04/12/2024

Në Ballkan kanë filluar të shfaqen fantazmat e të kaluarës

0
Dodik-Erdogan

Nga Blerim Latifi

Me të mbaruar takimin me emisarin amerikan, Milorad Dodik u nis për në Ankara që të takohet me Erdoganin. Ata që mendojnë se njeriu kryesor i Putinit në Bosnjë, po përpiqet të ruaj paqen dhe stabilitetin e Bosnjës, janë thjeshtë naivë. Kushdo që e kupton logjikën makiaveliste të lojërave politike, nuk e ka ta vështirë ta zbërthej taktizimin e Dodikut me këtë vizitë.

Ka kohë që marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Erdoganit nuk janë aspak të mira. Natyrisht, për shumë arsye, por sot, përgjithësisht, në Perëndim Erdogani perceptohet si lider që e ka shndërruar Turqinë në një shtet autoritar dhe po kërcënon kohezionin e NATO-s përmes thellimit të bashkëpunimit me Rusinë e Putinit. Në këtë kontekst, dinaku Dodik po synon ta tërheq Erdoganin në krizën e re të Bosnjës, duke i njohur rolin e protektorit të muslimanëve të saj, me qëllim që divergjencat dhe tensionet e Perëndimit me Erdoganin t’i projektojë në tensionet e Repubika Srpska me pjesën muslimane të Federatës Boshnjake. Natyrisht, Erdoganit i pëlqen ky rol prej protektori, prandaj edhe e priti aq shpejt në takim Dodikun. Por e gjithë kjo situatë, në thelbin e saj, paraqet një kurth taktik për muslimanët e Bosnjës, kurth i menduar mirë nga serbët. Sa më shumë që muslimanët e Bosnjës do të joshen për të hyrë nën kujdestarinë e Erdoganit, aq më shumë mbështetja për ta do të zbehet në Perëndim. Dhe nuk është e vështirë të kuptohet se cilat mund të jenë pasojat : aspiratat serbe për ta dezintegruar Bosnjën dhe bashkimin e Republika Srpska me Serbinë do të gjejnë përherë e më shumë mbështetës në zyrat vendimarrëse të Perëndimit. Sigurisht nuk duhet harruar një lojtar tjetër në tërë këtë lojë: presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Ai po e ushqen krizën në Bosnjë për ta përdorur si mburojë nga presionet perëndimore që kanë të bëjnë me Kosovën. Mesazhi i koduar i këtij përdorimi është i lehtë për t’u kuptuar : Mos më bëni presion për Kosovën! Në të kundërtën unë e ndezi Bosnjën!

Që nga dita kur u kuptua se zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor është hequr nga rendi i ditës për një kohë të gjatë, në Ballkan kanë filluar të shfaqen fantazmat e të kaluarës, duke filluar nga kryeqyteti i tyre : Beogradi.

________

Në librin “Përmbledhje e historive” të historianit grek të shekullit të njëmbëdhjetë, John Skylitzes, gjendet një vizatim në të cilin paraqitet perandori bizantin Konstandini i VII(905 –  959) në shtratin e tij të vdekjes. Ky perandor i takonte dinastisë maqedonase e cila e sundoi Bizantin për dy shekuj me rradhë. Ende sot historianët nuk bijnë dakord për origjnën etnike të kësaj dinastie.

Në vizatim duket diçka interesante : tek koka e perandorit që po jep shpirt gjenden priftërinjtë, të cilët po luten për shpirtin e tij. Tek këmbët e perandorit gjendet populli, që po shikon me dëshpërim momentet e fundit të tij. Të gjithë njerëzit që përfaqësojnë popullin në vizatim kanë mbi kokë plisin e bardhë, kapelën e famshme, e cila nga kohët e vjetra ka mbijetuar vetëm tek shqiptarët dhe ende përdoret nga shumë të moshuar në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore.

A ishin arbër( shqiptarë) ata që po vajtonin pranë shtratit të perandorit? Kush mund ta thotë me siguri? Po flasim për një kohë shumë të errët në aspektin e dokumentimit historik sa i përket historisë së arbërve. Mbase qorrsokaku ku janë futur historianët që janë marrë me origjinën etnike të perandorëve të Dinastisë maqedonase në fronin bizantin, shpjegohet me faktin se ata e kanë injoruar mundësinë që kjo origjinë të jetë arbërore. Mbase plisat në kokat e pjesëtarëve të popullit në vizatim sugjerojnë diçka në këtë drejtim. Prapë: Kush mund ta thotë me siguri?

________

A erdhi emisari amerikan në Sarajevë për ta parandaluar shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnjë-Hercegovina, apo vetëm për ta garantuar një shkëputje paqësore, pa gjakderdhje? Këtë javë do ta marrim vesh. Kohët e fundit serbët i ka kapë një siklet i madh! Duket se po na xhelozojnë.Po duan t’i kenë edhe ata dy shtete në Ballkan.Si shqiptarët.Pastaj ta kushtëzojnë njohjen e Kosovës me njohjen e Republikës Serbe të Bosnjës. Kush e di? Me gjasë një lojë tjetër e madhe është duke u përgaditur, tash pasi u prish loja e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. E Ballkani i Hapur si i ka punët? A di kush me na tregu?

________

Shumë vite më parë Arbën Xhaferi e pat dhënë një figurë të goditur për Bosnjën e pasluftës: ajo i ngjanë strukturës së një kopshti zoologjik, në të cilin luani dhe kaprolli jetojnë në paqe pranë njëri tjetrit, për të vetmen arsye se të dy janë të kufizuar nga kafazet e tyre të hekurta. Mjafton të hiqen kafazet për t’u shkatërruar në çast bashkëjetesa e rreme midis tyre. Edhe në rastin e Bosnjës do të mjaftonte që të largoheshin mburojat e hekurta amerikane të krijuara në Dayton që tri etnitë e Bosnjës t’i hidheshin në fyt njëra-tjetrës. Zhvillimet e fundit atje na e konfirmojnë plotësisht këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok