgjegjësinë për çfarë është bërë mirë apo keq në këtë vend, pavarësisht nëse ka qenë në qeveri apo në opozitë. Sot, 30 vjet pasi nën këtë logo u zhvilluan betejat e mëdha politike që e anëtarësuan Shqipërinë në NATO apo u hoqën vizat, sërish shqiptarët janë me valixhe në duar duke e braktisur vendin e tyre. Sërish Shqipëria është vendi më i varfër e më i korruptuar në Europë. Për këtë arsye unë mendoj se politikanët në këtë vend u detyrohen shumë shqiptarëve. Edhe ne demokratët duhet të kemi kurajën dhe ti shikojmë shqiptarët në sy e t’u kërkojmë ndjesë për çfarë nuk kemi bërë mirë, me veprimet dhe mosveprimet tona.
Të nderuar demokrate e demokratë!
Ky kuvend është historik për shumë arsye. Misionin që ka, kohën në të cilën zhvillohet dhe epokën e re që do të çelë për Partinë Demokratike. Por, më shumë se kaq, unë do të doja të veçoja faktin se për herë të pare, çdo delegat i ulur në këtë sallë është sot i zgjedhur me votë. Sepse ky është kuvendi i vërtetë i demokratëve, ky është vullneti i shumicës së anëtarëve të Partisë Demokratike, ky është produkti i votës dhe i demokracisë së vërtetë brenda një partie.
Partia jonë ka kaluar dhe po kalon një periudhë të vështirë. Ne po paguajmë një kosto jo të vogël të gabimeve që kemi bërë në mënyrën se si kemi funksionuar si organizatë politike. Ne jemi këtu sot, në një përpjekje të mrekullueshme për t’i korigjuar ato gabime, për ta ringritur Partinë Demokratike, më të fortë nga ç’ishte. Por ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me korigjimin e gabimeve. Ne duhet të mësojmë fort prej tyre.
Ndaj, të dashur miq, që në këtë sallë me 2100 vende të mos ulen më kurrë 5 mijë njerëz, ne duhet të vendosim sot, një herë e përgjithmonë, votën e lirë dhe meritokracinë si model për të ndërtuar strukturat që do të qeverisin partinë tonë.
Të dashur miq!
Nga kjo tribunë unë dua ti ftoj të rinjtë që ti bashkohen kësaj partie, e cila po ringrihet, duke mësuar nga sukseset dhe gabimet e saj. I ftoj të bashkohen me ne, jo për të përfituar apo për të bërë karriere në mënyrë të pamerituar, por për të punuar sëbashku në shërbim të vendit dhe popullit tonë. E dimë që është vështirë të na besoni, e dimë që është veshtirë t’ju besoni politikës por ne do të bëjmë çdo gjë për ta bërë më në fund Shqipërinë si gjithë Europa realitet.
Kjo parti, ka shumë nevojë për energjinë dhe idealet e të rinjve. Tri dekada më pas, ne duhet të bëjmë bashkë historinë me të ardhmen, për ti hapur rrugën një partie moderne, demokratike dhe me filozofi politike të djathtë, si simotrat e saj europiane.
Të dashur bashkëmoshatarë të mitë!
Nëse baballarët tanë 30 vjet më parë kishin si qëllim të përmbysnin diktaturën, ne fëmijët e tyre kemi si qëllim sot të përmbysim juntën e korrupsionit që ka zaptuar ekonominë dhe që po u dhuron një grup njërëzish copa nga atdheu ynë i përbashkët.
Dy rrugë ka për ne të rinjtë. Ose të ikim, duke thënë se ky vend nuk bëhet kurrë, ose të luftojmë për ta bërë atë një vend të mundësive të barabarta.
Unë personalisht e kam bërë zgjedhjen, të qendroj këtu.
Ne duam të jetojmë këtu, por jo kështu!
Ndaj, ne emër të dëshirës, energjive dhe idealit të të rinjve, dua ti kërkoj këtij kuvendi kurajën për të na besuar më shumë përgjegjësi në drejtimin e Partisë Demokratike.
Të dashur demokrate e demokratë!
Të mundim të keqen brenda vetës është qëllimi ynë, por të mundim të keqen që ka pushtuar vendin tonë, është detyrimi ynë. Ndaj le të jetë ky kuvend hapi i parë për të përmbushur këtë detyrim.
Ju faleminderit!
https://www.facebook.com/fratarilediana/