22/12/2024

Në 72-vjetorin e pushkatimit të Dedë Nikë ( Nici) Nikollaj

0
Varreza-familjare-Nikollaj

Varreza familjare e Prelë Nicit Nikollaj në fshatin Muzheçk-Triesh

E pushkatuan komunistët jugosllavë, por nuk pranoi të heq kryqin nga qafa

Nga Gjekë Gjonaj

Nuk është i vogël numri i trieshjanëve të cilët  u arrestuan, u  torturuan , u burgosën dhe u pushkatuan nga regjimi  totalitar i komunizmit në Shqipëri  dhe në ish – Jugosllavi.  Numri i   saktë i këtyre   të pushkatuarve për motive politike deri më sot nuk  dihet, sepse  këto shifra asnjëherë nuk janë bërë publike   nga asnjë institucion shtetëror e as  nga ndonjë  historian shqiptar apo i huaj.  Këta djem dhe burra antikomunistë u harruan nga shteti  dhe historiografia shqiptare edhe  pas tri dekadash  në demokraci, por  mbetën të paharruar në kujtesën popullore ( kolektive)  të  Trieshit.  Për  këta guximtarë, të cilët i dolën në shesh  dhe u  përballën me diktaturën dhe diktatorët e kohës  gjatë  periudhës së monizmit,   nuk është guxuar të flitet asnjë fjalë e vetme, sepse familjarët, të afërmit dhe farefisi i tyre  kishin  frikë se  do të ndëshkoheshin ashpër dhe pamëshirshëm  nga   diktatura komuniste.  Kjo heshtje, për fat të keq,  vazhdon edhe sot  në periudhën post – komuniste demokratike në disa familje trieshjane, të cilat ende nuk janë çliruar nga  paniku të cilin e përjetuan.

Disa trieshjanë  të ekzekutuar nga diktatura komuniste vazhdojnë të jenë të zhdukur. Edhe sot  mjaft  familje trieshjane  që vuajtën persekutimin komunist  nuk dinë ende se ku  gjenden eshtrat e të afërmve të tyre, të vrarë gjatë diktaturës.  Ndër trieshjanët e rrallë  që u vra nga komunistët jugosllavë dhe u varros  në varrezat familjare është Dedë Nikë ( Nici) Nikollaj nga fshati Muzheçk.  Ai është një emër i panjohur për  shumicën e shqiptarëve . U lind në vitin 1910. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare. Prinëdrit e tij Nika  dhe Bjeshka  kishin  tre djem, Prelën, Tomën e Dedën dhe  dy vajza, Filen dhe Pashkën. Dedë Nici  jetoi në një familje prej  pesëmbëdhjetë anëtarësh në kushte  tejet të vështira sikurse edhe shumica e moshatarëve të tij të varfër të Trieshit. Ai u rrit në mjerim  i  cili  përkon edhe me  legjendën e Migjenit.  Nuk dinte shkrim e lexim. Por ishte atdhetar dhe besimtar si dhe shumë muzheshjanë të tjerë.  U martua në moshën 31 vjeçare me   vajzën ( nuk ia dimë emrin)  e  Gjekë Ukë Dedvukaj nga fshati Bardhaj të Hotit, kushërirë e afërme e  heroit tonë kombëtar Dedë Gjo’Lulit.  Lumturia  mes këtyre dy bashkëshortëve  zgjati pak.  Vetëm një vit  kur partizanët jugosllavë e vrasin   Dedë Nicin , në moshën 32 vjeçare . U ekzekutua për fajin e vetëm se ishte  kundër regjimit   komunist në vitin  1945  afër vendit të  quajtur Fjerrkuqe në Bardhaj të Hotit.  Në momentin  para se ta pushkatonin partizanët  sllavë të pa fe  kërkuan nga  Deda që ta hiqte kryqin  që e mbante në qafë dhe ta përdhoste.

-Hiqe   atë kryq që e mbanë në qafë dhe gjuaje në tokë ! – i bërtiti me zë  të lartë  oficeri partizanë.

-Jo,  nuk e heq kryqin për së gjalli! – iu përgjigj me gjakftohtësi  Deda .

-Ose do të heqësh kryqin, ose do të vdesësh, – e kërcënon përsëri  oficeri.

-Dua të vdes  me nder, si i krishterë, ishin fjalët e fundit  të Dedë Niicit para pushkatimit. Pas shqiptimit të këtyre fjalëve atë e vrasin  partizanët komunistë .  Kështu u shua edhe një jetë  pafajshme e një djali të ri të sapomartuar e pa trashëgimtar, duke marrë me vete vështirësitë, vuajtjet, dhe dhimbjet  e   mëdha  e shumë më pak gëzimet  e kësaj  jete.

Vdekja e tij  theu përgjithmonë zemrat e prindërve, vëllezërve , motrave e   familjarëve të tij. Familja pasi dëgjoi  lajmin e  dhimbshëm , të papritur  për vrasjen e djalit të tyre,  e  morën trupin e tij të pajetë  dhe e varrosën në varrezën familjare në vendlindje, pa ndonjë ceremoni mortore të gjerë publike, për shkak të frikës  nga regjimi i kohës.   Familjarët dhe pasardhësit e tij, për dallim nga shumë familje shqiptare të cilat ende  nuk i dinë eshtrat e më të dashurve të tyre, patin fatin që të kenë ku të vendosin një tufë lule dhe të ndezin një qiri për  djalin e tyre të dashur.

Tre nipat e  Dedë Nicit Nikollaj, Zefi, Nikolla dhe Gjeloshi, të cilët  ndodhen në mërgim në shtetin e largët në Australi, ia ndërtuan   varrezën familjare. Ata  sa herë që  vijnë  në vendlindje  shkojnë pranë varrit për të qetësuar shpirtin e tij dhe të familjarëve të tyre të tjerë  eshtrat e të cilëve prehen aty.

Gjaku i tij i derdhur do të bashkohet me gjakun e të gjithë atyre  shqiptarëve  që u vranë padrejtësisht nga komunistët.  Gjaku i tyre  i përbashkët do të bëhet dritë për  popullin shqiptar dhe për të gjitha trojet shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok