22/12/2024

Nacionalizmi i Fishtës përballë tradhtisë së Enver Hoxhës

0
Gjergj_Fishta

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Më  30 dhjetor 2020, mbushen 80 vjet që kur u nda nga jeta Atë Gjergj Fishta, njëra ndër figurat më emblematike të kulturës dhe të nacionalizmit shqiptar. Si një intelektual i shquar, i cili studimet e larta i kishte përfunduar shkëlqyeshëm në Kroaci për filozofi dhe për teologji, tërë jetën e vet ia kushtoi njohjes nga afër të jetës dhe të formimit psikologjik të banorëve ku punoi dhe meshoi për vite me radhë.

Në mesin e banorëve të viseve veriore të vendit tonë, ai njohu nga afër gjendjen tyre të rëndë ekonomike, e cila nuk i pengonte që ata të shpërfaqnin forcën e karakterit të tyre, bujarinë karakteristike, mikritjen tradicionale, fisnikërinë e shpirtit, besnikërinë ndaj normave të kodit zakonor, trimërinë dhe qëndresën burrërore para çdo padrejtësie në jetën e përditshme. Aty ai u njoh me thesaret e gjuhës shqipe, me pasurinë e saj të pamatë leksikore, e cila do të gatuhej aq mjeshtërisht në “magjen” e krijimtarisë së tij artistike

Si njohës i pesë gjuhëve të huaja, ai erdhi e u kalit me një kulturë të gjërë në disa fusha të dijes, duke dhënë një kontribut të shquar në lëmin e letërsisë artistike, në publicistikë, në arsim, në estetikë, madje edhe në pikturë. Në të njëjtën kohë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si politikan, duke ngritur zërin e tij të fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare.

Intelektuali i njohur i Diasporës shqiptare në Australi, zotëria Federik Radovani, një intelektual ky i formati të shkëlqyer nacionalist, gjatë gjithë vitit 2020, të vlerësuar prej tij si Viti Fishtian, ka dhënë një kontribut shumë të çmuar për nxjerrjen në pah të veprës madhore të Fishtës, si penë e shquar e përmasave evropiane në kulturën shqiptare dhe si politikan me dinjitet të lartë kombëtar.

Lexuesit atdhetarë i janë shumë mirënjohës intelektualit Federik Radovani, i cili, një vit më parë, pati botuar në internet Fjalimin e famshëm të Fishtës në Konferenmcën e Paqes në Paris, të mbajtur më 20 qershor 1919, fjalim që titullohet “Shqiptarët e të drejtat e tyre”.

Lidhur me veprën kriminale të shovinizmit evropian, i cili, për shkak të përçarjes ndërshqiptare, nën ndikimin e fuqishëm të politikës dhe të diplomacisë tradicionalisht armiqësore ruse ndaj kombit shqiptar, trojet tona etnike i copëtoi në mënyrën më të pamëshirshme për interesat e grekosllavizmit, në atë Konferencë Fishta i Madh, si asnjë politikan shqiptar pas shpalljes së pavarësisë dhe deri në ditët tona, gjatë Fjalimit të vet emblematik, shprehu një qëndrim fort burrëror, i cili me kohë duhej të qe shkruar me shkronja të  arta në historinë tonë kombëtare.

Në atë Fjalim, tashmë në rolin e një politikani me vetëdije të lartë kombëtare, Fishta deklaroi:

“Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë… Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu Shqipnisë ato toka që, Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve”.

Kur lexojmë këtë deklaratë të Atë Gjergj Fishtës në një forum të lartë ndërkombëtar, siç ishte konferenca në fjalë, bindemi plotësisht se ai është burrëria dhe lavdia e kombit shqiptar, ai është dinjiteti, nderi dhe krenaria e nacionalizmit shqiptar. Ai është burim i pashtershëm frymëzimi për të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare.

Kur lexuesi njihet me përmbajtjen e atij Fjalimi, për forcë të ligjit të antitezës, vetvetiu i lind në kokë ideja për të bërë ballafaqimin e qëndrimit të nacionalistit të madh Fishta në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, me qëndrimin e kryetradhtarit Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946. Në këtë Konferencë u paraqit një rast ideal që Enver Hoxha të kërkonte ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në Fjalimin e vet, Enver Hoxha pati sulmuar amerikanët, të cilët, sipas bindjes së tij prej tradhtari të kombit shqiptar, paskeshin përkrahur pretendimet greke për Epirin e Veriut. Lidhur me reagimin në atë Konferencë të shefit të misionit amerikan Jakobs ndaj akuzës së Enver Hoxhës, është bërë sqarimi sipas hulumtimit në vijim:

“Shefi i misionit amerikan u përpoq t’i shpjegonte atij se SHBA, asnjëherë, nuk kishin përkrahur kërkesat greke për “Epirin e Veriut” dhe se, duke votuar për futjen e kërkesës greke në rendin e ditës të Konferencës, “ne thjesht kemi ndjekur politikën tonë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke dhënë një vlerësim ndaj çdo kërkese për rektifikime kufitare. Kjo mund të bëhej vetëm në një konferencë paqeje dhe se, duke votuar për futjen e kësaj çështjeje kufitare në rendin e ditës së konferencës, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton përkrahjen e SHBA për këtë kërkesë”. Pastaj, duke kaluar në kundërofensivë, Jakobsi preku një çështje delikate. Ai e pyeti Hoxhën, se cili do të ishte reagimi i tij, në qoftë se Shqipëria do të kërkonte futjen në axhendën e Konferencës së Paqes të kërkesës për rajonin e Kosovës, dhe në rast se  Delegacioni i SHBA do të votonte kundër së drejtës së Shqipërisë për ta diskutuar këtë kërkesë në Konferencë. “A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?” – kishte pyetur Jakobsi. Kësaj pyetjeje E. Hoxha iu përgjigj në një mënyrë të turbullt dhe mohuese. Ai i tha përfaqësuesit amerikan se “kjo nuk përbën një rast analog, sepse ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia”” (Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 515-516).

Pra, Jakobsi, siç duket, ishte i informuar me kohë për figurën e Enver Hoxhës, si një argat besnik i Beogradit dhe ai, paraprakisht, ishte plotësisht i bindur për një gjë të tillë. Prandaj i drejtoi Enver Hoxhës pyetjen-kurth lidhur me qëndrimin e tij ndaj Kosovës, në mënyrë që ta pranonte edhe publikisht para asaj Konference se ishte kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Domosdo që tradhtari Enver Hoxha nuk mund ta kërkonte një ribashkim të tillë se ai, si i rekrutuar me kohë në shërbim të serbosllavizmit, ia kishte shitur shpirtin shejtanit. Në dallim nga Fishta, i cili serbosllavizmin e kishte vënë në tehun e “bajonetës” së vet letrare dhe publicistike, Enver Hoxha kishte rënë në gjunjë para  tij dhe ishte gati që Shqipërinë ta kthente në koloni të Jugosllavisë, nën maskën e një republikë të shtatë. Por, në të njëjtën kohë, Atë Gjergj Fishta është edhe shuplaka më e rëndë për të gjithë besëprerët, dallkaukët, hajdutët, mercenarët dhe tradhtarët e kombit shqiptar, të cilët, në krye të politikës shqiptare, deri edhe në ditët tona, shenjtërinë e të qenit shqiptar, nacionalizmin shqiptar, e kanë nxjerrë në breg të pazareve grekosllave dhe të brukselizmit në përkrahje të tij.

Rreth një vit më vonë pas Konferencës së Paqes në Paris, argati Enver Hoxha, si kryefalsifikator i historisë së marrëdhënieve të popullit shqiptar me sllavët, do të deklaronte fare paturpësisht:

“… Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia… Po të studiojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë… Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”…” (Citohet sipas: “Pse u masakrua Gjergj Fishta”. Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin IV të rinisë popullore. Marrë nga faqja e internetit “Peshku pa ujë”. 06 dhjetor 2012).

Kjo deklaratë prej tradhtari të regjur të kombit shqiptar, në të cilën Enver Hoxha shpif për Fishtën, duke e etiketuar si shërbëtor të fashizmit italian, dëshmon për dy gjëra:

Enver Hoxha ose ka pasë qenë kaq keq i verbuar nga tradhtia në shërbim të serbosllavizmit, saqë nuk paska qenë në gjendje absolutisht t’i hidhte një vështrim të kaluarës historike të marrëdhënieve të popullit shqiptar me popujt sllavë, ose ai, për shkak të kulturës gjysmake, nuk e ka ditur fare se ku binte me adresë ajo e kaluar historike. Sepse dihet që serbosllavët kanë pasë ushqyer urrejtje shumëshekullore kundër popullit shqiptar.

Profesori Hakif Bajrami citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç, i cili në vitin 1942 ka deklaruar:

“Atë që po bën sot Hitleri kundër hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava  (11691236) në mesjetë kundër arbanasëve, që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: Pro.dr. Hakif Bajrami. “Pse Serbia sot është në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 dhjetor 2020).

Për t’u njohur më me hollësi me strategjinë e serbosllavizmit për shfarosjen e popullit shqiptar dhe sidomos të popullit shqiptar të Kosovës, nostalgjikët e Enverit (e propaganduesit të marrëdhënieve “miqësore” me popujt sllavë) në Shqipëri dhe në Kosovë,  sidomos enveristë e Ferizajt, le të kenë parasysh “Naçertanien” e Ilia Garashaninit të vitit 1844, gjenociditn serbosllav që shpërtheu në krahinën e Nishit pas vendimeve kriminale të Kongresit famëkeq të Berlinit të vitit 1878, periudhën e luftrave ballkanike, le të lexojnë dhe të rilexojnë për këtë periudhë artikullin me titull “Kush e vërtetoi vrasjen e 500 mijë shqiptarëve nga serbët, si u gjet libri i austriakut?”, të botuar në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të datës 18  mars 2018, le të sjellin në kujtesë elaboratin e shkrimtarit të tërbuar shovinist Ivo Andriç dhe të akademikut gjakatar Çubrilloviç në prag të Luftë II Botërore, për t’u njohur me doktrinën shtetërore serbe për zhdukjen e popullit shqiptar.

Të gjitha këto të vërteta historike, tradhtari i Kosovës dhe i mbarë kombit shqiptar Enver Hoxha, i anashkalonte me të vetmin  qëllim, që të zhdukte nga kujtesa e njerëzve emrin e Gjergj Fishtës. Enver Hoxha, siç e pati karakterizuar fort bukur Mustafa Kaçaçi në Konferencë e Labinotit të marsit të vitit 1943, kishte qenë “askushi” deri ditën ku filloi zhvillimi i punimeve të asaj konference. Dhe ky “askush”, i komanduar në krye të partisë me “patericat” e Miladinit dhe të Dushanit, kërkonte të bëhej  “dikushi” se s’bën. Por gjatë përvojës së popujve të ndryshëm, jeta ka vërftetuar se “askushi” mund të bëhet “dikushi” vetëm përmes ushtrimit të terrorit të egër kundër popullit të vet. Prandaj kryekrimineli Enver Hoxha nuk u mjaftua vetëm me hedhjen e baltës pa hesap mbi emrin dhe veprën e ndritur të Fishtës së Madh. Ai, si agjent i regjur i serbosllavizmit, urrejtjen e papërmbajtur, deri në egërsi shtazarake, e shfreu edhe ndaj eshtrave të tij, duke dhënë urdhër për zhvarrosjen e tyre dhe flakjen në lumin Drin.

Dhunimin e eshtrave të Fishtës, Petraq Kolevica, e ka vajtuar me një art të rrallë poetik në poezinë me titull “Vigani që prehje nuk gjeti”, të botuar në vitin 2006. Lexuesit mund ta gjejnë në internet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok