Në 84-vjetorin e kalimit në amshim të Gjergj Fishtës
Nga Ndue Ukaj
Gjergj Fishta pati një ideal të madh dhe këtë e shprehte qartësisht:
“Kombi shqiptar do me u ndertue shtet m’vedi e i pamvarun, si të gjitha shtet tjera t’Europës s’qytetnume.”
Pikërisht këtë mesazh, që përbën thelbimin e veprës së tij, kultura shqiptare, nuk e ka përvetësuar si duhet ose thënë pak më saktë, këtë mesazh, kultura shqiptare e ka keqinterpretuar, duke i afishuar dy vargje të tij, ku ai i pezmatuar kritikonte ashpër Europën. Ky keqkuptim, ka ndikuar që të krijohet një përçudni pashpjegueshme në historinë shqiptare, për rrjeshojë përcillet me pasoja deri në ditët e sotme.
Veprën “Lahut e Malcis” Fishta e nis në mënyrë dramatike, duke treguar amzën e filozofisë së veprës:
”Ndihmo, Zot, si m’ ké nihmue!
Pesqind vjet kishin kalue
Se të bukren ket Shqypní
Turku e mbate në robní,
Krejt tue e lá t’mjeren në gjak,
Frymen tue i zanun njak,
E as tue e lânë, jo, dritë me pá:
Kurr të keqen pa i a dá:
Rrihe, e mos e lên me kjá:
Me i u dhimtë, po, minit n’múr,
Me i u dhimtë gjarpnit nen gúr!”
Ky konstatim, kaq i trishë, nuk e molepsi autorin, por u bë shtytje për një qëllim tjetër:
“Tash, që âsht bâ Shqipnija, duhen përbâ shqiptarët”- thonte Gjergj Fishta
E për Fishtën “m’i përbâ shqiptarët” domethënë me krijua vepra të mendimit e të estetikës, të gjuhës e të gramatikës, të artit e të administratës, për më tepër, “m’i përbâ shqiptarët” domethënë me iu dhanë atyre shpirt e zemër në rrugën e përparimit e të avancimit, në atë agun e vonuar të qytetnimit, pas shunë shekujve të gjatë të mjerimi nëpër të cilët ata kishin jetuar, të privuar nga rrezet e lirisë: pa shkolla, pa kulturë, pa art e pa traditë institucionale.
Fishta në veprën letrare e publicistike, tregonte se e ka vuajtë në shpirt sundimin osman, e ka ndie me trishtim rrezikun e copëtimit të shtetit të ri nga fqinjët sllavë, prandaj ka bërë përpjekje madhore që ta shihte kombin e lirë e të konsoliduar. Dhe në agimin e lirisë, ai e ka ditë, si rrallëkush, se shqiptarëve nuk iu mjaftonte vetëm liria fizike, por parasë gjithash, atyre iu duhej liria shpirtërore, lira e mendjes, që u jepte krahë të lartësoheshin dhe të emancipoheshin, duke i shartuar veset e këqija, në njërën anë, dhe duke u pasuruar me vlera fisnike, në anën tjetër.
Kështu, betejën për përbâjmen e Shqipërisë, ai mendonte si betejë kulturore, i bindur se vetëm kultura ishte busulla e orientimit të një shoqërie dhe ushqimi që i jepte jetë, gjallëri, energji e ideale.
Në funksion të këtij ideali, ai e dinte si një rol të madh luante shtypi kulturor, prandaj tregoi një lidhje të fortë me periodikun dhe në vitin 1913, pra një vjet pasi ishte bâ Shqipnia, nis punës të botojë revistën “Hylli i Dritës”, përmes së cilës ai donte të ndikonte në përbâmjen e shqiptareve, duke treguar kahet e zhvillimit të saj.
Në tekstin “Rreziku i përbrendshëm”, Fishta shkruante: “Kur, para këtyne shtatë vjetve, na të “Hyllit të Dritës” patëm thanë në nji rasë se ka Shqypni, se do të kishte Shqypni të lirë e të pamvarme, ndokush ndër shqyptarë qeshi, tjerët mrrudhën krahët, e shumta banin se s’po ndien. Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, der shpresën e kishin djerrë shqyptarët se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë kur u thamë se kishte Shqypni.”
Në ese e tekste të shumta, të botuara në shtypin e kohës, Fishta analizonte e trajtonte edhe probleme të artit e të politikës, të shoqërisë e historisë, të gjuhës e estetikës, të religjionit e shkencës, shkruante për shkrimtar të mëdhenj botërorë si Goethe, për natyrën e artit e mbi artin, për laicizmin dhe shtetin, për Skënderbeun e shqiptarët, pra, gama e publicistikës dhe eseistikes së tij ishte një kryqëzim kohësh e dijesh, ku bashkohet Fishta intelektual e artist, Fishta poet e frat, Fishta politikan dhe ëndërrues i madh, Fishta hero unik kulturor dhe atdhetar i pathyeshëm, Fishta veprimtar dhe drejtues.
…
Gjergj Fishta në tekstin “Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.
Teksti i sipërpërmendur tingëllon si një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme.
Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtetë, analizonte pesë shtyllat themelore që e mbajnë lartë ngrehinën shtetërore, që janë: “Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik…
Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.
Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.
Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.
Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.
Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem”.