Në Ditën e Shën Valentinit “Mos lakmo njeriun e huaj për të keq!”
(Mesazh)
Shkruan: Lekë Mrijaj
Siç dihet, Shën Valentini zakonisht lidhet me dashurinë reciproke, me lule të freskëta me dhurata dhe urime simbolike dhe të tjera. Por në thelbin e saj, kjo ditë është shumë më tepër se një festë romantike. Ajo është një kujtesë për dashurinë e pastër, të përgjegjshme dhe të shenjtë – një dashuri që ndërtohet mbi besnikëri, respekt dhe vetëpërmbajtje. Në këtë frymë, një nga urdhërimet e Dekalogut na flet qartë: “Mos lakmo njeriun e huaj për të keq!”
Çfarë do të thotë të mos lakmojmë?
Lakmia nuk fillon me veprën, por me mendimin dhe dëshirën e gabuar. Ajo është një etje e fshehtë për atë që nuk na përket – për dikë që ndodhet në një lidhje apo martesë tjetër. Në një shoqëri ku shpesh promovohet flirtimi i pakontrolluar dhe marrëdhëniet e paqëndrueshme, ky urdhërim i Dekalogut mund të duket i vështirë. Megjithatë, ai mbetet themel për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe të shenjtërisë së familjes. Dashuria e vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi shkatërrimin e tjetrit.
Besnikëria – themeli i dashurisë sonë
Ne, si të kurorëzuar, kemi dhënë një betim e premtim dashurie përjetë. Martesa jonë nuk është thjesht një kontratë shoqërore; në traditën e krishterë, por ajo është sakrament – një lidhje e bekuar nga Zoti.
Tradhtia, qoftë me mendim, me dëshirë apo me vepër, është plagë që shkatërron besimin, lëndon familjen dhe trondit paqen e shpirtit. Kur cenojmë martesën e tjetrit, cenojmë një premtim të shenjtë dhe një themel familjar. Prandaj, zgjedhim të ruajmë besnikërinë martesore dhe të qëndrojmë besnikë ndaj bashkëshortëve tanë deri në vdekje.
Përkushtimi ynë i përditshëm
Dashuria bashkëshortore nuk është vetëm ndjenjë; është zgjedhje e përditshme për të qëndruar pranë njëri-tjetrit në gëzim dhe në vështirësi.
Në këtë Ditë të Shën Valentinit, nuk duam vetëm të kujtojmë fillimin e dashurisë sonë, por ta ripërtërijmë atë me vetëdije dhe përkushtim:
Të respektojmë bashkëshortin/bashkëshorten tonë;
Të ruajmë besimin e ndërsjellë;
T’i përkushtohemi familjes sonë;
Të shmangim çdo situatë që mund të cenojë martesën tonë.
Dashuria e pastër është e durueshme. Ajo nuk kërkon atë që i përket tjetrit, por mbron dhe forcon atë që Zoti e ka bashkuar.
Dashuria si zgjedhje morale
Në Ditën e Shën Valentinit, zemra jonë nuk është vetëm simbol i ndjenjës, por edhe i përgjegjësisë. Të mos lakmojmë do të thotë të zgjedhim ndershmërinë mbi pasionin e çastit. Do të thotë të kuptojmë se çdo person ka dinjitet dhe çdo martesë ka shenjtërinë e saj. Do të thotë të ndërtojmë besim, jo ta rrëzojmë atë.
Dashuria që shkel mbi betimin e tjetrit nuk është dashuri – është egoizëm.
Në këtë ditë të 14 shkurtit – Shën Valentinit – ne reflektojmë:
Dashuria nuk matet me intensitetin e emocionit, por me thellësinë e besnikërisë sonë. Urdhërimi “Mos lakmo njeriun e huaj për të keq!” nuk është kufizim i lumturisë, por mbrojtje e saj. Ai ruan familjen tonë, nderin tonë dhe paqen e zemrës sonë. Sepse dashuria e vërtetë nuk kërkon atë që nuk i takon – ajo mbron, forcon dhe ndërton me durim atë që është bekuar për të zgjatur përjetë.
Gëzuar Shën Valentinin!
Klinë, më 14 shkurt 2026
