NDËRROI JETË GJENERALI AMERIKAN COLIN L. POWELL

0

Nga Frank Shkreli

Dëshira e ish-Sekretarit të Shtetit Colin Powell për Shqipërinë: “Të realizonte potencialin e saj dhe të përfundonte udhëtimin historik, për tu këthyer, më në fund, në zemër të Evropës”.

Gjenerali Colin L. Powell, ish-Sekretar i Shtetit Amerikan dhe Shef i Shtatmadhorisë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara ndërroi jetë të hënën në mengjes, si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19, megjithëse ishte i vaksionuar plotësisht sipas rekomandimeve të mjekëve, thuhet në njoftimin e familjes për vdekjen e këtij amerikani të madh.  Familja falënderon ekipin mjekësor që është kujdesur për të në Qendrën Mjekësore Walter Reed në Bethesda të shtetit Maryland, afër Washingtonit, duke shtuar se, “Kemi humbur një bashkshort, baba dhe gjysh të dashur dhe të jashtzakonshëm, si dhe një Amerikan të madh”, thuhet në njoftimin e familjes me rastin e kalimit në amshim të Gjeneralit Colin Powell, njërit prej ushtarakëve, diplomatëve dhe politikanëve më të dalluar të Shteteve të Bashkuara, në disa dekada.

Colin Powell ka shërbyer në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit duke filluar nga 20 Janari, 22001, i emëruar në atë detyrë nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër. Gjenerali Powell ka qenë Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e Presidentit Ronald Reagan, ndërsa kariera e tij prej ushtaraku ka zgjatur për 35 vjetë, duke arritur nivelet më të larta në udhëheqjen e Pentagonit, përfshir edhe detyrën më të lartë të atij enti të mbrojtjes, Shef i Shtatmadhorisë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

Është e vështirë të gjeshë një udhëheqës politik, ushtarak ose diplomatik me rëndësi të Shteteve të Bashkuara në 30-vitet e fundit, që të mos ketë pas të bëjë – në një mënyrë ose në një tjetër me Shqipërinë dhe me shqiptarët.  Natyrisht, se duke qenë njëri prej personaliteteve më të dalluara ushtarake dhe diplomatike të Amerikës, as i ndjeri Gjenerali Colin Powell nuk mund të ishte një përjashtim.  Ndër vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit, shquhet edhe ajo e Sekretarit të Shtetit, Colin Powell në Maj të vitit 2003 në Tiranë ku kryediplomati amerikan mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut. “Karta e Adriatikut”, ka thenë me atë rast Powell, “do të shërbejë si një udhëzim drejtë integrimit euro-atlantik të tre vendeve (Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë). Ai ka shtuar se, në këtë dokument, “pasqyrohet përkushtimi i partnerëve tanë për të bashkpunuar, individualisht, me njëri tjetrin dhe me fqinjtë e tyre për të krijuar një rajon të demokracive të forta, të mbështetura nga ekonomi me tregje të lira”, dhe ka nënvijuar, gjithashtu edhe “rëndësinë që ne i kushtojmë integrimit eventual të këtyre vendeve në NATO dhe në institucionet e tjera evropiane”.

Powell ka thenë me atë rast (maj 2003) se megjith nënshkrimin e Kartës së Atlantikut, tre vendet në fjalë përballen me sfida të mëdha, ndërsa përpiqen të zhvillojnë ekonominë, ushtrinë dhe institucionet politike në nivele të barabarta me standardet perëndimore, jo vetëm se pse këto kërkohen nga Aleanca NATO, por më me rëndësi, është fakti se qytetarët e këtyre vendeve meritojnë standarde të tilla”, është shprehur ish-Kryediplomati amerikan Colin Powell në Trina, në maj të viti 2003.  Powell ka thenë 18-vjetë më parë në Tiranë se “Karta riafirmon premtimet e bëra nga të tre vendet, se do të “të vazhdojnë forcimin e institucioneve të tyre demokratike dhe të luftohet korrupsioni që qëndron midis popujve të rajonit dhe ëndërrave të tyre për një jetë më të mirë”, ka thekësuar Powell, pothuaj dy dekada më parë në qendër të Tiranës.

Eh, sikur Tirana zyrtare të mbante premtimet që u ka bërë gjatë viteve e deri më sot, aleatëve të saj perëndimorë — përshfir ish-Sekretarin e Shtetit të ndjerin Colin Powell — për të luftuar korrupsionin, për të bërë reformën në drejtësi, për zgjedhje të lira e të drejta, e të tjera premtime boshe, standarde këto të denja dhe të nevojshme të një vendi anëtar të NATO-s, për të arritur nivelet e standardeve perendimore për drejtësi dhe dinjitet njeërzor, për të gjithë shqiptarët pa dallim. Si mos të ndjehej i zhgënjyer i ndjeri Powell, në këtë ditë të kalimit të tij në amëshim,  – ashtu siç ndjehen edhe zyrtarë të tjerë amerikanë  – nga premtimet e boshe të pa realizuara të klasës politike shqiptare, të këtyre tre dekadave të kaluara – për një jetë më të denjë dhe më të mirë për shqiptarët, bazuar në vlerat dhe standardet perëndimore.

Me keqardhje të thellë personale, më duhet të them se shpresa e të ndjerit Colin Powell se fryma e Kartës së Adriatikut e nënshkruar prej tij në Tiranë në maj të vitit 2003, (madje as antarësimi i Shqipërisë në NATO më 2009),  nuk kanë sjellur, as zgjedhje të lira, as reformat e kërkuara në drejtësi, e si rrjedhim as integrimin e plotë të Shqipërisë në institucionet Euro-Atlantike, ashtu që sipas dëshirës së Powell-it, Shqipëria, “të realizonte potencialin e saj dhe të përfundonte udhëtimin e historik për tu këthyer më në fund në zemër të Evropës”, ka përfunduar fjalimin e tij, Colin Powell në Tiranë në maj të vitit 2003, aty ku, historikisht, e ka vendin Shqipëria.

Presidentët amerikanë, Joe Biden, Jimmy Carter, Xhorxh W. Bush, Bill Clinton dhe Barak Obama e cilësuan Colin Powellin si “Një hero të vërtetë Amerikan” dhe kujtuan integritetin dhe ndershmërinë e tij si dhe miqësinë personale që kanë pasur me të.  Presidenti aktual Biden tha se “mbi të gjitha Colin-in e kisha mik” dhe ai ishte një “patriot që s’e kishte shoqin…plot në dinjitet dhe ndershmëri”.

Ndërsa Presidenti Xhorxh W Bush than ë reagimin e tij se Colin Powell ishte, “ jashtzakonisht shumë i respektuar në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Por mbi të gjitha, Colin-in ishte famijar i devotshëm dhe mik imi.”

Presidenti Jimmy Carter tha se, “Guximi dhe integriteti i tij do jenë frymëzim për brezat e ardhëshëm.”

“Bota ka humbur njërin prej udhëheqësve më të mëdhej që kemi njohur. I pari afrikano-amerikan Shef i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, afrikano-amerikani i parë Sekretar Shteti, një burrë i respektuar anë e mbanë botës”, ishte reagimi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Z. Lloyd Austin III, me të dëgjuar për vdekjen e Gjeneralit me katër yje, Colin Powell.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok