NDIHMËTARI FALLXHI
Nga Hamza Halabaku
Shpend Gurit, edhe pse ditë e natë, si thonë, përpiqej të zinte diçka më shumë për veten dhe fëmijët, nuk i ecte se nuk i ecte puna. Bënte një jetë të zorshme… Jetonte i lodhur e i rraskapitur… jetonte qençe…
Një ditë iu drejtua bashkëshortja me lutje që të shkonte deri në fshatin Andej Mali, se atje ishte një njeri fallxhi, që u ndih¬monte nevojtarëve!
– Po ç´njeri, mori e uruar?! – bëri Shpendi duke e sjellë kokën herë djathtas e herë majtas. Ishte lodhur i gjori e s´dinte nga t´ia mbante…
– Po shihe, o Shpendi im i mirë, shumë njerëzve u ka ndihmuar…
Më ka thënë një tezja ime që nuk shihnin ditë të bardha kohë të gjatë, e kur kishte shkuar i shoqi tek ai i Andej Malit, nuk kishte vonuar shumë dhe i kishin marrë këmbët. Janë pasuruar, kanë bërë një shtëpi me tri-katër dhoma! Po jetojnë si në saraje…
– Po ec, mori e mira ime, se kjo punë nuk është punë hoxhe e as punë prifti!
E shoqja nuk ia ndalte lutjet Shpendit ditë e natë që ai të shkonte në Andej Malit, ndaj një ditë edhe Shpendit iu mbush mendja .
Mori bukë e ujë me vete dhe u nis për Andej Malit…
I lodhur e i rraskapitur Shpendi kishte mbërritur në Andej Mali dhe çka të shihte! Njerëz të shumtë para derës së ndihmëtarit fallxhi, siç e quanin njeriun i cili u ndih¬mo¬nte nevojtarëve që t’u ecte puna dhe të fito¬nin të paktën atë hise për të cilën punonin, që ta siguronin kafshatën e gojës për vete dhe familjen e tyre.
I erdhi radha edhe Shpendit të hynte brenda dhe të takohej me ndihmëtarin. Njeriu që ishte brenda kishte një karrige me këmbë të shkurtra, afër karriges një brokë me ujë, ca letra në anën e djathtë të tijën dhe disa letra të shkurtra e të ngushta. Njeriu që po takonte Shpendi, nuk kishte as shenja hoxhe e as shenja prifti. Ishte si të gjithë njerëzit e tjerë…
E kishe pyetur Shpendin përse kishte bërë atë rrugë aq të gjatë? Çfarë e mundo¬nte, domethënë çfarë halli kishte?
Shpend Guri i kishte treguar fill e për pe për të gjitha hallet e veta, për të gjitha ato që e mundonin, për varfërinë…
Ndihmëtari i tha se duhet të angazho¬hej më shumë ai dhe tërë familja e tij, që të djersiteshin më shumë verës për t’i pasur më mirë punët dimrit. I tha se duhej të pu¬no¬nin më shumë e të fitonin, se pa punë është vështirë të jetohet!
– O pasha të Madhin Zot, – iu betua Shpendi, – nuk jemi duke u ndalur gjatë gjithë verës as unë e as shoqja, i morëm në qafë edhe fëmijët, ditë e natë pa u ndalur në punë, po nuk po ec se nuk po ec…
Pushoi pak e prapë vazhdoi: – Gjë në dritë nuk po mund të qesim…
– Para një jave, – vazhdoi tregimin para ndihmëtarit Shpendi, – na polli dhia e vetme që e kishim dhe dy ditë më vonë i ngordhën të dy kecat e vegjël, edhe pse ishim shumë afër tyre, veç që nuk kemi fjetur me ta, rrinim te koka e dhisë, se u gëzuam i madh e i vogël kur dhia u shtua. Menduam se do të kemi me çka ta njomim kafshatën e bukës.
Ndihmëtari u bind se duhej t´i ndih¬mohej Shpend Gurit për hatrin e fëmijëve dhe mori lapsin e një copë letër dhe filloi t´i shkruante një hajmali…
Shkruante diçka në letër, por edhe fliste me zë…
– O i Madhi Zot, – filloi ndihmëtari, – të lutem shumë, pashë qiellin e yjet, pashë dëshmorët e rënë për hir të besimit, pashë viktimat e pafajshme që ranë gjithandej në luftërat e pakuptimta, pashë tokën e hënën, pashë ditën e premtimit, pashë pejgam¬be¬rin, e për hatrin e të gjithë njerëzve të mirë, për hatrin e njerëzve të ndershëm, për hatrin e shenjtëve, për të gjithë engjëjt e mirë, për emrin e të dashurve Tu, o i Madhi Zot, Ti je mëshiruesi, mëshirëmadhi e mëshirëploti, të lutemi shumë që të kesh mëshirë dhe ta ndihmosh edhe Shpend Gurin…
E përfundoi shkrimin e asaj letre të ngushtë e të shkurtër dhe në fund tha: Amen…! Fjalën amen e pëshpëriti edhe Shpendi…
– Merre këtë hajmali, – i tha Shpendit, – e kur të arrish në shtëpi, mbushe një kovë ujë në pusin tënd të shtëpisë, fute letrën në kovë e pastaj spërkate me atë ujë stallën e dhive, pastaj hambarin, shtëpinë e zjarrit, ma¬gjen e bukës dhe me ujin që të tepron spër¬kate oborrin tënd nga pak rreth e përqark. Shpresoj se lutjen që e bëra do ta pranojë i Madhi Zot dhe tani e tutje do ta kesh më mirë!
Shpendi e mori letrën e mbështjellë në formë të hajmalisë dhe u nis për në shtëpi! Shpresonte shumë se do të fillonte e mira për të dhe familjen e tij, sepse lutja, sipas mendjes së tij, ishte shumë bindëse.
Arriti në shtëpi pa e ndier lodhjen fare. Në shtëpi, bashkëshortja e gëzuar i doli për¬para, e bindur edhe ajo, se tani e tutje do të ishin në një pozitë më të mirë materiale.
Shpendi i rrëfeu fill e për pe, i tregoi për atë që kishte parë dhe kishte dëgjuar te ndihmëtari.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Shpendi filloi ta ndiente veten më mirë. Vitin që po vinte iu shtuan të mirat në arat që kishte. Pemët ishin mbushur lule dhe në vjeshtë ai kishte mbledhur shumë fruta. Dhinë që e kishte, atë që kishte mbetur shterpë, e kishte ndërruar për një tjetër, e cila i kishte pasur dy edha shumë të mirë.
Shpendi dhe bashkëshortja e tij atë vit po fluturonin nga gëzimi, se puna e tyre kishte dhënë frytet e para. E uronin ndih¬më-tarin gjithandej nga shkonin…
Kjo e mirë e tyre vazhdoi më shumë se tre-katër vjet dhe pastaj sërish morën tatëpjetën, filloi të binte pasuria e tyre, de¬risa ra aty ku kishte qenë para se të shko¬nte në Andej Malit te ndihmëtari! Shpendi prapë nisi të jetonte zorshëm.
E shoqja e luste prapë Shpendin që të shkonte në Andej Malit. Të shkonte te ndih¬mëtari.
Pas shumë lutjeve të së shoqes, Shpendi u bind dhe u nis për së dyti për në Andej Malit!
Kur i erdhi radha të takohej sy me sy me ndihmëtarin, sërish dëgjoi të njëjtat pye¬tje, si herën e parë.
Shpendi i tregoi fill e për pe. I tregoi se kishte qenë vite më parë dhe se si i kishte ndihmuar hajmalia, si e sa kishte përparuar ekonomia e tij shtëpiake…
Ndihmëtari e kuptoi dhe filloi ta shkru¬ante hajmalinë e dytë. Duke shkruar ndih¬mëtari hajmalinë, prapë fliste me zë!
– O i Madhi Zot, – filloi ndihmëtari, – të lutem që për hatrin e rakixhive, alkoolis¬tëve, pijanecëve, pontaxhive, delenxhinjve, daullexhinjve, njerëzve të këqij, njerëzve të pafytyrë, faqezinjve, rrenacakëve, rrugaçëve, kurvave e kurvarëve, kriminelëve, çnjerë-zo¬rëve e hajnave, ndihmoji këtij klientit tim, Shpend Gurit!
Shpendi u habit nga lutja e fjalët e ndihmëtarit dhe i tha: stop, stop, ndaluni, ju lutem…! Unë ju tregova që kam qenë këtu para katër vjetësh dhe atëherë jeni lutur ndryshe dhe lutja juaj më ka ndih¬muar shumë, e unë kam ecur përpara me punë dhe puna ime është shpërblyer me të mirat që m’i ka sjellë i Lumi Zot…
Ndihmëtari e shikoi i habitur e me dhimbsuri dhe i tha:
– Është e vërtetë se atëherë nuk jam lutur si sot. Ama atëherë kanë qenë të tjerë në pushtet e tani është dikush tjetër.
Thonë se pushtetarët janë të dërgua¬rit e Zotit në Tokë për ta sunduar e për ta udhëhequr popullin dhe lutjet duhet t´ia bëjmë të Madhit Zot dhe ta lusim Atë nga¬njëherë edhe në emër të pushtetarëve….
