22/12/2024

NË 18 VJETORIN E AMSHIMIT TË PRESIDENTIT RUGOVA, MBAHET AKADEMI PËRKUJTIMORE NË MYNIH

0
Rugova-Perkujtimi

Foto grupore me Kolonel Anton Quni në sallën e Akademisë

NGA BASHKIM HALILAJ, IDRIZ ZEQIRAJ

“Janari i përflakur, dhimbje fisnike”, është emërtuar Akademia përkujtimore, kushtuar Presidentit Rugova, në 18 vjetorin e amshimit. Skenari i menduar mirë dhe paraqitja skenike domëthënëse. Janë heronjtë e janarit, në mes tyre ikona e pavarësisë, Presidenti Rugova. Në foltore moderatori Blerim Cakiqi, në anësore studenti Florian Zymeri operon me zërimin e hymneve: Kombëtar, Dardan dhe Shtetëror, që pason me heshtjen nderuese për dëshmorët e lirisë.

Dega e LDK-së për Bavari, me kryetare Saranda Musliu dhe nëndegët e saj: në Starnberg me kryetar Ibrahim Potoku; në Mynih me kryetar Milaim Gërvalla dhe Oberbayern me kryetar Rexhep Nikçi, organizuan Akademi përkujtimore, në nderim të Presidentit Rugova dhe të heronjve të rënë në muajin janar.

Sekretari Blerim Cakiqi, përshëndeti Kolonel Anton Qunin, nënkryetar i LDK-së; kryetaren e LDK-së për Bavari, Saranda Musliun, familjet e dëshmorëve, veprimtarët e hershëm të Mërgatës; shoqatat: “Rilindja” në Mynih, me kryetar Bekim Gërvalla; “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, me kryetar Gentian Ferizi; “Abeja” në Freissing, me kryetar Agron Haxhijaj; “Rrufeja” në Moosburg, me kryetar Xhemajl Hoxha; “Alba” në Augsburg, me kryetar Myslim Berisha; “Ilirida” në Landau, me kryetar Tefik Jaha; “Shqiponja” në Mynih, me kryetar Milaim Krasniqi; Klubi letrar “Martin Camaj” në Mynih, me kryetar Bashkim Halilaj; Shkolla shqipe “LAPSH” në Bavari, me kryetar Milazim Ukaj; Lidhja e Krijuesëve Shqiptarë në Mërgatë, me kryetar Musa Jupolli, si dhe të  gjithë të pranishmit në këtë Akademi.

Si gjithëherë, dashuria në gjallje dhe nderimi pas amshimit, të Presidentit Rugova, janë të bollshme nga Mërgata. Emri dhe vepra e Tij kanë qenë dhe mbetën pafundësisht të admirueshme. Andaj, sallat mbushën, lehtësisht, në organizimet që bëhen në  nderim të Tij. Binomi Rugova dhe Kosova është një dhe i pandarë. Roli i Dr. Rugovës është pakrahasuesshmërisht në historinë shqiptare, që nga Gjergji ynë e këtej. Ky cilësim, tashmë, është bërë -hit-, nga personalitete shqiptare dhe të huaj.

 

Moderatori Blerim Cakiqi fton në skenë kryetaren e Degës të LDK-së, për Bavarinë, Saranda Musliu, për të folur për – Janarin e përflakur, dhimbjen fisnike -:

I nderuari nënkryetar i LDK-së Anton Quni,

Të nderuar bashkatdhetarë,

Sot dhe tërë muajin e fillimvitit, kryefjalë kemi emrin Janar, emër ky që sapo përmendet, trupin dhe shpirtin na e përshkojnë vrushkuj dhimbjesh, malli dhe rrënëçethjesh trishtuese shpirtërore! Jo rrallë është quajtur Kallnori i Malarjes vrastare të Gjergj Kastriotit, Kallnori i acartë i vrasjeve makabre të Isë Boletinit me bashkëluftëtarë, të Ismail Qemal Vlorës, të Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, të Musa Hotit, Enver Malokut, Reçaku i sakrificës, Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj dhe jo pak të tjerë, deri te ikja e dhimbëshme e Fadil Feratit, kryetari emblematik i Istogut!

Historia jonë është e mbushur përplotë me data ngjarjesh nga më të ndryshmet, lavdie e krenarie, luftërash e betejash për mbijetesë kombëtare, ngjarje që krijojnë epoka apo shëmbin mite, ngjarje sa legjendare, po aq edhe të kthesave historike!

Secili muaj është i veçantë në përmbajtësi dhe narracion rrëfimtar. Dhe, varësisht se cilin e merr në shqyrtim, aty ndeshesh me sakrificën në mbrojtje Kjenësie Etnike, në përpjekje për çlirim, shtetformim e shtetndërtim, që nga Nëntori i Kastriotit dhe kthimit të tij në Atdhe, shpalosja e Flamurit Kombëtar, tevona i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Qershori i Lidhjes së Prizrenit dhe Çlirimi i Dardanisë, Korriku apo Shkurti i Deklaratës dhe Ri-Deklarimit të Pavarësisë, Marsi i Pranverës së Zgjimit Kombëtar, dhe veçorive tjera të secilit muaj. Por Janari është krejtësisht tjetër nga muajt tjerë, sepse Janari është muaj i dhimbjes, muaj i lotëve, muaj i mallit, muaj i acarit të jashtëm dhe vlimit të brendshëm shpirtnor!

Po, gjithsesi jo pak poetë e shkrimtarë, artistë e filozofë, Janarin e quajtën muaj të flakës kushtrimore nga përflakja shpirtnore, sepse ndodhën edhe vrasje makabre të personaliteteve tona, nga më të dalluarat kombëtarisht e intelektualisht. Vrasje me prita sa qyqare, po aq tradhtare, vrasje nga frikacakë që i frikoheshin edhe hijes dhe emrit të tyre. E kjo e bënë Janarin shumëfish më të dhimbshëm që identifikohet edhe me kobin e tmerrshëm!

Të dashur të pranishëm, kjo Akademi Përkujtimore e organizuar nga Dega e LDK-së për Bavari, sigurisht që është vazhdimësi e nderimeve dhe përkujtimeve të vazhdueshme të veprimtarëve atdhetarë, të cilët në muajin Janar shkuan në pavdekësi. Përkujtime e nderime kudo dhe në forma e mundësi të ndryshme dhe shumëllojshme, por me vetëm një qëllim: T´i nderojmë dhe përkujtojmë pa dallim përkatësie politike e partiake, atdhetarisht e kombëtarisht, pa fije dallimi, sepse kështu e kemi TESTAMENT nga Presidenti Rugova, për të gjallë të tij dhe do ta vazhdojmë në PAVDEKËSI të tij dhe të Filozofisë Rugoviane!

Secili prej nesh ta bëjë argatin e tij apo të saj në shërbim të Atdheut, Kombit dhe Kauzës së drejtë Kombëtare. E ka borxh, e ka sa privilegj po aq sakrilegj, synon ta bëjë në mundësitë dhe dijen që ka, por me qëllimin më fisnik, të paktën, kështu e kërkon etika dhe detyra jonë atdhetare! Urojmë që me shtetndërtimin e mirëfilltë ligjor e institucional, të gjitha ngjarjet e pasqaruara përfundimisht dhe të patrajtuara meritueshëm dhe drejtë ligjërisht, të marrin tretmanin dhe epilogun meritor fisnik nga Drejtësia e Shtetit Ligjor!

Sigurisht që urojmë, kërkojmë por edhe këmbëngulim në realizimin të kësaj domosdoshmërie!

Nuk dua të zgjatem më shumë, nuk e kërkon as momenti dhe nevoja, falënderimi ju vjen i përzemërt për madhështinë që i jepet nderimit dhe përkujtimit të Presidentit Rugova dhe personaliteteve që përkujtuam e nderuam përzemërsisht sot”, – tha, në mes tjerash, kryetarja Sarandë.

Lavdi dhe nderim të përjetshëm Presidentit Rugova me dëshmorët e tij, me heronjtë e Kosovës!

Djali i Kaçanikut, poeti i mërgimit, Gazmend Dashi, nënkryetar i Shoqatës “Sali Çekaj”, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, autor i disa librave me poezi, reciton krijimin poetik, “Legjendë e Urtësisë”, kushtuar urtakut Ibrahim Rugova:

 

Legjendë e urtësisë

 

Shkrimtar e studiues i kohërave të lashta ilire

freskues i traditave shekullore

formulues kushtetute, shteti, ardhmënie

promovues i pazëvendësueshëm pavarësie.

 

I tillë ishte i përkushtueshëm

për komb të shqiptarisë

i dashurisë vllazërore

simbol i qëndresës dhe i urtisë.

 

I tillë ishte qoftë i bekuar

emri i tij Ibrahim Rugova

qoftë gjithmonë i uruar…

 

Mysafiri i parë i kësaj Akademie ishte Kolonel Anton Quni, nënkryetar i LDK-së. Prania e Kolonelit ngjallë gjithëherë emocione dhe me kujtimet e Tij për Kosharën heroike, legjitimuese e Ushtrisë Çlirimtare, sikur na i sjell në sallën e Akademisë heronjtë Sali Çekaj, Agim Ramadanin, me 112 heronjtë të rënë, në betejat e nderit në Koshare dhe të 2.438 luftëtarët të mbijetuar në atë luftë. Kolonel Quni, hero i gjallë i luftës ballore të Kosharës, i saktë në rrëfime, zotërues i emocioneve, për komandantët, oficerët dhe ushtarët heroikë të Kosharës, tashmë, të amshuar.

Moderatori Blerim Cakiqi, mezi priste ta ftonte në foltore Komandantin FARK-istë të Ibrahim Rugovës, Kolonel Anton Qunin, të cilin masa mërgimtare në sallë, e duartrokiti me përzemërsi dhe admiratë. Fjala e Tij përmbajtësore dhe fort e veçantë, ishte mbresëlenëse:

E nderuara kryetare e degës të LDK-së për Bayern, Saranda Musliu-Hoffer,

Të nderuar anëtarë, veprimtarë e struktura të LDK-së,

Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin dhe kënaqësinë që tu përcjellë përshëndetjet më të thella e të falat më të përzemërta të kryetarit tonë, Lumir Abdixhiku, me rastin e Akademisë Përkujtimore, në 18 vjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, si dhe përkujtimin e nderimin e heronjve, dëshmorëve dhe veprimtarëve të atdheut.

Përshëndes ish-kryetarin e Degës të LDK-së për Gjermani, Osman Ferizi, kryetaren Saranda Musliu, Familjet e heronjve: Gërvalla, Ismet Rrahmani, Zeqiraj, Hasani dhe familjet tjera të heronjve; veprimtarët veteranë: baca Nikollë Skelaj, Mehmet Kokaj, Idriz Zeqiraj, Emrush Tafa, Hazir Muriqi, Ahmet Kolgecaj, Naim Gashi, Fazli Gashi, Bashkim Leci, Musa Hamzaj, deputetin për Bavarinë e Epërme, Deli Balidemaj, mikun e Kosovës, Christian Hoffer, President në PAN Europa, të burgosurin politik, Naser Krasniqi, Mehmet Zymeri, Lindita Musliu, Familjen e Isuf Qetaj, bashkëluftëtari im.

Gjatë një takimi me kryetarin Abdixhiku, gjersa e informova se do të jem në mesin tuaj, ndër të tjera, i thashë: Kryetar, më duhet ta shkruaj një fjalim për këtë ngjarje dhe më duhet që ta bëj sa më të mirë.

Për një çast ndaloi e më vështoi në dritë të syrit dhe më tha:

“Komandant, unë për vete sa herë që shkruaj për Presidentin Rugova, ndjej kënaqësi për të vërtetën, sepse shkruaj për të vërtetin e vendit, ndërsa e vërteta e tij është vetë e vërteta jonë dhe ajo quhet: Republika e Kosovës”. Dhe, bazuar në këtë bisedë me kryetarin, e kam edhe këtë fjalim, të cilin do ta quaj: “E vërteta për të vërtetin e atdheut”.

Të nderuar të pranishëm, janari i vitit 2006 mbetet muaji më i ftohtë në historinë shqiptare. Ishte muaji më i acartë. Lajmi për ndërrimin e jetës të Presidentit Rugova e bëri të acartë çdo zemër shqiptari. E bëri të acartë Republikën e Kosovës. E bëri të acartë çdo vend shqiptar. E bëri të acartë krejt mërgatën shqiptare.

Fatkeqësisht, pikërisht në janar, disa nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit Rugova u privuan nga jeta: Tahir Zemaj, Enver Maloku dhe Smajl Hajdaraj, u vranë pabesisht nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.

Mirëpo, përkundër janarit të acartë, trashëgimia e Presidentit Rugova jeton ngrohtë përherë me ne. Jeton për paraardhësit tanë. Jeton për brezat që do të vijnë. Jeton për të gjithë. Jeton përgjithmonë: Republika. Sepse trashëgimia e tij e artë quhet: Republika e Kosovës.

Vizioni i Presidentit Rugova nuk ka afat. Ishte dhe është udhërrëfyes i domosdoshëm për Republikën e tij, Republikën tonë – Republikën e Kosovës.

Rrugëtimi për liri, pavarësi e demokraci, ishte misioni i tij dhe njëherit misioni më i suksesshëm shqiptar. Orientimi i tij pro-perëndimor është vetë orientimi ynë natyral e origjinal. Integrimi i Kosovës në NATO e BE, dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-të, është amaneti i tij, e njëherit rruga jonë njëdrejtimshe.

Të nderuar të pranishëm, Presidenti historik, Ibrahim Rugova ishte i dashur e i pranuar nga të gjithë. Ai rrethohej nga patriotët më të mëdhenj të atdheut.

Bashkëpunëtorët e tij të ngushtë ishin shumë nga heronjtë, dëshmorët dhe veprimtarët e devotshëm, për të cilët ne sot e përgjithmonë ruajmë respektin dhe kujtimin e përhershëm.

Me këtë rast, në vatrën tuaj kujtojmë se ju dhatë profesionistët ushtarakë dhe veprimtarët trima më të mëdhenj të atdheut, ndër ta dhatë heronjtë, si: Sali Çekaj e Tahir Zemaj, të cilët bashkë më shumë bashkëluftëtarë të lirisë i dhanë të gjitha për atdheun – e dhanë edhe jetën. Dhatë veprimtarë e patriotë, aktiviteti i të cilëve ishte dhe mbetet shembullor. Dhatë dhe vazhdoni të jepni gjithçka për popullin tuaj. Poashtu është muaji kur kujtojmë lajmëtarët e lirisë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Muaji janar ka sjellë në kujtime me emocione dhe përkulje madhështinë e kryeheroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Ta ruajmë e ta çmojmë historinë tonë të lavdishme; ta ruajmë e ta çmojmë përherë. Ky është nderimi më i mirë që ia bëjmë atdheut. Është nderimi më i mirë që ia bëjmë të vërtetës dhe të vërtetit të atdheut; Republikës së Kosovës dhe Presidentit Rugova. Është nderimi më i mirë që ia bëjmë të gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe pavarësi. Është nderimi më i mirë që ia bëjmë vetës në rrugëtimin tonë të sigurtë.

Më lejoni që për fund, edhe një herë të shprehë konsidetatën maksimale për organizimin e kësaj akademie.

Zoti e bekoftë jetën dhe veprën e Presidentit Rugova!

Zoti e bekoftë jetën dhe veprën e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri e pavarësi!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Poezinë “Dijetari”, të shkruar nga poeti Bashkim Halilaj, e recitoi, mjeshtërisht, moderatori Blerim Cakiqi. Poeti Halilaj, tashmë, ka bërë emër me botimet e tij poetike. Është anëtar i kryesisë të Lidhjes së Krijuesëve Shqiptarë në Mërgatë, anëtar i kryesisë për arsimin plotësues në Bavari dhe nënkryetar i Shoqatës “Bekim Berisha-Abeja”.

 

Dijetari

 

A do t´kemi fat përsëri

Të na vjen edhe një si ti

Dhe njëherë të na bashkon,

Si më parë në Epoken tonë?!

 

Truallit tim kudo që shkova,

Gjeta respektin në çdo vend,

Për ty Kolos Ibrahim Rugova,

Për ty i dashur President!

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe veprimtari Bashkim Leci, ushtari i kontigjentit të ushtrimorës të Surrelit të Tiranës, në vjeshtën e vitit 1991. Në mes tjerash, ushtar Leci evokoi kujtime nga ajo kohë, themelimin e

e partisë së parë pluraliste në Ballkan, LDK-së, të prirë, trimërisht dhe mençurisht, nga Dr. Ibrahim Rugova. Rrugëtimi ynë ishte i vështirë, i mundimshëm, në kushtet e një pushtimi të egër dhe brutal. Por, vendosmëria e Rugovës, me shokë shumë, bëri epokë, arriti ta bëjë rezistencën aktive paqësore dhe luftën e armatosur, me formacione të rregullta ushtarake. Oficerët atdhetarë, të shkolluar në Akademitë Ushtarake jugosllave, profesionistë të të gjitha armëve, taktikave dhe strategjisë luftarake moderne, bënë detyrën në shërbim të Atdheut-Kosovë,- tha, në mes tjerash, ushtari i djeshëm dhe veprimtari i sotëm i Mërgatës, Bashkim Leci.

Akademia Përkujtimore u përmbyll me baladën “Njeriu-Presidenti Ibrahim Rugova”, me tekstin lirik të poetit të mirënjohur, Mentor Thaçi, sekretar i Lidhjes së Krijuesëve Shqiptarë në Mërgatë; muzika Prof. Eduard Krock, të kënduar nga tenori Shkodran Tolaj, i njohur në të gjithë Etnikumin shqiptar dhe gjithandej në Mërgatën shqiptare në shtetet evropiane dhe përtej Oqeanit.

Më në fund, edhe më skeptikët dhe kritikët më fanatikë të Presidentit Rugova, tashmë, janë bindur se Ai mbetet shtetari më i dashur, më i respektuar, deri në adhurim, personaliteti unik, udhëheqësi më emblematik dhe me integritet të plotë, në të gjithë Shqiptarinë e shekujve të pas kryeheroit Kastrioti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok