MUSTAFË IBISHI- SHQIPËRIA ETNIKE DO TË BËHET ME NE TË GJALLË, O ME NE TË VDEKUR
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
(1891- u likuidua nga UDB-eja më 19 mars 1946)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Mustafë Ibishi, u lind në fshatin Kramovik të Anadrinisë, më 1891, nga babai Ibish Thaqi. Mustafa u rrit në një familje atdhetare, ku, që të gjithë të parët e tij, kishin luftua dhe kishin mbrojtur tokat shqiptare nga okupatorët e ndryshëm. Edhe babai i Mustafës, kishte marr pjesë në disa luftëra për ti dal zot atdheut. Fëmijërinë dhe rinin e kishte kalua në fshat dhe, kryesisht ishte marr me bujqësi. Kulla e Ibish Thaqit, në atë anë, njihej në Kramavik e rrethin që ishte qendër e lëvizjes dhe në të pushonin e drekonin burrat më në zë të kombit dhe që luftonin për mbrojtjen e atdheut. Po në atë kullë, zuri fill edhe themelimi i Organizatës Politike- ushtarake “Besa Kombëtare” i prof. Ymer Berishës, për Llapushë e Rrafsh të Dukagjinit dhe Komandanti luftarak, Ukë Sadikun.
Por, takimet e shpeshta me burrat atdhetar të kohës dhe me njerëzit të pendës e pushkës, tek Mustafa patën ndikim të madhe. Si i ri u brumosë me dashuri të madhe ndaj atdheut dhe në vete u betua, se këmbë armiku nuk do të shkel në këto troje. Mustafa ishte i martuar me Zaden, bijë e Hysen Syles nga Damaneku i Llapushës. Me të pati një jetë të lumtur bashkëshortore. Në martesën e tyre lindën pesë fëmijë: Sadijen, Ryven, Fatimen, Nexhmijen dhe djalin Hasanin.
Atdhetari nga Kramoviku, që nga fillimi ishte pjesë e Lëvizjes për Lirimin e Trojeve Etnike Shqiptare. Ai mori pjesë bashkë me shokë në luftën e Kollashinit dhe mbrojtën me pushkë pjesën veriore të kufijve të Kosovës. Mori pjesë në çdo luftë që organizuan Brigadat Vullnetare të Bajrakut të Astrazubit e të Polluzhës gjatë viteve 1942 dhe 1944, që Mustafa ishte pjesë e pandashme e tyre, duke u mbrojtur nga sulmet e hordhive çetnike të Drazha Mihajloviqit.
Mustafë Ibishi, bashkëpunonte ngushtë me krerët e çetave kryengritëse shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit, të Podgurit, të Anadrinit, të Llapushës, të Lugut të Drinit dhe të Drenicës. Në takimet e shpeshta që mbante me ta, nga ana e prof. Ymer Berishës, ishte paraqitur kërkesa që të organizohej dhe të mbahej një tubimi madh kombëtar, ku do merrnin pjesë krerët më të njohura kombit. Mustafa Ibishi, ishte i gatshëm që të ndihmonte kudo që paraqitej nevoja për të. Andaj, edhe në këtë tubim ishte dora e djathtë e prof. Ymerm Berishës. Përvoja jetësore pran profesorit i kishte ndihmua shumë Mustafës, dhe gati-gati mund të thuhej se ishte një nxënës i devotshëm i tij dhe me përpikëri i aplikoi në jetën e përditshme luftarake. Ai i përvetësoi këshillat e tij, durimin epik, strategjinë luftarake, ngase dihej se profesori njihej si një politikan e strateg i luftës. Në jetën ilegale, Mustafa ishte trim dhe njeri i besës, i ndihmonte të tjerët dhe ishte pranë tyre në luftë kundër okupatorit serbo-sllav komunist jugosllav.
Ai ishte i pandashëm me çetën e Ukë Sadikut, por luftonte edhe me atë, të Alush Smajlit. Pastaj, iu ndihmonte luftëtarëve në çetën e Garaçëves të Qazim Bajraktarit. Po ashtu ishte shumë aktiv edhe në çetën e Ndue Përlleshit. Dhe pas të gjitha këtyre ecejakeve nëpër çeta të ndryshme me këshillën e Prof. Ymer Berishëa formoi çetën e vet, e cila grumbulloi mbi 200 luftëtar të fshatrave të Anadrinit, të Llapushës dhe viseve të tjera të Kosovës. Çeta e tij me pritat dhe luftimet e saja, e tmerronte armikun. Duhet përmendur patjetër luftën në malet e Bjeshkëve të Zatriçit dhe në Grykën e Garaçevës së Ponorcit. Edhe pse ishte një luftë e pabarabartë në mes çetës së Mustafë Ibishit dhe atyre partizane, që ishin në numër shumë më të madh dhe me përgatitje më të madhe në armatim, qeta e Ibishit u shpartallua, por nuk u dorëzua, edhe më vonë iu sollën kokëçarje të mëdha. Siç dihej, në këtë periudhë, në Kosovë ishin formuar dhe vepronin shumë grupe e organizata të ndryshme ilegale patriotike. Por, mendja e ndritur e prof. Ymer Berishës, këtë shkapërderdhje të ilegales nuk e shihte me sy të mirë, andaj edhe kishte marr disa veprimtari për ta bashkuar atë në një të vetme. Në këtë veprimtari profesorin e ndihmuan shumë atdhetar të njohur por në mesin e tyre dallohej edhe Mustafë Ibishi.
Në këto rrethana të okupimit, momenti historik shtroi nevojën e domosdoshme për mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të gjitha këtyre grupeve-lëvizjeve, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Nga një takim paraprak i njësive udhëheqëse u caktua vendi- fshati Dobërdol, dhe data e mbajtjes 4-5 gusht 1945.
Sipas vlerësimeve që vinin nga tereni, situata për mbajtjen e Kuvendit të Dobërdolit ishte e volitshme. Në bisedë me Ukë Sadikun, prof. Ymer Berisha takimin ndërmjet krerëve të ilegales e kishte caktuar për muajin gusht të vitit 1945, në fshatin Dobërdol, në malet e Martin Pjetrit. Më 24 gusht filloi tubimi i madh i ilegales. Në të merrnin pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit prej Roxhaje dhe Pazarit të Ri, gjithsejtë 158 veta.
Aty u takuan udhëheqësit siç ishin : Ukë Sadiku, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gjin Doda, Zeqë Sokoli, Qazim Bajraktari, Shaban Sadik- Rama, Sadik Lutani, Alush Smajli, Ferat Kotorri , Adem Shala, Njazi Alishani, Zhukë Haxhia, Islam Tabaku, Rexhë Xhela, Mulla Ilazi, Biko Dresheviq ( i cili me vete kishte sjell edhe katër të arratisur nga Sanxhaku ), dhe shumë të tjerë.
Përfaqësuesit nga rrethi i Vushtrrisë, Podujevës, Mitrovicës, nuk merrnin pjesë për hir të situatës së vështirë, por profesori ata i kishte njoftuar me kohë për detyrat dhe organizimin e punës së tubimit. Përfaqësuesit nga Ferizaj, Gjilani e Kaçaniku për arsyen objektive, e që ishin objektive nuk kishin prezantuar në takim. Kuvendi i Dobërdolit sipas dëshmive që kemi, kishte zgjatur dy ditë. Gjatë tërë punës së kuvendit, në kodër mbi Llugë afër Dardhës së Madhe, siç e quanin vendasit, u vendos flamuri me shqiponjën dykrenore dhjetë metra i gjatë, që e ruante roja e nderit Alush Smajli i Llazicës.
Në mënyrë solemne Kuvendin e kishte hapur Ukë Sadiku. Ai i përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi prof. Ymer Berishën si iniciator ideor të lëvizjes dhe krijues i organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për situatën politike foli vetë profesori. Ai tha para të pranishmëve se “Situata politike është shumë e rëndë dhe me ndihmën e aleatëve priten ndryshime të mëdha, por theksoi se , ne duhet të jemi të gatshëm që në momentin e duhur të marrim pushtetin”. U kërkua që edhe në terren të bëjmë mobilizimin e duhur të masave, dhe të jenë të gatshëm për aksione konkrete. Kuvendi i Dobërdoli zgjati dy ditë, procesmbajtëse e këtij tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte Marie Shllaku, shkodrane. Gjatë tërë kohës tubimi ishte i siguruar shumë mirë, sepse e ruanin luftëtarë të spikatur, njëherit edhe tërë fshati bënte roje, por dalloheshin Smajl Hajdari, Halil Sadria, Zef Përlleshi, Martin Pjetri dhe luftëtar të tjerë të Ukë Sadikut dhe Ndue Përlleshit. Kuvendi pasi zgjodhi udhëheqësit ushtarak, mori vendim që të sulmohen njësitë e “UNÇ” në Drenicë dhe në minierën e Trepçës, ku ishin inkorporuar forcat çetnike pas rehabilitimit të tyre. Kjo luftë ishte një goditje e rëndë për armikun. Në këtë kuvend u mor edhe qëndrimi që të formohet organizata politiko-ushtarake, patriotike ilegale “Besa Kombëtare”, e cila do të udhëhiqet nga kryesia e përbërë prej 12 vetave. Supozohet se në Drenicë ishte hera e dytë që formohej kjo organizatë, por me pak ndryshime, ngase atëherë quhej organizata e rinisë “Besa Kombëtare”, dhe ishte e zyrtarizuar, si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri.
Kuvendi zgjodhi Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak, ndërsa prof. Ymer Berisha u caktua udhëheqës i sektorit politik. Të dy këta ishin anëtarë të rrethit të ngushtë të Shtabit Udhëheqës të organizatës.
Ishte hera e parë që në radhët e grupeve ilegale patriotike u emëruan komisarët. Kjo ishte edhe një garanci se grupet do të aktivizohen dhe do të veprojnë edhe më tepër në teren sipas direktivave të udhëheqësish qendrore. Përveç këtyre në kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial, duke mos lënë pa emëruar edhe aty, pos udhëheqësve ushtarak edhe udhëheqësit politikë. Meqenëse Kosova dhe Dukagjini u ndan në 12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po aq komisarë politikë për të pasur autoritet edhe më të madh në fushën ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt “12 këshilltarët”. Pas kryerjes së kuvendit, grupet u larguan njëra pas tjetrës, pa pasur as më të voglin problem. Të gjithë delegatët u shpërndan me përshtypjet më të mira, posaçërisht ndjenin një simpati dhe një besim të madh ndaj profesor Ymer Berishës.
Pas përfundimit të kuvendit në Dobërdol, luftëtaret u shpërndan bashkë me profesorin e Ukë Sadikun. Për pjesëmarrjen në Kuvendin e Dobërdolit, për strehimin e kaçakëve dhe për përkrahjen e lëvizjes për çlirimin kombëtar dhe për një Shqipëri etnike, udhëheqësit e këtij kuvendi si dhe shumë veprimtar të kësaj ane u dënuan me burg shumëvjeçar. Iu plaçkitën dhe iu dogjën shtëpitë, u maltretuan familjet dhe bënë akte genocidale ndaj tyre. Represion shtazarakë përjetoi sidomos familja e Dan Pjetrit, në pronën e të cilit u mbajt Kuvendi. Po në këtë familje ishte e strehuar 6 muaj edhe Marie Shllaku.
Mustafë Ibishi, edhe më vonë dallohej në mes luftëtarëve me trimëri dhe oratori, me zgjuarsi dhe me përkrahjen që iu jepte shokëve të luftës e të idealit. Duhet përmendur përleshjen e madhe të çetës së Mustafë Ibishit, që kishte ndodhur në Grykën e Garaqevës të Ponorcit, më 16 mars 1945. Përleshja ishte zhvillua në mes ushtrisë partizane- çetnike dhe grupit të vullnetarëve të Mustafë Ibishit. Aty nga partizanet ishte vrarë një nëntoger dhe disa ushtarë të armikut, ndërsa nga ana e Mustafë Ibishit ishte plagosur Malë Bashota i Carravikut dhe vet Mustafë Ibishi. Nga mllefi i madh që kishte pësua ushtria partizane, në shenjë hakmarrjeje i kishte sulmua fshatrat: Ponorc, Bubël dhe Llapçevë, duke i futur në rrethim të hekurt dhe ndaj fshatarëve kishte përdorur dhunë duke i rrahur e malltretuar fshataret e pafajshëm.
Më 17 mars 1946, qeta e Mustafë Ibishit, nga Gryka e Garaçevës ia mësyjnë bjeshkës mbi Ponorcë, duke menduar se për dalje në veri, ajo ishte më e sigurta, po qese kalonin nga fshati Mrasor. Mustafë Ibishi me shokë, shpëtimin e shihnin në kalimin e Drinit të Bardhë, për të vazhduar në Dushkajë të Nahisë së Gjakovës. Me kalimin e tyre në atë anë, llogaritshin se do kenë mbështetjen e çetës së Ndue Përlleshit. Ky plan, luftëtarëve të Ibishit iu dështoi ngase, ushtria dhe UDB-eja kishin llogaritur në atë plan, dhe kishin bllokuar çdo hyrje-dalje në fshatrat e lartpërmendura. Ushtaret dhe UDB-eja, me forca të mëdha ushtarake kishin zënë pritat, duke krijuar një mur të hekurt që nuk mund të dilnin nga aty. Duke e ditur se Mustafa Ibishi ishte i paparashikueshëm, dhe herë pas here sulmonte në befasi, aty ku nuk e priste armiku, ata ishin përgatitur që në mbrojtje të veriut kishin sjellë një brigadë tjetër, në këtë mënyrë kishin zënë të gjitha pritat. Mustafë Ibishi ishte i vetëdijshëm se grupi i mbetur i tij ishte në rrezik. Si të luftonte me gjashtë luftëtar me një ushtri të tërë, mendonte. Vendosi të bënte një sulm, në vendin ku mendonte se ishte më i përshtatshmi me u largua nga aty. Në sulmin e pa pritur që bëri ndaj ushtrisë serbe, thonë se kishte vrarë shumë ushtar, por megjithatë, ikja qe e pamundur.
Më 19 mars 1946, u likuidua edhe Mustafë Ibishi me pesë shokët e tij: Xajë Pataçanin e Pataçanit të Ultë të Rahovecit, Feriz Gashin e Sopniqit të Rahovecit, Malë Bashotën e Caravikut të Llapushës, Halil Imerin e Mleqanit të Llapushës dhe Jahë Kabashin e Kliçinës së Lugut të Leshanit. Shpëtoi i gjallë vetëm Feriz Boja nga Kërrnica e Klinës, duke u kamufluar se ishte bari dhe si i tillë e kalon rrethimin, duke u strehuar në fshatin e tij të lindjes në Kërrnicë.
Të nesërmen, kufomat e luftëtarëve trimave shqiptarë, ushtria partizane serbo-çetnike i bartin deri në stacionin e policisë në Dush të Sferrkës së Gashit, dhe aty i urdhëroi disa fshatarë të këtyre dy fshatrave që ti varrosnin në një varr të përbashkët pa kurrfarë ceremonie mortore, vetëm 50 metra në jug të këtij stacioni. Ky stacion i policisë për popullatën shqiptare ishte një ankth i vërtet nga se, çdo ditë, e çdo mbrëmje, sjellin fshatar shqiptar vetëm e vetëm për ti rrahur që në këtë mënyrë të merrnin informata se ku strehoheshin trimat, që luftonin për një Shqipëri Etnike. Shqipëria Etnike do të bëhet me ne të gjallë o me ne të vdekur, thoshte shpesh Mustafë Ferizi, dëshmori i kombit.