Në Albany, Kryeqytetin e Nju Jorkut mësohet Shqip nga Alba Life – rrjeti më i Madh i shkollave shqipe në diasporë

Nga Keze Kozeta Zylo
Edhe pse është një shkollë e re e hapur, më 17 janar, mësuesit dhe nxënësit po ecin suksesshëm dhe vetëm në rritje për të arritur në objektivin dhe detyrat e larta që i kanë venë vetes për të mësuar gjuhën tonë hyjnore, Gjuhën Shqipe.
U nisëm nga Nju Jorku së bashku me z. Qemal Zylo, vizionarin, themeluesin dhe drejtuesin e TV dhe 7 shkollave Shqipe “Alba Life” për të udhëtuar në Albany atje ku kemi një shtëpizë të bukur shqiptare, një fole shqiponjash të komunitetit shqiptar në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut, atje ku mësohet Gjuha Shqipe. Çudi si fluturojnë 6 orë vajtje ardhje!
Është tejet emocionuese të hysh në mjediset e bukura, komode dhe të dëgjosh në klasat e shkollës publike amerikane “Sand Creek” Middle School, Gjuhën Shqipe. Është një ndjesi që të pushton të tërën, të rrëmben dhe bëhesh njësh me nxënësit kur flasin, interpretojnë dhe vallëzojnë shqip.
Ja hymë në klasën e më të rriturve që drejtohet nga mësuese Era Çorbaxhi njëherazi dhe koordinatore e kesaj shkolle, me të cilën bashkëpunuam fort për hapjen e shkollës shqipe së bashku me bashkëshortin e saj fisnik z. Algert Çorbaxhi. Pasi i përshëndetëm përzemërsisht dëgjojmë orën e mësimit ku klasa e mbushur plot përgjigjej me vëmendje pyetjeve të drejtuara me kompetencë dhe profesionalizëm nga mësuesja. Në këtë klasë ndihmon mësuesen asistente Briana plot dashuri dhe respekt.
Ajo e nisi orën duke dëgjuar nxënësit se si kishin kaluar javën e tyre duke i praktikuar përgjigjet e tyre në shqip. Pasi përforcoi gjithë shkronjat që kishin mësuar deri tani vazhdoi me shkronjën e re Gj të madhe të shtypit dhe gj të vogël të shtypit. Së bashku me nxënësit mësuan fjalët që fillonin me këto shkronja.
Në gramatikë morën, kur mund të përdorin i/e dhe të ndërtojnë pyetje me si?
Nxënësit interpretuan poezi nga Gjergj Fishta, Asdreni etj. Mësuesja pasi përsëriti duke përforcuar çka ata kanë mësuar në këto tre muaj filloi mësimin e ri që paraqiti mjat interes për nxënësit. Mësuese Era stimuloi bukur të menduarit kritik duke i nxitur ata nëpërmjet organizimit dhe duke i quajtur një partner të dobishëm në komunikimin shqip në klasë.
Është një traditë e jashtëzakonshme për 18 vjet pa u ndalur të përdoren këto metoda bashkëkohore të mësimdhënies duke i kombinuar me ato të traditës dhe në fund shikon efikasitetin e plotë të zbatimit të tyre me përgjegjësi të plotë.
Në këtë klasë në gjysmën e orës së fundit u zhvillua dhe kërcimi i valleve të bukura si “K’cimi i Tropojës” që është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jo materiale të Njerëzimit në UNESCO dhe vallja e Katjushkës.
Në klasën e më të vegjëlve të mësuese Edvina Belishta dëgjuam klasën të mbushur me cicërima zogjsh që dëgjonin me aq vëmendje mësuesen e tyre me përvojë nga shteti amë dhe që po e ushtron profesionalisht dhe në Albany.
Gjuha Shqipe në këtë klasë përbën një prej elementeve bazë të mësimdhënies sepse ajo është bazike dhe hap një dritare të re në trurin e nxënësve.
Mësuesja pas i pyeti nxënesit se si kishte kaluar java i njohu me mësimin e ri që shpjegoi në dërrasë shkronje Ë të madhe të shtypit dhe shkronjën ë të vogel të shtypit.
Ndërkohe iu shpjegoi se si emrat e përveçëm fillojnë me shkronjë të madhe.
Ata punuan të pavarur ushtrime në tekst.
Bukur zbatoi dhe lojnat mësimore duke përsëritur numrat matematikor nga 1 deri në 10. Mësuesja i ndau nxënësit në dy grupe përballë njeri tjetrit ku u vendosën numrat e njejtë. Asistente Lusiana mbante shaminë dhe thërriste në numër, kurse shaminë e rrëmbente më i shpejti.
Ata pësëritën këngën Qengji i vogël pse mendueshëm dhe kërcyen vallen e pogonishtes.
Natyrisht një moment I bukur është dhe takimi me prindërit dhe gjyshërit. Gjate përvojës sime më së shumti ka ndjerë lotët e ngrohtë të gjyshërve dhe bekimin që i japin Alba Life për mësimin e gjuhës shqipe mbesave dhe nipërve të tyre. Dihet që mijëra fëmijë në botë nuk dinë të flasin shqip për shkak të emigrimit dhe të asimilimit të tyre në vendet e huaja.
Unë bisedova me shumë prindër të tjerë ku midis tyre me emocion dëgjova një prind të dy fëmijëve Arjana Delia para kamerave të TV “Alba Life”. Ajo shprehu mirënjohjen e thellë që fëmijët e saj po mësojnë shqip nga dy mësueset e përkushtuara, por njëkohësisht ajo tha se si ata lidhen me njeri tjetrin si shqiptarë. Së shpejti tha se do të sjellë dhe vajzën e vogël që kishte në krah, çka ne si bord e vlerësojmë shumë sepse tregon se sa të kënaqur janë prindërit me këtë program prestigjioz, professional dhe shumë të dashur për nxënësit që ulen në bangat e shkollës.
Ajo na uroi me zemër për ta vazhduar përgjithmonë këtë Mision Kombëtar.
Ndërsa ndahesha me ta përzemërsisht në mendje dhe në buzë pëshpërisja vargjet e
Naim Frashërit si: Vëllezër shqipëtarë/ Qasuni më dëgjoni/ Sa të mundeni më parë/ Gjuhën tuaj mësoni.
Është krenari të kemi shkollë shqipe në Kryeqytetin e Nju Jorkut e cila na ka dhënë një ndjesi mikpritjeje të jashtëzakonshme, kemi qenë disa herë deri të ftuar në Parlament dhe në Senatin e shtetit të Nju Jorkut. Shkollat Shqipe “Alba Life” ne NY, u nderuan në Parlamentin dhe Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, për punën dhe përkushtimin e palodhur duke pasur një Rezolutë në emër të “Alba Life”.
Ne u ndamë përzemërsisht me nxënësit, mësuesit prindërit duke iu uruar pushime të mbara të pranverës dhe mirë se të vinë prapë në shkollë në Albany, kryeqytetin e Nju Jorkut atje ku mësohet shqip nga Alba Life, rrjeti më i madh i shkollave Shqipe në Diasporë.
Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
11 prill, 2025
Albany, New York