22/12/2024

Nata e 8 qershorit 1999

0
Fadil-Arif-Latifi

Nga Blerim Latifi

Ka qenë nata e 8 qershorit 1999. Një krismë pushke ma nxorri gjumin. Xhelal Abazi, bashkluftëtari im nga Shkupi, i cili po kryente rendin e rojës në transhenë tonë të përbashkët, më tha: Çka u bo? U çove i trembun! I thash: N’andërr e dëgjova nji pushkë të keqe dhe diqysh m’u duk se vinte andej nga Prekazi.

Kisha lexuar sa e sa herë mbi kumtet e kobshme që njerëzve u ishin transmetuar përmes botës misterioze të ëndrrave dhe në ato çaste mendja më shkoi tek ato.

Mos vallë kjo ëndërr e keqe po më përcillte një lajm të kobshëm nga familja ime, për të cilën nuk kisha asnjë lajm prej gati tre muajsh?

Ashtu i zhytur në mendime, dola nga transheja. Kishte kaluar ora dy e natës. I thash Xhelalit që të futej në transhe dhe të flinte gjumë, se unë do të bëja pjesën tjetër të rojës.

U mbështeta tek një shkëmb që ishte aty afër transhesë dhe derisa erdhi dita e re u enda nëpër njëmijë e një mendime. Ëndërra e keqe më nxiste të mendoja se diçka e kobshme kishte ndodhur në familjen time, ndërsa arsyetimi racional më shtynte në kahun tjetër, në atë të mosmarrjes seriozisht të paralajmërimeve të errta oneirike. Vetëm breshëritë e armëve që dëgjoheshin herë pas here përgjatë vijës së fronit të Kosharës, ma ndërprisnin përkohësisht këtë luftë mendimesh.

Me 20 qershor, kur u ktheva në Prekaz, e kuptova të vërtetën. Krisma e kobshme në ëndrrën e 8 qershorit nuk kishte qenë makth iracional i ardhur nga thellësitë e pavetëdijës time. Një ditë më herët kishte rënë dëshmori i fundit i Prekazit në luftën e gjatë të Kosovës  për liri, djali i axhës, Fadili. Dy muaj pas rënies së babës së tij, Arifit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok